Ballina Blog Faqe 699

Kriteret ekonomike të studimit të fizibilitetit për Kosovën

Deri në fund të vitit, autoritetet kosovare duhet t’i përmbushin kriteret afatshkurtra të përcaktuara në Studimin e Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Ndër to janë edhe çështja e marrëdhënieve tregtare me Bashkimin Evropian dhe sundimi i rendit dhe ligjit, respektivisht forcimi i rolit të gjykatave ekonomike

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, thotë për emisionin “Index” të Radio Kosovës se janë në përgatitje e sipër të marrëveshjes për tregti të lirë me BE-në.

Njohësit e çështjeve ekonomike dhe drejtues të komunitetit të biznesit theksojnë se integrimi ekonomik dhe marrëdhëniet tregtare janë të rëndësishme dhe të domosdoshme për integrimin e gjithmbarshëm të vendit në strukturat e BE-së. Kurse njohës të çështjeve të gjyqësisë, thonë se sfidë mjaft e madhe për vendin është sundimi i ligjit dhe korrupsioni.

Institucionet e Kosovës janë duke u angazhuar seriozisht për adresimin e të gjitha sfidave afatshkurtra të përcaktuara me Studimin e Fizibilitetitit. Marrëveshja tregtare me BE-në është paraparë ne mesin e katër kushteve që qeveria vendore duhet t’i përmbushë deri në fund të këtij viti. Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, thotë se kjo çështje është në rrugë të mbarë dhe marrëveshja do të miratohet gjatë nëntorit në Qeveri.

-Është kërkuar nga ana e qeverisë së Kosovës, përkatësisht MTI-së, që të vazhdojë reformat e brendshme strukturore në Ministri, si dhe të funksionalizojë, përkatësisht të strukturojë mekanizmin negociues me Bashkimin Evropian. Edhe kjo çështje tashmë ka përfunduar dhe presim që gjatë javëve të ardhshme, gjithsesi brenda muajit nëntor të kalojë dhe të miratohet në qeveri, thotë Vlora Çitaku.

Zëvendëskryeministrja për ekonomi, njëherësh ministre e tregtisë dhe industrisë, Mimoza Kusari Lila, thotë se kanë marrë një vlerësim pozitiv nga Studimi i Fizibilitetit për aspektin e përgatitjeve për marrëveshjen e tregtisë së lirë me BE-në.

-Siç dihet pjesë e Stabilizim Asociimit është tregtia e lirë në masën e afro 70 për qind të përmbajtjes përbën negocimi i kësaj marrëveshjeje. Janë evidentuar përparime në raport me disa kërkesa që kanë qenë të adresuara në raportin e progresit të viteve të mëhershme. Jemi në proces ndërsa ristrukturimi i MTI-së përgatitja për negocim të marrëveshjes. Natyrisht, mbeten ende punë në përgatitje, qoftë në strukturë, qoftë në përmbajtje të Ministrisë për negociata. Por, kemi edhe detyrime afatshkurtra të cilat janë obligative deri në fund të këtij viti, për të marrë dritën e gjelbër, që shpresojmë në dhjetor, për fillimin e negocimit edhe ato jemi duke i adresuar. Prej ristrukturimit të Ministrisë, Departamentit të Tregtisë dhe caktimi i negociatorit tek struktura e përgjithshme e Ministrisë, dhe pastaj, natyrisht, vet fillimi i negociatave, thotë Mimoza Kusari-Lila.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit thonë se integrimi politik në BE nuk mund të ndodh pa integrim ekonomik. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, thotë se kriteret e përcaktuara mund të përmbushen, por për këtë nevojitet gatishmëri e autoriteteve përgjegjëse.

-Është e vërtetë se rruga integruese e Kosovës në familjen evropiane, nuk duhet të analizohet vetëm nga këndvështrimi politik, nuk mund të ketë integrim politik, nëse nuk ka integrim ekonomik, dhe integrimi ekonomik në familjen evropiane, kërkon përmbushjen e kritereve, të cilat nga dita në ditë janë më rigoroze dhe numerikisht më të mëdha. Mirëpo të gjitha këto nuk janë qëllime dhe kritere që nuk mund të realizohen nga institucionet në Kosovë, por për këtë duhet gatishmëri dhe sakrificë, thotë Gërxhaliu.

Njohës të çështjeve ekonomike thonë se kriteret ekonomike nuk është vështirë të përmbushen në aspektin formal, apo të hartimit të legjislacionit, por sfidë mbetet zbatimi i këtij legjislacioni në praktikë. Alban Zogaj, anëtar i grupit i ekspertëve E15, thotë se kushtet ekonomike që duhet të përmbushë secili vend që synon të integrohet në BE, janë që vendi të ketë një ekonomi funksionale të tregut, që prodhuesit e këtyre vendeve të kenë aftësi për të përballuar presionet konkurruese në tregun evropian, dhe krijimit të legjislacionit të doganave dhe tregtisë në përgjithësi.

-Ne, në aspektin juridik dhe të legjislacionit, jemi mirë, sepse Kosova është deklaruar në vazhdimësi që organizimi i tregut do të jetë treg i konkurrencës së lirë dhe që prodhuesit e jashtëm do të mund të konkurrojnë në tregun e Kosovës pa barriera të shumta. Por në anën tjetër, problem i madh për mendimin tim është pjesa e zbatimit të ligjit në rastet e ekonomisë, thotë Alban Zogaj.

Sundimi i rendit dhe ligjit, funksionimi më efikas i gjykatave në përgjithësi dhe atyre ekonomike në veçanti, theksohen vazhdimisht si probleme edhe nga strukturat e BE-së. Ministrja Kusari-Lila shfaq bindjen se do të ketë përparim edhe në këtë drejtim.

