Natyra juridike e borxhit sipas të drejtës islame

Hyrje

Borxhi-huaja është prej çështjeve të njohura në mesin e njerëzve dhe se në
të drejtën islame përveç që është vepër e lejuar, ajo konsiderohet si vepër e rekomanduar (mendub), duke u mbështetur në tekstet kuranore dhe në hadithet e të Dërguarit a.s.. Ligjshmërinë e borxhit e gjejmë në ajete kuranore, në hadithe si dhe në konsensusin e dijetarëve (ixhma).

Në kuptimin gjuhësor, borxh do të thotë prerje(1), është quajtur kështu për shkak se pasuria e dhënë te borxhmarrësit është një pjesë nga pasuria e borxhdhënësit(2). Ndërkaq, në atë terminologjik, është ajo pasuri që borxhdhënësi ia jep borxhmarrësit, me kusht që ngjashëm t’ia kthej atij kur të ketë mundësi.(3)

Natyra juridike e borxhit

Borxhi është bërë legjitim me Kuran, Sunet dhe me konsensus të dijetarëve, për shkak të nevojave të njerëzve në marrëdhëniet e tyre reciproke, ngase ndodh që njeriu të varfërohet dhe ndien nevojë për gjëra të domosdoshme për ekzistencën e tij, atëherë ai kërkon borxh për të përmbushur nevojat e tij, e që më pas ta kthejë atë në të njëjtën masë.(4)
Borxhi konsiderohet vepër e pëlqyer (mustehab) për borxhdhënësin, bazuar në fjalët e Allahut xh.sh.: “Kush është ai që i huazon Allahut një hua të mirë e që Ai t’ia shumëfishoj atë dhe ai ka një shpërblim të mirë.” (El Hadid, 11).
Borxhdhënia është mënyrë afrimi tek Allahu i Lartësuar, sepse në të shprehet dhembshuria për njerëzit dhe mëshira për ta, si dhe lehtësimi i punëve dhe i vështirësive që ata kanë. Duke qenë se Islami e ka pëlqyer dhënien e borxhit, ai, gjithashtu, ia ka lejuar nevojtarit të kërkojë borxh dhe nuk e ka konsideruar atë pjesë të kërkesës së papëlqyer, pasi ai e merr këtë pasuri që të përfitojë prej saj, për të kryer nevojat e veta, e më pas t’ia kthejë atë kujt i takon.(5)
Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut a.s., ka thënë: “Kush ia lehtëson një myslimani një brengë nga brengat e kësaj jete, Allahu do t’ia lehtësojë atij një brengë prej brengave të Ditës së Kiametit. Kush ia lehtëson barrën një nevojtari në këtë botë, Allahu do t’ia lehtësoj atij në dynja dhe ahiret, e kush ia fsheh një të metë një myslimani në këtë botë, Allahu do t’ia fshehë atij në dynja dhe ahiret. Allahu është çdoherë në ndihmën e robit, gjersa robi të jetë në ndihmën e vëllait të tij.”(6)
Nga Ibën Mesudi transmetohet se Pejgamberi a.s., ka thënë: “Çdo mysliman që i jep dy herë borxh një myslimani, është sikur t’i ketë dhënë atij një herë sadaka.”(7)
Sa i përket konsensusit (ixhmait) të dijetarëve, themi se ata janë të dakorduar se borxhi është i lejuar në Islam. Ebu Derdaja ka thënë: “Sikur t’i jap ndokujt dy dinarë që pastaj të mi kthejnë ata, ky veprim është më i dashur për mua sesa me ata dy dinarë t’i jap sadaka, ngase borxhi është çlirim ndaj vëllait mysliman, zbatim ndaj nevojës së tij, ndihmë ndaj tij, ndaj është i preferuar për borxhdhënësin ashtu siç është sadakaja, por nuk është obligim i domosdoshëm.” Imam Ahmedi ka thënë: “Nuk është mëkat për ndokënd që i kërkohet borxh e nuk jep.”(8)

