Ballina Blog Faqe 711

Për bletarët jepen 352,190 euro

Pas ekzekutimit të pagesave direkte në vlerë prej 3,663,713 euro për sipërfaqet e fermerëve të mbjella me grurë, Ministria e Bujqësisë ka ekzekutuar pagesat direkte në vlerë prej 352,190 euro edhe për bletarët. Nga kjo mbështetje, e cila bletarëve sivjet po ju ofrohet për herë të parë, kanë përfituar gjithsej 769 bletarë, me gjithsej 35219 koshere bletë. Për të përfituar subvencione për bletë, në Ministrinë e Bujqësisë kishin aplikuar 1127 bletarë me gjithsej 54900 koshere, por vetëm 769 prej tyre kanë arritur t’i plotësojnë kriteret për subvencionim. Ndërsa, për shkak të deklarimit të rrejshëm të të dhënave dhe kontesteve të ndryshme, janë refuzuar gjithsej 358 bletarë, me 19681 koshere bletë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, në Kosovë vlerësohet se janë rreth 6400 bletërritës, me rreth 75000 koshere bletë. Ndërsa, mesatarja e prodhimit të mjaltit në këtë vit, sillet në rreth 13 kilogramë për koshere bletësh.

Për t’i stimuluar bletarët që të rrisin numrin e bletëve, Ministria e Bujqësisë këtë vit i ka subvencionuar ata me nga 10 euro në koshere dhe kriter kryesor për të përfituar nga kjo përkrahje ka qenë që bletarët të kenë minimum 30 dhe maksimum 500 koshere bletë.koha/kohaislame

Për katër ditë shiten rreth 7 tonë dredhëza

Panairi “Dredhëza 2012” i mbajtur në Sheshin e Prishtinës, është treguar i suksesshëm pasi që kultivuesit e kësaj kulture bujqësorë për katër ditë sa ka zgjatur ky panairi kanë shitur 6.7 tonë dredhëza në vlerë prej 13.535 euro.

Sipas të dhënëve të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), në gjithë territorin e Kosovës me dredhëz janë të mbjella 153 hektarë, për deri sa vitin e kaluar kanë qenë 138 hektarë.

Më 2011, kjo ministri përmes granteve investive ka përkrahur 40 fermerë, në vlerë prej 72 mijë euro.

Në panairin “Dredhëza 2012” kanë marrë pjesë 15 kultivues të dredhëzës./tribunashqiptare/kohaislame

India po ndërton urën më të lartë hekurudhore në botë

Deri në vitin 2015 në shtetin verior indian Jammu dhe Kashmir do të përfundojë ndërtimi i urës hekurudhore më të lartë në botë. Ajo do të ndërtohet mbi lumin Chenab në një lartësi prej 359 metra, shkruan gazeta “The Times of India”.

Për ndërtimin e urës me gjatësi prej 1.3 km do të nevojiten 25 mijë tonë metrikë çelik. Kostoja e ndërtimit do të tejkalojë shumën 5.1 miliardë rupi indian (100.000.000 $)./koha/kohaislame

Krejt Kosova n’kredi

Marrja e kredive nga bizneset dhe qytetarët e Kosovës në bankat komerciale po vazhdon të trashët për çdo ditë. Pavarësisht kamatave të larta që bankat po ofrojnë, qytetarët nuk po hezitojnë të futen në kredi.

Moshezitimin e tyre e vërteton edhe fakti se deri tani rreth 500 mijë kredi në vlerë prej rreth 2 miliardë eurove janë lëshuar nga bankat komerciale që veprojnë në Kosovë. Sipas zyrtarëve të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), këto shifra janë deri në muajin prill të këtij viti, shkruan gazeta “Lajm”.
Ata kanë bërë të ditur se gjatë të njëjtës periudhë kohore edhe institucionet mikrofinanciare kanë lëshuar mbi 55 mijë kredi, në vlerë prej 101 milionë e 881 mijë euro.
E, për përfaqësuesit e bizneseve vendore, marrja e këtyre kredive nga qytetarët e Kosovës është tejet e lartë, por thonë se për momentin shpëtimi i vetëm për ta është kredia.
“Numri i kredive të lëshuara më 30. 04. 2012 nga bankat komerciale është 411 mijë 859. Shuma e kredive të lëshuara nga bankat komerciale është 1 miliardë e 718 milionë e 492 mijë e 199 euro. Kurse, numri i kredive të lëshuara nga institucionet mikrofinanciare më 30. 04. 2012, është 55 mijë e 315, ndërsa shuma është 101 milionë e 881 mijë e 123 euro”, ka thënë zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Besnik Kada.
Ndërkaq, Agim Shahini nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë se bankat në një mënyrë po i shfrytëzojnë qytetarët, ngase sipas tij, këta po kanë nevojë për kredi dhe, bankat nuk po i ulin kamatat. Ai thotë se për këtë çështje shpeshherë ka edhe mosmarrëveshje mes qytetarit dhe bankës.

