Ballina Blog Faqe 707

Praktikë jo e mirë e mbushjes së buxhetit

Buxheti i Kosovës për vitin 2013 do të jetë i mbështetur nga të hyrat që grumbullohen nga Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës. Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndonjë alternativë tjetër për mbushjen e buxhetit.

Këto dy institucione më të rëndësishme për mbushjen e buxhetit për vitin 2013, është paraparë të grumbullojnë mbi 1 miliard euro.

Sipas parashikimeve të ekzekutivit, për vitin 2013 Dogana e Kosovës duhet të grumbullojë 915 milionë euro, kurse nga Administrata Tatimore e Kosovës, duhet të mblidhen 301 milionë euro.

Drejtori i Instituti për Hulumtime të Avancuara (GAP), Agron Demi, thotë për Radion Evropa e Lirë se mbledhja e të hyrave nga Dogana dhe ATK-ja nuk është mundësi nga më të mirat për një buxhet të qëndrueshëm.

“Të hyrat e buxhetit të Kosovës në masë të madhe mblidhen nga Doganat. Kjo tregon se edhe në vitin 2013 Doganat do të jenë kontribuuesi më i madh i të hyrave buxhetore”.

“Mirëpo, kjo tregon se edhe në vitin 2013 dhe në vitet e mëhershme deficiti tregtar është shumë i lartë dhe për atë qëllim kemi një buxhet të lartë shtetëror, por dëmet e ekonomisë nga deficiti i lartë tregtar janë shumë më të mëdha se sa po të kishim të hyra më të ulëta buxhetore, për shkak se në importojmë mbi 2 miliardë euro mallra dhe po eksportojmë një sasi të vogël”, thotë Demi.

Mjaft kritik për mënyrën e mbledhjes së të hyrave për mbushjen e buxhetit të Kosovës, shprehet kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.

“Këto institucione, Dogana dhe ATK-ja, po shkelin rregullat e punës dhe ligjet vetëm e vetëm për të arritur synimet dhe objektivat e mbushjes së buxhetit dhe shpesh mburren që kanë tejkaluar planifikimet për buxhetin e Kosovës, por megjithatë mbeten alternativa të vetme që janë të qëndrueshme derisa nuk ka politika tjera për të mbushur buxhetin e konsoliduar të Kosovës”, thekson Shahini.

Derisa Kosova synon integrimin evropian, thotë Shahini, duhet të ndryshoj qasjen e të mbledhjes së të hyrave. Ekzekutivi, sipas Shahinit, gjatë këtij viti duhet të hartojë një plan strategjik që të lirohen një pjesë e madhe e produkteve nga doganat.

“Më e mira për Kosovën do të ishte të hiqen krejtësisht taksa doganore, qoftë për produkt për përpunim, prodhim apo produkt final nga vendet e BE-së dhe vendet tjera. Dhe, duke mos humbur konturat e të hyrave për buxhetin, duhet që të rritet TVSH-ja, të rritet efikasiteti i mbledhjes së TVSH-së, të rriten të hyrat nga pagat, të luftohet joformalitet”, shprehet Shahini.

Në anën tjetër, marrëveshjet e Qeverisë së Kosovës me disa shtete për uljen e taksave doganore, të cilat pritet të arrihen në fillim të këtij viti, sipas Agron Demit nga GAP-i, do të ndikojnë që Kosova të ketë të hyra më të ulëta krahasuar me vitet e mëhershme.

“Vetëm marrëveshja me Turqinë që parashihet të arrihet në fillim të këtij viti, do të ketë ndikim prej 17 milionë euro më pak të hyra, për shkak se parashihet një marrëveshje ku taksa doganore nga 10 për qind të ulet në 0 për qind”, bën të ditur Demi.

Buxheti i Kosovës për vitin 2013 është 1 miliard e 586 milionë euro./rel

Kroacia e Turqia janë destinacione kryesore turistike, sipas një sondazhi

Vizitorët do të vazhdojnë të dynden në Adriatik, sipas sondazhit të një shoqate. Gjithashtu, Turqia është në procesin e bisedimeve për të ndërtuar një central tjetër bërthamor.

