Ballina Blog Faqe 57

Si mund të arrihet një lidhje e konsoliduar midis arsimit dhe udhëheqjes apo qeverisjes së mirë?

Ese – Olta Shehi

Të jesh një udhëheqës do të thotë të kesh aftësinë për të drejtuar një grup njerëzish ose një organizatë.Nuk mund të jesh udhëheqës thjesht duke qenë në një pozicion më të lartë se njerëz të tjerë, por është diçka që ekziston brenda personalitetit të individëve që synojnë të përmbushin një vizion të caktuar. Arsimi i duhur është dera drejt të qenurit një udhëheqës i mirë,jo vetëm në shkollë apo universitet, por në çdo fushë të jetës apo në komunitet.

Si mund të arrihet një lidhje e konsoliduar midis arsimit dhe udhëheqjes apo qeverisjes së mirë?

Një nga problemet që haset më shumë në institucione arsimore është mungesa në masë e dëshirës dhe vullnetit nga nxënësit për të qenë në krye të diçkaje apo për të çuar deri në fund një synim apo detyrë që i jepet. Ka shumë faktorë që ndikojnë, por mendoj se faktori kryesor që sjell këtë problem është mosekzistenca e një shtyse të përshtatshme për ti njohur nxënësit më nga afër me sfidat me të cilat do të përballen në të ardhmen.
Një nismë pozitive,sidomos në arsimin e mesëm të ulët, do të ishte që t’i kushtohej një rëndësi e veçantë dhe më e detajuar,jo vetëm kuptimit të konceptit udhëheqje apo qeverisje, por edhe zbatimit të tyre. Udhëheqja, në këtë fazë, mbetet në kufijtë e prezantimit dhe drejtimit të punës në projekte apo organizimit të aktiviteteve të ndryshme. Sigurisht, ky mbetet një hap i cili në njëfarë mënyre e njeh nxënësin me teknikat e duhura për të qenë në krye, por diçka më efektive,që do t’u mësonte atyre se udhëheqja nuk mbetet brenda këtyre kufijve, por ka si qëllim kryesor sjelljen e një ndryshimi dhe implementimin e një ideje apo vizioni tek të tjerët, do të ishte zhvillimi i orëve ekstrakurrikulare të përgatitura për të shpjeguar në mënyrë induktive qeverisjen apo udhëheqjen.

Sipas meje, një udhëheqje e mirë nis në komunitet dhe mund të arrihet në tri hapa. Këto tri hapa janë të arritshme në momentin kur individi njeh dhe arrin të vendosë në praktikë njohuri,aftësi dhe vlera të fituara në institucionet arsimore. Çdo institucion arsimor mund të mendohet si një komunitet i madh dhe ky komunitet merr formën e një rrethi ku çdokush që synon udhëheqjen e imagjinon veten si qendra e këtij rrethi. Vendosja e një ekuilibri mes qendrës dhe pjesës së harkut do të ishte synimi kryesor dhe ajo që do të bënte dikë një udhëheqës të denjë.

Tri hapat që sjellin qeverisjen e mirë përbëjnë pikërisht mënyrën induktive për ta shpjeguar këtë të fundit dhe janë themelore për t’u mësuar,duke filluar nga institucionet arsimore.

Hapi i parë është ai që përcakton atë që të tjerët në komunitet do të mendojnë për ju. Është shumë e rëndësishme të shfaqet vlerë njerëzore dhe kulturë, në atë që përfaqëson.
‘Përshtypja e parë është përshtypja e fundit’.
Ky është momenti kur të tjerët prezantohen me personalitetin tuaj. Ajo që e bën dikë një udhëheqës të mirë është të qenit një njeri mendjehapur, me parime dhe morale të tilla që nuk e lejojnë atë të shohë dikë tjetër si më pak të rëndësishëm. Duke menduar për komunitetin në shkollë(por jo vetëm) si rreth, duhet të bëhet e mundur që të gjithë të ndihen të barabartë, sepse qëllimi i bashkëpunimit të tyre është i njëjtë,një e ardhme dhe një Shqipëri më e mirë. Të mirëpresësh idetë e të gjithëve, të cilat, duke qenë kaq të ndryshme, krijojnë diçka të madhe ; të rrezikosh për të arritur qëllimet, sigurisht në mënyrë të hapur dhe të drejtë; të flasësh të vërtetën dhe gjithashtu t’i japësh rëndësi të madhe punës në grup, ku fuqia e organizimit të njerëzve dhe marrëdhëniet shoqërore me anëtarët e komunitetit janë të nevojshme, janë kryesore për një qeverisje të mirë dhe mirëfunksionimin,në këtë rast,të institucioneve shkollore. Pra,duket qartë që këtyre cilësive dhe vlerave, të mësuara në pjesën më të madhe në bankat e shkollës, duke iu dhënë një rëndësi më të madhe, do të rritej mundësia për të pasur udhëheqës të rinj dhe për t’i njohur ata që në moshë të vogël.
Hapi i dytë është mënyra si drejtohet dhe vizioni i krijuar për të ndihmuar komunitetin. Nuk është e lehtë për të bindur një komunitet të tërë për një ide apo vizion të caktuar. Është e rëndësishme të përhapen në mënyrën e duhur idetë, në mënyrë që anëtarët e komunitetit t’ju ndjekin me dëshirë në zbatimin e këtyre ideve. Këto ide mund të kenë të bëjnë me ndryshime që ne,si nxënës, duam të sjellim në arsim për ta bërë atë sa më efektiv dhe të prekshëm nga të gjithë, apo për ndryshime që gjithkush i sheh si të nevojshme dhe të justifikuara për t’u bërë. Një karakter i përshtatet një udhëheqësi, kur ekziston vendosmëria dhe aftësia për të bindur njerëzit duke dhënë argumente dhe fakte që mbështesin atë që thua, në të njëjtën kohë duke barazuar idetë e gjithsecilit në mënyrë që të mos ketë konflikt mendimesh. Është e rëndësishme që çdo ide që mbështet vizionin tënd t’i përshtatet çdo individi në komunitet. Duke u kthyer te rasti i drejtimit të një grupi në projekt, shihet qartë se si mënyra e vetme që projekti të jetë i suksesshëm është duke bashkëpunuar,duke qenë sa më objektiv në saktësimin e punëve dhe më e rëndësishme të zotërosh vlerat e sipërpërmendura.
E fundit por jo më pak e rëndësishme është se si mund të luhet roli i liderit në komunitet. Në të vërtetë kuptohet nëse ke arritur qëllimin, kur merren në konsideratë përshtypjet e
individëve në komunitet dhe rezultati përfundimtar i një pune të gjatë, që duhet të jetë
pozitiv. Ajo që e bën dikë një udhëheqës të mirë është kur ai nuk vendos nëse është një udhëheqës i mirë apo jo, por puna e vështirë dhe gjykimi i drejtë i komunitetit e vendos.
Kjo është pikërisht kur idetë, të hartuara më parë në mendje dhe në letër, kthehen në realitet. Në të njëjtën mënyrë si reforma në arsim apo çdo ide e hartuar dhe e zbatuar më parë nga nxënësit, secili nga ne mund të arrijë të sjellë ndryshim në atë që ne e konsiderojmë si pjesën më të rëndësishme e cila sjell formimin tonë, arsimin.

