Ballina Blog Faqe 58

A lejohet me e dhënë zekatin në shoqatat e bamirësisë?

 

Pyetje: A lejohet që të japim zekatin në shoqatat e bamirësisë?

Përgjigjja:
Nëse përgjegjësit e tyre janë të besueshëm dhe zekatin e shpërndajnë tek persona të cilët i plotësojnë kushtet për të përfituar nga pasuria e zekatit, atherë nuk ka ndonjë të keqe me ua dhënë zekatin shoqatave të këtilla, duke u nisur nga parimi i ndihmesës në punë të mira dhe të dobishme.

Allahu e di me së miri.

Shejh Bin Bazi (Allahu e mëshiroftë).

Përktheu: Mr. Fuad Ferati

Popullariteti në rritje i pijeve joalkoolike: birraritë gjermane në krizë

Kriza e prodhuesve gjermanë të birrës me shitjet vazhdon.

Dhe vitin e kaluar, fabrikat e birrës me një total prej 8.4 miliardë litrash shitën rreth 4.5 për qind më pak birrë se në vitin 2022, njoftoi zyra e statistikave.

Kështu, pas një rritjeje të lehtë dy vite më parë, trendi shumëvjeçar vijon. Arsyet kryesore janë zhvillimi demografik në Gjermani dhe popullariteti në rritje i pijeve joalkoolike.

Shitjet e birrës në Gjermani janë ulur me më shumë se një të katërtën që nga viti 1993.

Vitin e kaluar, eksportet me rënie voluminoze prej 5.9 për qind shënuan minus më të madh se shitjet e birrës në tregun vendas, të cilat u ulën me 4.2 për qind.

Shoqata e prodhuesve të birrës e quajti vitin 2023 një “vit të zi” për industrinë gjermane të birrës.

Sipas shoqatës, fabrikat e birrës janë nën presionin e kostove të larta, më pak interes të konsumatorit dhe presionit të çmimeve nga shitësit, shkruan DPA. /tesheshi.com/

HAPJA E LLOGARIVE BANKARE DHE DEPONIMI I TË HOLLAVE NË TA

Nëse një mysliman dëshiron të hapë një llogari bankare për të ruajtur paratë e tij ose për t’iu transferuar paga e tij, obligohet që këtë ta bën në një bankë islame – nëse diç e tillë gjendet në vendin e tij.

Nuk lejohet të hapet një llogari në një bankë të ndërtuar në interes, nëse në vendin e tij gjendet bankë islame. E nëse në vendin e tij nuk ka bankë islame, dhe ai është i nevojshëm për shërbime bankare dhe nuk ka zgjidhje vetëm se të hap llogari në bankë që punon me interes, në këtë rast është e lejuar të hapet llogari, të deponohen të hollat që ka nevojë për ta dhe ti transferohet paga në llogarinë e tij.

Kushtëzohet që llogaria të jetë një llogari rrjedhëse sepse e njëjta  është llogari për transaksione që nuk krijon interes, ndërsa është e ndaluar hapja e llogaritë e kursimit dhe llogaritë e depozitave të afatizuara.

Xhabiri (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ e mallkoi atë që e merr kamatën, atë që e jep, atë që e shkruan dhe dy dëshmitarët e saj, si dhe ka thënë: “Të gjithë këta janë të barabartë (në mëkat).”

Ndërsa sa i përket deponimit të të hollave – gjë që do i sjell interes, nuk lejohet, përveç nëse nuk ka zgjedhje tjetër për mbrojtjen e të hollave dhe frikësohet se do i dëmtohet pasuria.

Thotë Allahu i Madhëruar:

“…e Ai ju ka shpjeguar ç ‘është e ndaluar, përveç se kur jeni në shtrëngesë…” (El Enam:119)

Nëse detyrohemi të deponojmë të hollat në bankë, e pastaj banka na cakton një sasi interesi që sipas tyre na takon neve si kompensim me deponimin, si duhet vepruar?

Çdonjëri që është i detyruar të deponojë të hollat në bankë, e pastaj i jepet një sasi interesi, është i detyruar të largojë nga vetja e tij atë duke e dhënë për të varfrit dhe nevojtarët ose duke e shpenzuar për mirëqenien e përgjithshme të myslimanëve, si shkolla, spitale dhe projekte të tjera, dhe në asnjë mënyrë nuk lejohet që personalisht të përfitojë nga interesat.

Thotë Allahu: “O besimtarë! Keni dro Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë. (278) E, nëse këtë nuk e bëni, ta dini se do të hapet luftë nga ana e Allahut dhe Pejgamberit të Tij. Nëse pendoheni, atëherë juve u takon pasuria juaj (pa kamatë). Në këtë mënyrë nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vetë.” (ElBekare: 278,279)

Ndërsa në hadithin e Semure ibn Xhundub, në ëndrrën që pa i Dërguari (alejhi salatu ues selam), ndër tjerash tha:
“Vazhduam rrugën dhe arritëm te një lumë, ndërkohë, mendoj se ka thënë edhe:  i kuq si gjaku, në të cilin ndodhej një njeri duke notuar, kurse një tjetër në breg kishte mbledhur plot gurë para vetes. Ky që ishte në lumë notonte sa notonte dhe, kur afrohej për të dalë, ai që kishte mbledhur gurë pranë vetes ia hapte gojën dhe i fuste një gur, e në atë rast ai kthehej dhe vazhdonte notin. Sa herë që shkonte aty, ai ia hapte gojën dhe i fuste një gur. Unë pyeta: “Ç’është puna e këtyre?” Ata thanë: “Vazhdo! Vazhdo!”

Deri kur tha: “Ndërkaq, njeriu, të cilin e pe duke notuar në lumë dhe i futeshin gurë në gojë, ai është kamat ngrënësi.”

Në përfundim, këshillohen besimtarët që të shmangen nga transaksionet dhe kontratat që sjellin interes, por njëherë edhe të mbledhin forcat që të arrijnë të bëjnë zgjidhje me të cilat Allahu i Madhëruar do jetë i kënaqur, dhe do jenë në dobinë e komunitetit të myslimanëve.

Përgatiti: Senad Ramadani

Dispozita mbi bufen e hapur

Dispozita e bufes së hapur

Bufe e hapur apo siç njihet në fushën e gastronomisë “ushqehu derisa të ngopesh, krahas një shume të caktuar”, për këtë çështje është debatuar shumë. Për format dhe dispozitën e saj, në vijim do të shpjegoj format dhe dispozitën e saj në mënyrë të shkurtuar.

Forma e parë: Bufe e hapur, e formës së ndarë, e cila nuk shërbehet së bashku me banim në hotel, për këtë formë të shërbimit kemi dy mendime të jursitëve fetarë;
Mendimi i parë: Lejohet një formë e këtillë. Këtë mendim e përkrahin edhe disa juristë fetar bashkëkohor, ku argument kanë rregullin e njohur: “Në esencë, gjërat në kapitullin e shitblerjes janë të lejuara”, gjithashtu rregullin; “Injoranca e pakët në kapitullin e shitblerjes nuk ndikon në dispozitën e saj, ngase e pakta është e falshme, p.sh blerja e shalqinit, e domateve, dhe gjërave të ngjashme që nuk kemi mundësi të dimë brëndësinë e tyre, vetëm pasi t’i hapim ato, kjo është një injorancë apo mos dijeni se çfarë po blejmë, por këto gjëra bëjnë pjesë në këtë rregull, ku injoraca apo mos dija në këto raste është e falur.”
Realisht secili njeri e di nevojën e vet që e ka për ushqim, gjithashtu secili njeri është në dijeni për sasinë e ushqimit që ka mundësi ta konsumoj në një racion ushqimor, për këtë arsye themi se kjo formë e bufeve të hapura që na paraqitet është e lejuar ngase nuk ka ndonjë mashtrim, apo arsye për mos lejimin e saj në aspektin fetar.
Mendimi i dytë: Nuk lejohet një formë e këtillë. Këtë mendim e përkrahin disa juristë bashkëkohor, duke u argumentuar se në këtë formë kemi injorancë apo mos dijeni në sasinë e konsumimit të ushqimit, ngase prej kushteve të shitblerjes është: “Njohja e asaj që e blenë, në sasi dhe përshkrimi i saj në formë korrekte.”
Nga kjo që u cek unë mendoj se mendimi i parë është mendimi më i saktë dhe i pranuar, duke u bazuar në rregullat e përgjithshme në kapitullin e shitblerjes.

Forma e dytë: Bufe e hapur e cila shërbehet së bashku me banim në hotel. Kjo formë shërbehet në disa mënyra:
Mënyra e parë: Shërbehet falas, (shërbim nga hoteli pa ndonjë pagesë) në këtë rast është e lejuar.
Mënyra e dytë: Pagesa e bufes të jetë e përfshirë në pagesën e hotelit, edhe në këtë rast lejohet, edhe pse në këtë rast nuk jemi në dijeni të plotë për sasinë e konsumit nga klientët, kjo nuk sjellë ndonjë problem në dispozitën e saj, për faktin se është çështje me pak ndikim.
Gjithashtu këtë çështje e lejon rregulli fetar i cili thotë: “Lejohet duke qenë e bashkangjitur, ndërsa nuk lejohet e ndarë.”
Në këtë mënyrë shërbimi me bufe është i bashkangjitur në shumën e paguar për banim në hotel, dhe si e tillë lejohet.
Mënyra e tretë: Pagesa e bufes të jetë e ndarë nga pagesa e banimit në hotel.
Kjo mënyrë është e njejt me formën e parë që e kemi cekur në fillim të kësaj teme, dhe si e tillë lejohet.
Allahu e di më së miri!