Kroacia do të jetë destinacioni kryesor turistik në Evropë më 2013, sipas një sondazhi të zhvilluar nga Shoqata e Shkrimtarëve Turq të Udhëtimeve. Vendi i dytë në listë është Turqia, e ndjekur nga Republika Çeke, Portugalia e Islanda.

Të pasurit e shumëfishuan pasurinë e tyre me një çerek trilioni $

100 personat më të pasur në planet në bazë të rezultateve të vitit 2012 e rritën pasurinë e tyre totale me 241 miliardë dollarë – deri në 1.9 trilionë $. Për këtë dëshmon “Bloomberg Billionere Index”.

Në një shkallë të lartë rritja u mundësua për llogari të miliarderëve që i kanë investuar paratë e tyre në aktivet e telekomunikacionit dhe në shitjen me pakicë (retail).

Në përgjithësi miliarderët i ndihmoi rritja e përgjithshme në tregjet botërore të aksioneve. Indeksi global “MSCI World” u rrit me 13.2%, ndërsa indeksi kryesor i tregut të gjerë amerikan i Standard & Poor’s 500 – me 13.4%.

Eksportet turke në 2012 arritën në 151.9 miliardë dollarë

Turqia ka thyer në eksport rekordin e historisë së Republikë.

Në vitin 2012 eksportet turke u rritën me 12,6% dhe u realizuan në 151,9 miliardë dollarë.

Shifrat i deklaroi Ministri i Ekonomisë Zafer Çallajan.

“Shuma e eksporteve në dhjetor u realizua me 11,9 miliardë dollarë. Në krahasim me vitin 2011 në vitin 2012 eksportet tona u rritën në raportin 12,6% dhe arritën në 151,9 miliardë dollarë. Kemi të bëjmë me një shifër, me të cilën mburremi dhe ndjehemi me të vërtetë krenarë. E thashë edhe më parë Instituti i Statistikave të Turqisë (TUIK) është duke vlerësuar edhe të dhënat që disponojnë unionet e eksportuesve në bazë sektori. Shpresoj që me të dhënat që do të publikojë TUIK-u në fund të janarit, kjo shifër e eksporteve do të vazhdojë të ruajë këtë trend të rëndësishëm në historinë e Republikës dhe do të përparojë drejt 153 miliardë dollarëve. Turqia do të jetë kështu një vend që eksporton rreth 153 miliardë dollarë mallra dhe 41 miliardë dollarë shërbime, pra që realizon një eksport total me vlerë 194 miliardë dollarë”, – u shpreh Çallajan.

Ministri Çallajan objektivin e qeverisë për eksportin në vitin 2013 e deklaroi “160 miliardë dollarë”./trt/kohaislame

Pas ardhjes së Muslimanëve në Tunis vërehet rritje e të ardhurave nga turizmi për 25%

Të hyrat nga turizmi në Tunizi, për vitin 2012 kanë shënuar rritje prej 25,3% në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2011.

Këto të dhëna i përcjell albtime duke u thirrur në statistikat e prezantuar nga Bordi Turistik i Tunizisë.

Përndryshe, turizmi është një nga resurset kryesore të zhvillimit në këtë shtet të Afrikës Veriore. Këto krahasime bëhen edhe më interesante duke e pasur parasysh faktin e ndryshimeve që ndodhën në këtë shtet.

Tunisi ishte shkëndija fillestare që nxiti revolucionet në botën arabe që më pas mori emrin “Pranvera arabe”. Në këtë shtet në zgjedhje të lira dhe demokratike pushtetin e mori partia me rrënjë islamike “Nahda” e liderit të njohur tunisian Rashid Ghannushi./albtime/kohaislame

Trepça rritë prodhimet

Gjiganti Metarlogjik “Trepça”, edhe këtë vit është përballur me sfida të shumta duke filluar nga ato politike, pasi që “Trepça” është e ndarë në dy njësi, veri dhe jug.

Zëdhënësi i “Trepçës”, Bislim Muqa për “Tribuna Shqiptare” ka folur për sfidat që e kanë përcjell këtë ndërmarrje gjatë vitit që po e lëmë pas.

