Programi ‘Kosovo Generation Unlimited’ do të trajnojë 10 mijë të rinj

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, në partneritet me UNICEF-in në Kosovë dhe Rrjetin CSR Kosova kanë filluar një fazë të re të programit Kosovo Generation Unlimited (K-GenU), e cili synon fuqizimin e rinisë përmes ofrimit të mundësive në punë praktike, mentorim dhe trajnim për 10,000 të rinj në 2 vitet e ardhshme.

Përmes një komunikatë për media nga MFPT-ja thuhet se K-GenU është një platformë me shumë akterë e cila bashkon sektorin privat, publik dhe partnerët zhvillimor me qëllim nxitjen e bashkëpunimin, promovimin e shkathtësive të punësimit dhe fuqizimin e të rinjve në tregun e punës.

Sipas komunikatës cikli i parë i programit, do të angazhojë të rinjtë në punë praktike me kompensim në ndërmarrje private dhe publike në Kosovë.

“K-GenU është një mundësi për të gjithë të rinjtë e moshave 16-24 vjeç, ku të gjitha grupet dhe profilet arsimore inkurajohen që të aplikojnë. Platforma K-GenU u ofron të rinjve mundësi të ndryshme si për të zhvilluar shkathtësitë përmes trajnimeve të personalizuara, për t’u lidhur me mentorët që do t’i udhëzojnë ata përgjatë praktikës  dhe ndihmojnë në përmirësimin e tranzicionit nga shkolla në punë, dhe për të marrë përvojën e tyre të parë të punës përmes ndërlidhjes me ofruesit e punës praktike”, thuhet në komunikatë.

Tutje vazhdon komunikata se, K-GenU synon të zhvillojë dhe të rrisë shkathtësitë e punësimit të të rinjve, me fokus të veçantë në angazhimin e vajzave dhe djemve adoleshentë të moshës 16-24 vjeç nga grupet dhe zonat e margjinalizuara.

Po ashtu në komunikatë thuhet se, në K-GenU përfshihen adoleshentët dhe të rinjtë nga komunitetet jo-shumicë, ata me vështirësi funksionale dhe aftësi të kufizuar; ata nga zonat rurale, si dhe ata që aktualisht nuk janë të punësuar, nuk janë në arsim apo në ndonjë trajnim.

Artikulli paraprakGjermania ka nevojë urgjente për punëtorë të kualifkuar, priten lehtësime për qytetarët e vendeve jashtë BE-së
Artikulli tjetërKy robot bujqësor autonom me shumë përdorime pritet ta transformojë industrinë