-Kjo mbetet dhe është një prej sfidave edhe të vendeve tjera që vetëm se kanë filluar negociatat. Besoj që ka vullnet politik të konsiderueshëm që të kemi avancim të duhur. Edhe që lidhet me çështje ekonomike është funksionimi i gjykatave ekonomike sidomos dhe kontestet e ndryshme që lindin në përmbushjen qoftë në marrëdhëniet kontraktuale në mes të palëve, qoftë të mbrojtjes së investimeve. Kemi pas në këtë aspekt edhe një raportim nga Këshilli Gjyqësor dhe besohet që nga janari i vitit 2013 me hyrjen në fuqi të ligjit mbi gjykata të ketë një përmirësim të ndjeshëm që besoj do të reflektojë edhe në sferën e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, shton zëvendëskryeministrja Kusari-Lila.

Edhe kreu i OEK-ut, Gërxhaliu, thekson nevojën e forcimit të sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë, në funksion edhe të çështjeve ekonomike.

-Mbi të gjitha emëruesi i përbashkët i përshpejtimit të proceseve integruese nga aspekti ekonomik është sundimi i rendit dhe i ligjit. Në qoftë se në këtë drejtim kemi gatishmëri të ballafaqohemi dhe ligji të jetë në funksion të përshpejtimit, atëherë vërtetë procesi do të përshpejtohet dhe do të jetë në funksion të ardhmërisë së Kosovës. Por krejt varet sa është gatishmëria institucionale që të ballafaqohet me këtë sfidë që e ka emrin sundimi i rendit dhe ligjit, shton Gërxhaliu.

Kurse Zogaj thotë se sfidë e madhe do të mbetet edhe funksionimi të gjykatave të mirëfillta ekonomike për zgjidhjen e çështjeve të bizneseve.

-Këtu them se duhet të bëhet një punë më e madhe dhe këtu mund të lindin probleme, për arsye se ne akoma nuk kemi gjykata të mirëfillta ekonomike të cilat merren me problematikat e biznesit ose me problematikat ekonomike dhe kësisoj ne kemi një mungesë të madhe të zbatimit të ligjit, ose edhe në rastet kur ligji zbatohet, ai është shumë i vonuar, shton Alban Zogaj.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Arif Shala, thotë se Qeveria duhet të angazhohet maksimalisht për përmbushjen e kritereve afatshkurtra ekonomike, dhe sidomos arritjen e marrëveshjes tregtare me BE-në. Ai thekson se kjo marrëveshje mund të jetë shumë e dobishme për vendin sesa ajo e CEFTA-s duke marrë parasysh se Kosova bën tregti të madhe me vendet e BE-së.

-Mendoj që Kosova duhet të ketë një politikë të qartë, të mirëfilltë ekonomike, për të përmbushur kriteret ekonomike për BE-në, ngase me CEFTËN, mendoj që Kosova ka pasur një stagnim shumë të madh. Nëse arrihet një marrëveshje, Kosova do të ketë përfitime ekonomike, pasi çdo vend që ka arritur marrëveshje me BE-në ka pasur përfitime, dhe mbesim me shpresë se qeveria do të punojë për zbatimin e këtyre kritereve, thotë Arif Shala.

Edhe Shala pranon se korrupsioni është shndërruar në dukuri shqetësuese për vendin, duke thënë se për luftimin e tij nevojitet angazhim i shtuar.

-Nëse institucionet tona nuk fokusohen në veçanti në luftimin e korrupsionit, domosdoshmërish nuk do të kemi zhvillim ekonomik, shton Shala.

Ndërkohë, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, thekson se luftimi i dukurive negative, sic është korrupsioni, duhet të adresohet nga ministria amë por edhe nga ministritë e tjera, për shkurtimin e burokracisë dhe procedurave që nevojiten qoftë për biznese qoftë për sfera tjera.

-Besoj se edhe ky është një aspekt shumë i rëndësishëm. Dhe natyrisht duhet të jetë një involvim i të gjitha palëve jo vetëm i qeverisë për të pasur sukses në këtë proces, është legjislativi, është gjyqësori dhe natyrisht shoqëria civile dhe gjithë qytetarët e Kosovës të cilët besojnë në një të ardhme dhe vizion për Kosovën dhe të kryhen disa obligime të cilat neve na presin. Se shpeshherë është ekzekutivi ai i cili thumbohet ose është më së shumti në fokus por natyrisht të gjitha segmentet tjera kanë pjesën e tyre të detyrimeve sidomos kur flasim këtu edhe legjislativi dhe shtylla e drejtësisë të cilat janë si shtylla shumë të rëndësishme për të pasur një shoqëri funksionale, thotë Mimoza Kusari-Lila.

Ajo vë në dukje se përveç gjykatave, dukuria e korrupsionit mund të luftohet edhe në forma tjera, qoftë përmes shkurtimit të procedurave, por edhe nxitjes së raportimit të kësaj dukurie.

-Natyrisht, prej nesh çfarë mund të bëjmë në luftimin e korrupsionit dhe çfarë po bëjmë është shkurtimi i procedurave. E para është qasja sa më e vogël e palëve në institucione edhe pritjet e gjata të cilat e shkaktojnë dukurinë. Tjetra është inkurajimi i raportimit të rasteve, shpesh edhe në MTI këtë e kam thënë edhe publikisht ka pasur ankesa të cilat lidhen direkt ose rrjedhimisht me tendencë të dikujt për të kërkuar mito. Dhe kur janë kërkuar palët që të raportojnë me këtë dukuri ka pasur hezitime. Pra edhe ky është një aspekt I cili ne mundohemi ti inkurajojmë të gjithë ata të cilët ballafaqohen të raportojnë, por nëse ka mungesë të gatishmërisë për arsye se njerëzit e kanë spekticizmin e ballafaqimit me organet e rendit të jenë dëshmitarë të rastit etj. Dhe më përpara vendosin të mos raportojnë fare se sa të raportojnë dhe të bëhen pjesë e procesit edhe vet për luftimin e korrupsionit, shtoi ajo.

Nga ana tjetër, zyrtarë të Institutit të Kosovës për gjyqësi kritikojnë Qeverinë se sundimin e ligjit nuk e kanë përcaktuar si fushë me prioritet në asnjë dokument strategjik, siç është plani për zhvillim ekonomik apo korniza afatmesme e shpenzimeve. Betim Musliu nga ky institut, thekson se edhe mekanizmat e krijuar për sundimin e ligjit, nuk kanë dhënë rezultate.