Këto tri hapa të menduar shpesh si të konsoliduar apo që ndoshta nuk marrin rëndësinë që duhet,sjell që shumë të rinj të njohin konceptin e udhëheqjes,por të mos dinë të sjellin një ndryshim të caktuar .
Arrihet në një përfundim,se jo gjithçka ka të bëjë me të qenit në krye, por të jesh në gjendje të udhëheqësh në mënyrë të barabartë, të ndikosh te të tjerët dhe të sjellësh një ndryshim. Kur ky ndryshim,i sjellë nga perspektiva e një nxënësi, ndikon pozitivisht në të ardhmen e të rinjve të tjerë, merr vlerë të madhe duke ditur që me të vërtetë do të jetë një hap drejt një arsimi dhe një të ardhmeje më të mirë. Kjo e ardhme në Shqipëri përfshin çdo anëtar të bashkësisë në mënyrë të barabartë, sepse komuniteti është i të gjithëve dhe të jesh në krye të të gjithëve, ti duhet të respektosh dhe të shohësh veten si një prej tyre.

Duhet një punë e palodhshme dhe një bashkëpunim rigoroz midis të rinjve dhe institucioneve arsimore përkatëse, që ndryshimi të fillojë që këtu, por kjo mund të arrihet kur nuk mungon dëshira dhe vullneti i një udhëheqësi për të sjellë një ndryshim. Ai udhëheqës mund të jetë kushdo.

Nga Roselinde Torres: Ç’nevojitet për të qenë një udhëheqës i madh?

Bota është plot me programe leksionesh mbi udhëheqjen, por mënyra më e mirë për të mësuar se si të drejtosh, mund të jetë para jush. Në këtë bisedë të qartë dhe të sinqertë në platformën TED, ekspertja e lidershipit prej 25 vitesh, tregon se çfarë i bën liderët e mëdhenj të dallojnë nga të tjerët…

 

Çfarë e bën sot një udhëheqës të madh? Shumë prej nesh e kanë imazhin e këtij super-heroi të gjithëdijshëm, që qëndron në krye, komandon, dhe që i mbron ndjekësit e tij. Në fakt, ky është një lloj imazhi që vjen si jehonë nga një kohë e vjetër.

Po të vjetëruara janë edhe programet e zhvillimit të lidershipit, të cilat bazohen në modele suksesi për një botë që ishte dhe jo për botën aktuale apo për atë që po vjen. Ne kemi kryer një studim mbi 4000 kompani, në lidhje me efektivitetin e programeve të tyre sa i përket zhvillimit të lidershipit.

58 për qind e kompanive përmendin boshllëqe të rëndësishme të talenteve të tyre për rolet jetike në drejtimin e saj. Kjo do të thotë se pavarësisht programeve të trajnimit që kanë korporatat, më shumë se gjysma e kompanive kishte dështuar që të kultivonte mjaftueshëm liderë të mëdhenj.

Ju mund të pyesni veten: A është kompania ime, ajo që më ndihmon të përgatitem të bëhem një lider i madh i shekullit XXI-të? Shanset janë, por ndoshta kjo nuk ndodh. Unë i kam kaluar 25 vitet të jetës sime profesionale duke vëzhguar faktorët që kultivojnë udhëheqësit e mëdhenj.

Kam punuar brenda kompanive të “Fortune 500”, kam këshilluar mbi 200 drejtues ekzekutivë kompanish (CEO), dhe kam kultivuar më shumë lidership nga sa mund ta imagjinoni. Por disa vite më parë, vura re një prirje shqetësuese në përgatitjen e udhëheqësve të rinj.

Me gjithë përpjekjet, kishte histori të njohura që vazhdonin të rishfaqeshin në lidhje me individë të veçantë. Njëra kishte të bënte me Chris, një lider me potencial të lartë i cili kalon në një njësi të re të kompanisë dhe dështoi. Pastaj është rasti i Sidney-t, një CEO, e cila ishte aq shumë e frustruar, pasi kompania e saj përmendet si më e mira për liderët.

Por në fakt vetëm një nga 50 liderët kryesorë, është i pajisur si duhet për të udhëhequr nismat e tyre më vendimtare. Dhe pastaj kishte edhe histori si ai i ekipit të lartë drejtues të një biznesi dikur të suksesshëm, që u befasua nga një ndryshim në treg, dhe e gjeti veten në një situatë ku u detyrua të udhëzonte kompaninë të përgjysmonte madhësinë e saj ose të dilte nga biznesi.

Tani, këto histori të përsëritura më nxitën të ngre dy pyetje: Pse po zgjerohen boshllëqet e lidershipit, kur ka shumë më shumë investime në zhvillimin e tij? Dhe çfarë po bëjnë liderët e mëdhenj ndryshe nga të tjerët për të pasur sukses dhe rritur më tej si drejtues?