“Ende disa nga minierat e Trepçës nuk janë në punë, ose punojnë me kapacitete minimale. Industria përpunuese e metaleve dhe atyre përcjellëse, janë tërësisht jashtë funksionit, siç janë: Metalurgjia e plumbit dhe elektroliza e zinkut, fabrika e akumulatorëve etj.

Pastaj, janë sfidat mjedisore: në tetëdhjetë e dy vjet të punës së kombinatit, janë shkaktuar ndotje të shumta, me të cilat ndërmarrja, shoqëria dhe shteti ynë duhet të merren seriozisht në të ardhmen. Moratoriumi i vendosur ndaj ndërmarrjes dhe të ashtuquajturit kreditorë të Trepçës, përbën një sfidë juridike mjaftë të vështirë, për ta tejkaluar etj”, është shprehur ai.

Muqa ka thënë se për vitin e ardhëm do të dëshironim që institucionet e Republikës së Kosovës që janë kompetente për fatin e “Trepçës”, të fokusohen në zgjidhjen e problemeve dhe të filloj ristrukturimi i mirëfilltë i këtij gjiganti industrial, që mund të bëhet lokomotivë e zhvillimit ekonomik të vendit.

“Miniera e Stantërgut ka nxjerrë 11 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërkaq ajo e Artanës, për shkak të disa punëve përgatitore që janë kryer brenda minierës, nuk pasur rritje prodhimi. Nga kjo sasi xeheje janë përfituar pas përpunimit rreth 13.000 tonë koncentrate plumbi dhe zinku, apo rreth 35 për qind më shumë se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar”, tha Muqa 

Ai ka treguar se “Trepça” nuk ka problem tregun e shitjes. “Produkti kryesor që prodhon Trepça është koncentrati i plumbi dhe zinkut dhe sulfati i aluminit që prodhohet nga reparti i industrisë kimike. Koncentrati i plumb-zinkut edhe këtë vit i është shitur kompanisë zvicerane Glenkor, ndërkaq, sulfati i aluminit shitet vetëm në tregun e brendshëm. Ky është një produkt që përdorët për pastrimin e ujërave, prandaj ne furnizojmë gjithë ujësjellësit regjional të vendit, por edhe pishinat gjatë stinës së verës”..kohaislame

SHBA: Bie ndjeshëm besimi i konsumatorëve

Treguesi i besimit të konsumatorëve në Shtetet e Bashkuara u ul ndjeshëm gjatë muajit dhjetor, nga 71.5 në 65.1 pikë, ndërkohë që amerikanët janë të shqetësuar se mosmarrëveshjet politike në Uashington mund të ngadalësojnë ekonominë dhe mund të rrisin nivelin e papunësisë.

Lynn Franco, drejtoresha e Bordit të Konferencës, enti që mat besimin e konsumatorëve, thotë se mosmarrëveshje të ngjashme mbi tavanin e borxhit, në gusht të vitit 2011, shkaktuan po ashtu një rënie të thellë të nivelit të besimit të konsumatorëve. Ekonomistët e ndjekin nga afër treguesin e besimit të konsumatorëve për të parë se sa të gatshëm janë amerikanët për të shpenzuar. Shpenzimet e konsumatorëve janë motorri kryesor i ekonomisë amerikane.

Raportet e tjera mbi ekonominë të publikuara sot ishin më optimiste. Javën e kaluar numri i amerikanëve të papunë ra në nivelin më të ulët në më shumë se katër vjet. Në raportin e Departamentit të Punës thuhet se për herë të parë kërkesat për ndihmë financiare nga të papunët u pakësuan me 12 mijë kërkesa. Javën e kaluar, kishte 350 mijë kërkesa për ndihmë financiare nga të papunët në nivel kombëtar.

Departamenti i Tregtisë tha se shitjet e shtëpive të reja në muajinë nëntor ishin në nivelin më të lartë në më shumë se dy vjet.

Mundësitë e pashfrytëzuara ekonomike

Kosova edhe pse është anëtare e disa mekanizmave ndërkombëtarë, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, dhe së fundi anëtare edhe e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për ekspertët e çështjeve ekonomike, autoritetet kosovare nuk po i shfrytëzojnë mundësitë për të përfituar nga këto institucione të rëndësishme.

