Kompania ajorore kombëtare egjiptiane, Egypt Air,ka deklaruar se si pasojë e grevave të ekipit të fluturimit, janë anulluar fluturimet ndërkombëtare të kësaj agjencie për 12 orë.
Sipas burimeve informative bëhet e ditur: “Si pasojë e grevave të ekipit shoqërues të fluturimeve ndërkombëtare të agjencisë kombëtare Egypt Air, duke qenë se disa fluturime në mëngjes janë ndikuar nga këto greva, kjo kompani ka vendosur për anullimin e fluturimeve ndërkombëtare nga Kairo nga ora 4 e mëngjesit deri në orën 4 pasdite me orën lokale(2 deri 14 me orën e Greenwich). Egypt Air duke theksuar se fluturimet brenda vendit nuk janë ndikuar nga këto greva ka deklaruar: “Po merren të gjitha masat për të mbajtur nën kontroll situatën”.
Anulohen fluturimet ndërkombëtare të Egypt Air
UNDP lanson projektin e punësimit në Kosovë
Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) lansoi këto ditë një publikim të ri në takimin e Bordit Ekzekutiv, në selinë në Nju Jork. Publikimi tregon arritjet transformuese të zhvillimit në vendet e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, transmeton Qik-u. Pjesa më e madhe e këtyre sukseseve janë të bazuara në politikat e reja inovative sociale, që adresojnë nevojat e të varfërve dhe të margjinalizuarve në këtë rajon, përfshirë romët, të rinjtë, të papunët afatgjatë dhe njerëzit me aftësi të kufizuar.
Publikimi ofron shembuj të gjallë të strategjive që synojnë avansimin e objektivave sociale, ekonomike dhe mjedisore. Si rezultat i këtyre strategjive shpeshherë inovative, UNDP – gjithmonë në partneritet me qeveritë, sektorin privat dhe shoqërinë civile – ka ndihmuar në krijimin e vendeve të punës, në plotësimin e nevojave të grupeve më të prekura, menaxhimin në mënyrë të përgjegjshme të mjedisit dhe në sigurimin për parandalimin dhe riaftësimin pas krizave dhe fatkeqësive.
Njëra nga storiet e publikuara është edhe ajo e projektit të punësimit (ALMP) të UNDP-së në Kosovë. Edhe fotoja e përzgjedhur për kopertinë është marrë nga po nga i njëjti projekt./koha/kohaislame
Plane për hapjen e një banke me vlera islame në Gjermani
Oferta financiare të bazuara në vlera islame. Me këtë parim synon të thithë klientë banka Kuveyt Türk, banka e parë konforme ndaj fesë islame, që do të hapë një filiale në Gjermani.
Heqje dorë prej bizneseve financiare spekulative dhe oferta financiare të bazuara në vlera. Në kohët e krizës financiare në Evropë shumëkush është pro një ideje të tillë. Dhe ky është edhe parimi i bankës nga Stambolli Kuveyt Türk, banka e parë konforme ndaj fesë islame, e cila do të hapë një filiale në Gjermani.
“Ideja është një bankë islame që ndjek parimet e depozitave dhe të fesë islame”, thotë Zaid el-Mogadedi, themelues dhe drejtor ekzekutiv i “Institute for Islamic Banking and Finance” (IFIBAF) në Frankfurt në bisedë me Deutsche Welle. Të ndaluara janë ndër të tjera investime në lojërat e fatit, pornografi, tregtinë e armëve apo në firma që prodhojnë dhe tregtojnë mish derri dhe alkool, apo janë të zhytura në borxhe. Të gjitha produktet financiare që ofrohen kontrollohen prej një komisioni etike.
Martin Schulte mendon se për të kuptuar konceptin e një banke islamike duhet hedhur një vështrim në konceptin islamik për paranë: “Paraja nuk jep fryte, pra vetëm dhënia e parave si kredi nuk sjell ndonjë përfitim për ekonominë e përgjithshme. Paraja është vetëm një mjet këmbimi, që vetë nuk ka ndonjë lloj force ekonomike.” Sipas tij në rast se bazohemi në këtë koncept, nga bankat mund të ofrohen produke që kanë kuptim për ekonominë e përgjithshme dhe mund ta plotësojnë shumë mirë biznesin konvencional të bankave edhe nga perspektiva makroekonomike./dw
Vizione për ekonominë siriane
Ekonomia në Siri gjendet përtokë. Me ndihmë nga jashtë ajo duhet të ngrihet sërish në këmbë, kur regjimi i Assadit t’i përkasë së kaluarës. Bashkësia ndërkombëtare planifikon për ditën X.