-Për fat të keq në Kosovë janë krijuar një sërë mekanizmash me qëllim që të shpërndahet përgjegjësia dhe papërgjegjësia e zyrtarëve institucionalë duke bërë kështu që rezultatet të cilat mungojnë në sferën e sundimit të ligjit, pra në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të fshihen prapa këtyre mekanizmave duke bërë që secili rast që nuk zgjidhet të mos ketë fare përgjegjës. Pra një qytetar nëse ka një rast korruptim që ta lajmëroj atë, nuk di saktë se ku ta paraqes atë, sepse ekzistojnë prokuroritë, policia, gjykatat, agjencitë e ndryshme, adresat e ndryshme dhe të gjitha këto kanë krijuar një mjegull për qytetarin që ta di saktë adresën se ku duhet të luftohet korrupsioni dhe kjo ka bërë që edhe përgjegjësinë ta kemi shumë të vogël, thotë Betim Musliu.

Ai thotë se për dallim nga gjykatat tjera, gjykata ekonomike, mandatin e së cilës është zgjidhja e kontesteve ekonomike, është më efikase dhe nuk ka një numër shumë të madh të lëndëve që presin.

-Por, përgjithësisht, sistemi gjyqësor vuan nga një numër i madh i lëndëve të pazgjidhura dhe kjo natyrisht ndikon në sigurinë e përgjithshme juridike, si të gjithë qytetarëve të vendit po ashtu edhe të investitorëve të huaj. Sepse kushdo që dëshiron të investojë në Kosovë fillimisht sheh se çfarë ambienti juridik ekziston në atë vend. Dhe nëse ekzistojnë këto probleme të sundimit të ligjit në Kosovës, atëherë direkt reflektohen edhe te siguria e tyre juridike për të investuar në vend, shton Musliu.

Edhe zëvendësdrejtori i Gjykatës Ekonomike, Nezir Bytyqi, thotë se nuk ka vonesa të theksuara të lëndëve. Sipas tij shpesh lëndët kryhen brenda një dite, por në raste të veçanta ato mund të zgjasin edhe deri në një vit. Nga kontestet ekonomike si lëndë kryesore në këtë gjykatë, nga 371 lëndë të këtij viti, deri në fund të shtatorit 171 lëndë janë zgjidhur. Ndërsa, sipas tij problem mbesin ekzekutimet e lëndëve.

Por njohës të çështjeve ekonomike shfaqin dyshime se brenda një afati të shkurtër do të mund të forcohet sundimi i rendit dhe ligjit. Alban Zogaj thekson se përgatitja e dokumentacioneve dhe realiteti në ekonomi dhe në treg janë tërësisht ndryshe.

-Nuk besoj që për një kohë të shkurtër disa prej problemeve të mëdha që ekzistojnë me zbatimin e ligjit mund të rregullohen, sepse do të kërkojë një kohë më të gjatë rregullimi i këtyre çështjeve, sidomos insistimi i vazhdueshëm i akterëve vendorë dhe të jashtëm që të kemi gjykata të veçanta për marrëdhëniet ekonomike, thotë Alban Zogaj.

Ndryshe, Komisioni Evropian ka identifikuar katër fusha në të cilat Kosova duhet të shënojë përparim të menjëhershëm me qëllim të fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ato janë: sundimi i ligjit, reforma e administratës publike, trashëgimia kulturore dhe tregtia.

Qeveria e Kosovës është zotuar se do t’i përmbushë në afat rekord të gjitha obligimet afatshkurta, por edhe ato afatgjata, të parapara me Studimin e Fizibilitetit.

Kryeministri, Hashim Thaçi, ka thënë se Studimi i Fizibilitetit ia hap Kosovës dritën jeshile për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit në të ardhmen. Sipas tij, Brukseli është pajtuar që Kosova të jetë partnere e barabartë me të gjitha vendet tjera që aspirojnë integrimet, duke i hequr të gjitha pengesat që kanë mundur të ekzistojnë. Studimi i Fizibilitetit, sipas Thaçit, për Kosovën ka domethënien e fillimit të procesit, edhe pse jo të shkurtër të integrimit të saj në Bashkimin Evropian.

-Fillimi i negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit shënon hapin më të rëndësishëm në kuadër të avancimit të procesit integrues të shtetit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe të faktorizimit të Kosovës në pozitën ndërkombëtare të Republikës së Kosovës, ka thënë kohë më parë kreu i Qeverisë./koha/kohaislame

TURQI-BANGLADESH, SYNOHET THELLIMI I BASHKËPUNIMIT EKONOMIK

Komisioni i Përzierë Ekonomik Turqi-Bangladesh realizoi mbledhjen e 4-t të radhës.

Ministri i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore të Turqisë, Faruk Çelik, i cili fillimisht u takua me ministrin e Financave të Bangladeshit, Abdul Maal Muhith, vuri në pah se marrëdhëniet e mira ndërmjet dy vendeve duhet të pasqyrohen edhe në fushën e ekonomisë.

“Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan, gjatë vizitës së tij të muajit nëntor 2010 në Dakë, ka deklaruar synimin e përbashkët të dy kryeministrave për ta çuar vëllimin tregtar mes dy vendeve në 3 miliardë dollarë deri në vitin 2015”, tha Çelik.

Më pas Çelik u takua me ministrin e Shëndetësisë së Bangladeshit, Ruhal Haque, të cilin e informoi rreth reformave shëndetësore në Turqi.

“Të gjithë qytetarët tanë janë të përfshirë nën strehën e Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe sigurimit të përgjithshëm shëndetësor. Çdo nënshtetas turk gëzon mundësinë për të përfituar në një farë mënyre nga kujdesi shëndetësor. Personat me të ardhura të larta paguajnë kontribut të plotë dhe ata me të ardhura të ulëta kontribut më të vogël, ndërsa kontributet e qytetarëve, që nuk kanë mundësi ekonomike, përballohen nga shteti, kështu të gjithë përfitojnë nga shërbimet shëndetësore”, shpjegoi ministri turk i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore.