Një nga gjërat që bëra, ishte lënia e punës që bëja, që të mund ta studioja këtë çështje me kohë të plotë. M’u desh një vit për të udhëtuar në rajone të ndryshme të botës për të mësuar rreth efektivitetit dhe mos-efektivitetit të praktikave të lidershipit në kompani, shtete, por edhe organizatat jofitimprurëse.

Kështu shkova në Afrikën e Jugut, ku pata rastin ta kuptoj se si Nelson Mandela ishte përpara kohës së tij në parashikimin e zhvillimeve dhe përballjen me kontekstin e tij politik, social dhe ekonomik. Po ashtu takova një numër drejtuesish të organizatave jofitimprurëse, të cilët pavarësisht burimeve shumë të kufizuara financiare, kanë pasur një ndikim shumë të madh në botë, shpeshherë duke bërë bashkë edhe kundërshtarë të egër midis tyre.

Dhe kalova orë të panumërta në bibliotekat presidenciale, në përpjekje për të kuptuar se si mjedisi kishte formuar liderët, lëvizjet që kishin bërë ata, dhe më pas analizova ndikimin e lëvizjeve përtej mandatit të tyre. Dhe pastaj, kur iu ktheva punës time me kohë të plotë, në këtë rol m’ua bashkuan kolegë të mrekullueshëm të cilët ishin të interesuar edhe për këto pyetje.

Tani nga e gjitha kjo, unë përmblodha tiparet e liderëve që kanë sukses, dhe çfarë bëjnë ata ndryshe nga të tjerët. Më pas analizova praktikat e përgatitjes që u japin mundësi njerëzve të rritin potencialin e tyre. Dhe disa nga përfundimet po i ndaj me ju.

Në një botë të shekullit XXI-të, e cila është më globale, e aktivizuar në mënyrë dixhitale dhe transparente, me një shpejtësi më të lartë të rrjedhës së informacionit dhe inovacionit, dhe ku nuk bëhet asgjë e madhe pa një lloj matrice tejet komplekse, mbështetja tek praktikat tradicionale të zhvillimit do ta pengojë rritjen tuaj si udhëheqës.

Në fakt, vlerësime tradicionale si anketat e ngushta me 360 persona, apo kriteret e vjetruara të vlerësimit të ecurisë do t’ju japin një rezultat pozitiv të rremë, duke ju përgjumur përmes mendimit se jeni më të përgatitur nga sa jeni në të vërtetë. Lidershipi në shekullin XXI-të është i përcaktuar, dhe ai del në pah nga tre pyetje:

Ku po kërkoni për të parashikuar ndryshimin e radhës për modelin tuaj të biznesit apo jetën tuaj? Përgjigja për këtë pyetje qëndron tek axhenda juaj e përditshme. Me cilin po e kaloni kohën? Mbi cilat tema po diskutoni? Ku po udhëtoni? Çfarë jeni duke lexuar? Dhe pastaj si po e analizoni këtë gjë për të kuptuar problematikat e mundshme?

Ka një ekip drejtues, që e ka si praktikë mbledhjen e mendimeve të të gjithëve dhe më pas marrjen e vendimeve, për të korrigjuar një strategji ose për të parashikuar një lëvizje të re.

Liderët e mëdhenj nuk drejtojnë në mënyrë vertikale nga lart-poshtë. Pyetja e dytë është: Cili është niveli i shumëllojshmërisë të rrjetit tuaj personal dhe profesional? Ne dëgjojmë shpesh për rrjetet e “djemve të mire”, dhe sigurisht që ato ekzistojnë në shumë institucione. Por deri diku, ne të gjithë kemi një rrjet njerëzish me të cilët ndihemi rehat.

Pra, kjo pyetje ka të bëjë me kapacitetin tuaj për të zhvilluar marrëdhënie me njerëzit që janë shumë të ndryshëm nga ju. Dhe këto dallime mund të jenë biologjike, fizike, funksionale, politike, kulturore dhe socio-ekonomike. E megjithatë, pavarësisht nga të gjitha këto dallime, ata lidhen me ju dhe besojnë mjaftueshëm tek ju sa për të bashkëpunuar në arritjen e një qëllimi të përbashkët.

Udhëheqësit e mëdhenj e kuptojnë që ka një rrjet më të larmishëm, me një mundësi zgjedhjeje më të madhe, pasi aty ka njerëz që mendojnë ndryshe nga ju. Pyetja e tretë: A jeni mjaftueshëm të guximshëm? Të braktisni një praktikë që ju ka bërë të suksesshëm në të kaluarën?

Ka një thënie të njohur: Diskutoni për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin. Por nëse e ndiqni këtë këshillë, shanset janë që si udhëheqës të vazhdoni të bëni atë që është e njohur dhe e rehatshme. Ndërkohë udhëheqësit e mëdhenj guxojnë që të jenë ndryshe.

Ata nuk flasin vetëm për marrjen në sy të rrezikut. Ata e çojnë deri në fund sfidën. Dhe një nga drejtuesit ndau me mua faktin se zhvillimi më me ndikim, ndodh kur jeni në gjendje të ndërtoni një qëndrueshmëri emocionale për t’u përballur me njerëzit që ju thonë se ideja juaj e re është naive, e pamatur apo thjesht idiote.

Dhe është interesant fakti që njerëzit që do t’ju bashkohen në këtë sipërmarrje të rrezikshme, nuk janë ata që do të mendonit zakonisht, dhe që janë pjesë e rrjetit tuaj. Shpeshherë do të jenë njerëz që mendojnë ndryshe, dhe prandaj janë të gatshëm të bashkohen me ju në hedhjen e një hapi të guximshëm.

Dhe po flasim më saktë për një kërcim të madh, dhe jo thjesht për një hap. Më shumë se sa programet tradicionale të lidershipit, përgjigja ndaj këtyre tre pyetjeve që ngrita më lart, do të përcaktojë efektivitetin tuaj si udhëheqës i shekullit XXI-të.

