Ballina Blog Faqe 126

Edhe një recesion global mund të mos e ulë inflacionin

Ekonomia botërore po ngadalësohet në mënyrë të rrezikshme, shkruan The Economist

Investitorët janë gëzuar nga lajmi i ri. Që nga fillimi i tetorit, aksionet europiane janë rritur dhe optimistët kanë deklaruar se fundi i krizës energjetike në kontinent, është në horizont.

Aksionet kineze janë rritur pas diskutimeve se Xi Jinping do ta braktisë politikën “zero-covid” dhe ndërsa rregullatorët kanë liruar kufizimet në sektorin e pronave.

Më 10 nëntor, pas lajmit se inflacioni i çmimeve të konsumit në Amerikë, kishte rënë pak më poshtë pritshmërive të ekonomistëve, indeksi NASDAQ u rrit me 7%, një nga lëvizjet më të mëdha të përditshme, pasi investitorët përfshinë në parashikime norma interesi më të ulëta.

Por po ta analizojmë gjendjen më në thellësi, perspektiva është përkeqësuar javët e fundit. Ekonomia globale po ngadalësohet, ndoshta mund të hyjë në një recesion, pasi bankat qendrore po rrisin normat e interesit për të luftuar rritjen e çmimeve (shih grafikun 1).

Edhe pse të dhënat për Amerikën ishin më të mira se sa pritej në një muaj të vetëm, ka pak prova që tregojnë se problemi i inflacionit është mposhtur (shih grafikun 2).

Në të vërtetë, në pjesën më të madhe të botës, ky problem po zgjerohet.

Gjatë këtij viti, njerëzit janë shqetësuar për një rënie ekonomike. Në qershor, kërkimet në Google për fjalën “recesion”, arritën një nivel rekord. Megjithatë, për një kohë të gjatë, këto mbetën thjesht parashikime.

Prodhimi në shtetet e pasura u rrit mesatarisht me rreth 1.3% nga fundi i vitit 2021 deri në tremujorin e tretë të këtij viti, një shifër jo e lartë, por as e keqe. Këtë vit, deri në shtator, shkalla mesatare e papunësisë në OECD, një klub i vendeve kryesisht të pasura, që përbëjnë rreth 60% të PBB-së globale, ra me afërsisht një pikë përqindje.

Papunësia në Eurozonë ka arritur nivelin më të ulët historik. Shpenzimet e konsumatorëve ishin të forta, me hotele, aeroplanë dhe restorante të mbushura në mbarë botën.

Tani, realiteti është përputhur me parashikimet. Kostot më të larta të huamarrjes kanë filluar të bien. Në shumë vende, përfshirë Kanadanë dhe Zelandën e Re, çmimet e shtëpive po bien pasi blerësit përballen me hipoteka të shtrenjta.

Ndërtuesit e shtëpive po anulojnë projektet dhe pronarët e shtëpive po ndihen më pak optimistë. Edhe kompani të tjera po frenojnë shpenzimet. Në raportin e fundit të politikës monetare, studiuesit e Bankës së Anglisë vunë në dukje se financat më të kushtueshme po “peshojnë mbi synimet e investimit”.

Në një mbledhje të fundit të Rezervës Federale, u vërejt se investimet fikse nga bizneset “tashmë kanë filluar t’i përgjigjen shtrëngimit të kushteve financiare”.

Përkeqësimi i kushteve ekonomike ka filluar të reflektohet në të dhënat “në kohë reale”. Banka Goldman Sachs publikon një “tregues të aktivitetit aktual”, një matës mujor i fuqisë ekonomike.

Muajin e kaluar, për herë të parë që nga karantinat e Covid-19 në vitin 2020, ekonomitë e pasura të botës dukej se po tkurreshin (shih grafikun 3). Po kështu, një sondazh global i menaxherëve të blerjeve, tregon një tkurrje për herë të parë që nga qershori 2020. Që nga korriku, një tregues i rritjes vjetore të PBB-së globale, nga banka JPMorgan Chase, ka rënë duke u përgjysmuar.

Optimistët tregojnë me gisht tregjet e forta të punës. Norma e furishme e rritjes së vendeve të punës në Amerikë është ngadalësuar, por ende po vazhdon, duke shtuar më shumë se 250,000 vende pune në tetor.

Megjithatë, gjetiu po duken shenja dobësie. Ekonomistja Claudia Sahm ka thënë se mund të vihet re që një recesion po afron, atëherë kur mesatarja e shkallës së papunësisë në tre muajt e fundit, rritet me të paktën 0.5 pikë përqindje në krahasim me nivelin më të ulët gjatë vitit të kaluar. Tetë nga 31 shtete të pasura e përmbushin aktualisht këtë kriter, duke përfshirë Danimarkën dhe Holandën.

Kjo nuk është një përqindje e lartë krahasuar me fillimin e krizës financiare globale të viteve 2007-‘09. Ama, ajo sinjalizon se është duke ndodhur tashmë një ngadalësim serioz.

“Rregulli Sahm” zbulon një tjetër të vërtetë të rëndësishme: se shtete të ndryshme po lëvizin me shpejtësi shumë të ndryshme. Përveç Amerikës, një sërë shtetesh, përfshirë Australinë dhe Spanjën, vazhdojnë të kenë nivele të mira të rritjes ekonomike.

Megjithatë, të tjerët janë në telashe. Suedia, ku normat e larta të interesit po dëmtojnë tregun e banesave, po humbet vrullin ekonomik me shpejtësi. Britania është në prag të recesionit. Në Gjermani, çmimet e larta të energjisë po detyrojnë mbylljen e disa industrive. Ajo mund të jetë në gjendjen më të keqe ekonomike nga gjithë shtetet e pasura.

Sa e rëndë do të jetë rënia ekonomike?

Familjet në vendet e pasura zotërojnë ende disa triliona dollarë “kursime të tepërta”, të cilat i grumbulluan në periudhën 2020-2021 nga ndihmat e pandemisë dhe mbështetje të tjera fiskale.

Këto para do t’i mundësojnë që të vazhdojnë të shpenzojnë, edhe gjatë rënies së të ardhurave reale. Një studim i ri nga banka Goldman Sachs, zbulon se tepricat e mëdha të kursimeve në sektorin privat, shoqërohen me recesione më pak të rënda.