Kreditë e lëshuara nga sistemi bankar, sipas BQK-së, shënuan një ritëm më të shpejtë të rritjes gjatë vitit 2011, duke regjistruar një rritje vjetore prej 16, 4 %, krahasuar me rritjen prej 13.2 %, që ishte shënuar në vitin 2010.
Kreditë për ndërmarrjet vazhdojnë të përfaqësojnë pjesën më të madhe të kredive, me pjesëmarrje prej 69.5 %.
Në anën tjetër, kreditë e lëshuara për ekonomitë familjare përbëjnë 30, 5 për qind të kredive të përgjithshme. Struktura e kredive sipas afatit të maturimit vazhdoi të dominohet nga kreditë me afat mbi 2 vjet, të cilat përfaqësuan 71, 3 % të gjithsej kredive.
Kreditë me afat maturimi më të ulët se 1 vit, në vitin 2011 kishin pjesëmarrje prej 21, 1 %. Ndërsa, pjesëmarrja e kredive me maturitet mes 1 dhe 2 vite, ishte 7, 3 %.
Dallimi ndërmjet normave të interesit në kredi dhe depozita në vitin 2011 ka qenë 10, 6 %, krahas 10, 9 % sa ka qenë në vitin 2010.
Gjatë periudhës janar-dhjetor 2011, norma mesatare e interesit në kreditë e ndërmarrjeve ishte 12, 9 %, ndërsa norma mesatare e interesit në kreditë për ekonomitë familjare ishte 11, 9 %./kohaislame/

Korridori 4 dëmton republikat e ish-Jugosllavisë

Maqedonia rrezikon të humbë transportin hekurudhor të mallrave përmes Korridorit 10, prej kur kompanitë transportuese evropiane kanë filluar të favorizojnë Korridorin 4, linjë hekurudhore, e cila për momentin kalon në disa shtete të BE-së dhe përfundon në Turqi.  Sipas përfaqësuesve nga sektori hekurudhor, nga kjo situatë nuk është e rrezikuar vetëm Maqedonia, por të gjitha shtetet që dalin nga ish-Jugosllavia.

Shkak kryesor për uljen e transportit janë formalitetet e shumta doganore dhe kufitare. ‘Operatorët e hekurudhave vetëm të bashkuar mund t’i përgjigjen konkurrencës së  madhe dhe të kthejnë pozicionin në sistemin e transportit të mallrave. Në vitin 2010, trafiku i përgjithshëm i mallrave midis vendeve të Aleancës ka arritur shifrat prej  62.5 milionë tonë, pra 21.4 për qind më shumë se në vitin 2004’, tha Marjan Masiç, përfaqësues i hekurudhave sllovene. Sipas Masiç problem shtesë për Maqedoninë paraqet edhe mungesa e liberalizimit të trafikut hekurudhor. ‘Nëse liberalizimi i këtij tregu mbyllet deri në hyrjen e Maqedonisë në BE do të vihet në pikëpyetje edhe aleanca e formuar mes kompanive hekurudhore nga ish-shtetet e Jugosllavisë’, tha Marjan Masiç, përfaqësues i hekurudhave sllovene. Për këtë qëllim aleanca e formuar nga kompanitë shtetërore hekurudhore nga ish-shtetet jugosllave ka filluar të punojë në revitalizimin e Korridorit 10 me qëllim që të krijohen kushte teknike për rritjen e konkurrencës së tij./koha/kohaislame

Tiranë, zbarkojnë kompanitë arabe

Në këtë situatë të zymtë ekonomike, që vjen nga Perëndimi, shpëtimi mund të vijë nga lindja. Mbi 100 kompani të huaja, kryesisht nga vendet islamike, kanë mbërritur në Tiranë në një takim të posaçëm biznesi me kryeministrin Berisha, ku kanë nisur të flitet për financimin e projekteve konkrete.

“Kjo konferencë po shqyrton dhe do shqyrtojë projekte të një rëndësie të madhe për vendin, si për hidrocentralin e Skavicës, që plotëson në mënyrë përfundimtare kaskadën e Drinit”, deklaroi kryeministri Berisha.

