Tiranë, zbarkojnë kompanitë arabe

Në këtë situatë të zymtë ekonomike, që vjen nga Perëndimi, shpëtimi mund të vijë nga lindja. Mbi 100 kompani të huaja, kryesisht nga vendet islamike, kanë mbërritur në Tiranë në një takim të posaçëm biznesi me kryeministrin Berisha, ku kanë nisur të flitet për financimin e projekteve konkrete.

“Kjo konferencë po shqyrton dhe do shqyrtojë projekte të një rëndësie të madhe për vendin, si për hidrocentralin e Skavicës, që plotëson në mënyrë përfundimtare kaskadën e Drinit”, deklaroi kryeministri Berisha.

Banka Islamike për Zhvillim është shndërruar vitet e fundit në një nga financuesit më të mëdhenj të projekteve publike, përfshirë dhe rrugën Tiranë-Elbasan.

Qëllimi i forumit është të sjellë në Shqipëri edhe kapitalet private nga këto vende, në një kohë që kriza ka shterur kapitalet nga partnerët tradicionalë të Perëndimit.

“Ne jemi duke diskutuar me qeverinë shqiptare dhe disa përfaqësues të sektorit privat për një sërë projektesh që do të sjellin prosperitet për qytetarët shqiptarë. Pavarësisht krizës globale, ne do të jemi këtu për të mbështetur projektet me qëllim zhvillimin e Shqipërisë”, deklaroi Halid Al Abudi, drejtor i Korporatës Islamike për Sektorin Privat.

Veç energjitikës, në konferencë do të diskutohet edhe për projekte të tjera në fushën e turizmit, bujqësisë dhe degëve të tjera të ekonomisë.

Kjo është konferenca e tretë e investimeve, e organizuar nga Banka Islamike. E para është mbajtur në vitin 1995, ndërsa e dyta në vitin 2009.

Kjo është konferenca e tretë, e cila ka sjellë në Tiranë numrin më të madh të investitorëve nga vendet islamike dhe kur për herë të parë po flitet për financimin e projekteve konkrete, në formën e investimeve direkte, por edhe ato të partneritetit publik-privat./tch/kohaislame

Artikulli paraprakProdukte vendore në treg me emrin “Frutat e Kosovës”
Artikulli tjetërKorridori 4 dëmton republikat e ish-Jugosllavisë