Dhe kursimet e shëndetshme bëjnë që dhimbja ekonomike të ketë më pak gjasa të kthehet në shqetësim financiar. Normat e delikuencës së hipotekave janë në rënie në Amerikë dhe janë jashtëzakonisht të ulëta në Zelandën e Re dhe Kanada.

Lufta për uljen e inflacionit

Tregjet e punës po dobësohen, por një rritje e papunësisë si ajo pas krizës financiare, nuk ka gjasa të ndodhë. Kjo për shkak se kërkesa për punë nuk është përputhur me ofertën.

Në fillim të këtij viti, numri i vendeve të lira të punës në të gjithë OECD-në, arriti kulmin në 30 milionë, sipas llogaritjeve tona. Tani, me rënien e kërkesës, ka rënë numri i vendeve të lira të punës dhe jo niveli i punësimit. Vlerësojmë se numri i vendeve të lira ka rënë me një të dhjetën.

Përparimi i inflacionit është një faktor shumë i rëndësishëm. Bankat qendrore janë të gatshme të imponojnë një recesion për ta ulur atë. Normat më të larta mund të sjellin “disa zbutje të kushteve të tregut të punës”, siç vuri në dukje Jerome Powell, kryetari i Rezervës Federale në fillim të këtij muaji.

“Ne mendojmë se rritja e normave do të ulë kërkesën dhe nuk do të pretendojmë se kjo nuk do të shoqërohet me dhimbje ekonomike”, paralajmëron Philip Lane, kryeekonomisti i Bankës Qendrore Europiane.

Si teoria ekonomike, ashtu edhe të dhënat e shtatë dekadave të fundit, tregojnë se rënia e PBB-së shoqërohet me një rënie të madhe të shpejtësisë së rritjes së çmimeve.

Por vonesat midis politikës monetare më të shtrënguar dhe inflacionit më të ulët, nuk janë kuptuar ende mirë. Bankat qendrore mbase duhet të shkaktojnë më shumë dhimbje ekonomike se sa kanë parashikuar.

Në disa vende, çmimet më të ulëta të energjisë dhe ushqimeve po ndihmojnë në uljen e normës totale të inflacionit. Shifrat e fundit në Amerikë për muajin tetor, ishin më të mira nga sa prisnin ekonomistët.

Megjithatë, në përgjithësi, çmimet nuk po shkojnë në drejtimin që do të donin bankat qendrore. Në vendet e pasura, “surprizat” e inflacionit, pra kur të dhënat e raportuara janë më të larta se parashikimi, janë ende ndodhi të zakonshme (shih grafikun 4).

Sipas shifrave të publikuara më 16 nëntor, inflacioni në Britani ishte 11.1% në tetor, shumë më tepër mbi pritshmëritë e ekonomistëve. Në të njëjtën ditë, të dhënat kanadeze nuk treguan asnjë shenjë të rënies së inflacionit.

Pothuajse kudo, inflacioni “bazë”, i cili pasqyron më mirë presionin themelor të çmimeve, po rritet. Në tre dimensionet – gjerësi, paga dhe pritshmëri – inflacioni në shtetet e pasura, po rritet, nuk po ulet.

Fillojmë me dimensionin e gjerësisë. Kur nisi rritja e inflacionit vitin e kaluar, në shumicën e vendeve, kjo rritje ndodhi vetëm për një numër të vogël mallrash dhe shërbimesh. Në Amerikë ishin makinat e përdorura.

Në Japoni ishte ushqimi. Në Europë ishte energjia. Kjo gabimisht i qetësoi ekspertët, shumë prej të cilëve hamendësuan se sapo çmimet e këtyre pak komponentëve të ndalonin së rrituri, inflacioni i përgjithshëm do të shuhej.

Në fakt, virusi i inflacionit është përhapur. The Economist analizoi shportat e konsumit të 36 shteteve kryesisht të pasura. Në qershor, 60% e çmimeve në shportën mesatare, u rritën me më shumë se 4% në bazë vjetore.

Tani, shifra është 67%. Edhe në Japoninë me inflacion të ulët, çmimet e një së tretës së shportës, po rriten me më shumë se 4%. Kjo rritje ka ndodhur pjesërisht për shkak të dollarit jashtëzakonisht të fortë, i cili rrit inflacionin, duke i bërë importet më të shtrenjta. Por lidhet më shumë me atë që po ndodh në ekonomitë e brendshme.

Këtu hyn në lojë dimensioni i dytë – pagat. Paga është një udhëzues për rrugën e ardhshme të inflacionit: kur kostot e punës së kompanive rriten, ato priren t’i kalojnë këto kosto te klientët, në formën e çmimeve më të larta. Optimistët e inflacionit vënë në dukje të dhënat nga Amerika, ku ka disa shenja të ngadalësimit të rritjes së pagave. Rritja e pagave në Britani gjithashtu duket se ka arritur tashmë kulmin.

Megjithatë, gjetiu nuk ka shenja të tilla. Një studim i ri nga Indeed, një faqe interneti për vende pune, dhe nga Reamonn Lydon në Bankën Qendrore të Irlandës, tregon se paga nominale në Eurozonë, po rritet me më shumë se 5% në bazë vjetore dhe është ende duke u përshpejtuar. Inflacioni i pagave në Francë “pritet të rritet”, vlerëson banka JPMorgan.

Në Gjermani, IG Metall, sindikatë e madhe për punëtorët e metaleve dhe inxhinierisë, po kërkon rritje pagash deri në 8%. Në Zelandën e Re, Norvegji dhe Suedi, rritja e pagave po vazhdon. Kjo nuk duhet të ndodhë në një kohë kur perspektiva ekonomike është e tmerrshme.

Dimensioni i tretë janë pritshmëritë. Firma e konsulencës Alternative Macro Signals, ka ndërtuar një “indeks të presionit të inflacionit të lajmeve”. Indeksi, i cili ka rezultuar se është një parashikues i mirë i shifrave zyrtare, është ende i lartë.

Dëshmi të ngjashme vijnë nga të dhënat e kërkimit në Google, të cilat tregojnë se interesi global për inflacionin nuk ka qenë kurrë kaq i lartë.

