Ballina Blog Faqe 170

Projekti me katër ditë pune me të njëjtën pagë në Britani, po jep rezultate të kënaqshme

Nuk ishte e vështirë për Samantha Losey, drejtoreshë menaxhuese e Unity, një firmë e marrëdhënieve me publikun në Londër, të bindte ekipin e saj që të punonte më pak orë për të njëjtën pagesë.

Por ishte një betejë e vështirë për të bindur bordin e saj që t’i bashkohej pilot projektit më të madh në botë të javës katërditore të punës.

Më duhej të luftoja shumë që ne ta bënim këtë si biznes… askush nuk ishte i gatshëm. Të gjithë ishin shumë tradicional”, tha Losey për CNN Business.

Shqetësimi kryesor përqendrohej nëse një shkurtim prej 20 për qind i orëve javore të punës do të dërgonte në një rënie të prodhimit dhe do të shkaktonte largimin e klientëve.

Por pas një “udhëtimi shumë të vështirë” për të bindur bordin dhe një fillimi të vështirë, Losey tha se ekipi i saj ka arritur suksese të jashtëzakonshme.

Unity është një nga 70 kompanitë në Mbretërinë e Bashkuar që marrin pjesë në këtë pilot projekt. Për gjashtë muaj duke filluar nga muaji qershor, më shumë se 3,300 punonjës kanë punuar 80 për qind të orëve të tyre të zakonshme – për të njëjtën shkallë pagese – në këmbim të premtimit për të kryer 100 për qind të punës së tyre të zakonshme.

Programi drejtohet nga organizata jofitimprurëse “4 Day Week Global; Autonomia”, një think tank; dhe Fushata 4 Ditore e Javës në Mbretërinë e Bashkuar, në partneritet me studiues nga Universiteti i Kembrixhit, Universiteti i Oksfordit dhe Kolegji i Bostonit.

Tashmë, prova po jep fryte për punëtorët e uritur për më shumë kohë të lirë, transmeton Telegrafi.

Në gjysmë të rrugës së pilot projektit, 95 për qind e kompanive të anketuara nga “4 Day Week Global” thonë se nivelet e tyre të produktivitetit ose kanë mbetur të njëjta ose janë përmirësuar, ndërsa 86 për qind thonë se kanë vazhduar me rutinën e përhershme.

Për Gary Conroy, themelues dhe CEO i “5 Squirrels”, një prodhues produktesh për kujdesin e lëkurës në bregdetin jugor të Anglisë me 13 punonjës me kohë të plotë, rutina e re e punës bëhet “gjithnjë e më mirë dhe më e mirë”, tha ai për CNN Business.

Disa nga përfitimet ishin të papritura, thotë Conroy dhe shtoi se “Të gjithë kemi humbur shumë peshë…kemi qenë me mbipeshë më parë”, tha ai. “[Ekipi ka] më shumë kohë për të përgatitur ushqim, [të hajë] shëndetshëm. Shumë njerëz shkojnë shumë më tepër në palestër”.

E mirë për biznes?

Katër muaj pas provës, Losey tha se klientët e saj janë të kënaqur me performancën e tyre, ndërsa ekipi i saj është shumë më i frymëzuar dhe krijues.

Një studim i brendshëm në kompani zbuloi se produktiviteti ishte rritur me 35 për qind gjersa stafi tha se ndiheshin më të shëndetshëm dhe më të lumtur, krahasuar me kohën para testimit të projektit.

Tani, njerëzit po përpiqen të bashkohen me kompaninë.

“Ne po vdisnim në fillim të vitit duke u përpjekur të gjenim talent dhe po shpenzonim para majtas e djathtas për rekrutues”, tha ajo.

Por që kur Unity iu bashkua programit, Losey tha se ajo “kurrë nuk ka pasur kaq shumë aplikime”, duke i kursyer biznesit shumë para në kostot e rekrutimit.

Ndërsa bordi i saj është ende skeptik në lidhje me ndikimin në prodhimin e biznesit, klientët e Unity po luten që eksperimenti i tyre të shpërblehet me sukses, tha ajo – në mënyrë që ata të mund të bindin shefat e tyre që të miratojnë rutinën në vendet e tyre të punës.

“[Unë] fjalë për fjalë kisha një klient sot duke thënë… Unë këtë propozim do ta dërgoj në departamentin e HR (resurseve humane)”, shtoi Losey.

Juliet Schor, një profesoreshë e sociologjisë në Kolegjin e Bostonit, tha se java e punës katër-ditore ofron “një avantazh të madh konkurrues për firmat në tregun e punës”.

Kjo gjithashtu i bën punonjësit më të lumtur dhe më të shëndetshëm, tha Schor. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh kërkesat e pandemisë që shtynë shumë njerëz thjesht të digjen.

“Amerikanët po zbulojnë se dy ditë nuk mjaftojnë për fundjavë. Ata nuk mund t’i kryejnë të gjitha detyrat e tyre duke përfshirë kujdesin familjar – t’i marrin fëmijët e tyre në aktivitete, madje edhe të kenë pak kohë për veten e tyre dhe të përgatiten për javën e punës”, tha ajo. “E gjithë kjo grumbullohet në dy ditë dhe thjesht nuk mjafton”.

“Java pesëditore thjesht nuk po funksionon më për njerëzit”, shtoi Schor.

Megjithatë, një javë pune katër-ditore nuk është një “zbulim epokal”, transmeton Telegrafi.

Në muajin qershor, një sondazh i Gallup me më shumë se 12 mijë punëtorë në Shtetet e Bashkuara zbuloi se ndërsa ata që punonin një javë katër-ditore raportuan mirëqenie më të lartë – veçanërisht në mesin e atyre që kërkohet të punojnë në terren – nuk kishte rritje përkatëse në nivelet e angazhimit në punët e tyre.

