Nga Roselinde Torres: Ç’nevojitet për të qenë një udhëheqës i madh?

Ekspertja e lidershipit tregon se çfarë i bën liderët e mëdhenj të dallojnë nga të tjerët...

Bota është plot me programe leksionesh mbi udhëheqjen, por mënyra më e mirë për të mësuar se si të drejtosh, mund të jetë para jush. Në këtë bisedë të qartë dhe të sinqertë në platformën TED, ekspertja e lidershipit prej 25 vitesh, tregon se çfarë i bën liderët e mëdhenj të dallojnë nga të tjerët…

 

Çfarë e bën sot një udhëheqës të madh? Shumë prej nesh e kanë imazhin e këtij super-heroi të gjithëdijshëm, që qëndron në krye, komandon, dhe që i mbron ndjekësit e tij. Në fakt, ky është një lloj imazhi që vjen si jehonë nga një kohë e vjetër.

Po të vjetëruara janë edhe programet e zhvillimit të lidershipit, të cilat bazohen në modele suksesi për një botë që ishte dhe jo për botën aktuale apo për atë që po vjen. Ne kemi kryer një studim mbi 4000 kompani, në lidhje me efektivitetin e programeve të tyre sa i përket zhvillimit të lidershipit.

58 për qind e kompanive përmendin boshllëqe të rëndësishme të talenteve të tyre për rolet jetike në drejtimin e saj. Kjo do të thotë se pavarësisht programeve të trajnimit që kanë korporatat, më shumë se gjysma e kompanive kishte dështuar që të kultivonte mjaftueshëm liderë të mëdhenj.

Ju mund të pyesni veten: A është kompania ime, ajo që më ndihmon të përgatitem të bëhem një lider i madh i shekullit XXI-të? Shanset janë, por ndoshta kjo nuk ndodh. Unë i kam kaluar 25 vitet të jetës sime profesionale duke vëzhguar faktorët që kultivojnë udhëheqësit e mëdhenj.

Kam punuar brenda kompanive të “Fortune 500”, kam këshilluar mbi 200 drejtues ekzekutivë kompanish (CEO), dhe kam kultivuar më shumë lidership nga sa mund ta imagjinoni. Por disa vite më parë, vura re një prirje shqetësuese në përgatitjen e udhëheqësve të rinj.

Me gjithë përpjekjet, kishte histori të njohura që vazhdonin të rishfaqeshin në lidhje me individë të veçantë. Njëra kishte të bënte me Chris, një lider me potencial të lartë i cili kalon në një njësi të re të kompanisë dhe dështoi. Pastaj është rasti i Sidney-t, një CEO, e cila ishte aq shumë e frustruar, pasi kompania e saj përmendet si më e mira për liderët.

Por në fakt vetëm një nga 50 liderët kryesorë, është i pajisur si duhet për të udhëhequr nismat e tyre më vendimtare. Dhe pastaj kishte edhe histori si ai i ekipit të lartë drejtues të një biznesi dikur të suksesshëm, që u befasua nga një ndryshim në treg, dhe e gjeti veten në një situatë ku u detyrua të udhëzonte kompaninë të përgjysmonte madhësinë e saj ose të dilte nga biznesi.

Tani, këto histori të përsëritura më nxitën të ngre dy pyetje: Pse po zgjerohen boshllëqet e lidershipit, kur ka shumë më shumë investime në zhvillimin e tij? Dhe çfarë po bëjnë liderët e mëdhenj ndryshe nga të tjerët për të pasur sukses dhe rritur më tej si drejtues?

Një nga gjërat që bëra, ishte lënia e punës që bëja, që të mund ta studioja këtë çështje me kohë të plotë. M’u desh një vit për të udhëtuar në rajone të ndryshme të botës për të mësuar rreth efektivitetit dhe mos-efektivitetit të praktikave të lidershipit në kompani, shtete, por edhe organizatat jofitimprurëse.

Kështu shkova në Afrikën e Jugut, ku pata rastin ta kuptoj se si Nelson Mandela ishte përpara kohës së tij në parashikimin e zhvillimeve dhe përballjen me kontekstin e tij politik, social dhe ekonomik. Po ashtu takova një numër drejtuesish të organizatave jofitimprurëse, të cilët pavarësisht burimeve shumë të kufizuara financiare, kanë pasur një ndikim shumë të madh në botë, shpeshherë duke bërë bashkë edhe kundërshtarë të egër midis tyre.

Dhe kalova orë të panumërta në bibliotekat presidenciale, në përpjekje për të kuptuar se si mjedisi kishte formuar liderët, lëvizjet që kishin bërë ata, dhe më pas analizova ndikimin e lëvizjeve përtej mandatit të tyre. Dhe pastaj, kur iu ktheva punës time me kohë të plotë, në këtë rol m’ua bashkuan kolegë të mrekullueshëm të cilët ishin të interesuar edhe për këto pyetje.

Tani nga e gjitha kjo, unë përmblodha tiparet e liderëve që kanë sukses, dhe çfarë bëjnë ata ndryshe nga të tjerët. Më pas analizova praktikat e përgatitjes që u japin mundësi njerëzve të rritin potencialin e tyre. Dhe disa nga përfundimet po i ndaj me ju.