Ndërsa ministri i Shëndetësisë së Bangladeshit theksoi se e kanë analizuar mirë sistemin e shëndetësisë në Turqi dhe tani po studiojnë mundësinë e aplikimit të tij në vendin e tyre.

Të bërit biznes largon dallimet etnike

Minoritetet në Kosovë janë të përfshira në nivel të duhur në biznes, thonë vetë pronarë të firmave nga komunitete të ndryshme dhe përfaqësues të afaristëve.

Ata thonë se problemet në ndërmarrësi janë të njëjta me bizneset tjera që udhëheqin pronarë kosovarë, por ankohen që nuk kanë përkrahje nga niveli komunal, e as nga ai qendror.

Abdylmexhid Bale, nga komuniteti boshnjak, është pronar i kompanisë “BalCond” në Prizren, që merret me prodhimin e llojeve të ndryshme të biskotave.

Ai tregon se të qenët minoritet në Kosovë nuk e pengon në zhvillimin e veprimtarisë së tij, por ai përmend probleme të tjera.
Për zhvillimin e veprimtarisë, sikur për të gjitha firmat në Kosovë, ka mungesë të financimeve dhe probleme te arkëtimet e borxheve…

“Për zhvillimin e veprimtarisë, sikur për të gjitha firmat në Kosovë, ka mungesë të financimeve dhe probleme te arkëtimet e borxheve, por dhe probleme me blerës për shkak të krizës financiare. As institucionet komunale dhe ato qendrore nuk na kanë ndihmuar asnjëherë. Në anën tjetër, më shumë kanë shkaktuar vështirësi, se sa ndihmë”, thotë Bale.

Rrahman Mazreku, nga komuniteti turk, pronar i ndërmarrjes tregtare “Çemo- Market”, njëherësh importues i produkteve higjienike nga Vojvodina, thekson problemet që shkakton ekonomia joligjore në tregun vendor.
Problemet, në rend të parë paraqiten në dogana.

“Problemet, në rend të parë paraqiten në dogana. Ne paguajmë doganën e rregullt, tjetri hyn pa doganë dhe e çrregullon tregun krejt, pasi dalin me çmim më të lirë, dhe neve na dëmtojnë”, shprehet Mazreku.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërkaq, theksojnë se afaristët nga komunitetet pakicë janë në pozitë të mirë sa i përket përfshirjes në biznes, por edhe në institucione.

Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, thotë se minoritete në vend kanë kompani prodhuese dhe tregtare dhe janë të barabartë me bizneset tjera në Kosovë.

“Njëkohësisht, edhe këto biznese e kanë kuptuar që së bashku me bizneset tjera kosovare mund të kenë bashkëpunim dhe bashkëjetesë për një përshpejtim të zhvillimit të gjithëmbarshëm ekonomik në Kosovë. Në këtë formë ne do të harrojmë të kaluarën dhe do të mendojmë për një të ardhme me perspektivë ekonomike dhe evropiane”, thekson Shahini.

Sidoqoftë, edhe në Strategjinë e Zhvillimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme 2012- 2016, një ndër qëllimet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, paraqitet edhe përmirësimi i pozitës së minoriteteve në raport me përfshirjen e tyre në ndërmarrësi.

Krijimi i vendeve të reja të punës për ta dhe shpëtimi i tyre nga varfëria, do të shpinte në drejtim të krijimit të një mjedisi më paqësor dhe më të qetë.

Krijimi i rrjeteve të punës me grupet e tjera etnike, thuhet në strategji, përmes aktiviteteve të biznesit do t’i zbuste dhe do t’i qetësonte raportet dhe marrëdhëniet e tendosura ndëretnike./rel

FITCH RRIT NOTËN E TURQISË

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kredisë, Fitch Rating, notën e Turqisë e ka ngritur në nivelin “vend i volitshëm për investim”.

Në deklaratën e bërë nga Fitch nota e kredisë për investime afatgjata të bëra me monedhë të huaj, është ngritur nga BB+ në BBB-.

Ndërsa pamjen e notës së kredisë Fitch e ka përcaktuar si të “qëndrueshme”.

Fitch, për rritjen e notës së Turqisë theksoi se ky vlerësim është bërë si rezultat i pakësimit të rreziqeve makro financiare afatshkurtër së bashku me vajtjen e ekonomisë drejt një uljeje të butë, dhe si rrjedhojë e pakësimit të borxhit publik, sistemit të fortë bankar, panoramës pozitive të rritjes ekonomike afatmesme dhe qenies së Turqisë relativisht e kamur.

Agjencia gjithashtu theksoi se tkurrja e deficitit të veprimeve aktuale në ekonominë e Turqisë dhe inflacioni i ulët kanë bërë që ekonomia të përparojë pozitivisht./trt

Bashkëpunimi THY-Lufthansa dhe aeroporti i parë mbi ujë në Turqi

Kryeministri Erdoan, deklaroi se Merkel i bëri atij një propozim në lidhje me THY-në gjatë vizitës në Gjermani.

Në Mbledhjen e 19-të për Konsultime dhe Vlerësime të Partisë AK, organizuar në Kızılcahamam (Këzëllxhëhamam) të Ankarasë, Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan foli për propozimin që i është bërë atij gjatë vizitës në Gjermani në lidhje me kompaninë ajrore turke THY nga Kancelarja gjermane Merkel.

Kryeministri Erdoan tha: “Gjatë qëndrimit në Gjermani Kancelarja gjermane Merkel më propozoi që Lufthansan dhe Linjat Ajrore Turke t’i përfshijmë nën një administratë të përbashkët. Edhe unë i kam dhënë përgjigje pozitive këtij propozimi. Kjo është diçka e përfshirë në projektet tona dhe shpresoj që për Linjat Ajrore Turke dhe Lufthansan të hedhim një hap të tillë”.

Duke vënë në dukje se aeroportet aktuale nuk janë të mjaftueshme për përballimin e nevojave tha se ata do të inaugurojnë në vitin 2014 Aeroportin e Parë mbi det që do të ndërtohet në Ordu-Giresun si dhe njoftoi se edhe aeroporti Çukurova ndërtuar midis Mersinit dhe Adanasë do të përfundojë dhe do të jetë në shërbim të popullit së shpejti.

