Allahu i Madhëruar thotë në Kuran:
﴿رِجَالٞ لَّا تُلۡهِيهِمۡ تِجَٰرَةٞ وَلَا بَيۡعٌ عَن ذِكۡرِ ٱللَّهِ وَإِقَامِ ٱلصَّلَوٰةِ وَإِيتَآءِ ٱلزَّكَٰوةِ يَخَافُونَ يَوۡمٗا تَتَقَلَّبُ فِيهِ ٱلۡقُلُوبُ وَٱلۡأَبۡصَٰرُ﴾
“Burra, të cilët as tregtia, as shitblerja nuk i pengojnë nga përmendja e Allahut, falja e namazit dhe dhënia e zekatit. Ata kanë frikë nga një Ditë, kur zemrat dhe shikimet do të jenë të shqetësuara.” (En-Nur, 37)
Ky ajet na mëson se besimtari mund të merret me tregti, të ketë biznes dhe të punojë për të fituar pasuri, por nuk duhet të lejojë që angazhimet e tij ta largojnë nga përmendja e Allahut dhe adhurimi ndaj Tij.
Këtë parim Allahu na e mëson edhe më qartë përmes namazit të Xhumasë.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿يَـٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُوٓا۟ إِذَا نُودِيَ لِلصَّلَوٰةِ مِن يَوْمِ ٱلْجُمُعَةِ فَٱسْعَوْا۟ إِلَىٰ ذِكْرِ ٱللَّهِ وَذَرُوا۟ ٱلْبَيْعَ﴾
“O ju që keni besuar! Kur të thirret ezani për namaz ditën e Xhuma, nxitoni drejt përmendjes së Allahut dhe lëreni shitblerjen!” (El-Xhumua, 9)
Ky urdhër na tregon qartë se, kur vjen koha e namazit të Xhumasë, tregtia dhe angazhimet e kësaj bote duhet të lihen mënjanë, për t’iu përgjigjur thirrjes së Allahut.
Por Allahu nuk na kërkon ta braktisim punën dhe tregtinë. Përkundrazi, menjëherë pas përfundimit të namazit, na udhëzon të kthehemi në angazhimet tona.
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿فَإِذَا قُضِيَتِ ٱلصَّلَوٰةُ فَٱنتَشِرُوا۟ فِي ٱلْأَرْضِ وَٱبْتَغُوا۟ مِن فَضْلِ ٱللَّهِ وَٱذْكُرُوا۟ ٱللَّهَ كَثِيرٗا لَّعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ﴾
“Kur të përfundojë namazi, shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga begatitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të gjeni shpëtim!” (El-Xhumua, 10)
Çfarë mësimi marrim nga këto ajete?
▪️ Islami na mëson të ruajmë ekuilibrin ndërmjet adhurimit dhe punës.
▪️ Kur vjen koha e Xhumasë, e lëmë shitblerjen dhe i përgjigjemi thirrjes së Allahut.
▪️ Pasi ta përfundojmë namazin, kthehemi në punët dhe tregtinë tonë.
▪️ Gjatë gjithë angazhimeve tona, nuk e harrojmë Allahun dhe kujdesemi që fitimi ynë të jetë hallall.
Islami nuk na mëson ta braktisim tregtinë për hir të adhurimit, por të mos e harrojmë adhurimin për shkak të tregtisë.
/Hoxhë Fuad Ferati/