Atëherë, çfarë e bën një udhëheqës të madh në shekullin që po jetojmë? Unë kam takuar shumë dhe ata bien në sy. Janë gra dhe burra të cilët janë duke u përgatitur jo për parashikueshmërinë komode të së djeshmes, por për realitetet e sotme si dhe për të gjitha ato mundësi të panjohura që ofron e nesërmja.

 

Çfarë është “rregulli i 5 orëve” që përdorin njerëzit e suksesshëm

Në ditët e sotme ka shumë këshilla, truke apo mësime të gatshme që merren nga miliarderët dhe njerëzit e suksesshëm nga çdo cep i botës. Por, ka një këshillë që shihet si më praktike dhe më produktive te njerëzit që e aplikojnë. Ndryshe quhet “rregulli i pesë orëve” dhe fillimisht ka qenë sipërmarrësi Michael Simmons që e ka shpikur.

Ideja është që një person duhet të kalojë pesë orë në javë (afërsisht një orë në ditë) duke mësuar apo praktikuar diçka të re. Në dukje ngjan si diçka mjaft e thjeshtë, por në ditët e sotme me ritmin frenetik mes punës, angazhimeve, udhëtimeve apo familjes duket si e vështirë gjetja e këtyre pesë orëve që mund të të ndryshojnë jetën. Sidoqoftë, me pak prakticitet mund ta zbatoni rregullin e pesë orëve në jetën tuaj. Ka një mori shembujsh se si ta zbatoni, ndërsa në radhët e sipërmarrësve modernë dhe njerëzve të suksesshëm ky rregull lidhet me tre opsione: lexim, reflektim dhe eksperimentime. Leximi i një gazete, reviste apo diçka në pajisjet elektronike është “ushqim për trurin” dhe ky është një ritual që duhet ta ktheni në një zakon të përditshmërisë nëse doni të shihni rezultate.

Reflektimi për vendime të caktuara, momente të vështira në jetën tuaj apo të njerëzve që ju rrethojnë janë një tjetër model “investimi” në gjërat që mund të ndryshoni duke u kushtuar vëmendje. Ndërsa, eksperimenti ka të bëjë më të provuarit e diçkaje të re: një aktivitet ndryshe, një punë vullnetare, ndryshimi i orarit për një detyrë apo punë etj.

Pengesat që dalin në ndjekjen e këtij rregulli

Le të jemi të sinqertë që në fillim! Nuk është gjithmonë një rregull lehtësisht i zbatueshëm, sidomos kur bëhet fjalë për njerëzit që kanë një seri angazhimesh të përditshme, nga gatimi, pastrimi, pazaret, shtëpia apo fëmijët. Por, suksesi është te vendosja e prioriteve dhe pse jo ju mund ta praktikoni këtë rregull duke moderuar të gjithë detyrimet e tjera.

 

/anabelmagazine.com/

A e dini se cili shtet ka internetin më të shpejtë në Evropë?

Për të kontrolluar shpejtësinë mesatare të ngarkimit të faqeve në desktop dhe pajisje celulare për pothuajse çdo vend evropian, BusinessComparison kreu një sondazh duke përdorur të dhënat nga Kontrolluesi i shpejtësisë së ngarkimit të faqeve të Google.

Në vend të parë me shpejtësinë më të shpejtë të ngarkimit të desktopit prej 3,74 sekonda është Suedia, ndërsa në vendin e dytë Finlanda (3,84), e cila ishte vendi i parë në botë që deklaroi aksesin në internet si të drejtë ligjore në vitin 2010.

Në vendin e tretë janë Danimarka dhe Letonia, të dyja me një shpejtësi mesatare prej katër sekondash. Në vendin e pestë është Lituania (4.14), e ndjekur nga Zvicra (4.23).

Për shpejtësinë e ngarkimit me celular, Suedia është sërish më e mira me një shpejtësi mesatare prej 7.48 sekondash. Në fund të listës ishte Turqia (10.22), e cila mori rezultatin më të keq pasi koha e ngarkimit pothuajse u dyfishua. Në raport thuhet se kjo është për shkak të mbështetjes në kabllot e bakrit 30-vjeçare. Pesë e fundit janë Bullgaria (9.38), Rumania (8.59), Qiproja (7.18) dhe Polonia (6.09).

Të njëjtat vende gjithashtu kishin rezultatet më të këqija në shpejtësinë e ngarkimit të internetit celular në të njëjtin rend, me Turqinë që ka kohën më të ngadaltë të ngarkimit prej 13.19 sekondash. /tesheshi.com/

TABELA E ZEKATIT – Ramazan 2024 / 1445 h.

TABELA E ZEKATIT – Ramazan 2024 / 1445 h.

…ata që dhanë zekatin i pret shpërblim i madh te Zoti i tyre...” el-Bekare: 277

Zekati në ari

Nisabi i zekatit në ari është 91 gram. Personi që posedon 91 gram ari e më shumë, duhet të japë 2.5% të arit apo kundërvlerës së tij.
Sot, vlera e një grami të arit është 64.57€, kur arrin kuotën në 91 gram, kap vlerën e 5,875€, atëherë nga kjo shumë e përgjithshme obligohet nxjerrja e zekatit 2.5%.

Zekati në argjend

Nisabi i zekatit në argjend është 700 gram. Kur arrin kuotën prej 700 gramëve, obligohet të ndajë 2.5% gramë argjend apo kundërvlerën e tij.

Zekati në vlera monetare

Edhe për valuta monetare për bazë merret ari, konkretisht çmimi i arit sipas berzës botërore. Çdo gjë që konsiderohet valutë, nëse e arrin nisabin, duhet të jepet zekat për të.

Nëse personi gjatë një viti ka pasur 5,875€, ai nga ajo shumë duhet të japë zekat 2.5%.

Zekati në mallra të tregtisë

Ky lloj përfshin: mjetet, veglat, rrobat, orenditë e ndryshme, gjërat ushqimore, tokat, makinat, ndërtesat etj. Me fjalë tjera: gjithçka e nxjerrur për shitje, që konsiderohet prej pasurisë së tundshme apo të patundshme, me kusht që të kalojë një vit (vlerësimi bëhet në fund të vitit), nxirret prej tij 2.5% nëse realisht arrihet nisabi (kuota e përcaktuar prej 5,875€).