Më shumë forca të specializuara me Blue Card

Ka dy muaj që në treg është Karta blu (Blue Card). Ajo u mundëson forcave të kualifikuara një rrugë të thjeshtë në tregun gjerman të punës dhe fitimin e shpejtë të së drejtës së qëndrimit.
Ajo i përngjan shumë letërnjoftimit të ri gjerman dhe Dautmammet Rejepov e mban atë me krenari në duart e tij: Kartën blu. Turkmeni ka ardhur në gusht në Hamburg nëpërmjet punëdhënësit të tij, gjigantit energjitik RWE. “Kompania ka një projekt kërkimor në vendlindjen time”. Dhe natyrisht që i riu turkmen dëshironte të marrë pjesë në të.
Për Kartën blu (Blue Card) ai nuk kishte dëgjuar deri me ardhjen e tij në Gjermani. Por tani ai është shumë i kënaqur që atij iu mundësua aq shpejt për të marrë një leje qëndrimi në Gjermani. Ai që mëson mirë gjuhën gjermane dhe ka një kontratë të përhershme të punës ka mundësi që pas dy vitesh të marrë edhe lejen e përhershme të qëndrimit. Për Rejepov-in, vetëm 30 vjeç, kështu ka një “motivim ekstra” për të mësuar shpejt gjermanisht.

Fushat më të kërkuara
Por nuk është vetëm kjo që e gëzon ekspertin për gazin natyror dhe naftën. Marrjen e vendimit për të qëndruar në Gjermani ia bëri edhe më të lehtë fakti se ai kishte të drejtë të sjellë me vete edhe gruan e tij Enesh Bashimova. Edhe ajo ka marrë një leje qëndrimi me të cilën gëzon edhe të drejtën e punës. Ndryshe nga rastet e bashkimit familjar për emigrantët me kualifikim të ulët, asaj nuk iu desh të dëshmojë se ka njohuri për gjuhën gjermane.
Që nga gushti, ekziston Karta blu në Gjermani – dhe të paktën në Hamburg ajo ka zgjuar interesim të madh: qyteti port ka lëshuar tashmë 163 karta të tilla. Në nivel federal nuk ekzistojnë ende të dhëna. “Sidomos shumë u janë ndarë indianëve”, thotë Birte Steller nga Qendra ‘Welcome’. Ekspertët që duan të fillojnë një punë në Gjermani ndihmohen këtu në çështjet kyçe, Kartën Blu dhe jetën praktike. Sektorët me kërkesat më të mëdha përfaqësojnë ekonominë e Hamburgut: “Porti, aviacioni, sektori i anijeve, energjia e rinovueshme dhe lojërat kompjuterike”, thotë Steller.

Frika nga Karta Blu
Steller e ka parë që në fillim me sy kritikë Kartën blu. Ajo kishte frikë se kuoata e vendosur minimale e të ardhurave prej 35.000 – 45.000 euro do të nxiste kompanitë gjermane që të marrin punëtorë nga jashtë në vend se ata t’i kërkojnë njëherë në vendin e tyre. Megjithatë, është shumë herët për të bërë një bilanc, zbut pak Steller qëndrimin e saj kritik: “Kjo pritet të shihet tani, ndoshta edhe pagat në përgjithësi janë të ulëta”, thotë ajo.
Sipas një studimi të Institutit për Hulumtime të Punësimit në Nuremberg, tetë për qind e kompanive nuk kanë arritur që gjatë gjysmës së parë të vitit 2011 të plotësojnë të gjitha vendet e lira të punës për fuqi të kualifikuar. Kjo ishte me të vërtetë më pak se në vitin paraprak, por në përgjithësi nuk mund të flitet për një trend. Pjesa më e madhe e ndërmarrjeve ende arrin të plotësoj nevojat me punëtorë të kualifikuar por shumica nuk llogarisin që kjo gjendje të vazhdojë, shkruajnë shkencëtarët. Një arsye për këtë është plakja e shoqërisë. Sidomos në kompanitë më të vogla mund të jetë një problem nëse një vend i punës mbetet bosh për një periudhë më të gjatë, thuhet më tej./dw

TAP apo Nabucco?

Ka shpresa tё mёdha qё projekti i gazsjellёsit Trans Adriatik TAP, qё sjell gazin nga Azerbaxhani nё Evropё, duke kaluar edhe nё territorin shqiptar, tё fitojё ndaj projektit rival Nabucco.
Gjithçka do tё vendoset nё pranverёn e vitit tё ardhshёm nё Azerbaxhan. Do tё jetё ky vend super i pasur me burime tё gazit qё do tё zgjedhё se me cilin gazsjellёs do tё sjellё pasurinё e tij natyrore nё Evropё: TAP apo Nabucco? I pari kalon nga fushat e gazit tё Azerbaxhanit, në Gjeorgji, Turqi, Greqi, Shqipëri nga ku përmes tubacioneve nënujore në detin Adriatik mbёrin në Jug të Italisë dhe që andej në Evropën Perëndimore. I dyti, Nabucco kalon nga Azerbazhani nё Turqi, Bullgari, Rumani, Hungari dhe pёrfundon nё Austri. Projekti TAP ka mbёshtetjen e SHBA kurse Nabucco atё tё BE, me argumentin se pёrveç Turqisё gazsjellёsi do tё kalojё nё vendet anёtare tё BE, gjё qё garanton siguri. TAP ka avantazhin e kostos: ndёrtimi i tij e ka koston 13 herё mё tё ulёt se Nabuco. Kohёt e fundit ky projekt shёnoi edhe njё avantazh tjetёr: Shqipёria, Greqia dhe Italia, tre vendet nga ku do tё kalojё gazsjellёsi nёnshkruan ne New York njё memorandum mirëkuptimi, qё shënon hapin e parë në nivel politik pёr tё vijuar mё pas me analiza teknike për krijimin e kornizës së infrastrukturës së re. Konsorciumi i investitorёve tё projektit TAP pёrbёhet nga tri kompani të njohura në Evropë: EGL e Zvicrës, Statoil e Norvegjisë dhe EON Ruhrgaz e Gjermanisë.