Masat e pritshmërive të bazuara në sondazhe, nuk tregojnë asnjë shenjë të dobësimit të inflacionit. Kompania e të dhënave Cleveland Fed Morning Consult dhe Raphael Schoenle nga Universiteti Brandeis, vlerësojnë pritshmëritë e publikut për inflacionin në vende të ndryshme të pasura.

Sipas sondazhit për muajin tetor, publiku mendon se çmimet do të rriten me 5% gjatë vitit të ardhshëm, ashtu siç ka ndodhur në muajt e mëparshëm (shih grafikun 5).

Pritshmëritë për inflacionin e kompanive janë po aq shqetësuese. Një sondazh nga Cleveland Fed, bazuar në studimet e ekonomistëve Bernardo Candia, Olivier Coibion dhe Yuriy Gorodnichenko, zbulon se firmat amerikane aktualisht parashikojnë inflacion prej 7% gjatë vitit të ardhshëm, niveli më i lartë që nga fillimi i sondazhit në vitin 2018.

Injorancë e dhimbshme

Të gjithë mund të pajtohen për diçka në lidhje me vitin e kaluar. Ai ka treguar se sa keq e kuptojnë ekonomistët inflacionin, duke përfshirë shkakun e tij dhe çfarë e bën atë të vazhdojë.

Prandaj, ka të ngjarë që ekonomistët të kenë vështirësi të parashikojnë se kur do të ftohet inflacioni. Optimistët shpresojnë se çmimet do t’i befasojnë edhe një herë njerëzit dhe se ndoshta, rritja e tyre do të ngadalësohet më shpejt nga sa pritej.

Por duket më e mundshme që inflacioni të jetë kokëfortë, edhe kur ekonomia të ngadalësohet. Kjo do t’i lërë politikëbërësit përballë një zgjedhjeje të zymtë: të shtrëngojnë ekonominë gjithnjë e më shumë, ose t’i lënë çmimet të rriten./monitor/

“Fituesit” ekonomik të vitit 2022, sipas The Economist

Në planin financiar, viti i kaluar ishte i keq për pothuajse të gjitha vendet. Inflacioni prej 10% në vendet e pasura të botës ka ulur në mënyrë drastike të ardhurat e familjeve. Investitorët pësuan humbje pasi tregjet globale të aksioneve ranë me 15%.

Por, edhe në këtë performancë të dobët të përgjithshme, ka dallime të mëdha: disa vende kanë arritur t’ia dalin mjaft mirë.

Për të vlerësuar këto diferenca, The Economist ka përpiluar të dhëna për pesë tregues ekonomikë dhe financiarë – PBB, inflacioni, përhapja e inflacionit, performanca e tregut të aksioneve dhe borxhi publik – për 34 vende kryesisht të pasura. Secila ekonomi u rendit bazuar te performanca e saj në secilin prej këtyre indikatorëve.

Për herë të parë në shumë kohë, “festa” ekonomike po zhvillohet në Mesdhe. Greqia është në krye të listës së përpiluar nga The Economist. Vende të tjera që hynë në recesion në fillim të viteve 2010, të tilla si Portugalia dhe Spanja, kanë rezultuar gjithashtu që të kenë një performancë mjaft të mirë ekonomike. Por, këto vende nuk ishin surprizat e vetme. Pavarësisht kaosit politik, Izraeli gjithashtu u rendit mjaft mirë. Ndërkohë, Gjermania pati një performancë të dobët, pavarësisht stabilitetit politik. Në fund janë dy vendet baltike, Estonia dhe Letonia, të cilat u vlerësuan për reformat e shpejta në vitet 2010.

Treguesi i parë i përdorur ishte GDP, zakonisht matësi më i mirë i shëndetit ekonomik të një vendi. Norvegjia, e ndihmuar nga çmimet e larta të naftës, dhe Turqia, për shkak të anulimit të sanksioneve nga tregtia me Rusinë, kanë rezultuar më mirë se shumica e vendeve. Një rol të rëndësishëm këtu luajnë edhe pasojat e Covid-19. Si rrjedhojë e izolimeve shumë të rrepta dhe kolapsit të turizmit të brendshëm, pjesa më e madhe e Europës Jugore ishte në gjendje të vështirë një vit më parë. Por, rajoni pati një vit të mirë përgjatë 2022.

Irlanda ka pasur gjithashtu një vit të mirë, megjithëse jo aq të mirë sa ç’mund të shihet nga PBB-ja. Nga ana tjetër, shifrat e PBB-së në Amerikë janë më të dobëta se performanca ekonomike, pasi statisticienët e kanë të vështirë të llogarisin ndikimin e paketave të mëdha stimuluese.

Masa e dytë e përdorur është ndryshimi i niveleve të çmimeve që nga fundi i vitit 2021. Në ndryshim nga shumica e botës, disa vende kanë pasur inflacion mjaft të ulët. Në Zvicër, çmimet e konsumit u rritën me vetëm 3%. Banka qendrore, e mbështetur nga monedha e fortë, reagoi shpejt ndaj rritjes së çmimeve në fillim të këtij viti. Vendet me burime energjie që nuk janë të lidhura me Rusinë – të tilla si Spanja, e cila e merr gazin nga Algjeria – gjithashtu kanë performuar shumë mirë. Nga ana tjetër, vendet që varen nga Vladimir Putin kanë kaluar një situatë të vështirë. Në Letoni, çmimet mesatare të konsumit janë rritur me 20% këtë vit.

Masa e tretë lidhet me inflacionin. Ajo llogarit përqindjen e artikujve në shportën e inflacionit të çdo vendi, të cilat kanë pasur një rritje të çmimeve më të lartë se 2% gjatë vitit të kaluar. Kjo shërben si një tregues për të kuptuar se sa thellë në ekonomi ka depërtuar inflacioni – dhe për këtë arsye mund të jetë një indikator se sa shpejt do të bjerë inflacioni në vitin 2023. Disa vende me inflacion total të lartë ishin në gjendje të kufizonin përhapjen e tij. Në Itali, për shembull, çmimet e konsumit janë rritur me 11% këtë vit, por vetëm dy të tretat e mallrave të shportës së inflacionit kanë pasur një inflacion mbi objektivin. Inflacioni në Japoni gjithashtu duket se do të lehtësohet së shpejti. Britania nga ana tjetër është në telashe më të mëdha, pasi çmimi i çdo kategorie në shportën e saj po rritet me shpejtësi.