Zekati në bagëti

1. Për dele, dhi e të ngjashme nëse janë më pak se 40 krerë, nuk ka zekat.

Nga 40-120 dele/dhi, jepet zekat një dele.
Nga 121-200, jepen zekat dy dele.
Nga 201-300, jepen zekat tri dele.
Nga 301-400, katër dele.
Nga 401-500, pesë dele.

(Shënim: Delja që jepet për zekat duhet të ketë mbushur një vit. Kur delet janë në numër të madh (mbi 200), në çdo 100 dele, jepet një dele zekat)

2. Për lopë, buall(ica) e të ngjashme nuk ka zekat nëse janë më pak se 30 krerë.

Nga 30-39 lopë-buall, jepet zekat një viç që ka mbushur një vit
Nga 40-59 jepet zekat një viç që ka mbushur dy vite.
Nga 60-69, dy viça njëvjeçarë.
Nga 70-79, një viç njëvjeçar dhe një viç dyvjeçar.
Nga 80-89, dy viça që kanë mbushur dy vjet.
Nga 90-99, tre viça që kanë mbushur nga një vit.

(Shënim: Për çdo 30 krerë jepet nga një viç që ka mbushur një vit, apo në çdo 40 krerë nga një viç që ka mbushur dy vjet)

Zekati për të mbjellat

Për të mbjellat (si gruri, misri, tërshëra, thekra, elbi e të ngjashme) nëse arrijnë masën prej 653 kg, atëherë sasia e zekatit prej tyre është 10% në rast se rendimentet e tilla janë ujitur nga shiu (ujitje natyrore), ndërsa në rast se ujiten artificialisht, atëherë sasia e zekatit të tyre është 5%.

 

TABELA E ZEKATIT – Ramazan 2024

Ramazani, shtatë dobitë fizike dhe shpirtërore të agjërimit

Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj”.[1]

Muaji Ramazan erdhi edhe njëherë tek ne. Është muaji që përmban natën e bekuar që përshkruhet si nata më e bukur se një mijë muaj dhe është muaji në të cilin shejtani mbyllet në pranga dhe dyert e xhenetit hapen për kërkuesit e së vërtetës.

Kurani i Shenjtë paraqet qëllimin kryesor të muajit të agjërimit që është të përvetësojmë druajtjen e devotshmërinë. Nuk është e lehtë për t’u bërë i devotshëm dhe kështu që Ramazani është një periudhë ku veprat e mira bëhen me lehtësi dhe bekimet qiellore bëhen të kapshme. Për më shumë kualitete të caktuara të cilat ndikojnë pozitivisht në devotshmërinë e njeriut bëhen të mundshme.

1. Disiplina

Islam do të thotë nënshtrim i plotë ndaj vullnetit të Zotit e cila na drejton tek paqja. Nënshtrimi i plotë sidoqoftë nuk mund të arrihet pa disiplinë dhe bindje.

Në këtë muaj, muslimanët urdhërohen të braktisin ushqimin, të zgjohen herët, të heqin dorë nga bisedat ose sjelljet e pahijshme dhe të përpiqen për t’u përmirësuar dhe të përparojnë në bërjen e veprave të mira. Kjo kërkon disiplinë e cila arrihet duke e shtyrë vetën të zgjohet herët (ose në pjesën e fundit të natës), duke e sakrifikuar kënaqësinë e gjumit për t’u falur.

Disiplina nuk është diçka që mund të arrihet për një ditë ose edhe për një javë kjo është pse muslimanët urdhërohen të agjërojnë për një muaj të tërë.

2. Pastërtia

Muslimanët mësohen të marrin abdes para çdo namazi dhe të jenë në gjendje të pastër sa më shumë të jetë e mundur për shkak se pastërtia e jashtme ndikon në pastërtinë e brendshme. Kjo është arsyeja pse Profeti Muhammed s.a.v.s. kishte thënë se pastërtia është gjysma e besimit. Kurani Famëlartë thotë:

Vërtet, i shpëtuar është ai i cili e pastron vetveten”.[2]

Është vërtetuar shkencërisht se agjërimi pastron trupin nga helmet dhe duke braktisur ushqimin për një kohë, trupi ndihmohet në riparimin e qelizave dhe në përdorimin e energjisë në disa pjesë të tjera të trupit. Trupi gjithashtu djeg yndyrën për të prodhuar energji e cila çon deri te humbja e peshës.

Sipas NHS-së: “Pas disa ditëve të agjërimit, shihet prani e lartë e endorfinës në gjak, duke u bërë juve më vigjilent dhe duke u dhënë një ndjenjë të përgjithshme të rehatisë mendore”. Padyshim, siç ushqimi ndikon fuqimisht në trurin dhe emocionet tona, agjërimi ndihmon në pastrimin e papastërtive dhe ky detoksifikim rezulton me një ndjenjë të përgjithshme të rehatisë. Kjo arrihet nëse është bërë drejt edhe duke e mbajtur në balancë dietën gjatë ditëve të Ramazanit.

3. Vetëkontrolli

Kurani i Shenjtë thotë:

Dhe ata që e përpijnë zemërimin dhe falin, Allahu i do mirëbërësit”.[3]

Njeriu nxitet e tundohet nga faktorë të ndryshëm si njerëzit, përgjegjësitë, mendimet, emocionet e ndryshme në jetën e tij etj., të cilat ia bëjnë të vështirë t’i kontrollojë veprimet e tij. Shumë njerëz mundohen shumë për të hequr dorë nga ushqime të caktuara, zakone dhe praktika të shfrenuara por dështojnë, vazhdimisht. Ramazani dhe agjërimi ndihmojnë njeriun të edukojë ndjenjën e vetëkontrollit dhe të vigjilencës të cilat e bëjnë më të lehtë të heqë dorë nga zakonet e tij të këqija gjatë këtij muaji.