Eksperti Muhamet Sadiku, thekson se mekanizmat financiarë ndërkombëtarë kanë ndihmuar Kosovën në ruajtjen e stabilitetit fiskal dhe financiar, por që Kosovës i mbetet ende punë për të bërë që të përftojë më shumë nga ajo se çfarë ofrojnë këta mekanizma ndërkombëtarë. “Kosova është anëtarësuar në këto vitet e fundit në institucione financiare ndërkombëtare, dhe Kosovës do t’i duhet përvojë e madhe që të behet një shfrytëzues më i madh mbështetjes dhe shfrytëzimit të kësaj mbështetjeje me projektet konkrete, me projekte të cilat do ta ndryshojnë situatën socio- ekonomike në Kosovë”.

“Prandaj, kuptohet se ky është një proces i gjatë, por Kosova në anën e vet duhet t’i kryejë detyrat të cilat i takojnë, e ajo ka të bëjë kryesisht me fuqizimin e administratës publike në të gjitha nivelet”, tha Sadiku.

Anëtarësimi i Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në Bankën Botërore, në BERZH, është parë si mundësi e mirë për ta rritur besimin e investitorëve dhe të komunitetit ndërkombëtar, që Kosova është një vendi i mirë për të investuar.

Por, eksperti për çështje ekonomike Safet Gërxhaliu, thotë se nuk mjafton vetëm të jesh anëtar i një mekanizmi ndërkombëtar, por edhe të dish ta shfrytëzosh atë. “Nuk ja vlen të jemi vetëm pjesë ose partner i këtyre institucioneve, nëse benefitet nga ky partneritet nuk reflektohen në ambientin ekonomik në Kosovë. Dua ta tërheq një paralele, Kosova e ka pasur një konferencë të donatorëve para ca viteve, dhe zotimet për ndihmë Kosovës kanë qenë më tepër se një miliard e 200 milionë euro”, thekson Gërxhaliu.

Ai, shprehet kritik ndaj punës se institucioneve të vendit në këtë drejtim, duke theksuar se tash është koha kur duhet të ketë një qasje tjetër të komunikimit profesional me mekanizmat ndërkombëtarë, ku Kosova është anëtare.

Erdoan: FMN-së do t’i japim borxh edhe 5 miliardë dollarë

Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan i ka bërë një vlerësim rendit të ditës.

Kryeministri Erdoan në Këshillin e Marrëdhënieve Ekonomike me Jashtë dha informacione në lidhje ambasadat, dhe konsulencat tregtare dhe vuri në dukje se në vitin 2012 vendet ku nënshtetasit turq mund të udhëtojnë pa vizë janë ngritur në 64.

Kryeministri Erodan gjithashtu theksoi se ndërkohë që rezervat e Bankës Qendrore 10 vjet më parë kanë qenë 27,5 miliardë dollarë, tashmë ato kanë arritur në 120,2 miliardë dollarë.

Ai tha se edhe borxhi i Turqisë në FMN ka rënë në nivelin 890 milionë dollarë dhe se ky borxh do të jetë eliminuar deri në muajin mars të vitit 2013. “Ne do t’i japim borxh FMN-së edhe 5 miliardë dollarë”, tha kryeministri turk.

Kryeministri nënvizoi se Turqia do të vijojë të thyejë rekorde në çdo fushë dhe tha: “Politika jonë e ekonomisë është testuar disa herë. Ekonomia jonë doli me sukses në 3 zgjedhje të përgjithshme, 2 vendore dhe 2 referendume.

Erdoan në vlerësimin e tij vuri në dukje se të gjitha agjencitë ndërkombëtare kanë folur me lëvdata për Turqinë dhe duke e kritikuar Agjencinë Ndërkombëtare të Vlerësimit të Kredisë Standard& Poor’s e cila e ka rritur 6 shkallë notën e Greqisë tha se këto janë qëndrime politike.

Lidhur me objektivat e vitit 2023 Kryeministri Erdoan tha se ata duhet të realizojnë reforma edhe më të mira për çështjet e teknologjisë dhe demokracisë së avancuar.