Në një botë të shekullit XXI-të, e cila është më globale, e aktivizuar në mënyrë dixhitale dhe transparente, me një shpejtësi më të lartë të rrjedhës së informacionit dhe inovacionit, dhe ku nuk bëhet asgjë e madhe pa një lloj matrice tejet komplekse, mbështetja tek praktikat tradicionale të zhvillimit do ta pengojë rritjen tuaj si udhëheqës.

Në fakt, vlerësime tradicionale si anketat e ngushta me 360 persona, apo kriteret e vjetruara të vlerësimit të ecurisë do t’ju japin një rezultat pozitiv të rremë, duke ju përgjumur përmes mendimit se jeni më të përgatitur nga sa jeni në të vërtetë. Lidershipi në shekullin XXI-të është i përcaktuar, dhe ai del në pah nga tre pyetje:

Ku po kërkoni për të parashikuar ndryshimin e radhës për modelin tuaj të biznesit apo jetën tuaj? Përgjigja për këtë pyetje qëndron tek axhenda juaj e përditshme. Me cilin po e kaloni kohën? Mbi cilat tema po diskutoni? Ku po udhëtoni? Çfarë jeni duke lexuar? Dhe pastaj si po e analizoni këtë gjë për të kuptuar problematikat e mundshme?

Ka një ekip drejtues, që e ka si praktikë mbledhjen e mendimeve të të gjithëve dhe më pas marrjen e vendimeve, për të korrigjuar një strategji ose për të parashikuar një lëvizje të re.

Liderët e mëdhenj nuk drejtojnë në mënyrë vertikale nga lart-poshtë. Pyetja e dytë është: Cili është niveli i shumëllojshmërisë të rrjetit tuaj personal dhe profesional? Ne dëgjojmë shpesh për rrjetet e “djemve të mire”, dhe sigurisht që ato ekzistojnë në shumë institucione. Por deri diku, ne të gjithë kemi një rrjet njerëzish me të cilët ndihemi rehat.

Pra, kjo pyetje ka të bëjë me kapacitetin tuaj për të zhvilluar marrëdhënie me njerëzit që janë shumë të ndryshëm nga ju. Dhe këto dallime mund të jenë biologjike, fizike, funksionale, politike, kulturore dhe socio-ekonomike. E megjithatë, pavarësisht nga të gjitha këto dallime, ata lidhen me ju dhe besojnë mjaftueshëm tek ju sa për të bashkëpunuar në arritjen e një qëllimi të përbashkët.

Udhëheqësit e mëdhenj e kuptojnë që ka një rrjet më të larmishëm, me një mundësi zgjedhjeje më të madhe, pasi aty ka njerëz që mendojnë ndryshe nga ju. Pyetja e tretë: A jeni mjaftueshëm të guximshëm? Të braktisni një praktikë që ju ka bërë të suksesshëm në të kaluarën?

Ka një thënie të njohur: Diskutoni për t’u marrë vesh me njëri-tjetrin. Por nëse e ndiqni këtë këshillë, shanset janë që si udhëheqës të vazhdoni të bëni atë që është e njohur dhe e rehatshme. Ndërkohë udhëheqësit e mëdhenj guxojnë që të jenë ndryshe.

Ata nuk flasin vetëm për marrjen në sy të rrezikut. Ata e çojnë deri në fund sfidën. Dhe një nga drejtuesit ndau me mua faktin se zhvillimi më me ndikim, ndodh kur jeni në gjendje të ndërtoni një qëndrueshmëri emocionale për t’u përballur me njerëzit që ju thonë se ideja juaj e re është naive, e pamatur apo thjesht idiote.

Dhe është interesant fakti që njerëzit që do t’ju bashkohen në këtë sipërmarrje të rrezikshme, nuk janë ata që do të mendonit zakonisht, dhe që janë pjesë e rrjetit tuaj. Shpeshherë do të jenë njerëz që mendojnë ndryshe, dhe prandaj janë të gatshëm të bashkohen me ju në hedhjen e një hapi të guximshëm.

Dhe po flasim më saktë për një kërcim të madh, dhe jo thjesht për një hap. Më shumë se sa programet tradicionale të lidershipit, përgjigja ndaj këtyre tre pyetjeve që ngrita më lart, do të përcaktojë efektivitetin tuaj si udhëheqës i shekullit XXI-të.

Atëherë, çfarë e bën një udhëheqës të madh në shekullin që po jetojmë? Unë kam takuar shumë dhe ata bien në sy. Janë gra dhe burra të cilët janë duke u përgatitur jo për parashikueshmërinë komode të së djeshmes, por për realitetet e sotme si dhe për të gjitha ato mundësi të panjohura që ofron e nesërmja.

 

Artikulli paraprakÇfarë është “rregulli i 5 orëve” që përdorin njerëzit e suksesshëm
Artikulli tjetërSi mund të arrihet një lidhje e konsoliduar midis arsimit dhe udhëheqjes apo qeverisjes së mirë?