Pyetja e thjeshtë që do t’ju ndihmojë të merrni vendime më të mira

Pavarësisht nëse flasim për atë që do të porosisni për drekë apo për atë që do të bëni në të ardhmen me karrierën tuaj, të qenët një vendimmarrës më efikas mund të përmirësojë produktivitetin dhe cilësinë e jetës tuaj.

Nëse mbeteni pafund tek ajo që njihet si “paraliza e analizës”, do të harxhoni shumë kohë. Por, edhe marrja e vendimeve të shpejta mund t’ju kushtojë shtrenjtë, gjithashtu.

“Ajo që ndodh kur njerëzit ballafaqohen me një problem ose kur u jepen projekte të reja, është se ata zakonisht zhyten direkt në punë; ata ngatërrojnë aktivitetin me ndikimin,” thotë Christopher Frank, bashkautor i librit “Decisions Over Decimals: Striking the Balance Between Intuition and Information”.

“Ata fillojnë të organizojnë takime dhe të dërgojnë shumë e-maile. Njerëzit rendin pas vendimit të përsosur, por ai vendim i përsosur nuk ekziston. Mund të merrni një vendim të mirë, një vendim të keq ose mund të mos merrni fare asnjë vendim.”

Në vend të kësaj, Frank, i cili është zëvendëspresident për njohuritë e tregut global në American Express dhe profesor në Universitetin e Kolumbias, thotë se individët dhe ekipet duhet t’i qasen vendimeve duke bërë së pari një pyetje: çfarë do të dëshiroja të dija? Përcaktoni pyetjen qendrore për të cilën ju nevojitet përgjigjja në atë moment, si dhe vendimin më të mirë që mund të ndërmerrni.

“Pyetja: ‘Çfarë do të dëshiroja të dija?’ shërben si një katalizator për të qartësuar temën së cilës duhet t’i përgjigjeni,” thotë Frank.

“Duke e përsëritur këtë pyetje vazhdimisht në çdo hap të vendimmarrjes, ju filloni të zbuloni se për çfarë interesohen në të vërtetë njerëzit. Ju filloni të kuptoni më thellë nevojat aktuale dhe boshllëqet e njohurive.

Kjo është me të vërtetë një teknikë e shpejtë për t’u futur në zemrën e iniciativës, në mënyrë që të merrni një vendim më të zgjuar, më të shpejtë ose më të mirë.”

Për të përdorur pyetjen “Çfarë do të dëshiroja të dija?”, Frank thotë se duhet të ndiqni këto hapa.

 

Qartësohuni për kërkesën

Hapi i parë është të përcaktoni nivelin tuaj të qartësisë lidhur me atë gjë për të cilën duhet marrë një vendim, çfarë ka rëndësi dhe cili informacion është thelbësor për të ecur përpara. “Vlerësoni se në cilën fazë të procesit të vendimmarrjes ndodheni,” thotë Frank. “Nëse ka shumë faktorë ose palë të interesuara, pyetja ‘Çfarë do të dëshiroja të dija?’ është një mjet i dobishëm.”

 

Filloni stuhinë e mendimeve

Hapi i dytë është sesioni i stuhisë së mendimeve. Seancat më efektive të këtij lloji priren të jenë ato që organizohen me grupe jo më të mëdha se tre persona. Për vendimet që kanë shumë palë të interesuara, Frank rekomandon organizimin e raundeve të njëpasnjëshme të këtyre seancave.

“Diskutimet në grupe të vogla kanë avantazh pasi ofrojnë mundësinë për të zhvilluar biseda që mund të mos ndodhin në mjediset e grupeve më të mëdha, për shkak të ndrojtjes ose vetëpërmbajtjes së pjesëmarrësve për të thënë atë që mendojnë,” thotë Frank.

 

Zbuloni pyetjet e duhura

Hapi i radhës është që të dëgjoni dhe të mbani shënime. Përpjekjet për të gjetur pyetjet e duhura mund të rezultojnë të vështira dhe të ngadalta në fillim, por, teksa disa persona fillojnë të bëjnë një seri pyetjesh, të tjerët gradualisht bëhen pjesë e diskutimit gjithashtu.

“Në momentin që ata kuptojnë se situata është e shtensionuar dhe e konsiderojnë mbledhjen një vend të sigurt për të shprehur mendimin e tyre, të gjithë personat do të fillojnë duke ju dhënë një sërë pyetjesh që mund t’ju duhen për të marrë vendimin tuaj,” thotë Frank.

Pjesa kryesore e këtij hapi është që të mos ndaloni për të dhënë përgjigje, edhe nëse i dini përgjigjet e disa prej pyetjeve që ngrihen. Gjithashtu, mos bëni vlerësime për pyetjet që bëhen.

 

Mendohuni dhe gjeni përgjigje

Hapi i katërt duhet të kryhet nga personi që po drejton procesin e gjegjes së përgjigjes për pyetjen “Çfarë do të dëshiroja të dija?”. Kjo është faza e mendimit, ku ju duhet të merrni parasysh të gjitha pyetjet që janë bërë dhe t’i kategorizini ato.

Identifikoni pyetjet e përsëritura dhe ato që fokusohen tek e njëjta temë. Kërkoni pyetjet që mund të marrin përgjigje më thjeshtë dhe ato që kërkojnë analiza ose kërkime më të thelluara.

Kategorizojini pyetjet në atë që Frank e quan “matrica e njohurive”:

-Ajo që e dini sot, por që nuk keni nevojë ta dini nesër, është informacion jo i rëndësishëm.

-Ajo që nuk e dini sot dhe nuk keni nevojë ta dini as nesër, është informacion i rastësishëm.

-Ajo që e dini sot dhe duhet ta dini edhe nesër është informacion thelbësor.

-Dhe, ajo që nuk e dini sot, por që duhet ta dini nesër, është mungesë informacioni.

Kjo matricë e thjeshtë ju ndihmon për të organizuar informacionet dhe të dhënat që ju nevojiten, si dhe analizat që duhet të bëni,” thotë Frank. / Fast Company

Artikulli paraprakShBA-ja vazhdon të jetë tregu numër një për produktet “Made in Kosova”
Artikulli tjetërDy strategji që mund t’ju ndihmojnë të mësoni dhe të kujtoni gjërat e reja