 

Përktheu: Mr. Fuad Ferati

Disa thënie mbi suksesin

  1. Sado që të dish teorikisht për suksesin, nuk do ta arrish atë pa u mos u angazhuar konkretisht për të.
  2. Dil e hulumto për suksesin sepse suksesi s’ka hulumtuar kurrë për asnjë njeri!
  3. Sukses është edhe t’i bësh njerëzit të lumtur!
  4. Suksesi nuk është diçka që ndodhë befasisht dhe mrekullisht. Është rezultat i një mundi e sakrifice disa vjeçare.
  5. Të tjerët mund të të shohin të suksesshëm ose jo, pak rëndësi ke. Me rëndësi është si e sheh ti veten tënde.
  6. Po tentove të kënaqësh çdo njeri, kurrë nuk do të bëhesh i suksesshëm!
  7. Formula e suksesit: 1% frymëzim, 99% përpjekje dhe angazhim.
  8. Dështimi vjen atëherë; kur ndalë përpjekjet, ndryshe, nëse je duke u përpjekur, atëherë; ti je në rrugën e suksesit.
  9. Kritere të rëndësishme të suksesit: koherenca (të qenit parimor), shfrytëzimi i mundësive dhe insistimi.
  10. Suksesi fillon atëherë kur ta bindësh veten se gjëja që dëshiron është e mundshme.
  11. Suksesi ndërtohet duke kaluar nga një në dështimin tjetër por duke mos humbur entuziazmin kurrë.
  12. Në të shumtën e rasteve, suksesi vjen gradualisht, në atë formë që ti mbase edhe nuk e ndjen se ka ndodhur.
  13. Nuk ka sukses modest. Të gjitha sukseset janë madhështore.
  14. Suksesi nuk matet me gjërat që i fiton nga kjo botë por me gjërat që ofron për të.
  15. Sekreti i suksesit fshihet në qëllimet e qarta që kemi.
  16. Suksesi është ngjitës, mund të “infektohesh” me të edhe duke qëndruar me njerëz të suksesshëm.
  17. Suksesi edhe pse nuk blihet, duhet të punohet për të.
  18. Me pak fjalë, suksesi është ajo që mund ta bësh në formën më të mirë.
  19. Askush nuk ka arritur një sukses pa mos ndërmarrë rreziqe më parë.
  20. Hapi i parë në realizimin e një gjëje të caktuar është vetëbesimi se mund t’ia dalësh!
  21. Suksesi që të gëzon më së shumti është ai të tjerët kanë thënë se është i pamundur të arrihet.
  22. Goditjet e njëpasnjëshme edhe kodrën e madhe e bëjnë pluhur.
  23. Përfito nga çdo moment sepse humbja e kohës i humb edhe ëndrrat.
  24. Le të na shërbejnë sukseset për suksese tjera. Mos mjafto me kënaqësinë e suksesit që të mos i hysh ndonjë sfide të re.
  25. Nuk mund të ngjitësh shkallët e suksesit ndërsa duart i ke në xhepa.
  26. Të dobëtit e fshehin urrejtjen ndërsa të fortit falin!
  27. Vlerësimi yt për vetveten është edhe vlerësimi që të tjerët do të kenë për ty.
  28. Në fakt, nuk ekziston diç që quhet ‘nuk mundem’ por diç që ‘nuk ka vullnet.’
  29. Që të mos flasësh e të të mendojnë njerëzit se jo i marrë është më mirë se të flasësh e të binden për këtë.

Ari industrial, ambicia e madhe turke….

Turqia synon të rrisë prodhimin e saj të elementeve të “tokës së rrallë” dhe të renditet ndër pesë prodhuesit kryesorë në botë, tha ministri turk i Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar.

Ai vizitoi objektin e menaxhimit të “tokës së rrallë” në provincën qendrore të Eskişehirit.

Turqia zbuloi depozitën e dytë më të madhe në botë të elementeve të “tokës së rrallë” në Eskisehir në vitin 2022.

Bayraktar ka konfirmuar një depozitim prej rreth 690 milion ton xehe në vendin ku është ngritur faza e parë e uzinës pilot.

Bazuar në rezultatet paraprake, Bayraktar tha se do të ndërtohet një objekt industrial që fillimisht do të përpunojë 1200 ton xehe në vit dhe më vonë do të përpunojë 570 000 ton xehe dhe 10 000 ton okside të elementëve të rrallë.

Nëse ka sukses në këtë shkallë prodhimi, Bayraktar tha se Turqia do të ishte ndër pesë prodhuesit kryesorë në botë.

“Kjo do të na sjellë në një pikë shumë të rëndësishme në industrinë tonë, veçanërisht për automjetet tona elektrike, si dhe në teknologjitë e energjisë së rinovueshme, dhe ne do të bëhemi një furnizues i rëndësishëm për shumë vende në botë për t’iu qasur këtyre lëndëve të para dhe elementëve të tokës së rrallë”, tha ai.

Elementet e rralla të tokës, të njohur edhe si “ari industrial”, janë një grup prej 17 elementësh kimikë dhe janë një nga elementët e domosdoshëm të teknologjive të reja.

Kina furnizon mbi 61 për qind të elementëve të “tokës së rrallë” në botë dhe mban afërsisht dy të tretat e metaleve dhe mineraleve të rralla në botë, sipas Statista, një platformë gjermane për mbledhjen dhe vizualizimin e të dhënave në internet./tesheshi/

Dispozitat rreth “Garave”

Dispozitat rreth “Garave”

Garat e lejuara
Garat e lejuara janë ato gara për të cilat kemi argumente të qarta në lejimin e tyre. Pejgamberi, s.a.v.s. ka thënë:
“Nuk ka gara përveç në tre lloje: gara me deve, gara me kuaj dhe gara në gjuajtje me hark.”
Dispozita e marrjes së shpërblimit në këto lloje të garave, ka disa raste:
1. Nëse garat financohen nga udhëheqësi i vendit ose zëvendësi i tij, në këtë rast lejohet me konsensus të dijetarëve islam.
2. Nëse garat financohen nga vetë garuesit, në këtë rast lejohet.
3. Nëse garat financohen nga ndonjëri nga garuesit, në këtë rast lejohet.
4. Nëse garat financohen nga një palë e tretë e jo nga garuesit, edhe në këtë rast lejohet.
Argument për këtë është hadithi i lartë përmendur. : “Nuk ka gara përveç në tre lloje: gara me deve, gara me kuaj dhe gara në gjuajtje me hark.”

Garat e ndaluara
Gara të ndaluara janë të gjitha ato gara të cilat janë të ndaluara me argument nga Kurani dhe hadithi profetik, psh: gara me lojërat  me zar(kub) dhe shah ose ndonjë garë që përfshin dëme apo lëndime trupore si: boks apo mundje, të cilat qojnë në prishje e shkatërrim të fesë apo nderit tuaj.
Këto gara janë të ndaluara në të gjitha format e të vepruarit, në të dy rastet janë të ndaluara si me shpërblim por edhe pa shpërblim.

Garimet e lejuara, të cilat nuk janë të përmendura në hadithin e lartë përmendur, e të cilat nuk janë në kundërshtim me dispozitat e fesë. Në mesin e garave të lejuara janë të gjitha ato gara të cilat nuk janë në kundërshtim me rregullat dhe parimet e fesë islame, si: loja me top në të gjitha mënyrat e saja, vrapimi, notimi dhe të ngjashme me këto.
Kusht për lejimin e këtyre garave është që të mos neglizhohet namazi për shkak të tyre, apo të mos agjërohet Ramazani për shkak të angazhimeve me to, apo të veprohet ndonjë veprim i ndaluar gjatë garimit, siç janë shpenzimet e shumta në gara.

Dispozita e marrjes së shpërblimit në këto lloje të garave, ka disa raste:
1. Nëse gara financohet nga udhëheqësi i vendit ose zëvendësi i tij, në këtë rast lejohet me konsensus të dijetarëve islam, sepse në këtë mënyrë nuk hyjnë në lojëra të fatit.
2. Nëse gara financohet nga të gjithë garuesit, dhe secili nga ta participon në financimin e garës, në këtë rast nuk lejohet me koncenzus të dijetarëve islam, ngase gara e këtillë është nga lojërat e fatit.
3. Nëse gara financohet nga një palë e tretë e jo nga garuesit, në këtë rast lejohet.
4. Nëse gara është financuar nga njëri prej garuesve, për shembull, nëse thotë: “Nëse ti fiton, unë do të jap një shumë të caktuar, ndërkaq nëse unë fitoj, ti nuk do të marrësh asgjë. Në këtë rast kemi dy mendime të juristëve fetar për këtë:
Mendimi i parë – Kjo mënyrë nuk lejohet, ngase nuk është në përputhje me rregullat dhe dispozitat e fesë. Këtë mendim e përkrahin katër shkollat juridike fetare.
Mendimi i dytë – Lejohet kjo mënyrë. Të këtij mendimi janë disa jurist fetarë dhe të këtij mendimi kemi edhe disa jurist bashkëkohor. Por mendimi i parë është më i qëlluar dhe është më i saktë.

Garat e diturisë
Është debatuar në mesin e juristëve fetar çështja e garave të diturisë, dhe financimi i tyre, ose ndihma dhe përkrahje e tyre, me qëllim mbështetje për të arritur deri te mësimi i fesë, nxënja përmendësh dhe shpërndarja e saj tek të tjerët, dhe për këtë kemi dy mendime të juristëve fetar:
Mendimi i parë – Lejohen garat e diturisë me shpërblim. Të këtij mendimi janë medhhebi Hanefi, Ibn Tejmija, dhe disa jurist tjerë.
Mendimi i dytë – Nuk lejohet. Këtë mendim e përkrahin shumica e juristëve fetar. Por mendimi i parë është më i qëlluar dhe është më i saktë. (Allahu e di më së miri).

Shkroi: Shejh Fehd el- Ammari. (Gjykatës në gjykatën e Mekës)
Përktheu: Fuad Ferati

Kontrata e sigurimit sipas jurisprudencës islame (1)

Shkruan: Prof. Jusuf ZIMERI

Hyrje

Sistemi i sigurimeve në kohën bashkëkohore është shtrirë në të gjitha poret e jetës dhe është bërë pjesë përbërëse e jetës së njeriut. Ky sistem përmes kontratave të sigurimit ka depërtuar thellë në fushën e tregtisë, ndërtimtarisë, në bujqësi, shëndetësi kudo tjetër. Ky sistem është zgjeruar edhe në elementet dhe mjetet që i përdorë njeriu siç janë automjetet etj. Në disa vende është bërë edhe i domosdoshëm përmes ligjeve që kanë sjellë ligjvënësit për disa sferat të caktuara. Megjithatë kjo problematikë domosdo kërkon edhe zgjedhje dhe qëndrim të islamit ndaj sistemit të sigurimit, andaj mendoj se ky punim ka edhe peshën e vet për besimtarët islam.

 

Përhapja e këtij sistemi të sigurimit në botë, i nxiti edhe juristët islam për të përkufizuar këtë sistem, studiuar dhe analizuar dhe në fund për të gjetur zgjidhje për besimtarët islam. Prandaj ne në vazhdim do të bëjmë përpjekje maksimale që përmes këtij punimi të paraqesim analizat dhe qëndrimet e juristëve islam, pavarësisht se angazhimi dhe studimi i tyre ka qenë individual, apo grupor përmes debateve dhe konferencave të ndryshme të organizuara nga institucione dhe akademi islame.