“Assadi duhet të largohet, koha e tij ka marrë fund”, deklaroi ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle të martën (04.09.2012) në një takim të miqve të Sirisë në Berlin. “Ne duhet të jemi të pregatitur për këtë ditë”. Qeveria gjermane dëshëron të kontribuojë për këtë. Përfaqësues nga 60 vende zhvilluan konsultime në Ministrinë e Jashtme gjermane, se si mund të ndihmohet rimëkëmbja e shpejtë e ekonomisë siriane pas rrëzimit të regjimit. Në takim merrnin pjesë edhe pjesëtarë të opozitës siriane dhe ekspertë të ekonomisë.
E qartë është se pa ndihmë nga jashtë, rimëkëmbja nuk do të jetë e mundur. “Populli sirian disponon rezerva natyrore si për shembull naftë, por vetëm ne nuk ia dalim të rimëkëmbim ekonominë”, tha Abdelbaset Sieda, president i Këshillit Kombëtar sirian, në opozitë. Për këtë arsye Sirisë i duhet një plan Marshall, pra ndihmë nga jashtë në fazën kalimtare, pas marrjes fund të regjimit të Assadit. “Pa një ekonomi të fortë ne i hapim dyert dhe portat ekstremizmit”, paralajmëroi Sieda.
Biznesmeni sirian Ayman Tabaa është larguar pak kohë më parë nga atdheu i tij. Ajo që dikur ishte e vetëkuptueshme është sot për të një privilegj, për shembull një mëngjes i thjeshtë. “Sot nuk kam më frikë se mund të bie viktimë e bombave në Aleppo ndërkohë që mbaj rradhën për bukë”, thotë Ayman Tabaa.
Ndihmë emergjente dhe perspektiva afatgjata
Ministri i Jashtëm Westerwelle nuk përjashtoi në takimin në Berlin pranimin nga Gjermania të refugjatëve sirianë. Ai theksoi megjithatë se: “Prioriteti është fare qartë ndihma në Siri.” Por mungesa e zonave të sigurta në vend e bën këtë thuajse të pamundur për momentin. Ushqimet, uji dhe medikamentet, do të jenë ndihmat e para emergjente pas përfundimit të luftimeve. Në takim u diskutua edhe për perspektivat afatgjata për ekonominë siriane. Qeveria gjermane tha se është e interesuar që në Siri “të ekzistojnë shanse të ndershme ekonomike pas vitesh me radhë sundimi të nepotizmit”, theksoi Westerwelle.
Një fushë potenciale investimesh është sektori i naftës dhe gazit natyror. Prodhimi është reduktuar me gati 50 për qind që prej fillimit të luftës civile, bëri të ditur ish-zëvendësministri sirian i naftës, Abdou Husameddin. Shumë sipërmarrës dhe punëtorë kanë braktisur vendin, ata duhet të rikthehen që biznesi të ringjallet.
Plane në sirtar
Gjermania drejton së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe “Grupin e punës për rindërtim ekonomik dhe zhvillim”, i cili u themelua në shkurt 2012 nga grupi i miqve të popullit sirian. Sekretariati ndodhet në Berlin. Synimi i punës së këtij grupi është të pregatisë sa më mirë të jetë e mundur rendin e ri ekonomik dhe rindërtimin. Bashkësia ndërkombëtare kërkon të jetë e pregatitur për ditën X dhe të mos i rëndojë sirianët me oferta ndihma të pakoordinuara dhe joeficiente.
Këto planifikime duhet t’ia bëjnë më të lehtë opozitës siriane krijimin e një profili në politikën ekonomike dhe duke rritur kështu kredibilitetin e saj. Westerwelle u bëri thirrje grupeve të ndryshme opozitare në Siri të bashkëpunojnë në frymën e pluralizmit dhe demokracisë. Vetëm kështu mund ata mund të përfaqësojnë “një alternativë kundrejt regjimit të padrejtësisë” dhe të zhdukin frikën për atë ç’mund të ndodhë me Sirinë pas Assadit./dw
Konkurrentët e lusin Volkswagenin të mos e shtojë prodhimin
Derisa kompania gjermane Volkswagen planifikon të shtojë prodhimin e automjeteve, prodhuesit tjerë kanë telashe të mëdha për shkak të kërkesës së ulur për automjetet e tyre. Për këtë arsye disa prodhues me nam i kanë dërguar një apel ‘solidariteti” grupacionit gjerman të automobilave që të mos i zgjerojë kapacitetet e veta, ndonëse Volkswagen zotëron 23.9 për qind të tregut evropian.