Banka Islamike për Zhvillim është shndërruar vitet e fundit në një nga financuesit më të mëdhenj të projekteve publike, përfshirë dhe rrugën Tiranë-Elbasan.

Qëllimi i forumit është të sjellë në Shqipëri edhe kapitalet private nga këto vende, në një kohë që kriza ka shterur kapitalet nga partnerët tradicionalë të Perëndimit.

“Ne jemi duke diskutuar me qeverinë shqiptare dhe disa përfaqësues të sektorit privat për një sërë projektesh që do të sjellin prosperitet për qytetarët shqiptarë. Pavarësisht krizës globale, ne do të jemi këtu për të mbështetur projektet me qëllim zhvillimin e Shqipërisë”, deklaroi Halid Al Abudi, drejtor i Korporatës Islamike për Sektorin Privat.

Veç energjitikës, në konferencë do të diskutohet edhe për projekte të tjera në fushën e turizmit, bujqësisë dhe degëve të tjera të ekonomisë.

Kjo është konferenca e tretë e investimeve, e organizuar nga Banka Islamike. E para është mbajtur në vitin 1995, ndërsa e dyta në vitin 2009.

Kjo është konferenca e tretë, e cila ka sjellë në Tiranë numrin më të madh të investitorëve nga vendet islamike dhe kur për herë të parë po flitet për financimin e projekteve konkrete, në formën e investimeve direkte, por edhe ato të partneritetit publik-privat./tch/kohaislame

Produkte vendore në treg me emrin “Frutat e Kosovës”

Blerim Shefkiu nga Përlepnica e Gjilanit nuk do të ketë më telashe për gjetjen e tregut për shitjen e pemëve të tij. Ai e ka të sigurt tregun në tërë Kosovën për shitjen e dredhëzave, mollëve edhe kumbullave të tij. Këtë ia ka mundësuar instituti Riinvest, i mbështetur nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) që ka grumbulluar pemëtarët. Të bashkuar nën ombrellën e Unionit të Pemëtarëve të Kosovës ata kanë themeluar një brend të ri.

“Kjo është një ndihmë e madhe për prodhuesit vendorë. Prodhimet tona tani identifikohen, konsumatorit po i ofrohet një siguri më e madhe me të dhënat e detajuara për vendin e prodhimit, prodhuesin dhe kohën e vjeljes. Na kanë ndihmuar edhe me gjetjen e tregut”, thotë fermeri Blerim Shefkiu.

Sipas tij, pemëtarët janë ndihmuar edhe me mjete materiale dhe këshilla profesionale.

“Për neve ka qenë një ndihmë e madhe materiale, por edhe profesionale. Neve na kanë furnizuar me paketime të reja për produktet tona që kanë logon e Unionit”, thotë Shefkiu.

Drejtori ekzekutiv i Riinvestit, Lumir Abdixhiku, thotë se nga kjo javë nëpër marketet e Kosovës, kosovarët do të kenë mundësi të konsumojnë frutat vendore me pamje, paketim e emërtim të ri.

“Instituti Riinvest, i mbështetur nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), pas një angazhimi 18-mujor kanë finalizuar njërin prej aktiviteteve në fushën e hortikulturës e që në esencë ka pasur themelimin e një brendi të përbashkët të prodhimit të frutave vendore, ‘Frutat e Kosovës’. Në këtë periudhë nëpërmjet fascilitimit të bërë nga Riinvest, prodhuesit e frutave kosovare janë bashkuar dhe nën ombrellën e Unionit të Pemëtarëve të Kosovës kanë themeluar një brend të ri”, theksoi Abdixhiku.

Procesi i fascilitimit dhe krijimit të brendit ka pasur tri faza. Në fazën e parë është bërë bashkimi i gjithë përfaqësuesve në zinxhirin prodhues, përfshirë kultivuesit e frutave dhe shitësit e tyre nëpër gjithë Kosovën.

“Rezultati i përbashkët i kësaj faze ka qenë lindja e nevojës për unifikim të fuqive vendore dhe bashkëpunimi më thelbësor në zinxhirin prodhues”, thotë Abdixhiku.

Në fazën e dytë janë zhvilluar standardet e brendit dhe kriteret që duhen përmbushur për gjithë prodhuesit e frutave kosovare që duan të shfrytëzojnë këtë emërtim. Këto kritere tanimë kontrollohen nga Unioni i Pemëtarëve të Kosovës dhe jo çdo frut kosovar mund të shitet me këtë emërtim.

“Janë disa standarde bazike që duhen plotësuar paraprakisht. Faza e fundit është marrë me dizajnimin dhe paketimin e produkteve në fjalë”, theksoi ai.