“Të kesh angazhim më të lartë varet nga mënyra se si je i menaxhuar dhe thjesht t’i japësh dikujt një javë pune katër-ditore nuk do të thotë domosdoshmërisht se je i menaxhuar mirë dhe se je i angazhuar në punën tënde”, deklaroi Jim Harter, studiues i punës dhe mirëqenies në Gallup.

Nuk ka “blues gjatë së hënës”

Megjithatë, për Loseyn, përshtatja me rutinën e re ishte e dhimbshme.

Ajo e përshkroi javën e parë si “Armagedon”, me pak kolegë në dispozicion për t’iu përgjigjur një urgjence të një klienti.

“Unë thjesht u ula në dyshemenë e kuzhinës dhe qava”, tha ajo.

Ngadalë, ekipi u përshtat dhe ka futur zakone të reja duke iu përshtatur ndryshimit. Tani, takimet e brendshme janë të kufizuara në 15 minuta dhe takimet e klientëve në 30 minuta. Email-et drejtuar kolegëve nuk lejohen të kalojnë më shumë se një të katërtën e totalit të emaileve në ditë.

Në veçanti, stafi i Losey tani aplikon një sistem “semafori” për të reduktuar shpërqendrimet në zyrë. Kolegët kanë një dritë në tavolinën e tyre – ngjyra e gjelbër do të thotë se kanë kohë që të bisedojnë, ngjyrë qelibari janë paksa të zënë, por të disponueshëm për të folur dhe e kuqja nënkupton se nuk duhet t’i ndërpritni.

“Nëse butoni [i tyre] është i kuq, kërkoni një person tjetër”, tha Losey.

Conroy tha se ai ka prezantuar “kohën e thellë të punës” ku, për dy orë çdo mëngjes dhe dy orë çdo pasdite, stafi i tij injoron emailet, telefonatat ose mesazhet e menjëhershme dhe përqendrohet në projektet e tyre.

Ekipi i tij madje ka filluar t’i shkëpusë telefonat e zyrës, pasi ata ishin shumë shpërqendrues. Klientët fillimisht u mërzitën, tha ai, por që atëherë janë përgjigjur duke dërguar më shumë email.

Losey tha se rreziqet për biznesin ia vlen të shihen.

“Pasi kemi pasur disa javë të qeta… na duket sikur ‘si do të ktheheshim?’ Si punuam pesë ditë?’ Duket kaq jo njerëzore”, tha ajo./buletiniekonomik

 

A e dini se punimet për prodhimin e vaksinës në Turqi kanë filluar në kohën e Perandorisë Osmane?

Në vitin 1721 Leidi Mantagiu, bashkëshortja e ambasadorit të Anglisë në Perandorinë Osmane, në një letër dërguar në vendin e saj bënte të ditur se në Stamboll bëhej “diçka e quajtur vaksinë” kundër sëmundjes së lisë.

Kjo letër është dokumenti më i vjetër i regjistruar në lidhje me prodhimin e vaksinës së lisë.
Kimisti dhe mikrobiologu francez, Louis Pasteur për të vazhduar punimet mbi qentë e tërbuar (për të gjetur vaksinën e tërbimit) kërkoi mbështetje financiare nga kryetarët e shteteve të asaj periudhe.

Sulltan Abdylhamit II tha se mund ta ndihmojë, por kërkoi që ai t’i vazhdojë punimet në Stamboll. Pasteurit, të cilit nuk e pranoi këtë propozim, sulltani i dërgoi 10.000 florinj dhe i kërkoi që një ekip prej 3 personash nga Perandoria Osmane të trajnoheshin si asistantë nga ana e tij (Pasteur).

Ekipi prej 3 personash që shkoi në Francë kur u kthye solli për të studiuar një palcë kocke ku ishte injektuar “mikrobi i tërbimit”. Në muajin janar të vitit 1887 u themelua Institucioni i Kurimit të Tërbimit. Kjo ishte qendra e tretë në botë dhe e para në Lindje për kurimin e kësaj sëmundjeje.
Edhe gjatë periudhës së Luftës Çlirimtare, në kushte të vështira, vazhduan të prodhoheshin vaksina për kafshët dhe njerëzit dhe prodhimi vazhdoi edhe gjatë periudhës së Republikës. Deri në vitet 1940 u krijua prodhimi në seri i vaksinave të tifos, etheve të tifos, difterisë, turbekulozit, kolerës, kollës së mirë (Pertussis), tetanozit dhe tërbimit. Në vitin 1940 Turqia i dërgoi Kinës vaksinë vendore të kolerës për të luftuar epideminë e kësaj sëmundjeje në atë kohë./trt/

ARGUMENTET E TRANSPARECËS (TË QENIT I HAPUR) NË KULTURËN E MUSLIMANIT MODERN

Ajo që, para së gjithash, duam të konfirmojmë në këtë kapitull është se Kultura jonë nuk pranon në asnjë mënyrë të shkrihet në kulturat e tjera. Përkundrazi, ajo është kundër globalizmit arrogant dhe vesternizimit të egër, vetëm se ajo nuk është e izoluar. Ajo është e hapur, por me kritere. Për ta diskutuar këtë çështje dhe për t’i dhënë asaj ngjyrë kur’anore, dijetarët kanë aluduar në disa prej karakteristikave të Kur’anit, si:

  • Vërtetues, por edhe mbizotërues. Allahu thotë:

“Ne edhe ty (Muhammed) ta zbritëm librin (Kur’anin) e vërtetë që është vërtetues i librave të mëparshëm dhe garantues i tyre…“ (el-Maide, 48)  Kur’ani ka ardhur për të vërtetuar por edhe për të qenë fjala e fundit për librat e mëparshme si dhe për t’i gjykuar ato, për shkak të devijimit nga ajo për çka ishin shpallur.