Mirëpo, gjithsesi për t’i kuptuar çështjet juridike islame në thellësi dhe në detaje, detyrimisht dhe në vazhdimësi duhet pasur parasysh një çështje shumë esenciale, që është, se sistemi juridik islam, ndryshon nga sistemet pozitive në esencë, ku përfshihen ndryshmet në qëllime, veprime, natyrshmëri, terminologji si dhe në rregullat dhe disiplinat e saja. Sistemi juridik islam, është sistem i veçantë, nuk është i bazuar e as i ndikuar as nga sistemi i së drejtës romake, e as nga sistemi i quajtur anglosakson. Nëse këtë nuk kemi arritur ta kuptojmë qartë, atëherë paqartësitë do të na shoqërojnë në vazhdimësi.

Prandaj do të bëjmë përpjekje që para se të lëshohemi në paraqitjen e dispozitës islame për sigurimin, fillimisht të paraqesim një historik të shkurtë sigurimit, pastaj të bëjmë përkufizimin e tij si dhe intencat e këtij sistemi apo kë kontratave të sigurimit.

 Historiku i zhvillimit të sistemit të sigurimit

Nëse sistemin e sigurimit e kundrojmë nga aspekti i bashkëpunimit dhe solidaritetit të individëve për ballë ndonjë rreziku të caktuar, atëherë juristët i gjejmë të ndarë për momentet e lindjes së idesë së sigurimeve. Sipas disa juristëve sigurimi si formë e solidaritetit dhe humanizmit e ka shoqëruar qenien njerëzore në të gjitha fazat e tij të zhvillimit që nga njeriu i parë e këndej. Sigurimi në kuptim të humanizmit dhe ndihmës reciproke ishte edhe thirrje e të gjithë pejgambereve dhe e të gjitha sistemeve në shoqërinë njerëzore. Këtë sistem në mënyrë praktike e gjejmë edhe te egjiptianët e lashtë, e cila zbatohej pikërisht përmes disa shoqatave apo organizatave që ishin formuar për ndihmën dhe solidarizimin në rastet e varrimit të të vdekurve, sepse procedura e varrimit sipas traditave të kohës ishte shumë e shtrenjtë dhe vështirësuese. Varrimi i të vdekurve të tyre i shtrenjtë dhe i vështirësuar buronte nga besimi i tyre që kishin mbi besimin në botën tjetër. Sipas besimit të tyre, që të mund që shpirti të rikthehet sërish në trupin ku ka qenë, kushtëzohej që trupi të jetë i pa dëmtuar, e për këtë kërkoheshin shpenzime të mëdha.[1] Kjo vështirësi i nxiti egjiptianët që të mendojnë për ndihmën e mjaftueshme të familjeve që kishin raste për varrim.[2]

Sipas disa juristëve tjerë, format e para të sigurimit i takojmë qysh nga bashkësitë e para njerëzore, në kuadër të fiseve, e më vonë edhe në familje. Elementet e sigurimeve lajmërohen te Kinezet me rastin e transporti të mallrave nëpërmjet Jang Cek Jangut, si dhe në Babiloni qysh para mijë vitesh.[3] Edhe në kulturën dhe civilizimin kinez njihej parimi i shpërndarjes së rrezikut kur tregtonin mallrat e tyre përmes lumenjve. Nëse fundosej ndonjë anije me mall dhe shpëtonin të tjerat, atëherë dëmi shpërndahej mes tregtarëve dhe ata e mbulonin humbjen[4].

Gjurmët të shkruara në lidhje me sigurimet ekzistojnë edhe në ligjin e Hamurabit[5] nga viti 2250 p.e.r. ku në formë urdhërese në lidhje me obligimet e ndërsjella të pjesëmarrësve të karvanëve tregtare për të kompensuar dëmet të cilat mund të ndodhin me rastin e vjedhjes. Neni 23 i këtij ligji përmban elemente të sigurimeve shtetërore dhe thotë: Nëse grabitësit nuk arrihet të kapen, i grabituri duhet që para Zotit të kërkojë çdo gjë që i është marrë. Atëherë banorët dhe udhëheqësi i vendbanimit në tokën në të cilën është kryer grabitja do ti kompensojë të gjithë pasurinë që i është grabitur.[6]

Historianët dëshmojë se idenë e sigurimeve e njihnin dhe zbatonin edhe arabët kur niseshin me karvanët e tyre për tregti. Kur niseshin me karvanët e tyre, ata bënin marrëveshje mes veti, se nëse ndonjë karvan goditet me ndonjë fatkeqësi apo humbet, dëmin e humbjes do ta shpërndanin mes veti. Nivelin e kompensimit e ndanin ose në bazë të fitimit që kishte çdo anëtar i karvanit, ose në bazë të kapitalit, por me rëndësi se ideja e sigurimit ekzistonte edhe në mesin e tyre.

Nëse kontratën e sigurimit e kundrojmë nga aspekti i bashkëpunimit, tolerancës, solidaritetit dhe ndihmës vëllazërore, për të eliminuar dëmet dhe efektet e fatkeqësive, atëherë me lehtësi konstatojmë se kjo kontratë te myslimanët për herë të parë është praktikuar në rastin e shpërnguljes së myslimanëve nga Meka në Medine. Kur myslimanët e Mekës ishin dëbuar nga Meka dhe pas veti kishin lënë shtëpitë e tyre, pasuritë, familjet, vendin dhe gjithçka që posedonin, kjo vërtetë ishte fatkeqësi e rëndë njerëzore. Ata kishin ardhur në Medine vetëm me trupat dhe shpirtrat e tyre. Muslimanët e Medinës, i kishin pranuar në shtëpitë e tyre, u kishin dhuruar strehim, ushqim dhe veshmbathje, për ti tejkaluar dhembjet e fatkeqësisë. Kur një Ensar (besimtar i Medinës) një dit kishte pa një mysliman nga Mekja, se në belin e tij kishte lidhur gurë, për të drejtpeshuar boshtin e tij kurrizor nga uria, nuk mundi të duroj më por erdhi te Pejgamberi [Alejhis-selam] dhe i tha: O i dërguari i Allahut, Ndaje tokën tonë përgjysmë me vëllezërit tanë muhaxhir nga Meka! Pejgamberi [Alejhis-selam] tha: ”Jo, por siguroi atyre ushqim dhe ndani frutat, e toka është toka e juaj” Thanë: jemi të kënaqur me këtë vendim, pastaj zbriti ajeti kur’anor ku Allahu xh.sh. thotë:

وَالَّذِينَ تَبَوَّءُوا الدَّارَ وَالْإِيمَانَ مِنْ قَبْلِهِمْ يُحِبُّونَ مَنْ هَاجَرَ إِلَيْهِمْ وَلَا يَجِدُونَ فِي صُدُورِهِمْ حَاجَةً مِمَّا أُوتُوا وَيُؤْثِرُونَ عَلَى أَنْفُسِهِمْ وَلَوْ كَانَ بِهِمْ خَصَاصَةٌ وَمَنْ يُوقَ شُحَّ نَفْسِهِ فَأُولَئِكَ هُمُ الْمُفْلِحُونَ

Edhe ata që përgatitën vendin (Medinën) dhe besimin para tyre, i duan ata që shpërnguleshin te ata dhe nuk ndiejnë në gjokset e tyre ndonjë nevojë (për zili a tjetër) nga ajo që u jepej atyre (muhaxhirëve), madje edhe sikur të kishin vetë nevojë për të, ata u jepnin përparësi atyre para vetvetes. Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar”. El hashr :09

Mirëpo, shfaqja e sistemit të sigurimeve si kontrata të rregulluara sipas kodit civil, në historinë e njerëzimit janë relativisht kontrata të reja, si produkt i zhvillimit ekonomik dhe shoqërorë. Juristët dhe historianët janë të mendimit se kontrata e parë e ruajtur e sigurimeve daton nga viti 1347 në Gjenovë të Italisë[7], ku ishte arritur një kontratë sigurimi për një anije e quajtur Santa Clara” cila transportonte mall nga Gjenova për në Majorka të Spanjë[8] Në këtë kontratë janë përfshirë karakteristikat e sigurimeve në kuptimin e bartjes së rrezikut , ndodhjes së dëmit dhe elementet tjera. Sigurimi i asaj kohe përfshinte vetëm sigurimin e mallit që e transportonin anijet, e në te nuk përfshihej sigurimi i udhëtarëve e as i detarëve.

Nuk ka dilemë mes studiuesve se sigurimi detar është sigurimi i parë që ka dalë në skenë në historinë e sigurimeve, kurse ligjin e parë i cili njihet me emrin sigurimi detar është sigurimi që njihet me emrin porositë e Barcelonës në vitin 1435.

Ndërsa polisa e parë e sigurimeve është lëshuar ne Pizza të Italisë vitin 1385 në gjuhën italiane nga e cila edhe rrjedh fjala polisa (police) apo “polizza” e që ndërlidhet me kuptimin e fjalës premtim.

Në anën tjetër, sa i përket sigurimeve të pasurive tokësore, për herë të parë u shfaqën në Britani vitin 1666 kur në Londër nga neglizhenca është shfaqur një zjarr[9] prej një furre buke dhe si pasojë pas veti la të djegura 13.200 shtëpi, 84 kisha e katedrale, 44 halla të fabrikave, ndërsa 460 janë zhdukur plotësisht. Nga këtu u shfaq nevoja e solidarizimit dhe ndihmës ku një vit pas zjarrit Dr. Nicholas Barbon ka ndihmuar në formimin e shoqërisë së parë siguruese nën emrin “zyra e sigurimeve” e cila gjendej pas berëzës së Londrës[10]. Kjo zyrë konsiderohet zanafilla e zhvillimit të sigurimeve ndaj zjarreve, kurse shoqëria e parë për sigurim të ndërsjellë u formua në vitin 1684 e cila ka mbuluar edhe sigurimet nga zjarri ndërsa shoqëria për sigurime të ndërsjella u formua vitin 1694 me emrin “hand in hand” dorë në dorë, e më pas u formuan edhe shumë shoqëri tjera të sigurimit nëpër botë.