Abdixhiku konsideron se me një projekt të tillë është rritur vlera e produkteve kosovare të cilat më herët janë shitur pa ndonjë emërtim të veçantë, pa ndonjë kujdes në paketim dhe pa ndonjë standard verifikues të kualitetit.

“Emërtimi i produkteve kosovare me brendin ‘Frutat e Kosovës’ do të lehtësojë identifikimin e produkteve nga konsumatorët dhe rrjedhimisht do të rrisë kërkesën për këto produkte. Konsumimi i produkteve vendore në radhë të parë do t’u ndihmojë prodhuesve kosovar që përkundër çdo vështirësie në ambientin biznesor megjithatë arrijnë të japin kualitet dhe fruta shumë herë më konkurrente se ato të rajonit. Një konsum i tillë do t’i shërbente gjithashtu Kosovës që paratë e konsumit të mbesin brenda e jo të eksportohen jashtë”, thotë Abdixhiku.

Ai beson se krijimi i vendeve të reja të punës në vend mund të bëhet vetëm me fuqizimin e prodhimit vendor dhe me një sjellje më racionale ndaj konsumit të brendshëm./koha/kohaislame

Kosova e 9-ta në botë për nga varfëria

Teksa ekonomia greke sa vjen e përkeqësohet, dëshpërimi i popullit është rritur si pasojë e mungesës së lidershipit dhe masave të dështuara të kursimit.

Megjithatë, edhe përkundër këtyre masave, Greqia nuk është përfshirë as në top 50 vendet më të varfra në botë, të përpiluar nga “Business Insider”.
Mirëpo, për fatin e keq të vendit dhe popullit tonë, Kosova është radhitur në vendin e 9-të, duke hyrë kështu në mesin e vendeve më të varfra në botë. Indeksi i shkallës së varfërisë në Kosovë, sipas “Business Insider”, është 53.6%, inflacioni i Indeksit të Çmimit të Konsumit, 8.3% ndërkaq papunësia është 45.3%, shkruan “Zëri”.
Në top 20 janë vende si, Afganistani (19), Bosnja e Hercegovina (17), Kenia (13), Bjellorusia (10), Namibia (6), ndërkaq Zimbabve radhitet i pari në listë, si vendi më i varfër në botë, ku Indeksi i Shkallës së Varfërisë është 100.6%, Inflacioni i Indeksit të Çmimit të Konsumit, 5.6%, ndërkaq papunësia arrin shifrën prej 95.0%.
Indeksi i varfërisë, një teori kjo e krijuar nga Arthur Orkum, analizon papunësinë e një vendi me shkallën e inflacionit për të vlerësuar kushtet në terren (sa më i lartë numri, aq më e brishtë ekonomia e atij vendi).
“Business Insider” ka krijuar një listë prej 197 shteteve dhe territoreve të ndryshme në botë, nga Afganistani në Zimbabve, për të përpiluar Indeksin e Varfërisë 2012.
Shënim: Rezultatet janë të bazuara në të dhënat e “CIA World Factbook”, ku vlerësohen shifrat për shtete dhe territore që nuk kanë agjenci të besueshme lokale të raportimit./ndx/kohaislame