Prapa apelit për “solidaritet” qëndrojnë kompanitë Fiat, Peugeot-Citrone, Renault dhe Opel, të cilat në Bruksel po lobojnë që të zvogëlohen kapacitetet në auto industri, por edhe barrierat që ndalojnë mbylljen e fabrikave dhe largimin e punëtorëve.
Për dallim nga repartet e Volkswagenit që punojnë normalisht, fabrika e Fiatit në Napoli do të mbyllet së shpejtim kurse Peugeot planifikon të largojë nga puna 14 000 punëtorë, në mënyrë që të zvogëlojë humbjet në shumë prej 819 milionë eurove në gjysmën parë të këtij viti.
Problem shtesë për këto kompani evropiane paraqesin dhe automobilat e vegjël nga Azia, kështu që përkundër uljes së çmimeve, Peugeot humb mesatarisht 780 euro për një automobil të shitur, kurse Fiati 142 euro.
Dhe derisa ata flasin për konkurrencën nga Azia, Volkswagen pikërisht atje shet më së shumti automobila, andaj nuk habi fakti që mesatarisht fiton 916 euro për secilin automobil të shitur. Audi dhe Porsche, ndërkaq, që i janë bashkuar Volgswagenit, realizojnë fitim mesatar prej 4 242, përkatësisht 16 826 eurove për çdo automjet të tyre të shitur./koha/kohaislame
Borxhi amerikan, 16 trilionë dollarë
Departamenti amerikan i Thesarit konfirmon se borxhi kombëtar për herë të parë ka tejkaluar 16 trilionë dollarë. Kjo është e barabartë me 50 mijë dollarë borxh për çdo burrë, grua dhe fëmijë në Shtetet e Bashkuara, bën të ditur VOA.
Zyrtarët thanë se më vonë këtë vit vlera e borxhit ka të ngjarë të arrijë në 16.4 trilionë dollarë që është kufiri maksimal i borxhit. Dhe nëse ligjvënësit nuk e miratojnë legjislacionin e ri për të rritur kufirin e borxhit, Amerika nuk do të jetë në gjendje për të marrë hua për të paguar faturat e saj./voa/kohaislame
Kosova prodhon kuadro në shpërputhje me nevojat e tregut të punës
Kosova brenda një viti nxjerr në treg të punës deri në 8 mijë kuadro të diplomuar nëpër fakultete të ndryshme dhe kolegje private.
Për të njëjtën periudhë shkollën e mesme e mbarojnë rreth 30 mijë nxënës, në profile të ndryshme, që po ashtu llogariten të gatshëm për punë në sektorë të ndryshëm, më sekondare të shoqërisë, shkruan sot “Koha Ditore”. Këto shifra janë bërë të ditura nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë. Këshilltari për arsim i ministrit Buja, Ragip Gjoshi, po ashtu, ka treguar se në klasat e para të shkollës fillore sivjet do të regjistrohen 29 mijë nxënës, në shkollat e mesme 30 mijë e 553, kurse në arsimin e lartë publik e privat, rreth 26 mijë veta, afërsisht 16 mijë veta në universitet publike dhe 10 mijë në ato private. Të dhënat, edhe sipas Gjoshit, tregojnë se Kosova nuk ka deficit kuadrosh, por ka telashe në punësimin e tyre. Nga ana tjetër, statistikat e fundit të Departamentit të Punës dhe të Punësimit në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale tregojnë se aktualisht janë rreth 266 mijë persona të regjistruar si të papunë, që kërkojnë vende pune. Prej tyre, 154 mijë janë të pakualifikuar, rreth 10 mijë janë gjysmë të kualifikuar, afër 23 mijë janë të kualifikuar, derisa 73 mijë prej tyre e kanë të mbaruar shkollën e mesme.
