Ulet ndjeshëm çmimi i rrymës në tregun ndërkombëtar, Kosova më e relaksuar

Sot gjatë ditës, një megavat-orë energji elektrike në tregun ndërkombëtar të energjisë elektrike (HUPXX), ka kushtuar (çmimi bazik) saktësisht 184,67 euro, ndërsa në orët e pikut, kur konsumi shtohet goxha shumë në të gjitha vendet dhe njëherësh edhe kërkesat për import janë dukshëm të rritura, çmimi ka qenë 216,25 euro. Çmimi i sotshëm (e premte, 23 dhjetor) është më i ulët se ai i djeshmi dhe i pardjeshmi, ndërsa paraljamërohet të vazhdojnë uljet e çmimit edhe ditëve në vazhdim.

Zhvillime interesante po ndodhin në botë në sektorin e energjisë, e veçmas në atë të energjisë elektrike. Më e rëndësishmja, ndër botën elektroenergjetike në botë, është ulja e ndjeshme e çmimeve të energjisë elektrike këtyre ditë të ftohta të dimrit. Dhe çmimet e ulura, që po bëhen goxha të favorshme dhe të pranueshme edhe për shtetet pa resurse energjetike vetanake, dhe përgjithësisht për shtetet e varfëra, ku përfshihet edhe Kosova, kanë ndikuar shumë që edhe këto vende të kenë më shumë rrymë, më shumë stabilitet në furnizimin e konsumit vetanak dhe të kenë mundësi më të mëdha për të blerë energji elektrike.

Ka disa ditë që në tregun ndërkombëtar po shënohen ulje të çmimeve të energjisë elektrike. Më konkretisht, sot një megavat-orë energji elektrike në këtë treg gjatë ditës, ka kushtuar (çmimi bazik) saktësisht 184,67 euro, ndërsa në orët e pikut, kur konsumi shtohet goxha shumë në të gjitha vendet dhe njëherësh edhe kërkesat për import janë dukshëm të rritura, çmimi sot ka qenë 216,25 euro. Duhet theksuar se çmimi i sotshëm në tregun ndërkombëtar të energjisë elektrike (e premte, 23 dhjetor) është më i ulët se ai i djeshmi dhe ai i pardjeshmi.

Dje, me 22 dhjetor, çmimi gjatë ditës i një megavat-ore ka qenë 206,01 euro, ndërsa gjatë pikut 236,36 euro, ndërsa pardje një megavat-orë e energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare ka kushtuar 22,53 euro, ndërsa në orët e pikut 264,54 euro. Kjo është ulje evidente dhe me ndikim pozitiv në buxhetet e varfëra të shteteve që kanë mungesa të energjisë elektrike po të krahasohej çmimi që ka ekzistuar në fillim të këtij muaji, që tejkalonte 400 euro për një megavat-orë, ndërsa as që mund të krahasohet me çmimin e rrymës që ishte stratosferik në muajin e njëjtë vitit të kaluar.

Tani, me këto çmime në tregjet ndërkombëtare, edhe Kosova po ndihet më e relaksuar dhe e lehtësuar në njëfarë mënyre, për shkak se edhe në rastet eventuale kur kërkesat e konsumit tejkalojnë prodhimin vendor dhe sasinë që po merret nga Shqipëria si kthim borxhi, nuk e ka të pamundshme për të importuar rrymën e munguar. Por, në gjendjen relativisht stabile elektroenergjetike të Kosovës (hë për hë nuk ka fare reduktime, pos në rastet e punimeve në rrjet) po ndikon, gjithsesi, edhe prodhimi i stabilizuar në termocentralet që janë operative të KEK-ut.

Termocentralet në prodhim të KEK-ut (B1 dhe B2 të Kosovës B dhe A3 e A4 të Kosova A) po vazhdojnë të funskionojnë mire, dhe në këto ditë të ftohta po dëshmohen me gatishmërinë teknike të turbinave dhe të kalldajave, përkundër vjetërsisë së tyre të madhe dhe amortizimit nga puna e pandërprerë për dekada me radhë. Në saje të këtij stabiliteti të prodhimit në impiantet e KEK-ut dhe të kthimit të një sasie goxha të madhe të rrymës nga Shqipëria (dje nga KESH-i janë marrë diku rreth 882 megavatë-orë), gjatë këtyre ditëve, edhe përkundër temperaturave që kanë rënë më në fund edhe nën zero, siç po shihet dhe po raportohet, janë evituar, së paku deri tash, reduktimet, që vitin e kaluar në këtë kohë thuaja se ishin bërë të përditshme.

Skënder Bucolli, zëdhënës i Korporatës Energjetike të Kosovës, i ka thënë sot Buletinit Ekonomik se aktualisht në prodhim gjenden katër termocentrale të vendit (blloqet B1 dhe B2 të Kosovës B dhe A3 e A4 të Kosovës A), të cilat prodhojnë diku rreth 760-780 megavatë-orë energji elektrike së bashku. Kësaj sasie të energjisë elektrike të prodhuar nga TC-të, duhet shtuar plus një sasi simbolike, diku rreth 50-60 megavatë-orë, herë-herë edhe më shumë, të energjisë së rinovueshme që prodhohet në vend nga hidrocentralet e vogla të Kosovës dhe nga parqet e energjisë në bazë të erës në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Anamoravës.

Në raste, ose kur në zonat ku janë të instaluara impiantet e prodhimit të energjisë me erë (në Shalë të Bajgorës dhe në Kitkë të Kamenicës), frynë më shumë erë, shtohen më shumë megavatët e prodhimit nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme. Është trimëruese se trendi i uljes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare po paralajmërohet të vazhdojë edhe ditët në vazhdim. Për nesër parashihet që një megavat-orë gjatë ditës të tregtohet me 113 euro, ndërsa gjatë pikut me 148 euro./buletiniekonomik/

Artikulli paraprakRezervat e Bankës Qendrore Turke në nëntor rriten në 122.4 miliard dollarë
Artikulli tjetërTrusti posedon rreth 113 milionë euro të lira, si do të shpërndahen ato ?!