Ai shtoi se ata kanë arritur të lëshojnë me sukses në hapësirë Satelitin Göktürk 2 prej të cilit kanë filluar të marrin edhe sinjalet e para.

Duke rikujtuar se inflacioni ka rënë në një numër me një shifër, Kryeministri tha: “Ne do të prodhojmë avionin, automobilin dhe raketat tona” dhe dha sihariqin se së shpejti do të fillojnë punimet për “Kanalin Stambolli”./trt/kohaislame

MBI 1.9 MILIONË EURO GRANTE PËR 369 FERMERË

Mbi 1.9 milionë euro është vlera e granteve investive, të cilat sot janë ndarë për 369 prodhues të pemëve, perimeve dhe vreshtave. Ministria e Bujqësisë, përmes këtyre granteve, synon të rrisë kapacitetet prodhuese dhe përpunuese në sektorin e hortikulturës, i cili konsiderohet si njëri nga sektorët me potencialin më të madh zhvillimor në vendin tonë.

Në ceremoninë e ndarjes së këtyre granteve, ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se po e realizojnë premtimin për rritjen e përkrahjes financiare për fermerët kosovarë, të cilin e kishin dhënë vitin e kaluar. Përmes këtyre granteve, ai tha se po i përkrahin në mënyrë të drejtpërdrejtë qindra familje kosovare, të cilët tashmë kanë mundësi të krijojnë edhe vende të reja të punës. “Që nga fillimi ne kemi premtuar se do të ketë rritje të buxhetit për sektorin e bujqësisë dhe më shumë përkrahje për fermerët kosovarë. Për të realizuar këtë premtim tonin ne jemi orientuar nga njëra anë në rritjen e buxhetit shtetëror për bujqësinë dhe në anën tjetër, gjatë gjithë kësaj kohe jemi munduar t’i bindim edhe donatorët e ndryshëm që të investojnë në bujqësi. Ndarja e këtyre granteve për 369 fermerë tregon se ne po e realizojmë njërin prej premtimeve që kemi dhënë vitin e kaluar, sepse dukshëm është rritur edhe niveli përkrahjes, edhe numri i përfituesve”, tha ministri Stavileci.

Përpos këtyre granteve, ministri tha se pas disa javësh do të ketë edhe masa tjera përkrahëse për fermerët kosovar, të cilëve krahas ofrimit të shërbimeve këshillimore, do t’ju ndahen edhe grante investive për mekanizëm bujqësor. “Me hartimin e strategjisë së re për bujqësinë, të cilën kemi filluar ta përgatisim qysh tash, ne synojmë që buxheti për sektorin e bujqësisë bashkë me mjetet e donatorëve të arrijë deri në 100 milionë euro”, tha ministri Stavileci.

Në anën tjetër, Neriman Ismaili, përfitues e një granti në vlerë prej 10 mijë euro, duke treguar mirënjohje për mbështetjen institucionale, tha se ndarja e granteve investive nuk është vetëm përkrahje materiale, por edhe përkrahje morale dhe motivuese për të vazhduar edhe më tej punën në sektorin e bujqësisë. “Përmes përkrahjes së vazhdueshme që kam marrë nga Ministria e Bujqësisë, kam arritur të zgjerojë veprimtarinë time bujqësore, pasi subvencionet dhe grantet e kësaj ministrie na kanë mundësuar ta rrisim dhe cilësinë e prodhimeve bujqësore dhe në këtë mënyrë, po bëhemi edhe më konkurrent me rajonin”, tha ai.

Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, përmes këtyre granteve për sektorin e hortikulturës, ka mbështetur 369 fermerë me 1,989.654 euro për ngritjen e pemishteve, vreshtave dhe serrave të reja, si dhe për infrastrukturën e tyre përcjellëse.

Vlera minimale e lejuar për të përfituar nga skema e granteve investive të MBPZHR-së ka qenë 1500 euro, ndërsa ajo maksimale 40 mijë euro.kohaislame

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
30.4 ° C
30.4 °
30.4 °
39 %
1.8kmh
6 %
Sun
32 °
Mon
33 °
Tue
33 °
Wed
33 °
Thu
34 °