  • Islami ka aprovuar dhe miratuar moralin e mirë, qoftë ai edhe i periudhës para islame. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] i pranonte tiparet e mira të periudhës paraislamike, kuptohet me modifikimet përkatëse. Haxhi është një nga shembujt e kësaj natyre, që mbeti si traditë (obligim), por që u modifikua sipas Islamit. E tillë ishte puna edhe me martesën, që siç përmend Buhariu, ndahej në katër lloje të ndryshme, ndërsa Islami e aprovoi vetëm një prej tyre, atë që përputhet me natyrshmërinë. Hadithi, që është përmendur më parë, në të cilin thuhet se misioni i Muhammedit [alejhis salatu ves selam] ishte përsosja e moralit, është dëshmi përkatëse.
  • Ligjësimi i përvetësimit nga të tjerët. Dijetarët kanë lejuar që të përvetësojmë nga të tjerët gjëra që janë në dobi të muslimanëve, me kusht që ato të mos paraqesin kundërthënie me besimin, ligjet dhe moralin islam. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] kishte marrë një vulë për vulosjen e letrave të tij, ashtu siç bënin mbretërit e kohës. Sahabët [Allahu qoftë i kënaqur me ta!] i treguan se të huajt nuk e pranonin letrën nëse nuk ishte vulosur më parë. Në betejën e Ahzabit, me propozimin e Selmanit dhe disa sahabëve të tjerë, u bë hapja e hendekut. Kështu ndodhi edhe me regjistrat shtetërorë dhe kalendarin nga Omeri [Allahu qoftë i kënaqur me të!]. Sigurisht, ajeti kur’anor:

“O ju njerëz, vërtet Ne ju krijuam juve prej një mashkulli dhe një femre, ju bëmë popuj e fise që të njiheni ndërmjet vete, e s’ka dyshim se tek All-llahu më i ndershmi ndër ju është ai që më tepër është ruajtur (këqijat), e Allllahu është shumë i dijshëm dhe hollësisht i njohur për çdo gjë.“ (el-Huxhurat, 13)

… aludon për këtë, ngase njoftimi ndërkulturor nënkupton edhe shkëmbimin në të gjitha fushat, me përjashtim të besimit, ligjeve fetare dhe moralit. Në të kaluarën, shkëmbimi ishte bilateral, ndërsa sot, fatkeqësisht, janë muslimanët ata që marrin dhe nuk japin asgjë. Ata janë ndikuar shumë nga morali, sjelljet dhe traditat e perëndimorëve.

4) Ligjet (fetë) para Islamit. Ligji paraprak, përshkrimi i të cilit është bërë në Kur’an, nëse nuk kemi ndonjë ligj tonin që e ndalon, pranohet. Ky është rregull tek usulistët, ndryshe figurimi i tij në Kur’an do të ishte i pakuptimtë. Si shembull të kësaj natyre do të merrnim kriterin, për përzgjedhjen e të propozuarve për vendet e punëve me përgjegjësi, që të jenë besnikë dhe të fuqishëm, kriter ky i marrë nga ligjet e kësaj natyre. Allahu, duke përshkruar fjalët e vajzës së burrit të moshuar, thotë:

“Njëra prej atyre të dyjave tha: “O babai im, merre këtë në shërbim me pagë, pse më i miri i atij që do ta marrësh në shërbim është ai i fuqishmi e besniku!“ (el-Kasas, 26)

I ngjashëm është edhe rrëfimi i  mbretit Talut me çifutët. Allahu thotë:

“Pejgamberi i tyre u tha: “All-llahu caktoi sundues tuajin Talutin”. Ata thanë: “Si mund të jetë ai sundues yni, kur ne kemi më shumë meritë se ai për sundim, madje ai edhe nuk është i pasur”? Ai tha: “All-llahu e zgjodhi atë sundues tuajin dhe e pajisi me dituri të gjerë e me fuqi trupore”! Allllahu ia jep sundimin e vet atij që do, All-llahu është dhurues i madh, i dijshëm.“ (el-Bekare, 247)

Mbreti, për të qenë i aftë që ta udhëheqë vendin dhe njerëzit, duhet t’i ketë këto cilësi – kanë thënë disa dijetarë. Nga kaptina Jusuf dijetarët kanë përfituar rregulla shumë me rëndësi, me të cilat normalizohen kushtet e jetës, dhe jo vetëm kaq, por kanë nxjerrë edhe rregulla që kanë të bëjnë me të drejtat e individit. Allahu thotë:

Ai (Jusufi) tha: “Mbillni shtatë vjet vazhdimisht, e çka keni korrur lëreni në kallinj, përveç një pakice nga e cila do të hani.“ (Jusuf, 47)

Dhe kështu Ne Jusufit i dhamë pozitë në vend (në Egjipt) zinte vend aty ku dëshironte. Ne e pajisim me të mirat tona atë që duam, e Ne nuk ua humbim shpërblimin punëmirëve.“(Jusuf, 55) [1]

5) Urtësia duhet të merret ngado që të vijë. Muslimani i ditur e di se është kërkesë dhe urdhër i Allahut dhe i të Dërguarit të Tij [alejhis salatu ves selam] hulumtimi i së vërtetës, qoftë në natyrë dhe gjithësi, qoftë në vetë njeriun dhe historinë e tij. Allahu i Madhëruar thotë:

“Edhe në tokë ka argumente për ata të bindurit. 21. Po edhe në veten tuaj. A nuk po e shihni?“ (edh-Dharijat, 20-21)

“Ne do t’ua bëjmë atyre të mundshme që t’i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t’u bëhet e qartë se ai (Kur’ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?“ (Fussilet, 53)

Kur’ani na mëson se të vërtetën mund ta thonë edhe jomuslimanët dhe se kriteri për marrjen e saj nuk është vetë folësi, por është vetë urtësia. Allahu, duke përshkruar fjalët e Belkizës dhe të gruas së sundimtarit të Egjiptit, thotë:

“Ajo tha: “O ju pari, më sugjeroni në këtë çështje timën se unë nuk do të vendosi asgjë derisa edhe ju të jepni pëlqim!”(En Neml:32) 

“Unë nuk e shfajsoj veten time, pse epshi është shumë nxitës për të keqen, përveq atë që ka mëshiruar Zoti im, se Zoti im është që fal e mëshiron shumë” ( Jusuf:53)

Të vërtetën mund ta thotë madje edhe një hipokrit. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:

Keni kujdes nga ajo që është shpikur, ngase e shpikura është humbje. Ua tërheq vërejtjen që të jeni të vëmendshëm ndaj lajthitjes së sundimtarit, ngase djalli mund ta thotë fjalën e humbjes nëpërmjet gjuhës së tij, ndërsa të vërtetën ndodh ta thotë edhe hipokriti. ” 59F60

6) Kulturë e mirëpritjes së dialogut. Kur’ani Fisnik është plot me përshkrime të dialogëve të pejgamberëve me popujt e tyre, si Ibrahimi [alejhis selam] me popullin e vet në kaptinat el-En’amë, el-Enbija dhe esh-Shuara; me babanë e vet në kaptinën Merjem; Shuajbi [alejhis selam] me popullin e vet në kaptinën Hud; Musa [alejhis selam] me faraonin etj. Pastaj, dialogu  i melaikeve me Allahun, siç thotë Allahu:

 “(Përkujto Muhammed) Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë po krijoj (po përcaktoj) në tokë një zëvendës!” Ata thanë: “A do të vësh në të atë që bën çrregullime dhe që derdh gjaqet, e ne të madhërojmë Ty me lavdërimin Tënd dhe plotësisht të adhurojmë!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini!“ (el-Bekare, 30)

“Kur babait të vet i tha: “O babai im, pse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh, e as nuk ke asgjë prej tij?“ (Merjem, 42)

“(Përkujtoni) Edhe kur Musai popullit të vet i tha: “All-llahu ju urdhëron ta therrni një lopë! Ata thanë: “A bën tallje me ne”? Ai tha: “All-llahut i mbështetem të më ruajë e të mos bëhem nga injorantët”!“ (el-Bekare, 67)

7) Kulturë e cila beson në ripërtëritje. Muhammedi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:

Në çdo kryeshekull, Allahu i dërgon këtij ummeti një ripërtëritës të fesë!

Ripërtëritja ndodh me ripërtëritjen e të kuptuarit, besuarit, vepruarit, përmbajturit parimeve të saj dhe thirrjes në to. [Pra, është një përtëritje që nënkupton kthimin në baza.] Historia islame është përplot reformatorë, si: Halifeja i drejtë Umer Ibn Abdul Azizi, Imam Shafiu, që themeloi Shkencën e Usulit, Imam Gazali që ngjalli shkencat fetare, Ibni Tejmije, Ibnul Kajjimi etj.

Ripërtëritja në fe duhet patjetër të kryhet me mjetet e saj, prej dijetarëve të saj dhe prej njerëzve që janë kompetentë , pra që kanë dije dhe njohuri e jo që njihen nga rrobat a diplomat. Edhe koha jonë ka pasur dhe ka të tillë, si: Ibni Bazi, Ibni Uthejmini, Ebul Hasen Nedeviu, Mevdudi, Sejjid Kutbi, Reshid Rida, Albani, Abdul Kadir Arnauti, Muhammed Gazali etj. Ndërsa prej atyre që janë ende gjallë, mund të përmendim dijetarë të tillë si: Dr. Jusuf el-Kardavi, Shuajb Arnauti, Selman Audeh, Aid Karni, Salah Abdul Fettah Halidi, Fehd ibn AbduRRahman Rumi, Muhammed Muhtar Shenkiti, Muhammed Ali Sabuni, AbduRrahman Sudejsi, Muhammed Arifi, Muhammed Adnan Zurzur, Muhammed Seid Ramadan Buti etj.

Prof.Dr.Hfz Hajredin Hoxha: KULTURA E MUSLIMANIT BASHKËKOHOR

Burimi : drhafezi

Rama për marrëdhëniet me Turqinë: Aset i çmuar!

“Miqësia me Turqinë në këtë kohë është një aset i çmuar”, tha kryeministri Rama teksa shpjegoi raportet e ngushta shqiptaro-turke nën qeverisjen e tij, si dhe ato me Erdogan.

Duke shpjeguar këto të fundit, ai tha gjithsesi se marrëdhënia me Erdogan është tërësisht diplomatike dhe jo personale dhe se qeveria shqiptare nuk paguan asnjë çmim për miqësinë me Turqinë.

“Marrëdhëniet e mia me presidentin Erdogan dhe liderat e tjera janë marrëdhëniet me Shqipërinë, unë nuk investohem në marrëdhënie personale”.

I pyetur për largimin e kreut të Komunitetit Musliman(me urdhër nga Ankaraja), Rama u shpreh se është një rast që nuk vendos qeveria shqiptare për faktin që ky Komunitet fetar është i bazuar në vetëorganizim dhe qeverisje. Më tej, ai sqaroi se të gjitha rastet e ekstradimit të shtetasve turq drejt atdheut të tyre janë thjesht zbatim i ligjit me përpikmëri dhe jo “urdhër” i Erdogan./tesheshi/

Gjermanët në rrugë: Po varfërohemi!

Në qytetin gjerman të Këlnit u mbajtën protesta për shkak të inflacionit të lartë, rritjes së çmimeve dhe rritjes së kostos së jetesës.

Qindra demonstrues u mblodhën në qendër të qytetit dhe thërrisnin sloganet “Mjaft më: Çmimet duhet të bien”, dhe pas fjalimit u organizua një shëtitje proteste.