Obligimi i kryerjes së borxhit

S’ka dyshim se borxhi është një vepër e mirë dhe ai i liron njerëzit nga vështirësitë e tyre, por nga borxhmarrësi, ai (borxhi) duhet të kthehet në afatin e parashikuar (përcaktuar), apo sipas mundësive ngase ai është amanet, e amaneti një ditë duhet të kthehet në vend. Allahu xh.sh. thotë: “Allahu ju urdhëron që t’ua jepni amanetin të zotëve të tyre dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me drejtësi mes njerëzve…” (En Nisa, 58). Borxhi madje e mban njeriun e vdekur peng, gjersa të kryhet ai, ndaj është mirë që të bëhet kujdes e të kryhet sa më shpejt, e të mos neglizhohet. Një njeri e kishte pyetur Pejgamberin a.s.: “O i Dërguari i Allahut, nëse vritem në rrugën e Allahut, a më falën mëkatet e mia? I Dërguari i Allahut ia ktheu: “Po, nëse mbytesh në rrugën e Allahut si durimtar dhe llogaritës në shpërblim, duke luftuar e mos ikur mbrapa, me përjashtim të borxhit, ngase Xhibrili ma tha mua këtë.”(9)
Kurse në një rast tjetër, një njeri e kishte pyetur Pejgamberin a.s. për një vëlla të tij që kishte vdekur dhe kishte pasur borxh, atëherë Pejgamberi a.s. i tha atij: “Ai është i prangosur për shkak të borxhit të tij, ndaj kryeja borxhin atij.”(10)

Pritja dhe afatizimi i borxhit

Është mirë që të pritet borxhliu sipas mundësive të tij, e nëse kërkon afatizim, t’i mundësohet atij, ngase pa dyshim që për këtë ka shpërblim për borxhdhënësit. Për këtë porosit Allahu xh.sh. kur thotë: “Po në qoftë se ai (borxhliu) është në gjendje të vështirë, atëherë bëni një pritje derisa të vijë në një çlirim. E t’ia falni (borxhin) në emër të lëmoshës, ajo nëse e dini, është shumë më e mirë për ju.” (El Bekare, 280).
Në një hadith thuhet: Ka thënë Pejgamberi a.s.: “Kush dëshiron që Allahu t’i bëjë hije me hijen e Tij, le ta presë (afatizojë) borxh- liun e gjendjes së vështirë, apo le t’ia falë atë.”(11)
Unë si përmbarues, (i autorizuar nga shteti për ekzekutimin e borxheve), në punën time shpeshherë ndodhë që borxh- linjtë t’i pres deri sa t’i krijojnë mundësitë për pagesën e borxhit që kanë. Në lëndën përmbarimore P.nr.18/23, borxhliu, edhe pse ka lidhur marrëveshje me përmbaruesin për pagesën e borxhit me këste, i njëjti më ka thënë se për momentin nuk kam mjete për ta paguar këstin dhe ia kam mundësuar afatizimin edhe për një muaj. Ngjashëm si kjo lëndë kam edhe shumë të tjera dhe këtë gjithmonë e bëjë duke shpresuar në shpërblimin e Allahut xh.sh., duke u bazuar në ajetet kuranore dhe hadithet e Pejga- mberit a.s..
Borxhi nuk duhet të sjellë përfitim – Ajo që duhet theksuar këtu te borxhi është fakti që borxhi nuk duhet të sjellë përfitim, por të kthehet sipas sasisë apo vlerës së marrë, përndryshe kalon në kamatë, ngase me borxh synohet ndihma e njerëzve dhe lehtësimi në punët e tyre, e jo të bëhet borxhi si mjet shfrytëzimi e përfitimi. Një rregull e jurisprudencës thotë: Çdo borxh që sjell fitim (dobi), konsiderohet kamatë. Ndalesa këtu është e kufizuar me kushtëzimin e dobisë prej borxhit dhe nëse kjo është bërë traditë.(12) Mirëpo, nëse nuk është e kushtëzuar dhe nuk është traditë e njohur, i lejohet borxhmarrësit që t’ia rikthejë edhe më mirë sesa që ka marrë, bazuar në hadithin e Pejgamberit a.s., ku kishte marrë borxh një deve, e pastaj e kishte urdhëruar Ebu Rafiin t’ia kthejë atij një deve nga devetë e zekatit, por kur ai nuk gjeti të ngjashme, e ktheu një më të mirë, me urdhrin e Pejgamberit a.s..
Kushtëzimi i afatit në borxh – Sipas shumicës së juristëve myslimanë, nuk lejohet kushtëzimi i afatit në borxh, e nëse e jep borxhin me afat të kushtëzuar, atëherë ai duhet të kthehet, por imam Maliku ka mendim tjetër, ai thotë se lejohet kushtëzimi i afatit dhe kushti i vënë është i detyrueshëm. Nëse përcakton borxhin për një afat të caktuar, kjo gjë lejohet dhe borxhdhënësi nuk ka të drejtë ta kërkoj atë, derisa të plotësohet afati,(13) sepse Allahu xh.sh., thotë: “… kur merrni hua prej njëri-tjetrit për një afat të caktuar shkruajeni atë…” (El Bekare, 282), gjithashtu bazohet edhe në hadithin ku Pejgamberi a.s. ka thënë: “Myslimanët i respektojnë (qëndrojnë sipas) kushtet e tyre.”(14) Mendimin e imam Malikut e përkrahin edhe shumë dijetarë të kohës sonë, njëri prej tyre edhe Vehebeh Zuhejli, i cili e sheh këtë mendim logjik dhe të përshtatshëm me kohën aktuale.

