Vortex, impianti pa helika, që mund të sjellë energjinë e erës në shtëpinë tuaj

Avantazhi kryesor i kësaj teknologjie është reduktimi i ndikimit të saj në mjedis, ai vizual dhe kostot e funksionimit dhe mirëmbajtjes së turbinës

 

Impiantet eolike prodhojnë energji të pastër. Në Europë, ata sigurojnë 14.7 gigavatë, rreth 16% krahasuar me totalin, e cila do të arrijë në 105 gigavatë në vitet e ardhshme. Pavarësisht se janë një burim i rinovueshëm 100%, kanë probleme. Ato kanë kosto të lartë dhe shëmtojnë peizazhin (rreth 80% është në tokë). Përveç kësaj, helikat prodhojnë ndotje akustike dhe kanë pasoja të rënda te fauna, veçanërisht te zogjtë.

Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, helikat janë përgjegjëse për vrasjen e 140 mijë deri në 500 mijë zogjve, në vit, sipas US Fish and Wildlife Service.

Sidoqoftë, kjo nuk është mënyra e vetme për të shfrytëzuar erën. Një kompani spanjolle po zhvillon një turbinë eolike për të prodhuar energji. David Yáñez, shpikës spanjoll, ka krijuar Vortex Bladeless, një impiant eolik pa helika. Ai është i lartë rreth 3 metra, si një kon i zgjatur, i përbërë nga një bazë fikse dhe pjesa e sipërme, të lidhura me njëra-tjetrën nëpërmjet një shufre elastike, e projektuar posaçërisht për t’i bërë ballë përkuljes dhe stresit. Është i aftë të bllokojë 40% të erës dhe të prodhojë 100 kilovatë energji. Yáñez e krijoi atë pasi pa videon e famshme të shembjes së urës Tacoma, e ndërtuar në shtetin e Uashingtonit, SHBA, në vitin 1940, për shkak të lëkundjeve nga era, katër muaj pas përurimit. Ajo u shkaktua nga paqëndrueshmëria aeroelastike e strukturës.

Vortex përdor pikërisht këtë dridhje për të prodhuar energji. Nuk ka asgjë që rrotullohet. Avantazhet janë të shumta. Së pari, mbi të gjitha, nuk vihet në rrezik jeta e zogjve, dhe as nuk ndërhyn në korridoret e tyre migratore, edhe nëse përdoren në një mjedis me dendësi të lartë. Vortex nuk bën zhurmë, pasi ajo që prodhon është në një frekuencë që nuk mund të dëgjohet nga veshët tanë. Është i ulët, për këtë arsye nuk ndikon në peizazh, nuk ka ingranazhe apo pjesë në lëvizje, me kosto të ulëta mirëmbajtje.

Ndër të tjera mund të instalohet edhe brenda qendrave urbane, pasi ka nevojë për pak hapësirë. Jo rastësisht ishte menduar për zonat rurale të izoluara. Në tregun eolik i cili ka arritur 650 gigavat dhe do të rritet deri në 1000 brenda vitit 2050, impiantet me helika mund të kenë ndikim shkatërrues. Modeli i ri, i cili quhet edhe Skybrator, mund të jetë një mundësi më ekologjike. Ndër të tjera, zvogëlon me 53% kostot e prodhimit, me 51% kostot operacionale dhe me 80% kostot e mirëmbajtjes. Në përgjithësi, energjia e prodhuar në këtë mënyrë kushton 40% më pak se ajo nga turbinat dhe konsumon 40% më pak burime.

Shpikësi i Vortex, David Yáñez, këmbëngul se ai nuk është kundër turbinave eolike tradicionale.

“Teknologjia jonë ka karakteristika të ndryshme, gjë që mund të ndihmojë në plotësimin e hendeqeve aty ku parqet eolikë tradicionalë mund të jenë të papërshtatshëm” – tha ai për “The Guardian”.

Kompania me seli në Madrid, Vortex, pretendon se pajisja e saj mund të gjenerojë energji elektrike rreth 30 herë më lirë se turbinat konvencionale të erës – raporton ZME Science, mbi të gjitha për shkak të kostove më të ulëta të instalimit dhe mirëmbajtjes minimale.

“Pajisja jonë nuk ka ingranazhe, frena, kushineta apo boshte – tha Yáñez në një deklaratë. – Nuk ka nevojë që të lubrifikohet dhe nuk ka pjesë të cilat mund të konsumohen nga fërkimet”.

Megjithëse kanë në plan të rriten, prototipi i Vortex Bladeless mund të gjenerojë vetëm rreth 100 kilovat. Për krahasim, Nju Jorku përdor mesatarisht 11 milionë kilovatë në ditë.

Yáñez e sheh një turbinë Vortex Bladeless, pranë shtëpive, si panelet diellore në çati

“Ata plotësojnë njëri-tjetrin më së miri, pasi panelet diellore prodhojnë energji elektrike gjatë ditës, ndërsa shpejtësia e erës priret të jetë më e madhe gjatë natës. Avantazhi kryesor i kësaj teknologjie është reduktimi i ndikimit të saj në mjedis, ai vizual dhe kostot e funksionimit dhe mirëmbajtjes së turbinës” – shtoi tha Yáñez.

Në fillim të këtij viti, Vortex Bladeless u vlerësua një nga 10 startup-et e energjisë më interesante nga kompania shtetërore energjetike e Norvegjisë, Equinor. Me zhvillime të mëtejshme, Vortex mund t’i bashkohet strategjisë së gjelbër të Norvegjisë për prodhimin e energjisë, e cila tashmë përfshin energji të konsiderueshme hidroelektrike.

“Besojmë se puna së bashku me startup-e që kapërcejnë barrierat në teknologji dhe inovacion është e rëndësishme për të ardhmen e energjisë” – tha Gareth Burns, zëdhënës i Equinor. Me një partner industrial, ndoshta Equinor, Yáñez imagjinon një Vortex 460 metra të lartë që mund të gjenerojë 1 megavat të plotë energjie.

Burimi: Daily Mail

Artikulli paraprakHera e parë në Gji: paga e re minimale e Katarit hyn në fuqi
Artikulli tjetërParashikimi i radhës nga FMN-së: Rritja ekonomike globale, më e lartë se sa pritej