Ballina Blog Faqe 695

Mihja e re do të sistemojë punëtorët e KEK-ut

Korporata Energjetike e Kosovës nuk ka ndonjë plan për shkurtime të vendeve të punës. Kjo korporatë garanton se për të gjithë punonjësit e mihjeve do të ketë punë dhe se nuk do të ketë largim nga puna e as pensionim të dhunshëm, ndonëse dy mihjet ekzistuese shumë shpejt pritet të shterojnë.

Këto deklarata vijnë pas shumë raporteve në të kaluarën që kanë konkluduar se të paktën 1.500 vetë do të mbesin pa vende pune, pas mbylljes së dy mihjeve dhe koncentrimit të punëve vetëm në mihjen “Sibovci jugperëndimor”. Gjithashtu do të punohet edhe në mihjen e Sitnicës, e cila do të jetë aktive deri në vitin 2014.

Viktor Buzhala, zëdhënës i KEK-ut, ka thënë se në Divizionin për Prodhim të Qymyrit janë gjithsej 3.500 punëtorë, që është një nga divizionet kyç të korporatës.

“Të gjithë punëtorët e DPQ-së e kanë punën të sigurt dhe asnjë nga ta nuk parashihet të largohet. Arsyeja është e thjeshtë: procesi i punës ka nevojë për secilin prej tyre”, ka thënë Buzhala./koha/kohaislame

Falsifikime të shumta për të përfituar subvencione në bujqësi

Numri i madh i fermerëve që janë zënë duke deklaruar rrejshëm të dhënat e paraqitura në aplikacionet për subvencionet nga Ministria e Bujqësisë ka shtyrë këta të fundit që të ndryshojnë sistemin e kontrollimit. Zyrtarë të kësaj ministrie kanë thënë se këto masa të ndërmarra janë duke vonuar procesin e dhënies së subvencioneve të reja. Për këtë vit janë ndarë më shumë se 17 milionë euro mbështetje për shumë sektorë të bujqësisë.

Bujqit, të cilët i plotësojnë kushtet për të marrë mbështetje nga shteti, do të kenë në dispozicion 17.6 milionë euro që do të ndahen për subvencionim, si grante dhe investime.

Nga kjo shumë 7.6 milionë do të ndahen për subvencionim, 5 milionë për grante dhe 5 milionë për investime.

Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kanë thënë se në listën e përkrahjes janë futur edhe disa varietete që deri më tani nuk kanë qenë të mbështetura.

Edhe pse shumë bujq janë ankuar në vonesat sa i përket subvencioneve, zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë thonë se janë tendencat e mëdha të vetë fermerëve për të mashtruar si faktor kryesorë për vonesat në procesin e dhënies së subvencioneve.

E kjo ka shtyrë që nga 50% e kontrolleve që është bërë deri tash, të bëhet 100% në terren.

Vetëm vitin e kaluar 2.892 fermerë janë zënë duke i deklaruar rrejshëm sipërfaqet e mbjella dhe numrin e krerëve të bagëtisë.

Rritja e përkrahjes në sektorin e bujqësisë ka ndikuar edhe në rritjen e numrit të bujqve aplikues.

Sipas të dhënave të deritashme të ministrisë, numri i aplikuesve për lopët qumështore vitin e kaluar ka qenë 4.363, kurse këtë vit ka arritur në 5.339.

Për kafshët e imëta vitin e kaluar ka pasur 1.442 aplikues, sivjet janë 1.503.

Tek bletaria, e cila sivjet përkrahet për herë të parë, kanë aplikuar 1.100 kultivues.

Situata ka ndryshuar vetëm tek aplikacionet për mbështetje të sipërfaqeve me grurë, për të cilin vitin e kaluar kanë aplikuar 10.953 fermerë, kurse këtë vit ka 9.575 aplikacione dhe e gjithë kjo për shkak të digjitalizimit të sistemit të parcelave.