Ministri i Ekonomisё dhe Energjitikёs, Edmond Haxhinasto tha pёr programin shqip tё DW se ky memorandum ka vlerё tё madhe. “Ёshtё shumё i rёndёsisishёm pasi pёrmes tij qeveritё e Italisё dhe tё Greqisё angazhohen nё ndёrmarrjen e disa hapave shumё tё rёndёsishme si pёrfundim i marrёveshjes me konsorciumin e investitorёve qё ka marrё pёrsipёr realizimin e kёtij projekti si edhe hapa tё tjera qё kanё interes tё ndёrsjelltё pёr secilin vend.” thotё Z.Haxhinasto.
Shpresa tё mёdha nё Tiranё pёr ndёrtimin e gazsjellёsit TAP
Ndёrkohё, nё fushat gazmbajtëse të Kaspikut, në Azerbaxhan, tё njohura me emrin Shah Deniz, gara ende nuk ka mbarur. Ministri i Ekonomisё dhe i Energjitikёs, Edmond Haxhinasto, ka shpresa tё mёdha se nga kjo garё do tё dalё fitues projekti TAP dhe jo Nabuco.

“ Vendimmarrja pёrfundimtare nё Azerbaxhan do tё merret nё pranverёn e vitit tё ardhshёm. Jemi shumё optimistё qё do tё pёrzgjidhet projekti TAP. Pas shpalljes sё vendimit do tё fillojё ndёrmarrja e veprimeve konkrete pёr ndёrtimin e gazsjellёsit edhe nё territorin e Shqipёrisё.
Zhvillimi epokal – krijimi i tregut kombёtar tё gazit
Pёrzgjedhja e projektit TAP nё Azerbaxhan ka edhe njё dobi tjetёr shumё tё madhe: realizimin e tregut tё brendshёm tё gazit. Ministri Haxhinasto thotё se pёr kёtё gjithё dokumentacioni ёshtё gati.
“Me konsorciumin e TAP po pёrgatitemi tё pёrfundojmё edhe njё marrveshje tjetёr bashkёpunimi, qё ёshtё me rёndёsi specifike pёr Shqipёrinё lidhur me krijimin e tregut kombёtar tё gazit. Ky treg ёshtё shumё i rёndёsishёm pёr tё garantuar pёrdorimin e gazit si burim energjie pёr tregun shqiptar.”

Memorandume bashkёpunimi po pёrgatiten edhe me kompanitё qё do tё bёjnё shitjen e gazit, nё mёnyrё qё njё pjesё e gazit qё vjen nga Azerbaxhani drejt Evropёs dhe kalon nga territori i Shqipёrisё tё furnizojё tregun vendas.
Projekt qё mbёshtetet fuqimisht nga SHBA
Ideja e projektit TAP nisi tё bёhet e njohur nё mesin e viteve ’90- tё bashkё me idenё e Koridorit tё tetё, njё nismё kjo e ish Presidentit amerikan Bill Clinton. Sipas idesё sё tij fillestare tё publikuar nё vitin 1996 ky korridor do tё kalonte nga Bullgaria, Maqedonia, dhe Shqipёria, pёr tё kaluar mё pas nё Bari ose Brindizi, i quajtur ndryshe edhe korridori Lindje – Perёndim. Ky ishte nё gjenezё dhe mbetet njё projekt shumёplanёsh qё pёrfshin ndёrrimin e rrugёve, hekurudhave, porteve dhe gazsjellёsit i parashikuar tё ndёrtohej nё tri faza dhe tё pёrfundojё nё vitin 2020. Pёr njё sёrё arёsyesh, kryesisht financiare projekti i Korridorit tё tetё nuk po ecёn me ritmet e parashikuara. Por ndёrtimi i gazsjellёsit ёshtё pranё realizimit dhe vazhdon tё mbёshtetet fuqimisht nga SHBA.

“SHBA mbeten mbёshtetёse tё fuqishme tё kёtij projekti. Qё nё krye tё herёs ishte njё vlerёsim strategjik i cili tani ndodhet pranё realizimit. SHBA e konsiderojnё kalimin e energjisё nё itinerarё tё tillё, ku pёrfshihet edhe Shqipёria mjaft tё garantuar, duke patur parasysh qё Shqipёria ёshtё njё anёtar i NATO-s dhe ka marrdhёnie tё shkёlqyera me SHBA, pёr tё cilat rrugёt e garantuara tё energjisё qё shkojnё drejt Evropёs pёrbёjnё njё çёshtje tё rёndёsishme strategjike.
Financimi dhe pёrfitimet e Shqipёrisё
Tri kompanitё e njohura në Evropë, EGL e Zvicrës, Statoil e Norvegjisë dhe EON Ruhrgaz e Gjermanisë do tё financojnё me rreth 1,5 miliard euro ndёrtimin e tij. Parashikohet qё Shqipёria do tё ketё disa pёrfitime: hapjen e rreth 2000 vende tё reja pune, marrjen e tarifёs se kalimit tranzit tё tubacioneve tё gazit nё teritorin e saj dhe mundёsinё pёr tё krijuar tregun kombёtar tё gazit qё do tё thotё blerje gazi pёr nevojat e konsumatorёve dhe tё bizneseve me çmim mё tё ulёt sesa sot.

Pranvera arabe – pengesë apo nxitje për ekonominë?