Mirëqenia ekonomike e njerëzve nuk varet vetëm nga çmimet në dyqane, por edhe nga portofoli i tyre i aksioneve. Ky ka qenë një vit i tmerrshëm për këto lloj investimesh në disa vende. Çmimet e aksioneve në Gjermani dhe në Korenë e Jugut kanë rënë me gati 20% këtë vit, dy herë më shumë sesa në Amerikë. Aksionet suedeze kanë performuar edhe më keq. E megjithatë, ka disa vende që kanë rezultuar më të qëndrueshme në këtë aspekt. Tregu i aksioneve të Norvegjisë është rritur krahasuar me vitin e kaluar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Britaninë, për shkak të numrit të madh të bizneseve që priren të performojnë më mirë në kohë të vështira ekonomike.

Masa e fundit ka të bëjë me ndryshimin e borxhit neto të qeverisë ndaj PBB-së. Në planin afatshkurtër, qeveritë mund të mbulojnë vështirësitë ekonomike duke rritur shpenzimet ose duke reduktuar taksat. Megjithatë, kjo mund të sjellë shtimin e borxhit dhe, si rrjedhojë, nevojën për të shtrënguar politikat fiskale në të ardhmen. Disa qeveri kanë investuar shumë për të përballuar presionin ndaj kostos së jetesës.

Gjermania ka shpërndarë fonde që arrijnë në total sa 7% e PBB-së, për të ndihmuar me faturat e energjisë, gjë që do të thotë se raporti i borxhit ndaj PBB-së për këtë vend është rritur. Nga ana tjetër, disa vende të tjera janë treguar më të përmbajtura me shpenzimet fiskale dhe kanë synuar të vënë në kontroll buxhetin e tyre. Borxhi publik në vendet e Europës Jugore duket se është në rënie./theEconomist/

Trusti posedon rreth 113 milionë euro të lira, si do të shpërndahen ato ?!

Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës i ka grumbulluar deri më tani rreth 2.23 miliardë euro nga kontributet pensionale, ku shumicën prej tyre i ka investuar jashtë vendit.

Sipas buletinit tre mujor (korrik, gusht, shtator 2022) të Trustit, mbi 1.55 miliardë euro nga kontributet pensionale janë të investuara jashtë Kosovës, përderisa rreth 650 milionë euro janë të investuara në Kosovë. Në anën tjetër, shuma e mjeteve të painvestuara (që mbahen në BQK) ka arritur në rreth 113 milionë euro, raporton Front Online.

Numri i përgjithshëm i llogarive aktive në Trust në fund të shtatorit ka qene 405 mijë, përderisa mbi 60 milionë euro i ka grumbulluar ky institucion vetëm gjatë periudhës korrik-shtator 2022.

Ndërsa rreth 14.5 milionë euro janë tërhequr nga Trustit gjatë periudhës korrik-shtator 2022 nga qytetarët që janë pensionuar, ku numri i përgjithshëm i këtyre të fundit për tre muaj ka qenë 1577.

Përndryshe, deputetët e Kuvendit pritet të votojnë së shpejti për tërheqjen e deri 30% të kontributeve pensionale nga qytetarët, pas një peticioni prej 17 mijë nënshkrime të qytetarëve.

Kundër kësaj iniciative janë deputetët e VV-së, përderisa opozita është që t’i lejohet qytetarëve të Kosovë të tërhiqet një përqindje e caktuar e mjeteve nga Trusti, sidomos pas ngritjes së madhe të çmimeve në vend, ku, sipas Bankës Qendrore të Kosovës, inflacioni mesatar sivjet ka qenë 11.2%./FO/

Ulet ndjeshëm çmimi i rrymës në tregun ndërkombëtar, Kosova më e relaksuar

Sot gjatë ditës, një megavat-orë energji elektrike në tregun ndërkombëtar të energjisë elektrike (HUPXX), ka kushtuar (çmimi bazik) saktësisht 184,67 euro, ndërsa në orët e pikut, kur konsumi shtohet goxha shumë në të gjitha vendet dhe njëherësh edhe kërkesat për import janë dukshëm të rritura, çmimi ka qenë 216,25 euro. Çmimi i sotshëm (e premte, 23 dhjetor) është më i ulët se ai i djeshmi dhe i pardjeshmi, ndërsa paraljamërohet të vazhdojnë uljet e çmimit edhe ditëve në vazhdim.

Zhvillime interesante po ndodhin në botë në sektorin e energjisë, e veçmas në atë të energjisë elektrike. Më e rëndësishmja, ndër botën elektroenergjetike në botë, është ulja e ndjeshme e çmimeve të energjisë elektrike këtyre ditë të ftohta të dimrit. Dhe çmimet e ulura, që po bëhen goxha të favorshme dhe të pranueshme edhe për shtetet pa resurse energjetike vetanake, dhe përgjithësisht për shtetet e varfëra, ku përfshihet edhe Kosova, kanë ndikuar shumë që edhe këto vende të kenë më shumë rrymë, më shumë stabilitet në furnizimin e konsumit vetanak dhe të kenë mundësi më të mëdha për të blerë energji elektrike.

Ka disa ditë që në tregun ndërkombëtar po shënohen ulje të çmimeve të energjisë elektrike. Më konkretisht, sot një megavat-orë energji elektrike në këtë treg gjatë ditës, ka kushtuar (çmimi bazik) saktësisht 184,67 euro, ndërsa në orët e pikut, kur konsumi shtohet goxha shumë në të gjitha vendet dhe njëherësh edhe kërkesat për import janë dukshëm të rritura, çmimi sot ka qenë 216,25 euro. Duhet theksuar se çmimi i sotshëm në tregun ndërkombëtar të energjisë elektrike (e premte, 23 dhjetor) është më i ulët se ai i djeshmi dhe ai i pardjeshmi.