Duke hequr dorë nga ushqimi, i cili është i lejuar dhe esencial për ekzistencën e njeriut, ai e forcon vendosmërinë dhe i mundësohet të ketë vetëkontroll më të madh ndaj veprimeve të tij. Diçka që i sjell atij dobi edhe jashtë Ramazanit.

4. Spiritualiteti

Ne mësojmë përmes ngjarjeve të njerëzve të shenjtë të kaluar se agjërimi promovon dhe rrit spiritualitetin e njeriut. Ata pajisen me aftësinë për të qenë në gjendje të përjetojnë vizione dhe fenomene të tjera shpirtërore të cilat të tjerët nuk mund t’i arrijnë. Kjo është arsyeja që profetët dhe njerëzit e Zotit shkonin të rrinin në vetmi për një kohë dhe jetonin në mënyrë të thjeshtë për të zhvilluar aftësitë e tyre shpirtërore. Ramazani për muslimanët është e njëjta mënyrë e trajnimit shpirtëror e dizajnuar për të mprehur ndjenjat shpirtërore. Për më tepër, kjo arrihet edhe duke u fokusuar në recitimin dhe kuptimin e Kuranit të Shenjtë, zbritja e të cilit filloi pikërisht gjatë këtij muaji të bekuar te Profeti Muhammed s.a.v.s. dhe ishte kompletuar brenda periudhës 23 vjeçare.

5. Përulësia

Vërtet, ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, dhe përulen para Zotit të tyre, janë prej banorëve të xhenetit ku do të jetojnë përgjithmonë”.[4]

Muslimanët urdhërohen t’i dorëzohen Zotit dhe t’i nënshtrohen përulësisht vullnetit të Tij, duke mos qenë mosmirënjohës ndaj asaj që na dhuron e as të pabindur ndaj urdhrave të Tij. Arsyeja e të qenët të tillë është se ne nuk jemi më shumë se nevojtarë dhe shërbëtorë para Krijuesit dhe Mbretit të universit.

O njerëz, ju jeni nevojtarë ndaj Allahut, kurse Allahu është i Vetëmjaftueshmi, i Lavdëruari”.[5]

Agjërimi në muajin Ramazan na përkujton se jemi plotësisht të varur nga Zoti dhe kërkojmë vetëm nga Ai për të na ushqyer dhe siguruar sepse Ai është Siguruesi më i mirë. Kjo ia rrit njeriut përulësinë gjithashtu edhe mbështetjen në Zotin, gjë që i mundëson të fitojë afërsinë me Zotin.

6. Asgjësimi i egos së njeriut

Asgjësimi i egos ose “fenā” do të thotë të liruarit e plotë nga dëshirat, pasionet, shpresat dhe ambiciet dhe të liruarit nga të gjitha mendimet e vetvetes në rrugën e Zotit. Kur njeriu e pastron vetveten ai arrin në shkallën e të liruarit nga pikëllimi dhe frika dhe vazhdon progresin e tij në rrugën e Zotit.

Dëgjoni! Miqtë e Allahut me siguri nuk do të kenë as frikë e as nuk do të pikëllohen”.[6]

Agjërimi dhe sakrifica janë mjete për të arritur në shkallën e vetëmohimit, sepse ne jo vetëm që nuk do të udhëhiqemi nga egoja jonë, dëshirat dhe motivet tona egoiste, por do t’i përshtatemi tërësisht vullnetit të Zotit dhe do të veprojmë ashtu siç dëshiron Ai deri në masën që ne të hamë, të flemë dhe të zgjohemi në përputhje me udhëzimin e Tij. Kur njeriu e arrin këtë dhe motivet ose qëllimet e tij nuk janë të prishura nga lakmia dhe materializmi, ai gëzon afërsinë me Zotin dhe kështu vazhdon udhëtimin e tij në drejtim të Zotit pafundësisht.

7. Dhembshuria

Dhe ata i ushqejnë, nga dashuria për Zotin, të varfrit, jetimët, dhe të robëruarit”.[7]

Dyshim i vogël që mbetet është se njeriu nuk mund të kuptojë plotësisht një fenomen të caktuar derisa nuk e ka përjeton vetë. Kështu agjërimi i ndihmon muslimanët të kuptojnë ndjenjën e mungesës së ushqimit, përjetimin e vështirësive dhe të dhimbjes së atyre që janë nevojtarë por që jetojnë në shoqërinë e tyre. Në këtë mënyrë agjërimi synon të zhvillojë fuqimisht dhembshurinë për njerëzit e tjerë. Kjo pa dyshim i nxit besimtarët për të bërë përpjekje humanitare duke ngritur të shtypurit e jo t’i shohin me përçmim, siç bëjnë një pjesë e madhe e të pasurve sot në botë.

Prandaj, agjërimi është një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme në besimin Islam dhe ka shumë dobi të cilat mund të arrihen vetëm nga ai që i përmbush kërkesat e Ramazanit me zell dhe kujdes të madh.

Zoti na mundësoftë të veprojmë sipas këtyre pikave! Amin!

(E përktheu nga anglishtja: Shkëlqim Bytyçi)

Burimi: http://theviewpoint.co/ramadan-special-seven-benefits-of-fasting/


[1] Kurani Famëlartë 97:4.
[2] Kurani Famëlartë 87:15.
[3] Kurani Famëlartë 3:135.
[4] Kurani Famëlartë 11:24.
[5] Kurani Famëlartë 35:16.
[6] Kurani Famëlartë 10:63.
[7] Kurani Famëlartë 76:9.

Rritja e Inteligjencës Emocionale përmes Agjërimit!

Të gjithë jemi dëshmitarë që agjërimi sot nëpër botë, i ka tejkaluar kufijtë fetarë dhe është duke u zbatuar dhe rekomanduar nga ekspert, në disa fusha të jetës.  Agjërimi ka tërhequr vëmendjen e disa studiuesve shkencorë të cilët kanë bërë hulumtime në lidhje me përfitimet në aspektin mendor, social, spiritual, dhe shëndetësor.