Pas kësaj ngjarjeje në shekullin tetëmbëdhjetë (XVIII) sigurimet i përhapën edhe në shtetet fqinje jashtë Anglisë, si Gjermania, Franca e deri në Kombet e Bashkuara të Amerikës. Ligji i parë që u nxor për rregullimin e sigurimeve, është në Gjermani në vitin 1901, që është ligji për sistemin dhe parandalimin e humbjes me kompensimit. Ky sistem është kur një numër individësh bien dakord mes veti të paguajnë një shumë specifike për të siguruar, në mënyrë që ato të holla kompensohen kur humbja e ndonjë pasurie për shkak të zjarrit, aksidenteve, vdekjes, ose arsye të tjera.[11] Gjatë shekullit njëzet u paraqitën edhe forma tjera të sigurimit, siç janë sigurimi nga vjedhja e sendeve, sigurimi nga katastrofat natyrore të bereqeteve tokësore, sigurimi i mjeteve mekanike, sigurimi nga ngordhja e kafshëve, sigurimi nga rreziqet e luftës, pastaj sigurimi i përgjegjësive siç janë sigurimi i mjekëve gjatë operimeve, sigurimi i borxheve etj.

Nga kjo që thamë në pika të shkurta se historiku i sistemit të sigurimeve është një histori relativisht e shkurtë që zanafillën e saj e zë diku nga fillimi i shekullit katërmbëdhjetë, kurse sistemi i sigurimit në këtë formë, në botën islame nuk njihej fare deri para dy shekujve, e që më pas u njoh edhe ky sistem përmes shkëmbimit të tregtisë mes lindjes dhe perëndimit. Prandaj, dijetarët e mëhershëm mysliman dhe muxhtehidët e hershëm nuk ishin marrë me këtë problematikë, andaj nuk gjejmë ndonjë tekst nga ata që të jetë ballafaquar me këtë problematikë dhe të ketë dhënë vendim ligjor për të. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se në legjislacionin islam nuk mund të gjejmë bazë juridike për dispozitën e saj. Dijetari i parë islam që u mor me studimin e sistemit të sigurimit dhe që foli për dispozitën e sigurimit ishte gjiganti i madh i Shamit dhe bartësi i medhhebit Hanefij Muhamed Emin Ibni Abidin[12], në Hashijen e tij të quajtur “Redul muhar[13] ala durril muhtar” ku ekspozoi idenë e kontratës së sigurimit në kapitullin “babul muste’min” ku thotë: “Imami (udhëheqësi islam) ka për obligim të ndihmojë Muste’minin[14] përderisa janë në shtetin islam, prandaj myslimanit nuk i lejohet që të kontraktoj muste’minin përveç ato kontrata që i lejohen me myslimanin. Gjithashtu nuk lejohet për myslimanin që të marrë diçka nga muste’mini që nuk e detyron ligji (sheriati) edhe nëse e lejon tradita[15].

Juristi dhe usulisti i njohur islam Abdulkerim Zejdani[16] kur e ka shtjelluar çështjen e kontratës së sigurimit thotë: “Edhe pse kjo kontratë është e re dhe për këtë nuk kanë folur dijetarët e vjetër islam kjo nuk nënkupton se islami nuk ka zgjidhje edhe për të. Metodologjia e saktë e njohjes së kontratës së re është njohja e përmbajtjes së saj, pastaj eksplorimi i saj në kuptimet, rregullat dhe parimet e përgjithshme të sheriatit islam. Prandaj nëse ajo përputhet me rregullat dhe parimet e përgjithshme të sheriatit, ose së paku nuk kundërshtohet me to, atëherë edhe kjo kontratë është e pranuar dhe e vlefshme sipas sheriatit islam, duke u nisur nga rregulli ku thotë “në esencë kontratat dhe kushte janë të lejuara”[17]

Që nga ajo kohë e më pas e veçanërisht në shekullin e fundit, janë bërë shumë studime dhe debate rreth çështjes së legjitimitetit juridik islam të kontratës së sigurimit. Mes dijetarëve bashkëkohor musliman janë hapur debate të shumta për këtë problematikë ku dhe janë dhënë edhe fetva dhe përgjigje të ndryshme. Për shqyrtim të kësaj çështjeje, u organizuan debate, seminare dhe konferenca të vazhdueshme shkencore siç është rasti i konferencës më viti 1955 në Egjipt, pastaj në Damask në vitin 1961, pastaj në Meke, Kuvajt, Dubai etj. Marrë parasysh se çështja nuk është aq e thjeshtë e as e lehtë, porse ka përgjegjësi të dyfishtë, përgjegjësi para Allahut, dhe përgjegjësi pra shoqërisë myslimane, edhe dijetarët bashkëkohorë bënë përpjekje të vazhdueshme për të shkoqitur këtë çështje mbi baza të shëndosha islame dhe shkencore. Sigurisht se në vazhdim do të bëjmë përpjekje për të paraqitur mendimet dhe analizat shkencore si dhe argumentet e dijetarëve bashkëkohorë rreth çështjes së kontratës së sigurimeve .

Intenca dhe roli i kontratës së sigurimit

Nuk ka dilemë se sigurimi dhe kontratat e sigurimit në kohën bashkëkohore janë bërë një domosdoshmëri në jetën shoqërore si dhe në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike globale. Kontratat e sigurimit si dhe organizatat e sigurimit, nga dita në ditë po vazhdojnë në zgjerimin e veprimtarisë së tyre. Disa nga këto kontrata kanë karakter detyrues që do të thotë se detyrojnë personin qoftë ai person fizik apo juridik që të sigurohet, por ekzistojnë edhe disa kontrata sigurimi që janë kontrata sigurimi vullnetare, siç janë sigurimet e makinave p.sh.. Kompanitë e sigurimit disa prej tyre janë themeluar në emër të shtetit dhe menaxhohen nga institucionet e shtetit, e disa prej tyre janë formuar edhe si institucione private, pra që organizohen dhe menaxhohen nga shoqëria civile.

Sipas asaj që nënkupton nocioni te’min – sigurim intenca e saj do të ishte qetësia dhe rehatia që do prodhonte kjo kontratë mes njerëzve, përmirësimi dhe ndihma e solidariteti mes tyre dhe sigurimi i pasurisë nga dora e huaj me pa të drejtë, mirëpo, meqë kompanitë e sigurimit janë si rezultat e sistemit kapitalist, atëherë vetvetiu kuptohet dhe duhet theksuar se intenca kryesore e të gjitha këtyre kompanive të sigurimit, pavarësisht se janë të menaxhuara nga sektori privat është grumbullimi i pasurisë dhe fitimi. Kjo nënkupton se kompanitë e sigurimit kur është në pyetje interesi material dhe ekonomik nuk çajnë kokën as për aspektin moral (etik) as njerëzor e as për lejim dhe ndalim (hallall dhe haram), edhe pse në disa raste tentojnë të mbulohen pas vlerave morale, humane dhe njerëzore.

Nga këtu, disa juristë duke qenë mirë të informuar dhe duke u njohur edhe me sekrete e veprimtarisë së kompanive të sigurimit, kanë konstatuar se fitimtarë të vërtetë nga sigurimet janë vetëm udhëheqësit e kompanive, kurse palët e siguruara vetëm se janë humbës të pasurisë me ndonjë përjashtim të vogël.

Përkufizimi i kontratës së sigurimit

Që në fillim të theksojmë se përkufizimi i sigurimit si sistem ndryshon nga përkufizimi i sigurimit si kontratë[18].

Përkufizimi i sigurimit si sistem

Juristët me sigurimin si sistem kanë për qëllim “Ndihmën e sistemuar me një sistem preciz mes njerëzve të cilët i janë ekspozuar një rreziku të përbashkët. Nëse e godet një pjesë atëherë tërë shoqëria ndihmon në përballim me rrezikun duke sakrifikuar çdo kush një pjesë të vogël të pasurisë së tyre me të cilën mbulohen dëmet e atyre që janë goditur.[19]

Profesor Mustafa Ez-Zerka[20] sistemin e sigurimit e përkufizon si: “Koncepti i ndërtuar në mendjen e juristëve se, sistemi i sigurimit është sistem bashkëpunimi dhe solidariteti që shpien në copëzimin e rreziqeve dhe fatkeqësive që shpërndahet mes të siguruarve përmes kompensimit të dëmit që i bëhet të goditurit nga fatkeqësia nëse ka paguar primin, nga pasuria e përgjithshme në mënyrë që i dëmtuari të mos ngelë vetëm[21], ose: “Sistem kontraktues i ngritur mbi bazën e kompensimit që synon ndihmën për riparimin e dëmeve emergjente përmes organiza-tave me të cilat ekzistojnë kontrata dhe rregulla të qarta.[22]

Përmes këtij përkufizimi Dr. Mustafa Ez-Zerka bënë dallimin mes sigurimit si sistem dhe mes kontratave të sigurimit. Kjo nënkupton se Mustafa Ez-Zerka në parim lejon sistemin e sigurimit, e sa i përket kontratave të sigurimit, secila kontratë ka specifikat e saja dhe dispozitën e saj të veçantë.

Sistemin e sigurimit në parim e lejuan edhe juristë tjerë islam, sepse nëse vërtetë intenca e sistemit të sigurimit është ndihma dhe humanizmi mes njerëzve, atëherë s’ka dilemë se Islami që nga fillimi ka ftuar në ndihmë dhe reciprocitet mes shoqërisë njerëzore. Sistemi islam në bërthamë ka sistemin e humanizmit dhe bujarisë. Allahu xh.sh. në Kur’anin fisnik thotë:

وَتَعَاوَنُوا عَلَى الْبِرِّ وَالتَّقْوَىٰ وَلَا تَعَاوَنُوا عَلَى الْإِثْمِ وَالْعُدْوَانِ وَاتَّقُوا اللَّـهَ إِنَّ اللَّـهَ شَدِيدُ الْعِقَابِ

“Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mos u ndihmoni në mëkate e armiqësi. Kini frikë dënimit të Allahut, se me të vërtetë All-llahu është ndëshkues i fortë.[23]

Për ndihmë mes veti të shoqërisë njerëzore, islami ka rregulluar një sërë sistemesh që shpijnë në drejtim të kësaj çështje, siç janë:

  1. Sistemi i pagesës së dijes akile, kur shpagimin e gjakut për veprën penale të vrasjes me gabim që duhet dije, e ka shpërndarë si detyrim të familjes së dorasësit.
  2. Sistemi i intervenimit me pasurinë e zekatit për ata që janë të ngulfatur në borxhe,
  3. Sistemi i intervenimit nga pasuria e zekatit për ata që janë udhëtar dhe kanë ngelur pa pasuri,
  4. Sistemi i shpenzimeve mes të afërmve dhe familjarëve që kanë nevojë,
  5. Sistemi i kefareteve (shpagimeve) dhe ndihmave tjera vullnetare, etj.