Të mbledhurit kërkuan nga autoritetet ndalimin e trendit të rritjes së inflacionit dhe çmimeve të larta.

U theksua se vetëm dhjetëra mijëra njerëz në Këln po shkojnë drejt varfërisë për shkak të rritjes së çmimeve dhe se shumë nuk do të jenë në gjendje të paguajnë faturat e gazit dhe energjisë elektrike.

Demonstruesit kërkuan heqjen e rritjes së çmimit të gazit, vendosjen e një kufiri të sipërm kur bëhet fjalë për rritjen e qirave, rritje të pensioneve dhe ndihmës sociale dhe rifutjen e tarifave të transportit publik prej nëntë euro./tesheshi/

6 tipare të njerëzve të fortë mentalisht

Qetësia dhe forca mendore janë virtyte shumë të nevojshme të mbijetesës në ditët e sotme, ku kryerja e shumë detyrave është një domosdoshmëri, dhe koha e lirë është një kategori pothuajse inekzistente.

Edhe pse për shumë njerëz duket se individët lindin si njerëz të fortë dhe të qëndrueshëm mendërisht, është e rëndësishme të dihet se bëhet fjalë për ushtrime dhe përpjekje, përmes një sërë situatash të vështira, për t’i mundësuar ata të përballojnë fatkeqësitë e ndryshme të jetës.

Një person i qëndrueshëm mendor njihet me këto tipare:

1. Pranon sfidat

Për ta, një sfidë është një shans për sukses, jo një shkak për frikë. Nëse e zgjidhin me sukses situatën do të fitojnë dhe përveç suksesit do t’u rritet edhe vetëbesimi.

2. Ai fokusohet në situata që mund t’i kontrollojë

Jeta është plot me raste të papritura, por ne nuk kemi kohë për të shpenzuar në analizën e probabilitetit. Kjo është arsyeja pse njerëzit e qëndrueshëm mbështeten në gjërat që janë nën kontrollin e tyre dhe investojnë maksimumin e tyre në to.

3. Vendos kufij të qartë

Edhe kur është e vështirë, ata do të thonë jo nëse është e drejtë. Megjithëse janë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm ndaj ndjenjave dhe nevojave të të tjerëve, ata e dinë se kur duhet ta vënë veten në plan të parë.

4. Ata nuk jetojnë nga e kaluara

Ata mësuan nga e kaluara se nuk do t’i përsërisin gabimet, dhe tani ato kohë janë shumë prapa tyre dhe nuk kanë kohë të jetojnë me kujtimet, tani është koha për të shijuar momentin e dhënë!

5. Merr përgjegjësi për veprimet

Ata janë të vetëdijshëm për gabimet e tyre dhe nuk ia hudhin kurrë fajin tjetrit. Ata e dinë se gabimet janë mënyra më e mirë për të mësuar dhe për të ecur përpara drejt sfidave dhe sukseseve të reja.

6. Jini të vërtetë me veten tuaj

Ata i dinë parimet dhe vlerat e tyre morale dhe janë mjaft të guximshëm për të jetuar sipas tyre. Ata i përmbahen fort pikëpamjeve të tyre, i shqyrtojnë ato në detaje dhe heqin dorë vetëm kur shohin gabime.

studentet.mk

Idetë kryesore (pj.2) nga libri “The Prosperity Paradox”

Ndikimi i inovatorëve në zhvillimin dhe mirëqënien e vendeve të tyre

Pas Luftës së Dytë Botërore, Japonia ishte e varfër dhe në një situatë të rëndë ekonomike. Akio Morita dhe Masaru Ibuka filluan të riparonin radiot në një dyqan gjysmë të shkatërruar dhe nisën një kompani me njëzet vetë, pa asnjë mbështetje shtetërore dhe pa kërkesa të dukshme për produktet inovative që ata kishin për qëllim të krijonin. Sot kompania e tyre quhet Sony dhe vlen 49 miliardë dollarë.

Morita kishte identifikuar një mundësi dhe një xhep jo-konsumatorësh në një situatë të vështirë. Kompanitë e tjera në atë kohë ndoqën shembullin e Sony (Toyota, Toshiba, Panasonic, etj …) dhe tani Japonia është një nga fuqitë më të mëdha ekonomike në teknologji dhe inovacion në botë.

E njëjta rrugë e Sony u zbatua më pas nga Samsung, e cila ndihmoi Korenë e Jugut për të dalë nga varfëria. Kjo mëson se favorizimi i investimeve në inovacione që krijojnë tregje edhe në kushte të vështira, u siguron vendeve të varfra një rrugë të qëndrueshme drejt mirëqënies.

Nga ana tjetër, Meksika, ndërsa është një vend plot mundësi, është një magnet për risitë e efiçencës, të cilat nuk krijojnë tregje aq të mëdha sa të tërheqin komponentët e tjerë të nevojshëm për zhvillimin afatgjatë dhe të krijojnë vende pune globale, të cilat siç e kemi parë, mund të zhvendosen diku tjetër lehtë.

Ndikimi i zhvillimit dhe mirëqënies në kulturën e një vendi

Institucionet e një shoqërie pasqyrojnë vlerat e saj, nuk i krijojnë ato. Kështu që eksportimi i institucioneve efikase që funksionojnë në një vend tjetër nuk është një zgjidhje efektive. Institucionet nuk mund të imponohen, pasi ato evoluojnë me shoqërinë së cilës i përkasin.

Në përgjithësi, vendet e varfëra janë të rrënuara nga institucione të korruptuara që kufizojnë zhvillimin e tyre. Për të zgjidhur këtë problem, hapi i parë është të kuptojmë vlerat e një vendi dhe pastaj të kuptojmë se si formohet një kulturë në radhë të parë. Kultura përcaktohet si një metodë bashkëpunimi drejt qëllimeve të përbashkëta që ndiqet aq shpesh dhe prodhon rezultate aq të dukshme sa individët nuk mendojnë se po ndjekin ndonjë metodë tjetër.