Egjipti, vendi me numrin më të madh të popullatës në rajon, që prej verës ka një qeveri të zgjedhur me zgjedhje të lira. Po çfarë do të thotë pranvera arabe për ekonominë?
Revolucionet në Afrikën e Veriut dhe në Lindjen e Mesme janë para së gjithash kthesa politike, më pak ekonomike. Në fund të fundit, vendet e rajonit nuk kanë qenë ekonomi socialiste të planifikuara. Kështu për shembull në Egjipt ka ekzistuar edhe më parë një sistem funksionues bankar, thotë Volker Perthes, Drejtor i Fondacionit Shkenca dhe Politika në Berlin. Megjithatë ishin vetëm pak vetë ata që kishin qasje te kapitali:
“Bankat egjiptiane vërtet kanë qenë në gjendje të mirë, krahasuar me ato në vendet e tjera. Por kredi ato u kanë dhënë 30 familjeve të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, të cilat kanë pasur kontakte të mira me regjimin.”
Ndryshim i strukturës së sipërmarrjeve
Rrjedhoja: 99 për qind e sipërmarrjeve në Egjipt janë firma shumë të vogla, me pak të punësuar, thotë Markus Loewe i Instititut Gjerman për Politikën e Zhvillimit. Për ta, kthesa politike solli ndryshime të fuqishme.
“Deri tani ato shohin para së gjithash efekte negative te revolucionet. Në të gjitha vendet rritja ekonomike është ndalur në vend. Nuk kemi tendencë negative zhvillimi, por kemi ndalje në vend. Disa sektorë të ekonomisë kanë pësuar kolaps, veçanërisht sektorë që kanë prodhuar për tregjet vendase. Kjo ka të bëjë më rënien e gatishmërisë për konsum në këto vende. Pasiguria për zhvillimet e ardhshme ka luajtur këtu një rol të rëndësishëm.”
Pasiguria frikëson edhe investorët e huaj. Sistemet arsimore në gjendje të rëndë e ulin edhe më tej aftësinë e vendit për konkurrencë, thotë Markus Loewe, me gjithë pagat e ulëta.
“Shumë paga për një punë me kohë të plotë janë shumë pranë nivelit të kufirit të varfërisë. Megjithatë, këta punonjës prodhojnë kaq pak të mira materiale, për shkak të shkollimit të tyre të pamjaftueshëm, dhe meqenëse produktiviteti në këto vende është shumë më i vogël se në shumicën e vendeve të Azisë Jugore.”
Deficit në rritje dhe subvencione
Kësaj i shtohen probleme të buxhetit. Kështu, qeveria e re në Egjipt përballet me një deficit në rritje. Shkaqet janë gjendja e dobët ekonomike dhe rritja e shpenzimeve për kreditë. Edhe subvencionimi i shpenzimeve për energjinë dhe ushqimet krijon të çara në arkë, thotë Hannan Morsy i Bankës Evropiane për Rindërtimin dhe Zhvillimin:
“Subvencionet janë një e pesta e të gjitha shpenzimeve të qeverisë, pra 20 për qind. Por subvencionet spostojnë edhe investimet që nevojiten me urgjencë nga ekonomia private, si për shembull në infrastrukturë.”
Qeveria e Egjiptit dëshiron ta reformojë sistemin e subvencionimeve. Ky është parakusht edhe për të marrë një kredi në shumën gati pesë miliardë dollarë, të cilën Egjipti ia ka kërkuar Fondit Monetar Ndërkombëtar.
Veç kësaj, ekspertët vlerësojnë se terreni për investime është i përshtatshëm edhe për një arsye tjetër: në shumë vende arabe ka një siguri më të lartë juridike dhe është më e lehtë të hapësh një biznes se në vendet e preferuara nga investorët si në Brazil, Rusi, Indi dhe Kinë. Nga ana tjetër, ndikimi i ushtrisë në Egjipt mbetet i madh. Ai ka qenë edhe para revolucionit i madh dhe këtu ekspertët nuk presin të ndryshojë gjë në një kohë të afërt./dw

Gjermania parajsë për larje parash

Në Gjermani kriminaliteti i organizuar po pastron gjithnjë e më shumë para të fituara në rrugë të paligjshme. Këtë e tregojnë shifrat e fundit të Entit Federal të Kriminalistikës. Luftimi mbetet megjithatë i vështirë.
Gati 13.000 kallëzime për dyshim për larje parash morën autoritetet vitin e kaluar. Në gjysmën e rasteve rezultoi se dyshimi ishte i bazuar. Ky është një maksimum rastesh qysh nga 1993-shi. Asokohe hyri në fuqi ligji kundër larjes së parave. Për shembull ai i detyron bankat që t’i raportojnë Entit Federal për Mbikqyrjen Financiare në rastet kur në llogari bankare që deri atëherë nuk kanë rënë në sy, fillojnë të lëvizin shuma të mëdha.
Sipas raportit të Entit Federal të Kriminalistikës, të publikuar të hënën (29.10.2012), kanë tërhequr vëmendjen veçanërisht pagesat nga Italia, Rusia, Ukraina dhe nga Bjellorusia. Raporti zbulon gjithashtu se krahas tregtarëve të pasurive të patundshme, pronarëve të restoranteve dhe operatorëve të lojërave të fatit, llogaritë bankare i kanë vënë në dispozicion edhe një numër në rritje personash privatë.
Rrjedha të padepërtueshme parash
Geld auf Wäscheleine Symbolbild “Fatkeqësisht, kushtet në Gjermani e favorizojnë ende pastrimin e parave”, shpjegon Gerhard Schick, i cili merret me këtë temë si deputet i Të Gjelbërve dhe si anëtar i Komisionit parlamentar për financat. “Niveli i vetëdijes në lidhje me përmasat e gjithë kësaj është tepër i ulët”, shpjegon Schick në intervistë me Deutschen Welle-n.
“Shumë firma tregtare bëhen sa vjen e më të padepërtueshme”, i duhet të pranojë edhe presidentit të Entit Federal të Kriminalistikës, Jörg Ziercke. Për këtë arsye kontrollet do të intensifikohen. Kjo është e nevojshme, mendojnë ekspertë të Organizatës për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD) dhe të Komisionit Evropian në Bruksel. Të dyja institucionet e akuzojnë Gjermaninë prej kohësh se bën pak kundër pastrimit të parave.
Kritikë nga Brukseli
Detektivët gjermanë e përllogarisin me 50 deri 60 miliardë euro shumën që dërgohet në Gjermani me origjinë nga shantazhet, narkotikët apo nga tregtia e armëve. Autoritetet hetuese nuk arrijnë të sekuestrojnë as një për qind të këtyre shumave, ankohet Shoqata profesionale e policisë kriminalistike. Sipas saj, në sektorin bankar ndjekja penale mbetet të garantohet, por në shumë degë duhet të futet mbikëqyrja dhe kontrolli shtetëror. Mirëpo, me gjasa kjo nuk dëshirohet politikisht, mendon kriminalisti Sebastian Fiedler.
Për shkak të sjelljes hezituese të qeverisë gjermane Komisioni Evropian ka nisur një procedurë për shkelje të marrëveshjes- Argumenti kryesor është ky: Mungesa e ndjekjes penale të larjes së parave bën të mundur edhe financimin e pakontrolluar të terrorizmit. Sipas shifrave të Financial Action Task Force (FATF) të OECD-së, vendet e tjera hetojnë realisht më rreptë dhe ato shënojnë katërfishin deri njëzetfishin e zbulimeve të veprave penale.

