A është tregtia njësoj si kamata?

Është i pamohueshëm fakti që ekziston një ngjashmëri mes tregtisë dhe kamatës. Prandaj, kur Allahu i Lartësuar përmend thënien e atyre që ishin kundër ndalimit të kamatës dhe thanë: “…sepse ata thonë se tregtia është njëlloj si kamataria”, nuk e mohoi në formë absolute këtë ngjashmëri, por iu përgjigj atyre se Allahu e lejoi njërën dhe e ndaloi tjetrën. Zoti i Madhërishëm u tha atyre: “Porse Allabu e ka lejuar tregtinë, kurse kamatarinë e ka ndaluar.

Shpeshherë, kur flasim rreth kamatës dhe tregtive apo transaksioneve që përmbajnë kamatë, na rastis të dëgjojmë reagimin se si një tregti, për të cilën thuhet se është e ndaluar pasi në të ka kamatë, të jetë e ngjashme me një tjetër për të cilën thuhet se është e lejuar, nuk ka kamatë. Ky reagim nuk vjen gjithmonë vetem nga njerëz apo besimtarë që janë larg njohurive thelbësore rreth shitblerjes në Islam, por nganjëherë shfaqet edhe nga disa që kanë njohuri islame, ndoshta janë edhe hoxhallarë, megjithatë mosnjohja e thuktë e fikhut të tregtisë, që është një lëmi mjaft e gjerë në jurisprudencën islame, posaçërisht në kohën bashkëkohore, i bën ata të mos jenë në gjendje të bëjnë dallimin midis një shitblerjeje nga tjetra.

Ne jurisprudencën islame, për të qenë ose për të mos qenë legjitim një transaksion, kihet parasysh shumë forma se si realizohet ajo marrëveshje dhe ka mundësi që një kontratë të jetë e lejuar, kurse një tjetër e ndaluar jo për shkak të përfundimit apo pasojës ku na shpien ajo marrëveshje, por për shkak të vetive të marreveshjes.
Sa për ilustrim mund të marrim shembullin se nëse dy të rinj, një mashkull dhe një femër, bien dakord të jenë bashkë gjatë gjithe jetës dhe me këtë marrëveshje të ndërsjellë, vendosin të bashkëjetojnë duke pasur një raport, sikurse raporti bashkëshortor; të kenë marrëdhënie intime, fëmijë, etj., atëherë nuk ka dyshim se ata janë në një lidhje të ndaluar dhe kanë rënë në amoralitet (arabisht zina). Mirëpo, nëse këta dy të rinj bëjnë aktine kurorezimit me prezencën e dëshmitarëve dhe duke realizuar kushtet e kurorëzimit, atëherë marrëdhënia e tyre bëhet legjitime, pasi ata të dy trajtohen si burrë e grua. Dallimi mes rrethanës së parë dhe së dytës qëndron në natyrën e marrëveshjes që kanë realizuar.

Me fjalë të tjera, edhe në rrethanën e parë edhe në të dytën ekzistonte një lloj marrëveshjeje e ndërsjellë, por megjithatë vetëm marrëveshja që quhet akt i kurorëzimit ose kontratë martesore e bën legjitim raportin mes një çifti.

Mund të marrim edhe shembullin tjetër në vijim. Një njeri hyn në një kopsht dhe merr nga pema një qese plot me mollë, kurse tjetri para se ta bëjë këtë së pari kërkon leje nga pronari i kopshtit, pastaj mbush qesen me mollë. Në këtë rast personit të parë i themi se ka marrë pasurinë e huaj, kurse tjetrit nuk mund ti themi gjë, pasi kërkimi i lejes, para se të merrte mollët, ia bëri atë pasuri të lejuar, ndonëse edhe personi i parë edhe i dyti bënë të njëjtën vepër.

Kur flasim për dallimin mes tregtisë dhe kamatës, atëherë mund të thuhet se dallimi, posaçërisht i disa formave, është mjaft i hollë dhe ka të bëjë me natyrën e marrëveshjes dhe jo me rezultatin.
Kjo vërehet shumë qartë në rastin kur shoqëruesi i të Dërguarit, lavdérimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, Bilali, i sjell atij ca hurma të një lloji të mirë. Ai e pyet se ku i mori ato dhe Bilali pergjigjet se kishte pasur hurma të një loji më të dobët dhe i ndërroi ato, duke dhënë dy sa’ë hurma të llojit të dobët me një sa’ë të llojit të mirë. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, i tregon se kjo formë këmbimi e hurmave, duke qenë njëra sasi më e madhe se tjetra, është kamatë e qartë. Ai pas kësaj vërejtjeje e mëson Bilalin që nëse dëshiron të marrë hurma të mira, atëherë së pari le ti shesë hurmat e dobëta me para dhe më pas me ato para të blejë hurmat e mira (Buhariu dhe Muslimi). Kështu i largohet këmbimit në të cilin ka kamatë, duke ndarë njërën shitje me tjetrën,
megjithëse rezultati i njërit këmbim dhe tjetrit ishte i njëjtë, por forma e tyre bëri që njëra të jetë e ndaluar kurse tjetra e lejuar.

E bëmë këtë sqarim, pasi edhe në shitblerjen murabaha, dallimi në mes saj dhe mënyrës së shitblerjes se si e aplikojnë bankat konvencionale, nuk qëndron në rezultatin që arrihet përmes kontratës së murabahasë dhe kontratës së shitblerjes me këste nga bankat konvencionale, por dallimi qëndron në mënyrën se si realizohet njëra dhe si tjetra.

Për shembull, nëse dëshirojmë të blejmë një makinë me tregtinë murabaha, atëherë në fakt realizohen dy shitblerje. E para ndodh mes bankës islame dhe tregtarit (shitësit të makinave), me një fjalë banka islame e blen makinën nga tregtari për një shumë prej 10 mijë eurosh dhe e përfundon atë shitblerje, duke e futur mallin në pronësinë e saj. Në këtë formë, pasi të përfundojë kjo shitblerje, atëherë ndodh edhe një shitblerje tjetër në mes bankës dhe klientit. Banka islame ia shet klientit makinën me nje çmim tjetër, p.sh. për 11 mijë euro, por me këste. Ndërsa në shitblerjet e njohura me këste, përmes bankave konvencionale, ndodh vetëm një shitblerje, ajo në mes tregtarit të makinave dhe klientit, kurse banka është ndërmjetësi që i siguron paratë e makinës klientit, 10 mijë euro, dhe në vend të klientit atë shumë ia paguan banka tregtarit në kesh, direkt në xhirollogari, ndërsa klienti mbetet borxh për ato para që i ka siguruar banka dhe duhet t’i kthejë me këste, por duke u shtuar 10 mijë eurove edhe një mijë euro për shkak të vonimit të borxhit.

Nga ky shembull pamë se rezultati i formës së parë dhe i formës së dytë është i njëjtë, por mënyra se si realizohen shitblerjet kanë dallim. Ky dallim e bën formën e parë të lejuar, kurse të dyten të ndaluar.

Alaudin Abazi

Artikulli paraprakShitblerja murabaha në terminologjinë e dijetarëve të hershëm (forma që përdoret nga mikrofinancat islame)
Artikulli tjetërMënyra të reja për të raportuar incidente trafiku në Google Maps