Nëse formohet një kulturë, individët do të bëjnë në mënyrë të pavarur atë që është e nevojshme për të qenë të suksesshëm. Prandaj, institucionet janë rezultat i një sërë sjelljesh që janë kodifikuar si efektive. Siç u përmend më lart, risitë që krijojnë tregje prodhojnë shërbime dhe zgjidhje që janë të arritshme për një klasë të re të konsumatorëve, kjo zgjidhje e re mund të ketë një ndikim të madh në shoqëri.

Sistemi i shpërblimit dhe ndëshkimit është i rëndësishëm në një vend në zhvillim, nëse nuk ka punë që shpërblejnë individët, ata do të gjejnë metoda të tjera të nxjerrjes së fitimeve edhe nëse metoda të tilla nuk janë produktive për shoqërinë. Pra, nuk ka rëndësi se sa qëllim të mirë ka reforma institucionale, nëse nuk krijohet ose nuk lidhet me tregje që iu shërbejnë sa më shumë individëve, vështirë se do të jetë e qëndrueshme.

E thënë thjeshtë, sa më shumë novatorë të demokratizojnë zgjidhjet për masat, duke krijuar mundësi dhe potencial për rritje dhe pasuri, aq më shumë institucione mund të rriten dhe të qëndrojnë të forta. Formimi i një kulture dhe respektimi i institucioneve është një proces kumulativ, por të kuptuarit se çfarë krijon dhe mbështet institucione efekikase dhe efiçente, gjithashtu edhe arsyen që i shtyn individët drejt korrupsionit është hapi i parë drejt mirëqënies.

Shembull praktik: zhvillimi i institucioneve lokale ndihmoi Venecian të bëhej një nga kryeqytetet më të mëdha tregtare në botë. Tregtia në distanca të gjata kishte pasuruar tregtarët të cilët përdorën ndikimin e tyre të ri për të sjellë ndryshime në “udhëheqjen”, për shembull duke çuar në fund të zakonit për të cilin zyra e Doge ishte e trashëgueshme dhe në krijimin e një parlamenti në 1172 pas Krishtit.

Gjatë kësaj periudhe, lulëzoi institucioni i njohur si Colleganza, një lloj shoqërie aksionare, e cila financonte kërkime në distanca të gjata. Në këtë mënyrë, Colleganza shpërndau rrezikun e pjesëmarrjes në udhëtime të tilla tek një numër më i madh njerëzish dhe gjithashtu demokratizoi shpërblimin, pasi ai lejoi më shumë Venedikas, për të cilët ishte më parë e pamundur, të investonin në ekspedita të tilla.

Në të njëjtën mënyrë, Colleganza ndikoi në industrinë e ndërtimit të anijeve, burimet e nevojshme për ndërtimin e tyre dhe kërkesën për ekuipazhe, duke pasur kështu një ndikim të gjerë në sektorë të ndryshëm ekonomikë.

Si ta kthejmë paradoksin e mirëqënies në një proces mirëqënieje

Rruga drejt mirëqënies mund të jetë e ndryshme për vende të ndryshme dhe përfundimisht varet nga situata aktuale ekonomike, megjithatë paradoksi i mirëqënies mund të bëhet një proces drejt mirëqënies nëse mbështetet nga një angazhim i vazhdueshëm ndaj inovacionit.

Duke analizuar novatorët dhe kombet përmes lenteve të inovacioneve, kjo na lejon të shohim qartë se ndikimi më i madh i disa inovatorëve është për shkak të procesit që i ka lejuar ata të demokratizojnë një produkt/shërbim, në mënyrë që ta bëjnë atë të arritshëm për më shumë individë.

Inovacioni është procesi përmes të cilit kompania riparon vetveten dhe mund të përmblidhet në elementët e mëposhtëm:

  • Secili komb ka një potencial të brendshëm të rritjes i cili identifikohet me jo-konsumatorët
  • Produktet në treg kanë potencialin të krijojnë tregje të reja dhe rritje nëse ato bëhen më të prekshme
  • Një risi që krijon tregje është më shumë sesa thjesht një produkt/shërbim, është një sistem i tërë që ndikon në infrastrukturë dhe institucione dhe prodhon punë të reja lokale
  • Strategjitë që kanë më shumë shanse për të krijuar zhvillim dhe mirëqënie janë strategjitë Tërheqje (tërheqje) dhe jo Push (shtytje)
  • Zgjerimi në një treg jo të konsumit është relativisht i lirë.

Risitë që krijojnë tregje mund të veprojnë si katalizatorë për mundësi të reja në shumë vende të varfra dhe janë zgjidhja e paradoksit të mirëqënies.

Çfarë mund të kujtojmë nga ky libër?

Inovacionet që krijuojnë treg luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e mirëqënies së një vendi, pasi ato i bëjnë produktet e shtrenjta më të arritshme për xhepat e jo-konsumatorëve, duke promovuar progresin dhe zhvillimin.

Idetë kryesore (pj.1) nga libri “The Prosperity Paradox”

Autorët : Clayton M. Christensen, Efosa Ojomo, Karen Dillon.

A ka zbritje reale sezonale çmimesh në Kosovë ?

Në Kosovë nuk ka ndonjë ligj të posaçëm që do të rregullonte mënyrën e uljes sezonale të çmimeve. Dhe në mungesë të normativës ligjore, tregtarët kosovarë praktikisht bëjnë si të duan vetë me uljen sezonale (stinore) të çmimeve në tregtitë e tyre (butiqet, shitore të ndryshme mallrash prej më të ndryshmeve, markete dhe supermarkete lloj-llojesh).

Në shumicën e rasteve, zbritjet sezonale edhe në Kosovë kanë të bëjnë me shitoret e tregtimit të vashmbathjeve, por edhe të teknikës së bardhë dhe materialeve e mjeteve të ndryshme të punës.