Dje, me 22 dhjetor, çmimi gjatë ditës i një megavat-ore ka qenë 206,01 euro, ndërsa gjatë pikut 236,36 euro, ndërsa pardje një megavat-orë e energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare ka kushtuar 22,53 euro, ndërsa në orët e pikut 264,54 euro. Kjo është ulje evidente dhe me ndikim pozitiv në buxhetet e varfëra të shteteve që kanë mungesa të energjisë elektrike po të krahasohej çmimi që ka ekzistuar në fillim të këtij muaji, që tejkalonte 400 euro për një megavat-orë, ndërsa as që mund të krahasohet me çmimin e rrymës që ishte stratosferik në muajin e njëjtë vitit të kaluar.

Tani, me këto çmime në tregjet ndërkombëtare, edhe Kosova po ndihet më e relaksuar dhe e lehtësuar në njëfarë mënyre, për shkak se edhe në rastet eventuale kur kërkesat e konsumit tejkalojnë prodhimin vendor dhe sasinë që po merret nga Shqipëria si kthim borxhi, nuk e ka të pamundshme për të importuar rrymën e munguar. Por, në gjendjen relativisht stabile elektroenergjetike të Kosovës (hë për hë nuk ka fare reduktime, pos në rastet e punimeve në rrjet) po ndikon, gjithsesi, edhe prodhimi i stabilizuar në termocentralet që janë operative të KEK-ut.

Termocentralet në prodhim të KEK-ut (B1 dhe B2 të Kosovës B dhe A3 e A4 të Kosova A) po vazhdojnë të funskionojnë mire, dhe në këto ditë të ftohta po dëshmohen me gatishmërinë teknike të turbinave dhe të kalldajave, përkundër vjetërsisë së tyre të madhe dhe amortizimit nga puna e pandërprerë për dekada me radhë. Në saje të këtij stabiliteti të prodhimit në impiantet e KEK-ut dhe të kthimit të një sasie goxha të madhe të rrymës nga Shqipëria (dje nga KESH-i janë marrë diku rreth 882 megavatë-orë), gjatë këtyre ditëve, edhe përkundër temperaturave që kanë rënë më në fund edhe nën zero, siç po shihet dhe po raportohet, janë evituar, së paku deri tash, reduktimet, që vitin e kaluar në këtë kohë thuaja se ishin bërë të përditshme.

Skënder Bucolli, zëdhënës i Korporatës Energjetike të Kosovës, i ka thënë sot Buletinit Ekonomik se aktualisht në prodhim gjenden katër termocentrale të vendit (blloqet B1 dhe B2 të Kosovës B dhe A3 e A4 të Kosovës A), të cilat prodhojnë diku rreth 760-780 megavatë-orë energji elektrike së bashku. Kësaj sasie të energjisë elektrike të prodhuar nga TC-të, duhet shtuar plus një sasi simbolike, diku rreth 50-60 megavatë-orë, herë-herë edhe më shumë, të energjisë së rinovueshme që prodhohet në vend nga hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës.

Në raste, ose kur në zonat ku janë të instaluara impiantet e prodhimit të energjisë me erë (në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës), frynë më shumë erë, shtohen më shumë megavatët e prodhimit nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme. Është trimëruese se trendi i uljes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare po paralajmërohet të vazhdojë edhe ditët në vazhdim. Për nesër parashihet që një megavat-orë gjatë ditës të tregtohet me 113 euro, ndërsa gjatë pikut me 148 euro./buletiniekonomik/

Rezervat e Bankës Qendrore Turke në nëntor rriten në 122.4 miliard dollarë

Rezerat e Bankës Qendrore Turke muajin e kaluar arritën në 122.4 miliardë dollarë, duke u rritur me 7,8 për qind në baza mujore.

Banka njoftoi se rezervat e saj në valutë të huaj në muajin nëntor u rritën për 7,2 për qind duke arritur në 72 miliardë dollarë në baza mujore.

Gjatë së njëjtës periudhë gjithashtu edhe rezervat e arit shënuan rritje me 10,1 për qind duke arritur në 43 miliardë dollarë.

Në muajin nëntor të vitit 2021, rezervat zyrtare ishin 125.58 miliardë dollarë./anadoluagency/

Si shfaqet stresi kronik i punës dhe si të përpiqeni ta menaxhoni atë

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, stresi kronik i punës, shkakton një sërë pasojash dhe lidhet me kushte të veçanta dhe të zgjatura në vendin e punës që nuk mund të ndryshohen lehtë. Do të ishte pikërisht kjo gjendje për të shkaktuar këtë lloj stresi.

Ndër simptomat e para të stresit kronik të punës është ndjenja e humbjes së energjive fizike dhe mendore, siç deklaruan Gordon Parker dhe Gabriela Tavella nga Shkolla e Psikiatrisë në Universitetin e Uellsit të Ri Jugor të Sidneit. Kjo gjendje shpesh shkakton edhe pagjumësi dhe ndryshime në vlera që mund të rrezikojnë shëndetin tuaj.

Sipas një studimi të kryer nga Departamenti i Psikiatrisë i Universitetit të Albertës, në Kanada, punëtorët me nivele të ulëta të kënaqësisë në punë kanë më shumë gjasa të preken nga stresi kronik i punës. Kjo krijon ankth dhe probleme në marrëdhënie, por nuk lidhet gjithmonë me problemet e vetëvlerësimit gjithashtu nuk është e pazakontë që stresi kronik nga vendi i punës të gjenerojë disa simptoma në të njëjtën kohë dhe shpesh të çojë në një krizë nervore.

Në një editorial në British Medical Journal, Matthias Weigl, pedagog në “BonnInstitute for Patient Safety University Hospital” tha se përkufizimi dhe organizimi i punës janë jashtëzakonisht të nevojshme për të shmangur situatat e stresit të zgjatur midis punëtorëve. msn

Kroacia po përgatitet të bëjë euron valutë zyrtare nga 1 janari

Më shumë se nëntë vjet pasi Kroacia u bë anëtarja më e re e Bashkimit Evropian, tashmë po përpiqet për të shfrytëzuar sa më shumë statusin e saj si anëtare e BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Kroacia po miraton monedhën e përbashkët të BE-së, euron, dhe po i bashkohet Zonës Shengen, zonës së udhëtimit pa viza të Evropës, më 1 janar.