Pra të gjitha këto lloje të veprimeve gërshetojnë një sistem shumë funksional dhe shumë frytdhënës në sistemin e përgjithshëm të sistemit të sigurimit.

Përkufizimi i sigurimit si kontratë sigurimi

Kontrata e sigurimit (ar. Akdu et-te’min). Për ta pasur sa më të qartë këtë nocion që përbëhet prej dy fjalëve fillimisht do të bëjmë përkufizimin e fjalës “akdun – kontratë” e më pas edhe të fjalës “te’min – sigurim”.

Nocioni “ar. el akdu” në aspektin gjuhësor, është infinitivi i foljes “akade” që do të thotë: besë, premtim, kontratë, marrëveshje, traktat, nyje, lidhje, shtrëngim etj. pavarësisht se kjo lidhje mund të jetë materiale apo vetëm kuptimore.[24] Nocioni “El akdu” në aspektin gjuhësor nënkupton edhe bashkimin e dy skajeve të një sendi.

Në të drejtën kontraktuese pozitive terminologjia e përcaktimit të kontratës nuk është unike[25], sepse përveç termit kontratë përdoren edhe termat: konventë[26], traktat[27], pakt[28], takordim, dhe marrëveshje.

Juristët islam janë të mendimit se kuptimi linguistik i nocionit “el akdu” përfshihet edhe në kuptimin terminologjik të jurisprudencës islame, andaj sipas tyre nocioni “el akdu” (kontratë) mund të përdoret në dy kuptime, që janë

Kuptimi i përgjithshëm. Kuptimi i përgjithshëm i nocionit “el akdu” është më afër kuptimit linguistik. Në kuptimin e përgjithshëm me këtë shprehje nënkuptojmë “Çdo veprim që ka vendosur njeriu ta bëjë, pavarësisht se veprimi manifeston vetëm vullnetin personal, siç është rasti me shkurorëzimin, apo patjetër në të të manifestohet edhe vullneti i palës tjetër, siç është rasti me kontratën e shitblerjes, qirasë etj.

Kuptimi i veçantë. Në kuptimin e veçantë, të cilin do ta kemi edhe objekt të studimit tonë, me nocionin “el akdu” nënkuptojmë: “lidhjen (pajtueshmërinë e plotë) mes ofertës dhe pranimit në mënyrë të ligjshme ku vërtetohen detyrimet me lidhjen e saj (kontratës)” ose me fjalë tjera: lidhja, harmonizimi mes fjalëve të njërës palë kontraktuese me palën tjetër, për një marrëveshje që juridikisht është e lejuar dhe detyrimet vërtetohen me lidhjen e kësaj kontrate.[29]

Nocioni “Et-te’min – التَّأْمِين“ është infinitivi i foljes “ ar. emmene – juemminu” që do të thotë: qetësim, sigurim, e kundërta e frikës, qetësi zemërore[30]. Nocioni “ar. Te’min” në kuptim të qetësisë, sigurisë, qetësisë zemërore dhe shpirtërore, përmendet disa herë në Kur’anin fisnik, e në mesin e tyre ajetet kur’anore ku Allahu xh.sh. thotë:

الَّذِي أَطْعَمَهُم مِّن جُوعٍ وَآمَنَهُم مِّنْ خَوْفٍ

“I cili i ushqeu pas urisë dhe i siguroi prej çdo frike”![31] pastaj ajeti:

الَّذِينَ آمَنُوا وَلَمْ يَلْبِسُوا إِيمَانَهُم بِظُلْمٍ أُولَـٰئِكَ لَهُمُ الْأَمْنُ وَهُم مُّهْتَدُونَ

“Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me besim të kotë, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë”.

Në përdorimin e mëtutjeshëm kjo shprehje u shndërrua në kuptimin e një kontrate të veçantë që lidhet nga kompanitë e sigurimit për sigurimin e pasurisë në rastet e fatkeqësive.

Prandaj juristë kontratën e sigurimit e definuan: Kontratë midis dy palëve, njëra quhet kompania e sigurimit dhe tjetra përfituese e sigurimeve sipas të cilës siguruesi (kompania e sigurimit) merr për sipër të paguajë përfituesit të sigurimit një shumë parash në rast të rrezikut të veçantë, në këmbim të detyrimit të të siguruarit për të paguar një shumë të caktuar parash.[32]

Ky përkufizim i kontratës së sigurimit mbulon vetëm kompanitë tregtare të sigurimeve. Nga kjo vërehet se fitimet e kompanive të sigurimit lindin nga diferenca midis kompensimit për përfituesit e sigurimit kur ndodh aksidenti dhe primet e paguara nga përfituesit për kompaninë e sigurimeve. Nga përkufizimi i sigurimit, gjithashtu mund të vërehet se kontrata e sigurimit është një nga kontratat e tregtimit të bazuar në rrezik, domethënë një kontratë përfundimi i së cilës është i panjohur, pasi që asnjë palë nuk di sa do të japë apo sa do të marrë.

[1] Rexhep Abdutevab Kedvani, Nadharijetu et-te’min et-teavunij fi esh-sheriatil islamije vel kanunil vad’ij- dirse mukarene (rivale dukura) f. 28.

[2] Dr. Mushri Radije, Muhadirat fi kanuni Et-te’min, f. 3.

[3] MSc. Agron Berisha, Sigurimet dhe Zhvillimi Ekonomik në Kosovë

[4] Dr. Mushri Radije, Muhadirat fi kanuni Et-te’min, f. 3.

[5] Hamurabi ishte mbreti i gjashtë i Babilonisë (do të thotë i Dinastisë së parë Babilonase) nga viti 1792 deri vitin 1750 p.e.r. Hamurabi njihet për një grumbull ligjesh të përmbledhura në kodin e Hamurabit një nga kodet e para të shkruara në historinë njerëzore (por jo edhe i pari). Ligji i Hamurabit kishte gjithsej 282 Nene i shkruar në tabela guri me gjatësi 2.25 metra të gjata. Kopjen e këtij ligji e zbuloi francesi Gustav Jequier në Huzistan të Iranit vitin 1901, i cili edhe sot e kësaj dite ruhet në muzeun e Parisit. (Shih:

https://arz.wikipedia.org/wiki/قوانين_حمورابى dhe https://sq.wikipedia.org/wiki/ Hamurabi.

[6] MSc. Agron Berisha, Sigurimet dhe Zhvillimi Ekonomik në Kosovë.

[7] Po aty.

[8] Dr. Mushri Radije, Muhadirat fi kanuni Et-te’min, f. 5,.

[9] Po aty, f.5

[10] [10] MSc. Agron Berisha, Sigurimet dhe Zhvillimi Ekonomik në Kosovë.

[11] Prof. Dr. Alij Ebu Basal, Akdu et-te’min ve hukmuhu si esh-sheriatil islamijeti, (https://www.alukah.net/web/abulbasl/0/98570/

[12] Muhamed Emin b. Omer b. Abdulaziz b. Abidin Ed-dimeshkij fikhist i Shamit dhe udhëheqësi i hanefive në kohën e tij. Ka lindur në Damask dhe është rritur në prehrin e babait të tij. Qysh si i vogël e kishte mësuar Kur’anin përmendësh, dhe e shoqëronte babain e tij për tregti. Nga Shejh Seid el Hameviu kishte mësuar gjuhën arabe, sintaksën dhe morfologjinë si dhe fikhun e imam Shafiut. Fikhun Hanefij, Shkencat e logjikës, tefsirin dhe hadithin e kishte mësuar nga Muhamed Shakir Es-selmiju. Ibni Abidini ishte mendjehollë, talent, punëtorë dhe shumë i devotshëm. Imam Abidini ka vdekur në Damask dhe është varrosur në varrezat “Babus-sagir”. Ai ishte gjigant në shkrime, ngase kishte filluar të shkruaj që nga mosha shtatëmbëdhjetë vjeçare, andaj kishte shkruar më se pesëdhjetë vepra, kurse veprat më të njohura janë: “Hashijetu redil muhtar ala ed-duril muhtar” vepër kjo me pesë vëllime, e cila njihet me emrin “Hashijetu ibni Abidin”. Vepra tjetër është: “El ukud ed-durrije fi tenkih el fetava el hamidije”, e botuar në dy vëllime, “Usulul menar” nga lëmia e usuli fikhut, “Err-rrehikul mahtum sherh kalaidul mendhum” nga trashëgimia, “Ukudul ali fil esanid el Avali” në shkencat e hadithit, si dhe shumë vepra tjera të njohura në medhhebin hanefij.

[13] Ibni Abidin, redul muhtar 6/281-292.

[14] Muste’min quhet jomyslimani që jeton në shtetin joislam, por që gjendet përkohësisht në shtetin islam me leje të organeve kompetente.

[15] Abdullah Nasih Ulvani, hulmul islam fi et-te’min, f.9

[16] Zejdani Abdulkerim ka lindur në Bagdad – Irak vitin 1917. Njihet si Fekih i Irakut dhe konsiderohet njëri nga dijetarët më eminent i Ehli sunetit në Irak, veçanërisht në lëminë e shkencave të sheriatit. Zejdani kishte mësuar nga shumë dijetar të Irakut dhe të Egjiptit, por më të njohurit janë: Shejh Emxhed Ez-Zehavi, Shejh Abdulkader Hatibi, Shejh Nexhmudin Vaidhi, Shejh Muhamed Mahmud Savvafi, Shejh Ebu Zehre, Shejh Hasan Me’muni etj Titullin shkencor Doktor i shkencave të sheriatit e kishte marrë nga universiteti i Kajros vitin 1962. Zejdani kishte shkruar edhe shumë vepra, e në mesin e tyre janë: “Usulu ed-da’ve” “Ahkamu edhimmijin vel muste’minin fi daril islam” “El medhal li diraseti esh-sheriatil islamijeti” “El Vexhizu fi usulil fikh” “Hukm akdu ete’min fi esh-sheriatil islamijeti”etj. Ka vdekur më 27 Janar 2014 në San’a të Jemenit në moshën 97 vjeçare. Kufoma e tij u transferua në Bagdad ku dhe u varros.

[17] Abdulkerim Zejdani, Hukmu akkdu et-te’min fi esh-sheriatil islamijeti.

[18] Dr. Muhamed Othman Shubejri, El Muamelat el Malije el Muasire fi el fikhil islamij, botimi i gjashtë, Daru en-nefais, Aman 1427h-2017m, f. 81.