Dhe, në mungesë të legjislacionit që do të rregullonte këtë çështje, siç ekziston kudo në botë, në shtetet e BE-së, por edhe në shumicën e shteteve të rajonit, tregtarët tanë, së paku deri tash, më shumë e kanë përdorur zbritjen sezonale të mallrave të tyre për të mashtruar klientelën dhe konsumatorët në përgjithësi, se sa të zbatojnë ndonjë ulje reale çmimi, të reklamuar në forma të ndryshme dhe në rastet më të shpeshta, duke potencuar në vitrinat e shitoreve përqindje në pano kolosale për gjoja uljet 20, 30, 50, e deri në 70 për qind.

Reklamim i uljeve të çmimeve, sidomos i produkteve të veshmbathjes, në sezonet e tregtimit me ulje çmimesh, ka vite që edhe në Kosovë, veç në gjuhën shqipe bëhen e dhe në anglisht, thuaja në shumicën e shitoreve tona.

Mashtrimi sezonal me çmimet në Kosovë vazhdobn të përsëriet në secilin vit, tani e gjithë kohën e pasluftës.

Tregtarët mashtrues, që janë theksueshëm të shumtë, manipulojnë me çmimet duke ua vënë aty për aty çmimet shumë më të larta se sa që i kanë pasur gjatë muajve të tërë para gjoja zbritjes sezonale, dhe pastaj cakton përqindjen e uljes së çmimit për të mbërritur sërish nivelin, ose çmimin thuaja identik që kanë pasur produktet e potencuara me zbritje deri me rastin e proklamimit të uljeve të çmimeve. Dhe ata, tregtarët e pandërgjegjshëm pra, pastaj në insistimin e ndonjë konsumatori të vëmendshëm që nuk ka harruar çmimin paraprak (gjatë muajve deri sa është proklamuar sezoni i uljes së çmimeve), ngulin këmbë duke pohuar se “kjo është ulje reale çmimi”.

Duhet theksuar se në Kosovë ka edhe ulje reale çmimesh sezonale. Por, ato ndodhin ekskluzivisht te brendet e njohura të botës që tashmë kanë hapësira dhe ambiente të veta shitjeje edhe te ne, ose mallin e tyre e plasojnë në disa shitore të kosovarëve, por që i mikëqyrin rigorozisht mënyrat e uljes së çmimeve, duke kërkuar që domosdo të tregtohen mallrat e tyre sipas çmimit të caktuar nga vet kompania .

“Zara, “Adidas”, ”Nike”, “Clark”, ”Newyorker”, “Boss”, “Mango”, “Bershka” etj, etj, janë decidiv në kërkesat e tyre drejtuar tregtarëve duke kërkuar thuaja me ultimatum për t’i zbatuar rekomandimet dhe përcaktimin e çmimit të ulur nga vetë brendi në sezonin e zbritjeve të çmimeve. Në këto raste tregtarët kosovarë janë kushtimisht ‘të dëgjueshëm’ dhe nuk kanë hapësirë për të manipuluar apo për mashtruar klientelën me çmime gjoja të ulura.

Dhe kosovarët, tashmë janë mësuar në truqet dhe farsat e tregtarëve mashtrues. Prandaj, gjithnjë e më të vëmendshëm po bëhen dhe në sezonin e tashëm veror (në botë fillon rëndom në korrik dhe zgjatë deri në fund të gushtit), që i vëren duke vizituar  shitore të shumta deri sa të vendosin për të blerë ndonjë produkt.

Më të vëmendshëm, gjithsesi janë bërë edhe mërgata jonë, që në këta muaj të verës kanë ardhur dhe vazhdojnë të vijnë masovikisht në vendlidje dhe që realisht janë konsumatorët më të shumtë, por edhe që shpenzojnë shumë para për t’u fuurnizuar, sidomos me veshmbathje, në sezonin veror të uljes së çmimeve.

“Nuk di çka të them. Nuk e kam tërësisht të qartë se a është reale zbritja e reklamuar, por për mua janë goxha tërheqëse dhe joshëse shifrat 30, 40, e 50 për qind ulje çmimesh. Dhe unë rëndom blej sa herë të vijë në kosovë. Kam përshtypjen se janë paksa më lirë se në vendin ku unë punoj dhe jetoj përkohësisht”, shprehet një mërgimtar në hollin e qendrës tregtare  “Albi Mall” në Veternik.

Në anën tjetër, edhe pronari Iinjë butiku, që do të mbetet anonim, po në këtë qendër të stërmadhe tregtare, ngul këmbë se tashmë, e sidomos në vitet e fundit edhe në Kosovë, ndodhë ulje reale çmimesh në sezon të uljes së çmimeve, siç është tani ky verori. Por sipas tij, këtë ulje e kushtëzon në radhë të parë konkurrenca e madhe dhe mundësia për të zgjedhur dhe për të seleksionuar konsumatori.

“Pavarsisht mosbesimit evident tashmë të krijuar me vite në Kosovë se shifrat e ekspozuara në xhamat e shitoreve për ulje çmimesh janë ireale dhe vetëm truk mashtrues, ka zbritje tamam në përputhje më përqindjet e reklamuara”, thotë pronari i butikut në “Albi mall”.

Sidoqoftë, tashmë në vende të ndryshme të botës, sidomos në  shtetet e BE-së, por edhe të rajonit, kaherë me ligj rregullohet procedura e zbritjeve sezonale të të gjitha mallrave në treg. Në Kroaci, bie fjala, zbritja e sivjetshme sezonale verore, sipas Insektoratit Shtetëror të këtij vendi, do të bëhet edhe kësaj vere (korrik-gusht) ekskluzivisht në bazë të Ligjit të ri për mbrojtjen e konsumatorëve, të miratuar në fillim të këtij viti, dhe që ka hyrë në fuqi në fund të muajit maj dhe sipas të cilit do të bëhet tregtimi i veçantë i mallrave me ulje çmimi.