Zyrtarët në këtë vend, i cili ka rreth 4 milionë banorë, parashikojnë se zhvillimet do të mbahen mend si një nga arritjet më të mëdha të vendit që nga fitimi i pavarësisë gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë 31 vjet më parë.

Adoptimi i euros ofron përfitime ekonomike që rrjedhin nga lidhjet më të thella financiare me 19 përdoruesit e tjerë të monedhës dhe me Bankën Qendrore Evropiane. Kjo do të thotë gjithashtu se 340 milionë njerëzit që jetojnë në eurozonën aktuale nuk do të kenë më nevojë të shkëmbejnë eurot e tyre me kuna kroate dhe mund të hyjnë në vendin e njohur për bregdetin e tij mahnitës të Adriatikut pa u ndalur në kontrollet kufitare.

“Pas 10 vjetësh anëtarësim (në BE), ne qëllimisht dhe me meritë arritëm në fazën ku do të bëheshim i vetmi vend në histori që do t’i bashkohej Shengenit dhe eurozonës në të njëjtën ditë,” ka thënë kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç, shkruan AP.

“Disa vende i arritën dy qëllimet njëri pas tjetrit për një periudhë relativisht të shkurtër kohe, por asnjë nuk i arriti të dyja në të njëjtën ditë”, ka thënë ai, duke shtuar se ndryshimet “do të kenë një ndikim transformues në ekonominë tonë”.

Por jo të gjithë kroatët janë kaq të ngazëllyer nga ndryshimet e ardhshme, veçanërisht nga heqja graduale e monedhës së tyre dalëse.

Disa janë sentimentalë rreth kunës, e cila u prezantua për të siguruar autonomi monetare pas ndarjes së Kroacisë nga ish-Jugosllavia dhe një lufte 1991-95.

“Kuna ishte simbol i pavarësisë së Kroacisë. Të gjithë ishim të lidhur me të, kështu që do të jetë pak e vështirë të kapërcejmë zhdukjen e saj”, kështu ka thënë Vladislav Studar, një veteran i luftës midis forcave të qeverisë kroate dhe atyre besnike të ushtrisë jugosllave të kontrolluar nga serbët.

“Por çfarë mund të bëjmë? Jeta Vazhdon”, ka shtuar ai.

Stela Roso, një banore e Zagrebit, u pajtua: “Është pak e trishtueshme që ne nuk do të përdorim më kunën sepse ishte unike për vendin tonë, por në terma praktike, (ndërrimi i monedhës) nuk do të ketë asnjë ndryshim për mua.”

Kroacia u bashkua me BE në 2013, kjo është edhe hera e fundit që u pranua një vend i ri anëtar. Për të adoptuar euron, vendit iu desh të përmbushte një sërë kushtesh të rrepta ekonomike, duke përfshirë një kurs këmbimi të qëndrueshëm, inflacion të kontrolluar dhe shpenzime publike të shëndosha.

Pasi ministrat e financave të BE-së i dhanë Kroacisë dritën jeshile në korrik për t’u bashkuar me eurozonën, bankës qendrore të vendit iu desh të bënte përgatitje të gjera.

“Kemi siguruar kartëmonedhat (euro) për ngarkim përpara dhe vëllimin e plotë të nevojshëm për vitin e ardhshëm dhe pothuajse kemi përfunduar me prerjen e 600 milionë monedhave të nevojshme, rreth 93% e këtij numri tashmë është grumbulluar,” ka thënë Tihomir Mavricek, drejtor ekzekutiv i departamentit të parave të Bankës Kombëtare Kroate.

“Që nga mesi i gushtit deri në fund të nëntorit, sasia e kunës në qarkullim ra me 12 miliardë, ekuivalente me rreth 1.7 miliardë euro, kështu që kemi rreth dy të tretat, ose rreth 22 miliardë kuna, të mbetura për t’u hequr gradualisht”, ka shtuar ai.

Kuna kroate dhe euro do të jenë në përdorim të dyfishtë për pagesa me para në dorë vetëm për 14 ditë, por ndërsa njerëzit gëzojnë shitjet pas pushimeve në janar, ata do të marrin vetëm euro në këmbim.

Mavricek e përshkroi miratimin e një monedhe të re kombëtare si “një reformë e madhe monetare dhe një ndërmarrje masive logjistike”.

“Ne jemi të vetëdijshëm se po kalojmë në një monedhë të re dhe është e qartë se do të ketë disa pengesa në pagesat (para të gatshme), veçanërisht në dy javët e para, por kjo do të normalizohet shpejt,” ka theksuar ai.

Një fushatë agresive ndërgjegjësimi publik ka shoqëruar punën teknike të prapaskenës. Të gjitha familjet kroate morën një manual udhëzimi për ndryshimin e monedhës.

Kostoja e krahasueshme në euro iu shtua çmimeve të produkteve të shitura në Kroaci gjatë javës së parë të shtatorit.

 

Si të menaxhoni brenda kompanisë gjenerata të ndryshme

Sot, një nga sfidat më të mëdha të drejtimit është menaxhimi i tre brezave që punojnë së bashku në të njëjtën kompani. Menaxherët, kudo në Europë, po hasen me vështirësinë e drejtimit të një force pune gjithnjë e më të ndryshme. Mungesa e të kuptuarit në lidhje me gjeneratat kthehet në burim konflikti brenda marrëdhënieve të punës, ul produktivitetin dhe rrit lëvizjen e forcës punëtore.

Kompania është i vetmi vend ku tre brezat janë të detyruar të kalojnë 35 orë ose më shumë së bashku në javë. Të gjithë duhet t’i përmbahen specifikave, ndaj rreziku i “ndeshjes” së brezave është i madh, pothuajse i pashmangshëm. Punëdhënësit duhet të mësojnë, të kuptojnë dhe të vlerësojnë vlerat, perspektivat dhe objektivat e të punësuarve në të gjitha grupmoshat.

Sot, në botë ka tre breza që bashkëjetojnë në vendin e punës:

të ashtuquajturit “baby boomer”-s, të lindur midis viteve 1946-1964, gjenerata X e lindur midis viteve 1965-1976 dhe gjenerata Y, e lindur pas vitit 1977.