Sa i përket aspektit mendor, agjërimi rritë dhe përmirëson funksionin kognitiv përmes rritjes së BDNF-së (brain-derived neurotrophic factor) i cili ndihmon në rritjen dhe mirëmbajtjen e neuroneve. Disa studime tjera potencojnë edhe rritjen e fokusit dhe qartësisë së mendjes si pasojë e rritjes së adrenalinës dhe nor-adrenalinës gjatë agjërimit.

Inteligjenca emocionale prej shumë ekspertëve botërorë është cilësuar si një aftësi shumë e vlefshme në aspektin personal, social, karrierë, dhe biznes.

Sipas Daniel Goleman (1996), ‘80 – 90% të kompetencave profesionale që dallojnë punonjësit më të mirë, janë të lidhura me inteligjencën emocionale’.

 

Hulumtimet kanë treguar që fushat në vijim, e që lidhen me inteligjencën emocionale përfitojnë dukshëm gjatë agjërimit: rritja e vetëdijes, zhvillimi i ndjeshmërisë (empatisë), vetë-menaxhimi, durimi dhe toleranca, menaxhimi i stresit, vetëdijesimi, etj.

Sipas hulumtimeve, gjatë agjërimit rritet vetëdija jonë rreth ndjenjave, mendimeve, dhe emocioneve.

Duke qenë të uritur dhe të etur, ne kemi mundësi t’i vlerësojmë dhe dallojmë efektet në gjendjen tonë shpirtërore dhe sjelljen tonë, e që na mundëson t’i kuptojmë reagimet tona emocionale karshi stimujve të ndryshëm. Sipas shumë ekspertëve ngritja e vetëdijes është aftësia kyçe e inteligjencës emocionale

Disiplina dhe vetë-kontrolli që praktikohen gjatë agjërimit, ndikojnë në përmirësimin dhe rritjen e vetë-menaxhimit që është pjesë e inteligjencës emocionale. Menaxhimi i nevojave dhe dëshirave, vonimi i shpërblimit, dhe menaxhimi i vuajtjeve të mundshme gjatë agjërimit, kontribuojnë në rritjen dhe zhvillimin e vetë-menaxhimit edhe në fushat tjera të jetës.

Duke agjëruar, njeriu privohet prej gjërave bazike jetësore (si p.sh. ushqimi dhe pija) të cilat e bëjnë të kuptoj se çka është privimi dhe vuajtja me të cilat përballen shumë njerëz në botë. Me një vëmendje dhe vetëdije të plotë në kuptimin e këtyre ndjenjave që përjeton një agjërues, pa dyshim që e bënë më të ndjeshëm ndaj vuajtjeve të tjerëve, e që ndikon në rritjen e ndjeshmërisë (empatisë).

Agjërimi mund t’i ndihmojë individët të zhvillojnë strategji më efektive të menaxhimit të stresit.

Përballja me urinë dhe etjen, zhvillon aftësitë tona fiziologjike me anë të cilave menaxhojmë stresin dhe situatat stresuese më lehtë. Këtu përfshihet edhe stresi emocional me të cilin përballemi çdo ditë. Menaxhim i emocioneve dhe stresit është pjesë tejet e rëndësishme e inteligjencës emocionale.

Mos harroni! Agjërimi mund të kontribuoj në zhvillimin dhe rritjen e inteligjencës emocionale, vetëm atëherë kur praktikohet me vetëdije të plotë dhe me fokus të shtuar në metodat e zhvillimit të aftësive të përmendura më lartë.

Jini gjithmonë prezent me agjërimin dhe konsiderojeni aleatin tuaj më të fuqishëm, për zhvillimin tuaj në fushën personale, familjare/shoqërore, profesionale, dhe shpirtërore

/Vehbi Zeqiri, Fondacioni për Lidership dhe Avancim Personal/

Burimi: http://revistapsikologji.com/rritja-e-inteligjences-emocionale-permes-agjerimit/?fbclid=IwAR06zneYgQG3Z8IBhQjYLeUPOOSgYWLnRmdnd0f-UMy9_74stv006GCaZoU

CILI ËSHTË GJYKIMI I GIVEAWAY?

Cili është gjykimi i Giveaway, pasi një gjë e tillë është përhapur edhe mes besimtarëve?

Sa i përket dhuratave në rrjetet sociale, apo ndryshe siç njihen si “GiveAway”, është një organizim që e zhvillojnë pronarët e faqeve, apo rrjeteve të ndryshme sociale, me qëllim të shpërndarjes së faqeve, a produkteve të tyre, gjë që do shpie në rritje të shikueshmërisë.
Padyshim se shpenzimi të cilin e bëjnë ata është në kompensim me pritjet e përfitimeve që do ua sjell shpërndarja dhe rritja e shikueshmërisë.

Për të qenë pjesëmarrës dhe pretendues për përfitim, duhet që të plotësohet disa kërkesa të cilat i vendojnë ata. Si shembull: Pëlqeje faqen apo postimin, shpërndaje në profilin tënd, etiketo kaq persona, lëre një koment, e kështu me radhë…
Që të jetë diç e tillë e lejuar, duhet të plotësohen kushtet në vijim:

  1. Pjesëmarrësit të mos investojnë të holla në këtë pjesëmarrje, sepse atëherë pjesëmarrësi është mes rrezikut të humbjes dhe fitimit, dhe atë duke u bazuar në fat. Islami ka ndaluar diç të tillë sepse në raste të tilla, fitimi i disave ndërtohet në humbjen e shumicës, ndërsa kjo është bixhoz.
    Të pyesin ty për verë dhe bixhoz. Thuaju: “Ato u sjellin dëme të mëdha (mëkate), por edhe dobi për njerëzit, mirëpo, dëmi është më i madh se dobia”… (ElBekare: 219)
  2. Profili që shpërndahet të mos përmbaj përmbajtje e as produkte që bien ndesh me parimet fetare.
    … Ndihmoni njëri-tjetrit në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat, dhe mos ndihmoni në mëkate dhe armiqësi! Dhe druajuni Allahut! Se, Allahu, dënon ashpër. (ElMaide: 2)
  3. Dhurata të mos jetë diçka e ndaluar fetarisht.