Në këtë mënyrë, me rastin e aplikimit të formave e mënyrave të veçanta të tregtimit të mallrave (në këtë rast me ulje sezonale  çmimesh), tregtari është i detyruar që gjatë kohës së tregtimit me ulje çmimesh, ta potencojë çmimin e zbritur të cilin e ka paralajmëruar nëpërmjet reklamimit si çmim të ulur gjatë tërë kohës sa do të zgjasë ulja sezonale e çmimeve, por edhe duhet ta potencojë edhe çmimin më të ulët që e ka aplikuar në këtë mall, në periudhën 30 ditore para se të fillojë ulja sezonale.

Procedurë të njëjtë, tregtari është i obliguar të aplikojë edhe për të gjitha lirimet e produkteve që ai tregton, edhe jashtë sezonit të zbritjeve të çmimit, theksojnë në Inspektoratin Shtetëror të Kroacisë.

Në këtë shtet në pajtim me rregulloren për kushtet dhe mënyrën e zbatimit të zbritjeve sezonale, sezoni veror i uljes së çmimeve fillon me 1 korrik dhe zgjatë 60 ditë nga kjo datë.

Po kështu, nga Inspektorati Shtetëror i këtij vendi theksohet se në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, në mallin apo produktin me çmim të ulur, dhe as në vendin e shitjes së këtij malli, përveç çmimit të ulur dhe çmimit më të ulët në 30 ditët e fundit para fillimit të sezonit të uljes së çmimeve, nuk guxon të vihet e as të potencohet ndonjë çmim tjetër.

Dhe, krejt në fund, nëse gjatë kontrollit eventual vërtetohet se me produktet që kanë të potencuara uljen e çmimeve, ose ndonjë formë tjetër të veçantë të tregtimit, tregtari ka mashtruar konsumatorët me çmimin e proklamuar, apo më mënyrën e llogaritjes së uljes së këtij çmimi, në këto raste vlerësohet se bëhet fjalë për praktikë të pandershme afariste, përkatësisht me praktikë mashtruese afariste të tregtarit, dhe domosdo vlerësohet si veprim i paligjshëm, për çka pasojnë sanksionet e domosdoshme.

Përafërsisht ligje me përmbajtje pak a shumë identike ka edhe Sllovenia dhe thuaja të gjitha shtetet e BE-së. Dhe ligjet e mira, që ndikojnë në përmirësimin e sjelljeve dhe shprehive jo edhe aq të pranueshme të një strukture të tërë njerëzish, siç janë tregtarët, ata të pandershmit dhe mashtruesit, duhet pasur një orë e më parë edhe Kosova.

Kosovarët, nuk janë as më të mirë, por as më të këqinjë se popujtë e tjerë në Ballkan dhe në Europë. Ata kanë pasur nevojë që këtë lami dhe këtë sektor ta rregullojnë dhe ta vënë në binarë me ligje përkatëse, prandaj kemi nevojë edhe ne t’i kemi këto ligje. Ndryshe, edhe gjatë sezoneve të uljes së çmimeve, qoftë dimërore, qoftë verore, do të ketë mashtrime dhe mashtrues, siç pati në jo pak raste deri më tash./buletiniekonomik

“Mount of Tirana” mbi një pronë të Komunitetit Musliman?

Kulla e re në qendër të Tiranës, e quajtur “Mount of Tirana”, prezantuar një ditë më parë nga kryebashkiaku Veliaj, do lartohet mbi një pronë të Komunitetit Musliman.

Siç mund të shihet dhe në market, ajo është e vendosur aty ku dikur ishte Disco Albania, në cepin e lulishtes ku dikur ishte gropa famëkeqe e Hajdin Sejdisë. Aty, në vitin 2011 u planifikua të ndërtohet Xhamia e Re(ose e Madhe) e Tiranës, pas një konkursi ndërkombëtar me 100 studio ndër më të prestigjozet në botë, organizuar nga Rama, atë kohë kryebashkiak.

Projekti u fitua nga studio daneze BIG, por që nuk u realizua, pas PD atëherë në pushtet e pamundësoi për arsye të qarta politike, duke e zhvendosur ndërtimin e xhamisë, sipas një modeli osman të diktuar nga KMSH-ja e kohës me kryetar të ndjerin Selim Muça. Tashmë pritet inaugurimi pikërisht i ksaj xhamie, ndryshe, e Namazgjasë, pasi është ndërtuar pikërisht në vendin ku dikur ishte namazgjaja, një vendfalje në natyre e dedikuar për dy Bajramet.

Por le t’i kthehemi asaj çfarë do thoshte Rama për truallin ku ndërtohej xhamia e re, ajo nga studio daneze. Sa i përket çështjes së truallit, ai do thoshtë se afro 7500 metra katror ishin në pronësi të Komunitetit Musliman aty. Do duhet dhe 5000 metra katrorë të tjerë për të plotësuar të gjithë hapësirën e nevojshme për xhaminë e madhe. Për këto 5000 metra, Rama tha se ato mund të siguroheshin me kompensim, pasi KMSH zotëronte shumë prona në Tiranë, gati kudo.

Tani, aty ku do qe xhamia e projektuar, pra mbi një pronë muslimane, do jetë një kullë e lartë. Nuk dihet se ç’status aktual ka ajo pronë tashmë, por thjesht po sillet në kujtesë pohimi i Ramës mbi atë pronësinë e atij trualli ku do lartohet “Mount of Tirana”./tesheshi.com/ 

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
clear sky
27.5 ° C
27.5 °
27.5 °
47 %
2.1kmh
0 %
Mon
27 °
Tue
38 °
Wed
39 °
Thu
37 °
Fri
37 °