Eksperienca gjermane, “çelës” punësimi për të rinjtë ballkanas

Prej 8 vitesh qindra të rinj nga Ballkani falë një programi të Komitetit Gjerman të Marrëdhënieve Ekonomike me Evropën Lindore vijnë në Gjermani për të kryer praktika pune në kompani prestigjoze.

Inxhinieria, arkitektura, specialitetet ekonomike dhe gazetaria janë profesionet në të cilat programi i Bursave të Biznesit Gjerman, i’u jep mundësinë të rinjve për të vënë në jetë njohuritë e marra në Universitet, apo të bëjnë hapat e parë në profesionin e tyre. Për një periudhë kohore 3-6 mujore atyre u ofrohet mundësia të punojnë në projekte konkrete e jo thjesht të vëzhgojnë se si realizohen këto projekte.

Që prej vitit 2004 kur nisi ky program, profesionistët e rinj që kanë kryer praktika pune në kompanitë gjermane kanë qenë të shumtë, por ndonjëherë rikthimi në vendet e tyre është dukur i vështirë për shkak të mangësive që tregu ofron. Duke qenë se numri i të rinjve është gjithnjë e në rritje, viti 2012 vjen me një risi në ndihmë të të rinjve: databaza e CV-ve. Alina Gumpert, koordinatorja e programit thotë për DW se kjo ishte një ide e prezantuar nga të rinjtë që kishin përfunduar eksperiencat e tyre në kompanitë gjermane dhe ishin kthyer në Ballkan.
Alina Gumpert, koordinatorja e programit të Bursave të Biznesit Gjerman
„Ata donin t´u bënin të dukshme përgatitjen e tyre profesionale kompanive që operojnë në Ballkan. Edhe pse situata ekonomike nuk është fort e mirë në këtë rajon, kompanitë kanë gjithnjë nevojë për njerëz të kualifikuar. Kjo database është ngritur një vit më parë, por ka pak kohë që është hapur për kompanitë që janë të interesuara,“ thotë Gumpert.

Shanse më të shumta për punësim
Të rinjtë që përfundojnë praktikat e punës në kompanitë gjermane pasi kthehen në vendet e tyrë mund të ngarkojnë CV-të në këtë databazë. Më pas kompanitë kërkojnë kandidatët e tyre në bazë të profesionit apo vendit të kandidatit. Deri në këtë fazë databaza është hapur vetëm për kompanitë që veprojnë në Serbi për shkak se numri më i madh i të rinjve në këtë program është nga Serbia. Por Gumpert shton se së shpejti edhe kompanitë e shteteve të tjera të Ballkanit do të kenë akses në të.
„Edhe pse është vetëm fillimi ne kemi disa histori suksesi. Disa kompani ishin duke kërkuar punonjës të kualifikuar dhe i gjetën në këtë database. Këto kompani po kërkonin specifikisht profesionistë të rinj që dinë të flasin shumë mirë edhe gjermanisht, sepse pjesa më e madhe e të rinjve është e drejtuar nga anglishtja. Por në rajon ka shumë kompani të mesme nga Gjermania apo Austria që kërkojnë përfaqësuesit e tyre,” shprehet Alina Gumpert, koordinatore e programit të Bursave të Biznesit Gjerman.

Eksperienca në Gjermani
Praktikantët që ndodhen aktualisht në Gjermani e kanë quajtur këtë eksperiencë si mjaft të rëndësishme për të ardhmen e tyre. Inxhinieri i ri mekanik nga Tirana, Durim Qytyku, prej katër muajsh është duke punuar në sektorin e Rinovimit të Turbinave të Avullit tek kompania ALSTOM, që është një nga më të mëdhatë në tregun botëror të energjisë. “Kjo eksperiencë është duke më ndihmuar shumë në fushën e menaxhimit të projekteve, si të punoj më mirë në grup dhe çka është më e rëndësishme si të punoj në një ambient ndërkombëtar,” thotë inxhinieri i ri, i cili do të kthehet në Tiranë në fund të vitit.

Arkitektja e re nga Serbia Jovana Stojanoviç është duke punuar në një zyrë arkitekturore në Frankfurt. “Gjatë kësaj kohë kam fituar njohuri të reja, kam takuar njerëz të rinj dhe tani kam tani lidhje të reja. Në një fare mënyre kam hyrë në biznesin gjerman. Me këtë eksperiencë horizontet e mia janë hapur më shumë. Por është edhe një eksperiencë jetësore sepse këtu jam duke jetuar vetëm,” thotë për DW Stojanoviç.
Koordinatorja e programit, Alina Gumpert thotë se kompanitë gjermane janë mjaft të kënaqura me atë që ofrojnë të rinjtë nga Ballkani në projektet e tyre. “Ata thonë se këta të rinj janë më të motivuar në krahasim më praktikantët e tjerë. Dëshira për të mësuar dhe iniciativa tek praktikantët janë gjithashtu dy gjëra të rëndësishme që kompanitë i vlerësojnë. Feedback-u ka qenë gjithmonë pozitiv, prandaj edhe kompanitë që marrin pjesë në këtë program janë shtuar nga viti në vit,” përfundon Gumpert./dw

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
32.5 ° C
32.5 °
32.5 °
46 %
4.1kmh
0 %
Fri
31 °
Sat
39 °
Sun
39 °
Mon
37 °
Tue
37 °