[19] Es-Senhuri, el vestu fi sherhi el kanunin medenij, 7/1080, Dr. Muhamed Othman Shubejri, El Muamelat el Malije el Muasire fi el fikhil islamij, botimi i gjashtë, Daru en-nefais, Aman 1427h-2017m, f. 82.

[20] Dr. Mustafa Ahmed Ez-Zerka ka lindur në Halep të Sirisë vitin 1322h = 1904 m. Babai i tij ishte dijetari i madh Ahmed Zerka, autor i veprës “Sherh kavaidul Fikhije”, por edhe gjyshi i tij ishte nga dijetarët e mëdhenj Muhamed Zerkai, zinxhir ky të cilin Dr. Jusuf Kardavi e ka quajtur Zinxhiri i artë në dituri.

[21] Dr. Husejn Hamid Hasan, Hukmu esh-sheriatil islamijeti fi ukudi et-te’min f. 10, në studimin që e ka paraqitur në në festivalin Ditët e Ibni Tejmijes, Dr. Muhamed Othman Shubejri, El Muamelat el Malije el Muasire fi el fikhil islamij, botimi i gjashtë, Daru en-nefais, Aman 1427h-2017m, f. 82.

[22] Mustafa Ez-Zerka, Nidhamu et-te’min, f.19.

[23] Suretu El maide :02

[24] Sulejman Tomçini, Fjalor Arabisht-shqip, Isituti shqiptar i mendimit dhe qytetërimit Islam (AIITC), Tiranë 2009, Muhamed Revas Kal’axhi dhe Hamid Sadik Kunejbi, Mu’xhem lugatul fukara Arabij-inglizi, daru en-nefais, botimi dytë 1998, Bejrul-Liban

[25] Dr.sc. Nerxhivane Dauti, E drejta kontraktuese – praktikum-Universiteti i Prishtinës, Fakulteti juridik –Prishtinë, 2003.

[26] Termi konventë (convention) përdoret si sinonim i termit kontratë në marrëdhëniet ndërmjet shteteve kur lidhen konventa të ndryshme për rregullimin e çështjeve midis dy apo më shumë shteteve, (shih Dr. Nerxhivane Dauti f.17)

[27] Traktat konsiderohet çdo pajtim i vullnetit ndërmjet shteteve me qëllim të ndryshimit ose të ndërprerjes së ndonjë raporti juridik reciprok. (po aty).

[28] Fjala pakt sot përdoret më së shumti për të drejtën ndërkombëtare, edhe pse në të drejtën romake përdorej për kontratën mes dy e më shumë palëve mbi bazën e vullnetit të tyre. Paktet janë marrëveshje shumë solemne që u referohen çështjeve të ndryshme politike. (po aty)

[29] Jusuf Zimeri, Kontrata mbi shitblerjen, f. 10-11, Shkup, 2017, Dr. Vehbe Zuhejli, el fikhul islami ve edil-letuhu 4/80. Darul Fikri. (neni 1003-104 nga Mexhel-le el ahkamul adlijeti, red-dul muhar, Ibni Abidin 2/355.)

[30] Kal’xhi Muhamed Revas, Hamid Sadik Kunejbi, Mu’xhem lugatul fukara arabi inglizi, Daru en-nefais, tabatul ula 1405/ 1985. Bejrut, Liban.

[31] Suretu Kurejsh : 04

[32] Muhamed Revas Kalabij, Mebahith fil iktisadil islami fi usulil fikh, f.131. Mr. Zijad Ljakić 

Natyra juridike e borxhit sipas të drejtës islame

Hyrje

Borxhi-huaja është prej çështjeve të njohura në mesin e njerëzve dhe se në
të drejtën islame përveç që është vepër e lejuar, ajo konsiderohet si vepër e rekomanduar (mendub), duke u mbështetur në tekstet kuranore dhe në hadithet e të Dërguarit a.s.. Ligjshmërinë e borxhit e gjejmë në ajete kuranore, në hadithe si dhe në konsensusin e dijetarëve (ixhma).

Në kuptimin gjuhësor, borxh do të thotë prerje(1), është quajtur kështu për shkak se pasuria e dhënë te borxhmarrësit është një pjesë nga pasuria e borxhdhënësit(2). Ndërkaq, në atë terminologjik, është ajo pasuri që borxhdhënësi ia jep borxhmarrësit, me kusht që ngjashëm t’ia kthej atij kur të ketë mundësi.(3)

Natyra juridike e borxhit

Borxhi është bërë legjitim me Kuran, Sunet dhe me konsensus të dijetarëve, për shkak të nevojave të njerëzve në marrëdhëniet e tyre reciproke, ngase ndodh që njeriu të varfërohet dhe ndien nevojë për gjëra të domosdoshme për ekzistencën e tij, atëherë ai kërkon borxh për të përmbushur nevojat e tij, e që më pas ta kthejë atë në të njëjtën masë.(4)
Borxhi konsiderohet vepër e pëlqyer (mustehab) për borxhdhënësin, bazuar në fjalët e Allahut xh.sh.: “Kush është ai që i huazon Allahut një hua të mirë e që Ai t’ia shumëfishoj atë dhe ai ka një shpërblim të mirë.” (El Hadid, 11).
Borxhdhënia është mënyrë afrimi tek Allahu i Lartësuar, sepse në të shprehet dhembshuria për njerëzit dhe mëshira për ta, si dhe lehtësimi i punëve dhe i vështirësive që ata kanë. Duke qenë se Islami e ka pëlqyer dhënien e borxhit, ai, gjithashtu, ia ka lejuar nevojtarit të kërkojë borxh dhe nuk e ka konsideruar atë pjesë të kërkesës së papëlqyer, pasi ai e merr këtë pasuri që të përfitojë prej saj, për të kryer nevojat e veta, e më pas t’ia kthejë atë kujt i takon.(5)
Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut a.s., ka thënë: “Kush ia lehtëson një myslimani një brengë nga brengat e kësaj jete, Allahu do t’ia lehtësojë atij një brengë prej brengave të Ditës së Kiametit. Kush ia lehtëson barrën një nevojtari në këtë botë, Allahu do t’ia lehtësoj atij në dynja dhe ahiret, e kush ia fsheh një të metë një myslimani në këtë botë, Allahu do t’ia fshehë atij në dynja dhe ahiret. Allahu është çdoherë në ndihmën e robit, gjersa robi të jetë në ndihmën e vëllait të tij.”(6)
Nga Ibën Mesudi transmetohet se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Çdo mysliman që i jep dy herë borxh një myslimani, është sikur t’i ketë dhënë atij një herë sadaka.”(7)
Sa i përket konsensusit (ixhmait) të dijetarëve, themi se ata janë të dakorduar se borxhi është i lejuar në Islam. Ebu Derdaja ka thënë: “Sikur t’i jap ndokujt dy dinarë që pastaj të mi kthejnë ata, ky veprim është më i dashur për mua sesa me ata dy dinarë t’i jap sadaka, ngase borxhi është çlirim ndaj vëllait mysliman, zbatim ndaj nevojës së tij, ndihmë ndaj tij, ndaj është i preferuar për borxhdhënësin ashtu siç është sadakaja, por nuk është obligim i domosdoshëm.” Imam Ahmedi ka thënë: “Nuk është mëkat për ndokënd që i kërkohet borxh e nuk jep.”(8)

Obligimi i kryerjes së borxhit

S’ka dyshim se borxhi është një vepër e mirë dhe ai i liron njerëzit nga vështirësitë e tyre, por nga borxhmarrësi, ai (borxhi) duhet të kthehet në afatin e parashikuar (përcaktuar), apo sipas mundësive ngase ai është amanet, e amaneti një ditë duhet të kthehet në vend. Allahu xh.sh. thotë: “Allahu ju urdhëron që t’ua jepni amanetin të zotëve të tyre dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me drejtësi mes njerëzve…” (En Nisa, 58). Borxhi madje e mban njeriun e vdekur peng, gjersa të kryhet ai, ndaj është mirë që të bëhet kujdes e të kryhet sa më shpejt, e të mos neglizhohet. Një njeri e kishte pyetur Pejgamberin a.s.: “O i Dërguari i Allahut, nëse vritem në rrugën e Allahut, a më falën mëkatet e mia? I Dërguari i Allahut ia ktheu: “Po, nëse mbytesh në rrugën e Allahut si durimtar dhe llogaritës në shpërblim, duke luftuar e mos ikur mbrapa, me përjashtim të borxhit, ngase Xhibrili ma tha mua këtë.”(9)
Kurse në një rast tjetër, një njeri e kishte pyetur Pejgamberin a.s. për një vëlla të tij që kishte vdekur dhe kishte pasur borxh, atëherë Pejgamberi a.s. i tha atij: “Ai është i prangosur për shkak të borxhit të tij, ndaj kryeja borxhin atij.”(10)