Me shkollë të lartë, po sipas këtij raportit, presin të punësohen 1.600 veta. Raporti tregon se në Kosovë tashmë janë të regjistruar rreth 4.500 persona si të papunë, e që kanë të kryer fakultete. Nga të papunët e regjistruar, gjysma e tyre janë femra. Shumica syresh vijnë nga rajoni i Prishtinës, Mitrovicës e Prizrenit, por nuk janë larg as rajonet e tjera të Kosovës. Më së shumti të papunë, apo 118 mijë janë të grupmoshës, 25-39 vjet. Të regjistruarit si të papunë u përkasin të gjitha komuniteteve. 27 mijë janë të komuniteteve joshqiptare. Çdo muaj si të papunë paraqiten rreth 2 mijë persona. Personat në listën e të papunëve e që gjejnë punë janë kryesisht ata që kanë mbaruar shkollën e mesme dhe që janë të pakualifikuar. Vetëm rreth 15 për qind e numrit të përgjithshëm të tyre, që çregjistrohen si të papunë kanë shkollim universitar.
Sipas një raporti të vitit 2011, i hartuar nga i njëjti departament i MPMS-së, numri më i lartë i punësimeve u është referuar personave me shkollë të mesme, ose 2.942 të punësuar, pastaj “të pakualifikuar” me 2.717 persona, si dhe me universitet 1.011 të punësuar. Në raport theksohet se nga të kualifikuarit me përgatitje superiore gjatë 12 muajve të vitit 2011 janë 25.8 për qind./koha/kohaislame
“Vala” ndëshkon konsumatorët e saj
Operatori publik i telefonisë mobile ka vendosur t’i ndëshkojë konsumatorët e saj.
Ata që nuk shpenzojnë më shumë se 3 euro nuk mund të flasin me to më shumë se 45 ditë, përderisa ata që shpenzojnë vetëm 1 euro, nuk mund të flasin më shumë se 15 ditë me to. “I nderuar konsumator, nga data 1 shtator rimbushjet me vlerë 1 dhe 3 euro do të kenë vlefshmërinë 15 ditë, respektivisht 45 ditë”, thuhet në SMS-ët e dërguar nga “Vala”. Operatorët e tjerë të telefonisë mobile vazhdojnë të kenë vlefshmërinë e mbushjeve të tyre prej tri eurove, 60 ditë.
“Vala” deri më tani vlefshmërinë e mbushjes prej 1 eurosh e ka pasur deri më tani 30 ditë, ndërsa për mbushjet në vlerë 3 euro e ka pasur 60 e tani e ka zbritur në 45 ditë./koha/kohaislame
Iraku me rekord të eksportit të naftës
Bagdat. Eksportet irakiane të naftës arritën gjatë muajit gusht kulmin e tyre gjatë 30 viteve të fundit, deklaruan sot zyrtarët irakianë.
”Gjatë muajit gusht vendi ynë eksportoi 2,565 milionë fuçi në ditë, thënë ndryshe 8,442 miliardë dollarë”, deklaroi Falah al-Amiri, shefi i organizmit publik për tregtinë e naftës.
“Këto janë shifrat më të larta gjatë 30 viteve të fundit”, thotë Assem Jihad, zëdhënës i Ministrisë irakiane të Naftës./zeri/kohaislame
EVROPA NDALON PËRDORIMIN E LLAMBAVE TË ZAKONSHME
Në Evropë është vënë në zbatim vendimi për mos përdorimin e ampulave normale.
Komisioni i Bashkimit Evropian, duke filluar nga data 1 shtator 2012 gjatë një periudhe kohore që do të zgjasë 3 vjet kishte vendosur që të ndalojë përfundimisht përdorimin e llambave të zakonshme të cilat konsumojnë më shumë energji.
Vendimi ka hyrë dje në fuqi.
Së bashku me eliminimin e llambave të zakonshme vendin e tyre e kanë zënë ampulat e reja të cilat kursejnë energjinë.
Por llambat e reja kanë edhe një problem. Duke qenë se ato kanë përbërje merkuri në vend të dobisë sjellin më shumë dëme për ambientin.
Ampulat e kursimit të energjisë lejohet të kenë deri në 5 miligramë merkur por kjo lëndë edhe pse në sasi të vogla është shumë e dëmshme dhe toksike. Për këtë arsye llambat e reja ashtu si edhe bateritë duhet të hidhen veçantë nga mbeturinat e tjera.
Specialistët thonë se në rast se llambat e reja thyhen gjatë montimit atëherë, për shkak se ato përhapin gazra toksike, ambientet e brendshme duhen ajrosur menjëherë./trt/kohaislame