Kriza financiare ndikon dhe në incidentet raciale

UNHCR: Gjendja në vend është alarmante

Komisioni i lartë për refugjatët për Kombet e Bashkuara në Greqi ka vënë alarmin për rrezikun e rritjes së dhunës raciale në vend. Në Greqi janë të shumtë emigrantët që hyjnë cdo vit. Sipas komisionit kriza financiare ëshët arsyeja kryesore që ka rritur dhe tensionet për këtë cështje. Jorgos Tsarbopulos, kryetari i UNHCR-së në Greqi tja se është i shqetësuar për rritjen e numrit të icidenteve në vend këto 18 muajt e fundit. Ai e përshkroi situatën si shumë serioze.
“Do të thoja që është një situatë shumë serioze përvec presionit të vazhdueshëm për sa i përket lëvizjes së emigrantëve në kufi, pasi Greqia vazhdon të jetë porta kryesore edhe sot e kësaj dite në Bashkimin Europian për sa i përket ardhjes së mijëra refugjatëve dhe emigrantëve, pa përmendur këtë dhe krizën e rëndë financiare që ka përfshirë vendin, të gjitha këto kanë cuar në rritjen e numrit të incidenteve të dhunshme raciale”, vlerësoi ai.
Kriza financiare që ka rrwnuar ekonominë greke dhe ka rritur numrin e papunësisë në 21 për qind gjithashtu ka përkeqësuar dhe tensionet raciale në vend.
Tsarbopulos i ka bërë thirrje qeverisë greke dhe Bashkimit Europian që të implementojnë masa për të përballuar emigrimin e paligjshëm. Masa këto që pikërisht për shkak të krizës financiare nuk kanë mundur të vihen në praktikë pasi nuk ka pasur fonde të mjaftueshme. Në këto masa përfshihet dhe riatdhetësimi i emigrantëve të paligjshëm por dhe lehtësimi i marrjes së azilit në Greqi nga ana e refugjatëve. Tsarbopulos e ka dënuar dhunën.
“Gati përditë kemi incidente nga grupe qytetarësh të zemëruar por dhe nga ana e grupeve të ekstremit të djathtë të cilët sulmojnë emigrantët vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës apo të kombësisë së tyre. Çfarë mund të them. Kjo wshtw totalisht e papranueshme. Ne mund ti kuptojmë problemet por dhuna nuk mund të jetë një mënyrë për të zgjidhur gjërat dhe sigurisht që është krim. Në të njëjtën kohë është edhe një kërcënin për rendin publik dhe demokracinë në vend”, vlerësoi Tsarbopulo.
Para zgjedhjeve të 6 majit qeveria filloi të grumbullonte emigrantët e paligjshëm dhe t’i vendoste ata në qendra të mbrojtura, pasi banorët pranë këtyre qendrave fajësonin emigrantët për çdo vepër kriminale që ndodhte në zonë. Kjo gjë ka rritur dhe mbështetjen për partinë e Agimit të Arët e cila ka një platformë kundër emigrantëve./BS/kohaislame

Bankat e Kosovës me kamatat më të larta në rajon

Bankat komerciale që operojnë në Kosovë, kanë kamatat më të larta të kredive në gjithë rajonin dhe në këtë mënyrë po pamundësojnë zhvillimin ekonomik përmes sektorit privat, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Musa Limani, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se këto kamata nuk po lejojnë që subjektet ekonomike t’i zgjerojnë veprimtaritë e tyre, të hapin vende të reja pune, e rrjedhimisht edhe të ulin shkallën e papunësisë dhe varfërisë.

“Për nivelin e zhvillimit ekonomik, të cilin e ka Kosova, këto norma të interesit për dhënien e kredive janë shumë të larta. Me këto norma të larta, me politikën kreditore nuk nxitet biznesi vendor, përkundrazi e ngarkon shumë biznesin vendor, pasi përmes kësaj norme i merret një sasi shumë e madhe e të hyrave, fitimit subjekteve ekonomike”, thotë Limani.

Sipas disa organizatave joqeveritare, bizneset përbëjnë përqindjen më të lartë të kredive të përgjithshme në institucionet financiare në vend. Po sipas tyre, normat e kredive sillen nga 11 deri në 24 për qind, varësisht nga banka dhe lloji i kredisë.

Kjo përqindje e kamatave të kredive, po dëmton komunitetin e biznesit, konsideron edhe Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës.

“Këto norma të larta të interesit e dëmtojnë mjaft komunitetin e biznesit, sepse edhe investimet e reja edhe huazimet e bizneseve nga bankat komerciale janë shumë vogla për shkak të çmimit të lartë të interesit”, thekson Bektashi.

Por, eksperti tjetër i ekonomisë, Musa Limani, vlerëson se këto norma po shkatërrojnë bizneset private, pasi, sipas tij, në pamundësi të kthimit të kësteve të kredive, biznese të ndryshme po falimentojnë.

“Kanë marrë kredi në vlera të mëdha dhe, normalisht, në mungesë të afarizmit pozitiv, nuk janë në gjendje që t’i kthejnë këstet dhe hyrja në borxh e tyre i ka sjellë në falimentim, që është në dëm të bizneseve, jo vetëm të firmës, por në dëm të ekonomisë së Kosovës. Ky duhet të jetë si reflektim për Qeverinë e Kosovës, se duhet të ndërrohet kjo politikë kreditore”, vlerëson Limani.

Sidoqoftë, ekonomistët thonë se kamatat e larta, paraqiten barrë e madhe financiare për të gjithë kredimarrësit, e në veçanti për bizneset që konsiderohen si promotor i zhvillimit ekonomik./koha/kohaislame

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
22.5 ° C
22.5 °
22.5 °
64 %
1.5kmh
0 %
Fri
33 °
Sat
34 °
Sun
37 °
Mon
39 °
Tue
35 °