Ndikimi i ushqimit në pastërtinë e kafshëve të fermave dhe lejimin e tyre

Nga Dr. Muhamed Falih Mutalik Beni Salih

(Studim i botuar në revistën “Studime Bashkëkohore të Fikhut”)

Padyshim që ushqimi duke qenë pjesë e rëndësishme e përditshmërisë njerëzore është trajtuar nga Feja Islame me përparësi të veçantë. Përveç përcaktimit se cilat janë ushqimet e lejuara dhe ato të ndaluara legjislacioni islam është marrë edhe me aspektin sesi rriten dhe ushqehen produktet që ne hamë. Kështu është i njohur fakti se disa kafshë, si p.sh. pulat, mund të vetë-ushqehen me produkte të papastra, apo produkte që konsiderohen të ndaluara nga Feja Islame. Një kafshë e tillë në terminologjinë islame quhet xhelale, dhe për të ka dispozita të veçanta, që e trajtojnë. Në këtë studim autori merr në shqyrtim pikërisht këto lloj kafshësh që ushqehen nëpër ferma me koncentrate, të cilat kanë në përmbajtjen e tyre përbërës të ndaluar fetarisht.

Studimi në fjalë është i ndarë në disa tema, ku më kryesoret janë:

– Rëndësia e ushqimit hallall dhe lidhja e tij me besimin.

– Referimi për hallallin dhe haramin në lidhje me ushqimet.

– Llojet e ushqimeve sipas ndarjes hallall dhe haram.

– Gjykimi për konsumimin e pulave dhe kafshëve të fermave. etj.

Autori në studimin e tij pasi ka shpalosur argumentet fetare dhe ka diskutuar opinionet e shkollave ndryshme të fikhut islam dhe të dijetarëve ka arritur në këto përfundime, të cilat ai i sheh si më të sakta duke thënë:

“Nga shpalosja e opinioneve të fukahave dhe diskutimi të tyre del në pah, se opinioni i shumicës së hanefive dhe shafive, se mishi i xhelale-s është mekruh (i papëlqyeshëm) të konsumohet, është opinioni që i përgjigjet më së shumti objektivave të Sheriatit. Ndërsa opinioni që thotë në mënyrë absolute, se kjo është haram çon në konsiderimin haram të asaj që Allahu e ka bërë hallall ngrënien e saj, ndërkohë që diçka të vlerësohet si haram për të duhet një argument i saktë, çka në rastin tonë nuk kemi diçka të tillë. Gjithashtu edhe opinioni që thotë, se në mënyrë absolute xhelale është hallall shpie në lënien pas dore të haditheve të ndalimit, të cilat përforcojnë njëra-tjetrën (transmetimet mursele me ato musnede). Ndërsa opinion, që e vlerëson konsumimin e xhelales si mekruh tenzihi (e papëlqyeshme ku lënies i jepet përparësi) merr në konsideratë hadithet, që përcillen për këtë çështje, në veçanti pasi kemi njohur arsyen e ndalimit (iletu nehji), siç e kemi paraqitur në këtë studim (që është papastërtia dhe ndryshimi për shkak të saj). Kështu që mund të themi, se ngrënia e mishit të kafshëve, të cilat në ushqimin e tyre kanë përbërës të papastër është hallall, përderisa lënda e papastër nuk përbën shumicën e përbërësit apo tërësisht atë dhe përderisa nuk provohet dëmi i sigurt për shëndetin.”

“Konkluzioni:
Nga ajo që kemi paraqitur në studim del e qartë, se lejohet të hahet mishi i kafshëve dhe shpendëve, të cilat nuk kanë si ushqim dominues koncentrate të përziera dhe në veçanti kur kjo sasi koncentrati i nënshtrohet trajtimit të mjaftueshëm pastrues, për aq sa e vlerësojnë këtë ekspertët e fushës, të njohur si njerëz të sinqertë dhe të devotshëm. Po kështu, lejohet konsumimi i këtij mishi pasi kafshët të jenë detyruar të ushqehen vetëm me ushqim (të pastër), që nuk përmban koncentrate për një periudhë të atillë sa të pastrohet mishi i tyre dhe të shpërbëhen përbërësit që mund të jenë të papastër, ku të mos ngelet papastërti dhe as erë si pasojë e këtij lloji ushqimi. Nuk mendoj se gjykimi ndryshon, për papastërtinë e ushqimit të kafshëve, nëse ky ushqim i jepet kafshës nga vetë njeriu apo ajo shkon vetë në gjendje të lirë tek ai, përderisa arsyeja e ndalimit bie duke kufizuar ushqimin e kafshës apo duke e trajtuar atë, për të dyja rastet.

