QËNDRONI TË URITUR

Arnold Schwarzenegger nuk ishte bërë ende i famshëm në vitin 1976, kur drekuam bashkë tek Doubletree Inn, në Tucson, Arizona. Askush në restorant nuk e njohu. Ai ndo- dhej në këtë qytet për të reklamuar filmin Qëndro i uritur, një zhgënjim në shitjen e biletave, të cilin sapo e kishte bërë me Jeff Bridges dhe Sally Field. Unë isha gazetar sportiv për gazetën Tucson Citizen në atë kohë, dhe detyra ime ishte të kaloja një ditë të tërë, vetëm për vetëm me Arnoldin dhe të shkruaja një reportazh për të, në shtojcën e të dielës, të gazetës sonë.

As unë nuk kisha kurrfarë ideje se kush ishte apo do të bëhej ai. Pranova të kaloja një ditë me të sepse më duhej ta bëja – ishte një detyrë. Edhe pse e pranova pa shirë, ishte një takim që nuk do ta harroj kurrë.

Ndoshta, më e paharrueshmja e asaj dite ndodhi kur unë dhe Schwarzeneger pushuam një orë duke drekuar. Kisha nxjerrë bllokun e shënimeve të reporterit dhe po pyetje rreth artikullit, teksa po hanim. Në një moment, e pyeta rastësisht, “Tani që keni hequr dorë nga bodybuilding, me çfarë do të merreni?”

Me një zë krejt të qetë, sikur po më tregonte ndonjë plan të zakonshëm udhëtimi, m’u përgjigj: “Do të bëhem ylli numër një i gjithë Hollywoodit.”

Për dijeninë tuaj, ky nuk ishte Arnoldi elegant, aerobik që njohim sot. Ky burrë ishte i bëshëm dhe i stërmadh. Dhe kështu, nga frika, u shtira sikur objektivi i tij m’u duk i arsyeshëm.

U përpoqa të mos e shfaqja habinë dhe talljen ndaj planit të tij. Në fund të fundit, prova e tij e parë me filmat nuk premtonte shumë. Dhe theksi i tij austriak dhe trupi i çuditshëm e i përbindshëm, nuk të jepte përshtypjen se do të pëlqehej menjëherë nga shikuesit. Më në fund u pajtova me sjelljen e tij të qetë, dhe e pyeta se si planifikonte të bëhej ylli i Hollywood-it.

“Është i njëjti proces që përdor në bodybuilding,- shpjegoi. – Fillimisht krijoni një vizion të atij që dëshironi të jeni dhe më pas jetojeni sikur kjo të jetë bërë realitet.”

Dukej tmerrësisht e lehtë. Shumë e thjeshtë për t’u kuptuar. Por e shkrova. Dhe nuk e harrova kurrë.

Nuk do ta harroj kurrë momentin kur në një emision zbavitës televiziv, po thoshte se shitjet e biletave nga filmi i tij i dytë i Terminator-it, e kishin bërë aktorin më të njohur në botë.

Për shumë vite e kam përdorur idenë e Arnoldit për të krijuar një vizion, si një mjet motivimi. Gjithashtu e kam shtjelluar në seminaret trajnuese, në korporatën time. Vini re se Arnoldi tha të krijoni një vizion. Ai nuk tha se duhet të prisni derisa t’ju vijë vizioni. Ju e krijoni atë. Me fjalë të tjera, shpikeni.

Për ta jetuar jetën me vetëmotivim duhet të keni një arsye që të zgjoheni në mëngjes – diçka që t’ju mbajë të “përfshirë”, që të vazhdoni të qëndroni të uritur.

Ky vizion mund të krijohet që tani më mirë tani se më vonë. Ju mund ta ndryshoni gjithnjë nëse doni, por mos jetoni asnjë moment pa një vizion. Shihni më pas se çfarë ndikimi do të ketë kjo që dëshironi me gjithë shpirt për ta jetuar këtë vizion nga aftësia juaj për të motivuar veten.

/Steve Chandler – “100 mënyra për ta motivuar veten”/

Artikulli paraprakNjerëzve u është zbukuruar dashuria e dëshirave [të kësaj bote]
Artikulli tjetërSi të kërkoni rritje page për shkak të inflacionit?!