Çdo brez sjell zakone unike, punë që i japin formë tregjeve tona. Ata të gjithë kanë vlera të dallueshme, një pikëpamje të ndryshme të autoritetit dhe ndjenjë besnikërie, prandaj duhet të motivohen dhe menaxhohen ndryshe nga njëri-tjetri.

 

Breza të ndryshëm, tipare të ndryshme

Ngjarje të mëdha në histori të tilla si ndryshimi i faktorëve socialë apo ekonomikë kanë ndikuar në qëndrimet apo vlerat e individëve ose grupeve të individëve. Këto ngjarje u konsideruan si faktorë të rëndësishëm që kanë ndikuar në breza të ndryshëm.

Fundi i Luftës së Dytë Botërore shënoi fillimin e gjeneratës migruese të brezit të parë. Ata u rritën në një kohë kur nënat qëndronin në shtëpi dhe baballarët shkonin për të punuar. Ky brez ka përjetuar një periudhë të zgjerimit ekonomik dhe kulturor, si dhe ardhjen e televizionit, që do të thotë se ata kanë përjetuar dhe luftën e Vietnamit. Ata janë parë si njerëz që punonin pa fund, shumë të shqetësuar për përfitimet materiale, promovimin dhe pagat e larta. Janë konsideruar si avokatë të të drejtave të njeriut, me një sens të lartë besnikërie, idealistë dhe optimistë.

Gjenerata X konsiderohet si më mirë e arsimuar se gjenerata e parë. Mentaliteti X pasqyron kalimin nga një ekonomi prodhimi në atë të shërbimeve. Ata u përballën me rritje të borxhit kombëtar dhe rritjen e përdorimit të drogës.

Ata gjithashtu përjetuan rënien e Murit të Berlinit, që shënoi fundin e Luftës së Ftohtë. Anëtarët e këtij brezi konsiderohen si ekonomikisht konservatorë, të cilët kanë përjetuar periudha të mëdha të inflacionit gjatë rinisë. Në vendin e punës, Gjenerata X predikon vlerat e lirisë dhe përgjegjësisë. Ata e vlerësojnë nëse u jepet koha dhe liria për të menaxhuar kohën e tyre të punës. Ky brez kërkon një ekuilibër të jetës së punës.

Në lidhje me gjeneratën Y, ekzistojnë mendime kontradiktore.

Nga njëra anë, disa studiues besojnë se ky brez sjell “ajrin” e ri dhe të freskët për kompanitë, nga ana tjetër shikohen si “fëmijë të llastuar” me pretendime realiste. Në sajë të shkëmbimit të programeve dhe mundësive të mëdha për të studiuar dhe punuar jashtë vendit, pjesëtarët e këtij brezi janë të hapur ndaj mundësive sfiduese e si rrjedhojë, ata punojnë si një ekip ndërkombëtar. Janë të “armatosur” me Blackberry, laptop, celularë 24 orë në ditë, 7 ditë të javës.

Fleksibiliteti dhe prioritetet personale janë shumë të rëndësishme për këtë brez. Megjithatë, ata kanë mungesë besimi dhe kanë nevojë për strukturat mbikëqyrëse, në mënyrë që të arrijnë punën e tyre, veçanërisht sepse ata janë shumë të rinj dhe pa përvojë. Ata kërkojnë një ekuilibër midis punës dhe jetës private dhe kërkojnë një mjedis pune që është zbavitës dhe i dobishëm në të njëjtën kohë.

 

Çfarë mund të bëhet?

Vlerësoni ndryshimet te punonjësit

Është e rëndësishme që punonjësit të trajtohen si konsumatorë. Menaxherët duhet të përpiqen të mësojnë më shumë në lidhje me punonjësit e tyre, të mësojnë specifikat e tyre dhe preferencat në mënyrë që të menaxhojnë çështje të tilla si: planifikimi personal, puna, bilanci i jetës.

 

Adaptoni një stil menaxherial të sofistikuar

Menaxherët duhet të sigurojnë udhëzime të qarta dhe të sakta, objektiva dhe masa për ata që janë nën autoritetin e tyre. Të japësh komente dhe shpërblime të përshtatshme janë më shumë se të rëndësishme për çdo kompani që dëshiron të mbajë një atmosferë të mirë pune.

 

Nxisni kompetencën dhe iniciativën

Çdo punonjës, qoftë nga më i riu deri dhe te më profesionali, duhet të trajtohet sikur të gjithë kanë gjëra të mëdha për të ofruar. Megjithatë, menaxherët dhe departamenti i BNJ duhet të sigurohen që në fillim të punësojnë personat e duhur për kompaninë e duhur.

 

Kultivoni dijen te punonjësit

Mbajtja e punonjësve të mirë dhe produktiv është kthyer për ekonominë e sotme po aq e rëndësishme sa gjetja dhe mbajtja e klientëve. Prandaj është e rëndësishme t’u sigurohet punonjësve trajnim, kurse specializimi dhe kultivim i mëtejshëm.

ATK me njoftim të rëndësishëm për tatimpaguesit

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar tatimpaguesit se qё nga 1 Janari 2023, do tё fillojnё tё aplikohen formularёt e rinj pёr zbatim tё METD pёr jo-rezidentёt, pasi kanë ndryshuar disa procedura lidhur me zbatimin e Marrёveshjeve të Eliminimit tё Tatimit tё Dyfishtё (METD) pёr jo-rezidentёt.

Marrёveshjet pёr Eliminimin e Tatimit tё Dyfishtё janё marrёveshje nё mes tё dy shteteve, tё cilat janё krijuar pёr tё mbrojtur tatimpaguesit kundёr tatimit tё dyfishtё dhe shtetet nga evazioni fiskal, kur tё njёjtat tё ardhura tatohen nё dy shtete.

Sipas ATK-së, për personat që fitojnë të ardhura nga aktivitetet e biznesit në Kosovë, informacioni do të merret nga paguesi rezident. Paguesi rezident brenda vitit fiskal nga data e pagesës së faturës, është i obliguar të dorëzoi në ATK formularët si në vijim si dhe dokumentacionin përkatës:

  1. Formular aplikimi për Interesin;
  2. Formular aplikimi për Dividendë;
  3. Formular aplikimi për të Drejtat Pronësore;
  4. Formular aplikimi për Fitimet Kapitale;
  5. Formular aplikimi për të Ardhurat Tjera;
  6. Formular aplikimi për të ardhurat nga shërbimet e pavarura;
  7. Formular aplikimi për të ardhurat nga shërbimet e varura;
  8. Formular aplikimi për të ardhurat biznesore.