Në çka lejohet borxhi?

Sipas hanefive, borxhi lejohet në ato gjëra që mund të maten dhe peshohen, si dhe ato që mund të numërohen si vezët, gruri, monedhat, buka, e nuk lejohet në gjëra të tjera, si në shtazë, pasuri të paluajtshme, etj., për shkak të pamundësisë së kthimit të sasisë së ngjashme me të. Hanefitë e kushtëzojnë që të kthehet e ngjashme me atë që merret, përndryshe nuk e lejojnë. Sipas tyre, nëse një njeri ka marrë hua 1kg. mish për pesë euro, e në kohën e kthimit mishi lirohet nga pesë euro në dy euro, atëherë ai detyrohet t’ia kthejë pesë euro. Ngjashëm veprohet edhe me gjërat e tjera. Ndërsa mailikitë, shafitë dhe hanbelitë, janë të mendimit se borxhi lejohet në të gjitha ato që lejohet edhe paradhënia, duke e lejuar në gjëra që maten e peshohen si gjërat ushqimore, apo edhe në gjëra të tjera që nuk maten e nuk peshohen si pasuritë e ndryshme të paluajtshme, shtazët dhe të ngjashme me to. Mendimin e mbështesin në hadithin, sipas të cilit Pejgamberi a.s., kishte marr borxh një deve, e thonë se ajo ishte marrë hua pa matur e pa peshuar, por në bazë të përshkrimit.(15)

Përfundim

Pa dyshim që lutjet drejtuar Allahut janë gjëja më e rëndësishme që të na mundësohet pagesa e borxhit. Transmetohet nga Ebu Seid el Hudriu r.a., i cili ka thënë: “Një ditë i Dërguari i Allahut a.s. kishte hyrë në xhami, ku ishte i ulur njëri prej ensarëve, i cili njihej si Ebu Umamete. Në atë rast i Dërguari a.s. i pati thënë: “Çfarë ke që po qëndron ulur në xhami, kur nuk është koha e namazit?” Ai u përgjigj: “Më ka kapluar mërzia e borxheve, o i Dërguari i Allahut!” “Ki mendjen, a dëshiron të të mësoj ty diçka që, kur ta thuash, Allahu i Lartësuar do të largoj prej teje mërzinë dhe do ta mundësojë të paguash borxhet” – i tha. Ai u përgjigj: “Po, si jo!” Atëherë i Dërguari a.s. i tha: “Kurdo që të zgjohesh në mëngjes dhe kurdo që të biesh në gjumë, thuaj: “O Zoti im, kërkoj mbështetje te Ti, që të më largosh brengën dhe pikëllimin, kërkoj mbështetje te Ti, që të më mbrosh prej plogështisë dhe përtacisë, kërkoj mbështetje te Ti, të më largosh frikën dhe koprracinë, kërkoj mbështetje te Ti, të më ndihmosh të paguaj borxhet dhe të më mbrosh nga shtypja e njerëzve!” Tha: “E thashë këtë dua, dhe Allahu ma mundësoi të paguaj borxhet dhe më largoi mërzinë.”

______________________
1. El Xhevheri, Es Sihah fil-lugati, vëll. V, fq. 71.
2. Veheebeh Zuhejli, El Fikhul Islamij ve Edil-letuhu, vëll. V, fq. 3786.
3. Sejid Sabik, Legjislacioni i traditës së Profetit, vëll.III, fq. 249.
4. Ejup Haziri, Fikh, E drejta civile Islame, Prishtinë, 2014, fq. 77.
5. Sejid Sabik, op. cit., fq. 249.
6. Tirmidhiu në Sunenin e tij, nr.1853; Ibni Maxhe në Sunenin e tij, nr. 221.
7. Ibni Maxhe.
8. Ejup Haziri, op. cit., fq. 79.
9. Tirmidhiu në Sunenin e tij, nr.1634.
10. Ibni Maxhe në Sunenin e tij, nr.2424.
11. Ibni Maxhe në Sunenin e tij, nr.2410.
12. Sejid Sabik, op. cit., fq. 251.
13. Ibid, fq. 250.
14. Buhari në Sahihun e tij, nr.2112.
15. Ejup Haziri, op. cit., fq. 84.

Argjent Xheladini

Artikulli paraprakRyshfeti dhe Uzurpimi i pasurisë
Artikulli tjetërKontrata e sigurimit sipas jurisprudencës islame (1)