    Nëse plotësohen kushtet e lartpërmendura, atëherë fitimi thjeshtë llogaritet një dhuratë dhe nuk ka diç të keqe në të inshaAllah. Allahu e din më së miri.

/Senad Ramadani – rizgjimi.com/

Borxhi në Islam dhe borxhliu

Borxhi në Islam

-Ai që merr borxh dhe ka mundësi ta shlyejë (kthejë) atë por nuk e bën këtë, për të Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka treguar se ai është i padrejtë (zullumqar): “Vonimi i borxhit nga ai që ka mundësi ta shlyejë atë është padrejtësi dhe lejohet qortimi/rëndimi me fjalë ndaj tij dhe ndëshkimi.” Dhe: “Ai që merr borxh (detyrohet) me qëllimin për ta kthyer, Allahu do ta ndihmojë ta kthejë atë. Ai që merr borxh me qëllimin të harxhojë (nuk brengoset për kthimin) Allahu do ta shkatërrojë atë.” Njeriu duhet të jetë i kujdesshëm në kthimin e borxhit (mos ta vonojë).

-Nëse njeriu detyrohet të marrë borxh, le ta bëjë këtë nëse nuk ka derë/zgjidhje tjetër, por le të kërkojë borxh prej njerëzve fisnikë, të mëshirshëm e fetarë.

Janë dy përgëzime për ata që japin borxh:

-Shpërblimi i madh, “Ai që ia jep borxh dikujt dhe e pret, për çdo ditë ka shpërblim (si të japë lëmoshë) sa vlera e atij borxhi.” Dhe: “Ai që i jep borxh dikujt (që është në ngushti) dhe ia shtyn afatin, ka shpërblim dy herë sa vlera e atij borxhi.” Kështu ngaqë e ka çliruar një njeri që është në vështirësi. Dhe ka sqaruar: “Nëse njeriu i jep borxh dikujt që është në ngushti ka shpërblimin (si të japë lëmoshë) sa vlera e atij borxhi deri në afatin e dhënë. E nëse borxhliu nuk mund ta kthejë në afat dhe ai ia shtyn afatin, atëherë për aq sa ia shtyn atë ka shpërblim dyfish sa vlera e atij borxhi.”

-Falja e madhe. Transmetohet se ka qenë një tregtar i pasur i cili ka dhënë para borxh dhe kur dikush nuk e ka kthyer atë për shkak se ka qenë në ngushti, atëherë ia ka falur atë (që ta falë Allahu), dhe Allahu e ka falur pas vdekjes së tij (ngase nuk i ka ngushtuar njerëzit).

 

 

Rregulla lidhur me borxhin:

-Njeriu nuk qortohet të kërkojë borxhin e vet, sidomos nga ai person që nuk është në ngushti.

-Borxhi i të vdekurit shlyhet nga pasuria e vet, që e ka lënë. Nëse nuk ka lënë diçka trashëgimi, atëherë (ligjërisht) nuk e kanë detyrë fëmijët e tij t’ia shlyejnë atë, përveç nëse e bëjnë nga ana e respektit (moralit).

-Nëse dikush i dhënë tjetrit borxh duke e çliruar nga vështirësia, por nuk ka mundësi t’ia kthejë atë, atëherë së paku le të lajmërohet/përgjigjet (thirrjes telefonike etj.) duke treguar se nuk po mundet ta kthejë atë.

-Kthimi i borxhit është më i rëndësishëm se dhënia e ndihmave vullnetare (borxhi ka përparësi).

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem është lutur në namaz: “O Allah, më ruaj nga mëkati dhe zhytja në borxhe!” E kanë pyetur: “Sa shumë kërkon mbrojtje tek Allahu nga borxhi!” Dhe ka thënë: “Ai që merr borxh, flet e gënjen, premton e nuk e mban fjalën!”

/Hoxhë Bajram Sefedini – https://udhezimi.com/

Inflacioni dhe ndryshimet valutore

Rezoluta nr.: 231 (2/24)

Lidhur me inflacionin dhe ndryshimet valutore

Këshilli i Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam i dalë nga Organizata e Bashkëpunimit Islam, në sesionin e tij të njëzet e katërt në Dubai, gjatë periudhës nga: 07-09 Rabi’ul-Evel 1441 hixhri, që korrespondon me: 04-06 nëntor 2019, pasi shqyrtoi studimet e dorëzuara në Akademi lidhur me çështjen e inflacionit dhe ndryshimit të vlerës së monedhës, pasi dëgjoi diskutimet që u zhvilluan rreth saj, vendosni sa vijon:

E para: Akademia në rezolutën e saj nr.: 42 (4/5) të nxjerrë në sesionin e pestë, për të cilën Akademia beson se aplikohet si në rastin e mungesës së inflacionit po kështu dhe në rastin e inflacionit të butë.

E dyta: Përsa i përket inflacionit të lartë, vlerësimi i tij bazohet në pëlqimin mes palëve, por në mungesë të pëlqimit të ndërsjellë, çështja i kthehet gjykatës ose arbitrazhit, në varësi të rrethanave.

E treta: Nëse inflacion i lartë ndodh pas marrjes së borxhit, nuk ka problem që kreditori dhe debitori të bien dakord që pagesën për kthimin e borxhit të bëhet sipas vlerës, ose ta ndajnë dëmin ndërmjet të dy palëve, në mënyrë miqësore, po ashtu lejohet miratimi i tij përmes gjykatës ose arbitrazhit, por nuk lejohet që për këtë të bien dakord gjatë kontraktimit.

E katërta: Këshilli konfirmon rekomandimin e tij për shtetet islame të përfshira në rezolutën nr. 115 (12/9).

Allahu e di më mirë!

 

Vendimet dhe rekomandimet e Akademisë Botërore të Fikhut Islam

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
few clouds
24.5 ° C
24.5 °
24.5 °
69 %
1.5kmh
20 %
Thu
24 °
Fri
33 °
Sat
34 °
Sun
37 °
Mon
39 °