Kjo ministri ka në plan të hapë edhe një rund të ri të aplikimit pas qershorit të këtij viti, me çka do të zgjerohet gama e përkrahjes së sektorëve të bujqësisë./koha/kohaislame

Shqipëria katërfish me shumë fitim se Kosova në shkëmbimet tregtare

Të ardhurat doganore për mallrat e importuara në Kosovë dhe që zhdoganohen në Doganën e Kukësit për tremujorin e parë të këtij viti rezultojnë me një vlerë prej 335 mijë eurosh, ose me 62% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit kaluar. Vlera e të ardhurave doganore në Doganën e Morinit në Kukës për tremujorin e parë të këtij viti është 46.979 milionë lekë ose rreth 335 mijë euro. Ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit kaluar janë realizuar të ardhura me vlerë prej 29.190 milionë lekë, ose rreth 208 mijë euro. Përqindjen më të madhe në realizimin e të ardhurave e zë TVSH-ja që zë 69.2% të vlerës së të ardhurave doganore, akciza 4.55%, taksa doganore 2.35% dhe të tjerat zënë 23.9% të vlerës së të ardhurave doganore në Doganën e Morinit në Kukës.

Kryetari i Degës së Doganës së Morinit në Kukës, Ali Tota, ka bërë të ditur për “Kohën Ditore” se të gjitha të ardhurat janë realizuar përmes importimit të mallrave që bëhen në Kosovë ku mielli, patatja, automjetet, por edhe birra e Pejës dhe verërat e Rahovecit janë artikujt kryesorë që janë zhdoganuar në Doganën e Kukësit. Një pjesë e këtyre mallrave konsumohen në Kukës, ndërkohë që pjesa më e madhe shitet në pjesët e tjera të Shqipërisë.

”Shkaku kryesor i rritjes së të ardhurave, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit kaluar, janë të ardhurat e krijuara nga zhdoganimi i automjeteve, apo më saktë të ardhurat nga TVSH-ja e tyre. Heqja e taksës doganore, në korrik të vitit kaluar ka shtuar importin e automjeteve në Kosovë duke rritur njëherësh të ardhurat në Doganën e Morinit”, deklaroi Ali Tota.

Pavarësisht rritjes së importit të automjeteve, Kosova vazhdon të ketë bilanc tregtar negativ me Shqipërinë. Sipas kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, 80 milionë euro është eksporti i Shqipërisë në Kosovë dhe 20 milionë euro është eksporti i Kosovës në Shqipëri për vitin 2011. Megjithëse për vitin 2011, Kosova ka rritur në masën 19.8% numrin e eksporteve në Shqipëri, krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka dyfishuar eksportet në drejtim të Kosovës për vitin 2011, ku çimentoja e Fushë-Krujës vazhdon të mbajë vendin e parë në artikujt që Shqipëria eksporton në Kosovë, ku ky artikull ka njohur një rritje prej 1.2 herë krahasuar me vitin 2010. Rënie për gati 100% ka pësuar eksporti i patates nga Kosova në Shqipëri, pasi për vitin 2011, eksporti i kësaj kulture bujqësore ishte orientuar drejt Serbisë si rezultat i shtimit të referencave nga Dogana e Shqipërisë./koha/kohaislame

Shahini: Të shpallen bizneset pro serbe

Fajtor për importin e disa produkteve nga Serbia me mbishkrimin KOSOVO/UNMIK, thotë se janë edhe bizneset vendore që importojnë këto produkte nga Serbia, pasi përmes këtij veprimi sipas tij, po pranojnë që të ia humbin identitetin shtetit për përfitime personale.

Thotë se Qeveria e Kosovës e ka mbështetjen e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB) dhe shumicës se qytetarëve që të merr menjëherë vendim t’i ndalojë dhe t’i largojë nga tregu këto produkte edhe bizneset që importojnë këto produkte t’i shpall si biznese pro Serbisë.