Pritja dhe afatizimi i borxhit

Është mirë që të pritet borxhliu sipas mundësive të tij, e nëse kërkon afatizim, t’i mundësohet atij, ngase pa dyshim që për këtë ka shpërblim për borxhdhënësit. Për këtë porosit Allahu xh.sh. kur thotë: “Po në qoftë se ai (borxhliu) është në gjendje të vështirë, atëherë bëni një pritje derisa të vijë në një çlirim. E t’ia falni (borxhin) në emër të lëmoshës, ajo nëse e dini, është shumë më e mirë për ju.” (El Bekare, 280).
Në një hadith thuhet: Ka thënë Pejgamberi a.s.: “Kush dëshiron që Allahu t’i bëjë hije me hijen e Tij, le ta presë (afatizojë) borxh- liun e gjendjes së vështirë, apo le t’ia falë atë.”(11)
Unë si përmbarues, (i autorizuar nga shteti për ekzekutimin e borxheve), në punën time shpeshherë ndodhë që borxh- linjtë t’i pres deri sa t’i krijojnë mundësitë për pagesën e borxhit që kanë. Në lëndën përmbarimore P.nr.18/23, borxhliu, edhe pse ka lidhur marrëveshje me përmbaruesin për pagesën e borxhit me këste, i njëjti më ka thënë se për momentin nuk kam mjete për ta paguar këstin dhe ia kam mundësuar afatizimin edhe për një muaj. Ngjashëm si kjo lëndë kam edhe shumë të tjera dhe këtë gjithmonë e bëjë duke shpresuar në shpërblimin e Allahut xh.sh., duke u bazuar në ajetet kuranore dhe hadithet e Pejga- mberit a.s..
Borxhi nuk duhet të sjellë përfitim – Ajo që duhet theksuar këtu te borxhi është fakti që borxhi nuk duhet të sjellë përfitim, por të kthehet sipas sasisë apo vlerës së marrë, përndryshe kalon në kamatë, ngase me borxh synohet ndihma e njerëzve dhe lehtësimi në punët e tyre, e jo të bëhet borxhi si mjet shfrytëzimi e përfitimi. Një rregull e jurisprudencës thotë: Çdo borxh që sjell fitim (dobi), konsiderohet kamatë. Ndalesa këtu është e kufizuar me kushtëzimin e dobisë prej borxhit dhe nëse kjo është bërë traditë.(12) Mirëpo, nëse nuk është e kushtëzuar dhe nuk është traditë e njohur, i lejohet borxhmarrësit që t’ia rikthejë edhe më mirë sesa që ka marrë, bazuar në hadithin e Pejgamberit a.s., ku kishte marrë borxh një deve, e pastaj e kishte urdhëruar Ebu Rafiin t’ia kthejë atij një deve nga devetë e zekatit, por kur ai nuk gjeti të ngjashme, e ktheu një më të mirë, me urdhrin e Pejgamberit a.s..
Kushtëzimi i afatit në borxh – Sipas shumicës së juristëve myslimanë, nuk lejohet kushtëzimi i afatit në borxh, e nëse e jep borxhin me afat të kushtëzuar, atëherë ai duhet të kthehet, por imam Maliku ka mendim tjetër, ai thotë se lejohet kushtëzimi i afatit dhe kushti i vënë është i detyrueshëm. Nëse përcakton borxhin për një afat të caktuar, kjo gjë lejohet dhe borxhdhënësi nuk ka të drejtë ta kërkoj atë, derisa të plotësohet afati,(13) sepse Allahu xh.sh., thotë: “… kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar shkruajeni atë…” (El Bekare, 282), gjithashtu bazohet edhe në hadithin ku Pejgamberi a.s. ka thënë: “Myslimanët i respektojnë (qëndrojnë sipas) kushtet e tyre.”(14) Mendimin e imam Malikut e përkrahin edhe shumë dijetarë të kohës sonë, njëri prej tyre edhe Vehebeh Zuhejli, i cili e sheh këtë mendim logjik dhe të përshtatshëm me kohën aktuale.

Në çka lejohet borxhi?

Sipas hanefive, borxhi lejohet në ato gjëra që mund të maten dhe peshohen, si dhe ato që mund të numërohen si vezët, gruri, monedhat, buka, e nuk lejohet në gjëra të tjera, si në shtazë, pasuri të paluajtshme, etj., për shkak të pamundësisë së kthimit të sasisë së ngjashme me të. Hanefitë e kushtëzojnë që të kthehet e ngjashme me atë që merret, përndryshe nuk e lejojnë. Sipas tyre, nëse një njeri ka marrë hua 1kg. mish për pesë euro, e në kohën e kthimit mishi lirohet nga pesë euro në dy euro, atëherë ai detyrohet t’ia kthejë pesë euro. Ngjashëm veprohet edhe me gjërat e tjera. Ndërsa mailikitë, shafitë dhe hanbelitë, janë të mendimit se borxhi lejohet në të gjitha ato që lejohet edhe paradhënia, duke e lejuar në gjëra që maten e peshohen si gjërat ushqimore, apo edhe në gjëra të tjera që nuk maten e nuk peshohen si pasuritë e ndryshme të paluajtshme, shtazët dhe të ngjashme me to. Mendimin e mbështesin në hadithin, sipas të cilit Pejgamberi a.s., kishte marr borxh një deve, e thonë se ajo ishte marrë hua pa matur e pa peshuar, por në bazë të përshkrimit.(15)

Përfundim

Pa dyshim që lutjet drejtuar Allahut janë gjëja më e rëndësishme që të na mundësohet pagesa e borxhit. Transmetohet nga Ebu Seid el Hudriu r.a., i cili ka thënë: “Një ditë i Dërguari i Allahut a.s. kishte hyrë në xhami, ku ishte i ulur njëri prej ensarëve, i cili njihej si Ebu Umamete. Në atë rast i Dërguari a.s. i pati thënë: “Çfarë ke që po qëndron ulur në xhami, kur nuk është koha e namazit?” Ai u përgjigj: “Më ka kapluar mërzia e borxheve, o i Dërguari i Allahut!” “Ki mendjen, a dëshiron të të mësoj ty diçka që, kur ta thuash, Allahu i Lartësuar do të largoj prej teje mërzinë dhe do ta mundësojë të paguash borxhet” – i tha. Ai u përgjigj: “Po, si jo!” Atëherë i Dërguari a.s. i tha: “Kurdo që të zgjohesh në mëngjes dhe kurdo që të biesh në gjumë, thuaj: “O Zoti im, kërkoj mbështetje te Ti, që të më largosh brengën dhe pikëllimin, kërkoj mbështetje te Ti, që të më mbrosh prej plogështisë dhe përtacisë, kërkoj mbështetje te Ti, të më largosh frikën dhe koprracinë, kërkoj mbështetje te Ti, të më ndihmosh të paguaj borxhet dhe të më mbrosh nga shtypja e njerëzve!” Tha: “E thashë këtë dua, dhe Allahu ma mundësoi të paguaj borxhet dhe më largoi mërzinë.”

______________________
1. El Xhevheri, Es Sihah fil-lugati, vëll. V, fq. 71.
2. Veheebeh Zuhejli, El Fikhul Islamij ve Edil-letuhu, vëll. V, fq. 3786.
3. Sejid Sabik, Legjislacioni i traditës së Profetit, vëll.III, fq. 249.
4. Ejup Haziri, Fikh, E drejta civile Islame, Prishtinë, 2014, fq. 77.
5. Sejid Sabik, op. cit., fq. 249.
6. Tirmidhiu në Sunenin e tij, nr.1853; Ibni Maxhe në Sunenin e tij, nr. 221.
7. Ibni Maxhe.
8. Ejup Haziri, op. cit., fq. 79.
9. Tirmidhiu në Sunenin e tij, nr.1634.
10. Ibni Maxhe në Sunenin e tij, nr.2424.
11. Ibni Maxhe në Sunenin e tij, nr.2410.
12. Sejid Sabik, op. cit., fq. 251.
13. Ibid, fq. 250.
14. Buhari në Sahihun e tij, nr.2112.
15. Ejup Haziri, op. cit., fq. 84.

Argjent Xheladini

Ryshfeti dhe Uzurpimi i pasurisë

ALLAHU XH.SH. NË KURANIN FISNIK THOTË: “DHE MOS E HANI PASURINË E NJËRI-TJETRIT NË MËNYRË TË PALEJUAR, E AS MOS U PARAQITNI ME TË (ME RYSHFET) TE GJYKATËSIT PËR TË GRABITUR NË MËNYRË TË PADREJTË NJË PJESË TË PASURISË SË NJERËZVE, KUR JU E DINI (SE ATË PO E HANI PA TË DREJTË). [1]

SHKAKU I ZBRITJES SË AJETIT

Mukatil b. Hijani thotë se shkaku i zbritjes së këtij ajeti është zënka në mes Kajs b. Abasi el Kindiut, i cili akuzonte Abdan b. Eshve el Hadremiun për të drejtën e pronësimit të një parcele toke. Meqenëse rastin e kishin ngritur deri tek i Dërguari i Allahut a.s, Allahu xh. sh., për të zgjidhur kontestin në mes tyre, zbriti ajetin e lartpërmendur.[2]
Nëse e kundrojmë ajetin nga këndvështrimi i radhitjes, vërejmë se është i radhitur pas ajetit që sqaron dispozitat e agjërimit. Urtësia e kësaj radhitjeje qëndron në faktin se, se ajeti i sipërm sqaron se besimtari islam gjatë agjërimit të tij, është larguar nga të ngrënët, të pirët dhe marrëdhëniet intime bashkëshortore, që në esencë janë të lejuara, vetëm e vetëm për të arritur kënaqësinë e Allahut xh. sh., pastaj për të bërë pastrimin e tij shpirtëror dhe fizik, me qëllim që të jetë sa më i freskët dhe sa më afër Krijuesit të tij, ky ajet kuranor që po diskutojmë , përveç faktit që sqaron se ngrënia e pasurisë së tjetrit pa të drejtë, në esencë është veprim i ndaluar (haram), dhe në anën tjetër motivon njerëzit për grindje, zënka dhe përçaje, ai gjithashtu sqaron edhe se ngrënia e pasurisë së tjetrit pa të drejtë, përveçse zbeh besimin e njeriut, është edhe pengesë për arritjen e kënaqësisë shpirtërore përmes ibadetit dhe gradualisht e largon njeriun nga adhurimi. Pra, lidhshmëria në mes dy ajeteve, ajetit që sqaron dispozitat e agjërimit dhe ajetit që sqaron dispozitat e ngrënies së pasurisë së huaj, qëndron në urtësinë se, derisa agjërimi është nga format më të lashta të komunikimit të njeriut me Krijuesin e tij dhe e afron njeriun drejt mëshirës së Allahut xh. sh., – ngrënia e pasurisë së huaj është fuqi që e tërheq njeriun në drejtim të kundërt krahasuar me agjërimin, pra gradualisht njeriun e shkëput nga lidhjet e tij me Krijuesin e vet.

DISPOZITAT JURIDIKE ISLAME QË DALIN NGA AJETI

Edhe pse ky ajet është gjithëpërfshirës, duke u bazuar në shkakun e zbritjes së këtij ajeti, nënkuptohet se qëllimi final i këtij ajeti, për se dhe ishte zbritur, është ndalimi i përdorimit të pasurisë së huaj, me anë të mënyrave të ndryshme djallëzore si ryshfeti, mashtrimi, korrupsioni etj., dhe veçanërisht përmes metodës së
uzurpimit.