Në njoftimin e ATK-së thuhet tutje se pas verifikimit se formulari dhe dokumentacioni përkatës janë të kompletuara, vet ATK-ja do t’i përgjigjet paguesit rezident për pranimin e kërkesës së paraqitur. /Buletini Ekonomik/

Formularët mund t’i gjeni në ueb faqen e ATK-së WWW.atk-ks.org në linkun Marrëveshjet Ndërkombëtare: https://www.atk-ks.org/mar…/formularet-per-zbatim-te-metd/

Më shumë garanci për leje qëndrimi, përfitimet e emigrantëve nga ‘ligji i ri’ gjerman

Parlamenti Federal i Gjermanisë, Bundestag, ka miratuar me shumicë 371 votash ndryshimet në ligjin për të drejtën e qëndrimit dhe azilit për shtetasit e vendeve të treta që ndodhen tashmë në vend.

Ndryshimet, të cilat u miratuan në fillim të këtij muaji, më 2 dhjetor 2022, përfshijnë lehtësimin e fitimit të vendbanimit për ata pa status të sigurt dhe lehtësimin e mundësisë së të rinjve që kanë qenë në Gjermani për të paktën tre vjet për të vazhduar qëndrimin aty më tej, raporton SchengenVisaInfo.com.

Në të njëjtën kohë, Kuvendi ka miratuar edhe një ligj sipas të cilit procedurat e aplikimit për azil do të përshpejtohen dhe në këtë mënyrë do të pastrohet numri i kërkesave të mbetura.

Ata që nuk kanë status të sigurtë qëndrimi tani kanë një shans

Ligji i ri do t’u mundësojë atyre që kanë qëndruar në Gjermani për një periudhë të paktën pesëvjeçare dhe që nuk kanë status të sigurt qëndrimi deri më 31 tetor 2022, të fitojnë të drejtën e qëndrimit për një vit e gjysmë (18 muaj).

Përgjatë këtyre 18 muajve, të njëjtit do të mund të aplikojnë për të drejtën e përhershme për të qëndruar në Gjermani dhe të dëshmojnë se plotësojnë kushtet e përcaktuara, duke përfshirë këtu aftësitë gjuhësore dhe të kuptuarit e kulturës dhe mënyrës së jetesës gjermane.

Për ata që nuk i plotësojnë këto kushte gjatë një periudhe 18 mujore, do të duhet të kthehen në statusin e tolerancës.

Të rinjtë e integruar mirë që kanë të drejtë të qëndrojnë në Gjermani vetëm pas 3 vjetësh

Personat që nuk e kanë festuar ende 28-vjetorin, nuk do të kenë më nevojë të presin katër vjet për t’u dhënë mundësinë të qëndrojnë në Gjermani, pasi kjo periudhë tashmë është shkurtuar në tre vjet.

Ndryshimet e reja në ligjet e imigracionit në Gjermani do t’i lejojnë 27-vjeçarët dhe ata më të rinj të qëndrojnë në Gjermani më shpejt nëse tregojnë se janë përshtatur me kulturën gjermane dhe kanë mësuar gjuhën.

Personat e toleruar që kanë shënuar arritje të veçanta integruese do t’u jepet e drejta e qëndrimit pas gjashtë vjetësh apo edhe katër, nëse jetojnë me fëmijë të mitur.

Bashkim më i lehtë familjar për punëtorët e kualifikuar

Për një kohë të gjatë, Gjermania ka luftuar me plotësimin e mungesës së fuqisë punëtore, veçanërisht në fushat ku nevojiten punëtorë të kualifikuar. Pas prezantimit të Aktit të Imigracionit të Aftësive në vitin 2020, Gjermania tani sjell disa mijëra punëtorë të huaj në vend sipas këtij ligji.

“Tani po shfrytëzojmë rastin për të krijuar një ligj modern të imigracionit në mënyrë që punëtorët e huaj të kualifikuar të mund të vijnë më lehtë në Gjermani. Kjo është e nevojshme urgjentisht. Kriza e Corona ka shkaktuar mungesa të stafit në shumë fusha të industrisë, nga profesionet e aftë deri te infermierët. Ne duam që punëtorët e kualifikuar të jenë në gjendje të vijnë në Gjermani shpejt dhe të fillojnë një fillim fluturues, “tha Ministrja Federale e Brendshme dhe Atdheut, Nancy Faeser, në fillim të dhjetorit.

Vendi ka hequr tani kërkesën për të paraqitur një certifikatë gjuhësore për anëtarët e familjeve të punëtorëve të kualifikuar nga vendet jo-BE.

Azilkërkuesit do të marrin përgjigje më të shpejta në aplikimet e tyre

Ndryshimet e reja gjithashtu do t’u mundësojnë azilkërkuesve të marrin një vendim për aplikimin e tyre për një periudhë më të shkurtër kohore.

Për momentin, periudha maksimale që mund të zgjasë procesimi i një kërkese për azil është gjashtë muaj, megjithëse e njëjta mund të zgjatet për një periudhë prej 18 muajsh kur është e nevojshme.

Rregullat e reja do të paraqesin gjithashtu një procedurë të re për azilkërkuesit që të marrin këshilla të pavarura për aplikimin përpara se ta dorëzojnë një të tillë.

Për më tepër, Gjermania tani dëshiron t’i mbajë të huajt në paraburgim në pritje të dëbimit për një maksimum prej gjashtë muajsh pas dënimit të tyre për krimet që kanë lejuar, periudhë e cila aktualisht është tre muaj.

- Advertisement -

Na ndiq

0NdjekësitNdjek
0NdjekësitNdjek

Moti

Tirana
overcast clouds
12.1 ° C
12.1 °
12.1 °
80 %
1.1kmh
100 %
Mon
21 °
Tue
22 °
Wed
22 °
Thu
19 °
Fri
15 °