Kryetari i AKB-së, Agim Shahini në një intervistë për “Tribuna Shqiptare”, premton se edhe AKB-ja vetë do t’i shpall ato biznese që janë kundër parimeve të shtetësisë së Kosovës. /Telegrafi/kohaislame

Feith: Korrupsioni po dëmton ekonominë

Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare Piter Feith, ka thënë se si pasojë e korrupsionit po dëmtohet ekonomia e Kosovës.

“Ekonomia nuk mund të zhvillohet, sepse nuk do të ketë investime direkte. Nëse një vend ka reputacion të keq, nuk do të ketë investime”, ka thënë Feith në një intervistë për Irish Times.

“Ekziston problemi për normat dhe vlerat për të cilat njerëzit e këtushëm ndjehen të lidhur. Kjo vjen nga vitet e shtypjes, vitet e diskriminimit dhe vitet e dhunës që kanë përjetuar në të kaluarën kosovarët. Njerëzit nuk janë mësuar që të pranojnë se duhet të ketë sundim të ligjit dhe se rregulloret, ligjet duhet të respektohen, sepse përndryshe nuk mund të funksionojë si duhet shoqëria”, është cituar të ketë thënë Feith.

“Kjo nuk është unike për Kosovën, kjo mund të shihet gjithandej në Ballkan dhe më gjerë në rajon. Është një fenomen i cili do të marrë kohë derisa të zhduket tërësisht”, ka thënë Feith./koha/kohaislame

Çereku i bizneseve “profesionale” s’kanë paguar kurrë tatime

Një numër i madh i subjekteve të biznesit që ndryshe njihen si kategoria e shërbimeve profesionale, ku bëjnë pjesë avokatët, kontabilistët, floktarët, këngëtarët, internet-kafetë, piktorët, kompozitorët, zyrat projektuese të arkitektëve, bizneset dentare, si dhe persona të tjerë që merren me aktivitete artistike, llogaritet se u janë shmangur pagesës së tatimeve, që nga paslufta e deri më tani.

Burime të “Kohës Ditore” brenda Administratës Tatimore të Kosovës bëjnë të ditur se më shumë se një e katërta e tatimpaguesve të kësaj kategorie nuk kanë paguar kurrë asnjë cent tatim nga fitimi i të ardhurave që kanë realizuar ndër vite, që nga paslufta.

Sipas burimeve të informuara mirë, afro 450 subjekte të identifikuara nga institucionet që i takojnë kësaj kategorie numërohen si jodeklaruese të tatimeve. Ndërsa numri i përgjithshëm i deklaruesve të tillë është afro 1200./koha/kohaislame

Haxha shkoi me 660 mijë euro

Shyqyri Haxha është bërë pothuajse milioner nga menaxhimi trevjeçar i kompanisë më profi tabile në Kosovë i Postë Telekomin e Kosovës (PTK). Të ardhurat gjatë mandatit trevjeçar në krye të PTK-së kanë rezultuar mjaft të larta për Haxhën, madje të krahasueshme edhe me ish-menaxherët ndërkombëtarë të kësaj kompanie publike.


Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, për 36 muaj sa ka qenë kryeshef i kompanisë më fitimprurëse në vend, ish-drejtori Haxha ka marrë nga PTK-ja 660 mijë euro, ku nëse e bëjmë një përllogari del se Haxha brenda një muaj ka marrë nga PTK-ja në emër të pagës dhe benifi cioneve tjera 18 mijë e 333 euro.

Burime të gazetës po ashtu bëjnë të ditur se përpos pagës super të lartë, ish-drejtori Haxha ka përfituar shumë benefi cione të jashtëligjshme, që i janë mundësuar atij nga bordi i kësaj kompanie.

“Imagjinojeni Haxha ka marrë para nga PTK-ja në emër të qirasë për shtëpinë e tij që e ka në Angli. Kjo nuk ka logjikë. Këtë vendim të jashtëligjshëm e ka marrë bordi i drejtorëve të PTK-së”, tha burimi i gazetës.