MITO – RYSHFETI

Duke u mbështetur në ajetin e përmendur më parë, vërehet se ryshfeti është veprim i ndaluar nga pikëpamja islame. Këtë e vërteton edhe hadithi i i transmetuar nga Thevbani: “I dërguari i Allahut e ka mallkuar mitëdhënësin, dhe mitëmarrësin dhe ndërmjetësuesin në mes tyre”.[3]
Ajo që na tërheq vëmendjen në këtë rast në veçanti, është ryshfeti i dhënë në organet e drejtësisë, pikërisht në institucionet shtetërore. Krimi është edhe më i rëndë atëherë kur, përmes krimit institucional, de-legjitimohet e drejta e dikujt, dhe njëkohësisht legjitimohet padrejtësia përmes organeve të drejtësisë, organe këto që janë përgjegjëse edhe nga pikëpamja islame, edhe juridikisht po edhe moralisht, për të mbrojtur drejtësinë e jo për ta devijuar.
Çështja tjetër për të cilën na sinjalizon qartë ajeti kuranor, është fakti se ryshfeti zakonisht jepet për të përvetësuar atë që nuk i takon mitëdhënësit, pra për të bërë krim ndaj tjetrit.
Në rastet kur mitëdhënësi, përmes ryshfetit, mendon se juridikisht ka legjitimuar të drejtën e tij pronësore të ndonjë pasurie, ajeti na jep të kuptojmë se legjitimimi i gjykatësit përmes një aktvendimi që merr në favor të mitëdhënësit, nuk e ndryshon esencën e së drejtës pronësore, dhe kjo nuk e liron nga përgjegjësia para Allahut xh. sh., sepse vendimi i gjykatësit nuk e ndryshon dispozitën nga e ndaluara (harami) në të lejuar (hallall). Një legjitimim i rrejshëm juridik pronësoro mund të bëhet edhe nga gjykatësi, i cili nuk është përfshirë në procesin e ryshfetit, po vendimin e merr në bazë të dëshmive nga dëshmitarët, të cilët mund të kenë qenë mitëmarrës për të dëshmuar para gjykatësit, dhe e tërë kjo bëhet pa dijen e gjykatësit. Në rastin konkret, gjykatësi duhet të marrë aktvendim në bazë të provave fizike, pra në bazë të asaj që dëshmohet, kurse brendësinë e din Allahu xh. sh. dhe ai gjykon sipas asaj që nuk e sheh gjykatësi.
Ryshfeti është një krim që i sjell fatkeqësi jo vetëm individit po edhe mbarë shoqërisë. Në shoqërinë ku funksionon ryshfeti, nuk funksionon sistemi ligjor dhe drejtësia, prandaj në këtë mënyrë nëpërkëmben të drejtat esenciale të individit, sepse krijohet bindja se, për t’i realizuar të drejtat e tij, njeriu duhet të japë patjetër ryshfet.
Në anën tjetër, ryshfeti e bënë njeriun të nënçmuar e të përbuzur, sepse ai vetvetiu e ndien se, për interesa të vogla të jetës së kësaj bote, ka shitur unin dhe autoritetin e tij. Mitëmarrësi, ashtu edhe sikur mitëdhënësi, gjithnjë jetojnë në frikë dhe panik [4] , sepse në veten e tyre përjetojnë ndjenjën e krimit dhe frikësohen që eventualisht të mos zbulohen. Njerëzit e tillë, që janë të dhënë ndaj pasurisë, nuk zgjedhin mënyrën dhe rrugën për të realizuar interesin e tyre, prandaj janë të mallkuar nga i Dërguari i Allahut (sallall-llahu alejhi ve sel-leme).

UZURPIMI I PASURISË SË TJETRIT

Uzurpimin “el Gasbu”, juristët islamë në aspektin terminologjik islam e kanë përkufizuar “Marrje e pasurisë së çmueshme pa lejen e pronarit të saj, duke i hequr të drejtën e pronësisë”.
Krahas ajetit kuranor të theksuar në fillim për ndalimin e pronësimit të pasurisë së huaj pa lejen e pronarit, kemi edhe shumë ajete të tjera, nga të cilat edhe ajetin uranor, ku thuhet: “Dhe mos e hani pasurinë e njëri-tjetrit në mënyrë të padrejtë, përpos tregtisë, në të cilën keni pajtueshmëri në mes jush”.[5]
Krahas ajeteve, ka dhe shumë hadithe që ndalojnë këtë veprim, nga të cilat janë – hadithi që transmetohet nga Talha b. Abdullah b. Auvfi, se vërtet Abdurrahman b. Amr b. Sehli e kishte informuar atë se Seid b. Zejdi kishte thënë: “E kam dëgjuar pejgamberin (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) duke thënë: “Kush bën padrejtësi (uzurpon me dhunë) në një pjesë të tokës, vërtet (Ditën e Gjykimit) do t’i varen në qafë shtatë toka”.6 Dhe pastaj hadithi tjetër: “Nuk lejohet pasuria e myslimanit përveçse kur ajo jepet me dëshirën e tij”.[7]

PASOJAT NGA UZURPIMI

1. ZULLUMI – MËKATI

Uzurpimi i pasurisë së tjetrit pa të drejtë, konsiderohet mëkat, për të cilin do të kërkohet përgjigje para Allahut xh.sh.dhe kjo vërehet qartë jo vetëm nga ajeti i sipërpërmendur, po përforcohet edhe me shumë në hadithe të pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme). Një nga hadithet, përmes të cilit i Dërguari i Allahut (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) ndalon atakun ndaj pasurisë së huaj, është edhe hadithi që flet për të drejtat e myslimanëve, ku thuhet: “Kush ia merr një pjesë të pasurisë një myslimani (pa të drejtë) Allahu atij do t’ia obligojë zjarrin e Xhehenemit dhe do t’ia ndalojë Xhenetin” Një i pranishëm i tha: A edhe nëse ajo pasuri është e lehtë, e vogël)? Pejgamberi a.s. tha: “edhe nëse është një fije kashte”. Marrja e pasurisë së tjetrit konsiderohet krim dhe terror ndaj tjetrit (zullum), e zullumi është prej mëkateve të rënda, i cili peshon shumë Ditën e Gjykimit, prandaj kjo edhe është arsyeja pse Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) i porosit besimtarët islamë dhe ua tërheq vërejtjen duke u thënë:”Ruaju nga zullumi (padrejtësia), sepse zullumi ditën e Kiametit paraqitet në zullume”.[8]
Nëse shoqëria islame, me parimet e saj fondamentale, është e përkushtuar të luftojë me dinjitet terrorin, padrejtësinë dhe zullumin, atëherë kjo dukuri nuk ka vend në këtë shoqëri, mirëpo, përderisa secili individ mbron vetëm interesin individual apo të familjes së ngushtë, në të tilla kushte kjo sëmundje zë vend të rëndësishëm në atë shoqëri. Pikërisht këtu fshihet edhe urtësia e ajetit uranor, që e theksuam në fillim, me të cilin urdhër u drejtohet myslimanëve mbarë, sepse askush nuk do të jetë imun nga ky krim, nëse nuk bashkohen forcat për ta luftuar bashkërisht këtë sëmundje. Duke marrë parasysh realitetin se zullumi, keqpërdorimi i pasurisë së huaj, nuk mund të bëhet nga një individ, porse duhet të ketë patjetër edhe ndihmës, – edukatori i njerëzisë, Muhamedi a. s., na mëson duke thënë: “Kush ecën (shoqërohet) me zullumqarin për ta ndihmuar duke e ditur se ai është zullumqar, edhe ai ka dalë nga Islami i tij”.
Argumentet në këtë drejtim janë të shumta, por në këtë rast do të kisha theksuar vetëm alën e imam Gazaliut, i cili në veprën e tij Ihjau ulumu ed-din, duke u mbështetur në argumentet e shumta autentike,vjen në këtë përfundim: “Zullumqar (kriminel) nuk është vetëm ai që bën zullum (krim), po zullumqarë janë edhe ata që e shohin zullumqarin duke bërë zullum, e nuk e ndalojnë”.

2. RIKTHIMI I SENDIT TË UZURPUAR

Të gjithë dijetarët islamë – fukarenjtë janë unikë në mendimet e tyre se, nëse sendi i uzurpuar ekziston ende, uzurpuesi detyrohet t’ia rikthejë pronarit të vërtetë ose trashëgimtarëve të tij legjitimë. Rikthimi i pronës së uzurpuar vërtetohet me hadithin e Pejgamberit (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme), ku thuhet: “Dora e garanton atë që e marrë derisa ta kthejë atë tek pronari”. Po ashtu në këtë drejtim ekziston edhe hadithi tjetër, ku Pejgamberi (sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme) ka thënë: “Mos t’ia marrë dikush nga ju sendin shokut të tij, as me seriozitet e as në lojë, e nëse ndonjëri prej jush e gjen shkopin e shokut të tij, le t’ia kthejë atij”.[9]

Në rastet kur sendi i uzurpuar shkatërrohet në dorën e uzurpuesit dhe është nga sendet që transferohet, sipas hanefinjve, ose edhe nga mobiljet dhe rrobat, sipas dijetarëve të tjerë, atëherë uzurpuesi duhet të sigurojë kompensim për të. Nëse sendi i uzurpuar dhe i shkatërruar në dorën e uzurpuesit është nga sendet që gjenden në treg, atëherë, sipas konsensusit të dijetarëve islamë, uzurpuesi detyrohet t’ia blejë të njëjtin send dhe t’ia rikthejë pronarit të vërtetë. Po nëse nuk ka të sende të tilla, atëherë detyrohet të kompensojë kundërvlerën kishte ai send ditën e uzurpimit të tij.

Nëse lindin konteste në mes uzurpuesit dhe pronarit të vërtetë të sendit lidhur me uzurpimin, ose me sasinë dhe llojin e tij, atëherë fjala përfundimtare është e uzurpuesit, duke e shoqëruar me betim.
Nëse uzurpuesi tenton që pasurinë e uzurpuar me vlerë të veçantë, ta fshehë duke thënë se ishte shkatërruar vetvetiu, ose se e paskësh humbur, dhe për këtë nuk ka prova të mjaftueshme, atëherë gjykatësi islam ka të drejtë ta privojë nga liria, derisa të bëjë prova juridike dhe të bindet se, sikur ta kishte, do t’ia kishte treguar, e pastaj të paguaj kundërvlerën e tij, sepse rikthimi është esencial, kurse kundërvlera është pasuese.

(1) Suretul Bekare : 188
(2) Dr. Vehbe Zuhejli, Tefsirul munir fil akideti vesh-sheriati vel menhexhi 1/163, Darul fikri Damask. Imam Kurtubiu, el xhamiu li ahkamil Ku’an 2/337
(3) Imam Ahmedi.
(4) Seid Hava, el Islam f. 648, Daru es-selam, botimi i II Kajro
(5) Suretu en-Nisa : 29
(6) Imam Buhariu .
(7) Buhariu.
(8) Ahmedi nga Enes b. Maliki.
(9) Imam Ahmedi.

JUSUF ZIMERI /bislame/

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
few clouds
35.5 ° C
35.5 °
35.5 °
30 %
4.1kmh
20 %
Wed
34 °
Thu
35 °
Fri
35 °
Sat
36 °
Sun
39 °