Po ashtu, sipas këtij burimi, Haxha ka përfituar nga PTK-ja edhe shuma marramendëse parash edhe për shkollim. Ai pak kohë para se ta braktiste PTK-në ka për tuar mjete edhe për një doktoraturë ekstra, pavarësisht se Haxha prej kohësh është deklaruar se e mban titullin doktor shkence.

“Në bashkëpunim me bordin, Haxha ka përfituar shuma marramendëse parash”, tha burimi.

Gazeta gjatë ditës së diel ka provuar të kontaktojë me zyrtarë të PTK-së, por kontakti me ta përmes telefonit ka qenë i pamundur. Po ashtu, gazeta ka provuar që disa herë ta kontaktojë përmes telefonit edhe kreun e bordit të PTK-së, por edhe me të kontakti ka qenë i pamundur.

Në anën tjetër, ish-drejtori i PTK-së, Shyqyri Haxha, përmes telefonit nga Anglia thotë se nga PTK-ja nuk ka marrë asnjë euro në mënyrë të jashtëligjshme. Ai tha se per sona brenda PTK-së në vazhdimësi janë duke spekuluar për të.

“Unë prej jush po dëgjoj sot se kam marrë qira për shtëpinë time në Angli. Kjo është gënjeshtër e pastër nga persona që dëshirojnë të ma dëmtojnë personalitetin tim dhe sukseset që kam pasur unë në atë kompani”, tha ai për “Zërin”.

Po ashtu, ish-drejtori Haxha mohon në mënyrë kategorike se ka marrë para për një doktoraturë ekstra nga PTK-ja. “Kjo është absurde dhe sot po i dëgjoj. Unë në PTK kam ardhur si doktor shkence dhe s’kam pasur nevojë të shpenzoj para për këtë qëllim”, tha ai.

Sipas Haxhës, shuma prej 660 mijë euro ka mundur të shpenzohet për gjithë kabinetin e tij, por jo vetëm për atë personalisht. “Të gjitha shpenzimet që i ka bërë kabineti im kanë mundur t’i fusin në llogarinë time”, tha Haxha. /Zëri/kohaislame

Në Kroaci së shpejti banka e parë pa interes

Në bankat islame nuk financohen industritë e duhanit, alkoolit, pornografisë, prostitucionit, lojërave të fatit dhe të gjithë ato që nuk janë hallall, apo çka janë të ndaluar.

Në Kroaci së shpejti pritet të filloj punën banka islame e cila vepron pa ndonjë interes
Këtë lajm e bënë të ditur dr. Shukri Ramiç, anëtar i Bordit të Sheriatit të Bankës së parë islame në Evropë – Bosna Bank International (BBI).

Tre vjet më parë, Papa Benedikti XVI u ka rekomanduar bankave komerciale që ta përdorin këtë mënyrë të biznesit. Në fakt, bankat islame nuk janë vetëm për muslimanët, shërbimet e tyre janë të hapura për të gjithë qytetarët dhe kushtet janë të njëjta për të gjithë.

Megjithatë, ekzistojnë disa dallime midis bankave islame dhe atyre që ne i njohim. Në bankat islame nuk financohen industritë e duhanit, alkoolit, pornografisë, prostitucionit, lojërave të fatit dhe të gjithë ato që nuk janë hallall, apo çka janë të ndaluar.

Dr Shukri Ramiç, ka paralajmëruar mundësinë e hapjes së një zyre degë në Kroaci.

“Bosna Bank International është konceptuar si bankë rajonale në Ballkan, dhe si faktor unifikues, siç është rasti me hapjen e Al Jazeera-s në Ballkan. Pres që së shpejti të plotësohen kushtet për hyrjen e bankës në disa vende të rajonit pasi procedurat janë nga fundi për të pranuar legjislacionin i cili lejon përdorimin e produkteve të bankingut islam”, tha Ramiç në një intervistë për media.

Një nga pengesat për biznesin e bankave islame në Kroaci është taksimi i dyfishtë. Financimi i tregtisë, i cili i përgjigjet modelit islamik pa interes, nënkupton transfere të dyfishta, njëra nga shitësi në bankë, e pastaj nga banka tek shitësi, e kjo nënkupton taksimin e dyfishtë që redukton profitin.

Probleme me taksime të dyfishtë ka edhe banka islame në BeH, por Ramiç beson se Kroacia mund të ndryshojë legjislacionin para BeH-së, e besim i tij është bazuar në anëtarësimin e Kroacisë në BE, ku bankimi islam është gjithnjë e më i rëndësishëm, si dhe pas rekomandimit të Papës Benedikt XVI në vitin 2009 që puna e bankave të bazohet në parimet e fondacioneve islame./islamgjakova/kohaislame

Greqi, më shumë se 1,5 milionë grekë i rikthehen Bujqësisë

Kriza ekonomike dhe financiare ka bërë që grekët t’i drejtohen fshatit. Më shumë se një milionë e gjysmë prej tyre mendojnë të largohen nga qyteti për të jetuar në provincë, sipas rezultateve nga instituti i sondazheve ”Kapa research” për Ministrinë e Bujqësisë.

Më shumë se 68 për qind e personave të pyetur në rajonin e Athinës dhe Selanikut, dy qytetet më të mëdha në vend, theksuan se kishin parashikuar të shkonin drejt provincës, ndërkohë që 19,3 për qind kanë marrë tashmë iniciativat konkrete për një ndryshim të tillë, sipas studimit të publikuar sot në shtyp.

Rreth dy e treta e personave që dëshirojnë të ndryshojnë mënyrën e jetesës janë në universitet dhe tre e katërta më pak se 44 vjeç.

Qendrat e tyre të interesit përqendrohen kryesisht tek kultura e ullinjve (51,5 për qind e personave të pyetur), bujqësia biologjike (51,5 për qind), apo kultura e plantacioneve aromatike dhe frmaceutike (33,3 për qind). Përsa i përket blektorisë, interesi përqendrohet tek kërminjtë (50 për qind), bletët (33,3 për qind) dhe rritja e deleve dhe dhive (16,7 për qind).

Këto shifra ilustrojnë një kthesë të madhe në shoqërinë dhe stilin e jetës greke”, theksoi Ministri i Bujqësisë Costas Skandalidis duke bërë publik studimin.
Greqia numëron 20 për qind të papunë, të rinjtë janë më të prekurit (51,5 për qind më pak se 24 vjeç./d.b/kohaislame

Ndërkombëtarët transferuan 77 milionë euro nga Kosova

Ndërkombëtaret që punojnë në Kosovë edhe më tej vazhdojnë të marrin paga shumë atraktive. Paga këto shumëfish më të larta se të stafit vendor.


Sipas të dhënave të bankës Qendrore te Kosovës (BQK) gjatë vitit që lamë pas ndërkombëtaret që punojnë në Kosovë, dërguan nëpër vendet e tyre 77.4 milionë euro, apo nëntë milionë euro më shumë se në vitin 2010, derisa qindra mijëra emigrantë kosovarë që punojnë nëpër shtete të ndryshme të botës dërguan në Kosovë rreth 400 milionë euro.

Sipas të dhënave të Bankës Qendrore, pjesa më e madhe e dërgesave të emigrantëve të pranuara në Kosovë vijnë nga vendet anëtare të BE-së, si Gjermania me 34 për qind, Zvicra me 23 për qind, Austria e Italia me nga 2 për qind secila, dhe në një përqindje më të vogël nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja me nga 2 për qind. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
moderate rain
14.5 ° C
14.5 °
14.5 °
82 %
1.5kmh
100 %
Sat
17 °
Sun
23 °
Mon
22 °
Tue
24 °
Wed
25 °