Rezultatet e studimit:

Pulat dhe kafshët e fermave, të cilat jetojnë me koncentrate janë të pastra dhe të lejuara të hahen, për arsyet e mëposhtme:

1. Lëndët që nxirren nga kockat, thundrat, (lëkura) dhe puplat e kafshëve të ngordhura, të cilat janë pjesë e përzierjeve të ushqimit të kafshës janë të pastra. Ato konsiderohen si të pastra në medhhebin hanefi, një pjesë e malikive dhe një opinion tek hanbelitë.

2. Edhe nëse merret opinioni i shafiive, hanbelive dhe të tjerëve, se këto lëndë janë të papastra, ato nuk ndikojnë në pastërtinë e kafshëve që i hanë ato, për dy arsye:
a) Sasia e këtyre përbërësve të papastër në tërësinë e masës së ushqimit të përzier nuk e kalon masën 10 %. Kjo përqindje nuk ndikon në mishin e kafshës, sepse është shumë e vogël.
b) Sipas studimeve të thelluara dhe dëshmisë së specialistëve të fushës kjo përqindje paramendohet, se trajtohet me metoda vlimi të përparuara, të cilat zhdukin efektin e mikrobeve të dëmshme, duke i kthyer këto lëndë në lëndë të tjera, të cilat ndryshojnë në emër, cilësi dhe përmbajtje, kështu që në gjykimin e sheriatit edhe dispozita ndryshon, me anë të asaj, që në gjuhën e sheriatit quhet istihale (shndërrim).
3. Shumica e fukahave e shohin të lejuar përfitimin nga objektet e papastra dhe të ndaluara, kur kjo vjen nëpërmjet rrugës së ushqimit të kafshëve apo bimëve.

4. Si burim bazë në konsiderimin e një ushqimi hallall apo haram është Sheriati me referencat e tij të sakta dhe jo vlerësimi, se kjo është e mirë apo e keqe në bazë të arsyes njerëzore, kështu që përderisa nuk kemi ndonjë argument, që e ndalon ngrënin e mishit të bagëtisë dhe pulave nuk ka vend që të flasim për ndalimin e tyre thjesht për shkak të paraqitjes së një dyshimi, e për më tepër kur kemi argument të qartë nga Suneti, që e lejon ngrënien e tyre.

5. Ajo që në origjinë është e lejuar mbetet e tillë përderisa prej saj nuk vjen ndonjë dëm trupor apo mendor. Shembull të këtij dëmi kemi rastin e asaj që u quajt “lopa e çmendur” në Britani, që erdhi si pasojë e shtimit të përqindjes së përbërësve shtazorë në ushqimin e koncentruar, që u jepej lopëve. Specialistët këtë çrregullim e shpjeguan, duke thënë se natyra lopës është të jetojë me ushqime bimore dhe nëse ajo ushqehet me të njëjtin ushqim, që ushqehen edhe egërsirat, pra me mishra, në të nxitet natyra e egërsirave. Pra nëse koncentratet e ushqimit të kafshës kanë përmbajtje, që i shkaktojnë dëme pulave, në këtë rast edhe pulat janë haram të konsumohen; natyrisht ky gjykim vjen si pasojë e këtij shkaku kalimtar, përndryshe ky gjykim bie.

6. Mishrat e pulave dhe kafshëve që kultivohen nëpër ferma konsiderohen të pastra dhe hallall, duke bërë kështu analogji me xhelale-n. Këto mishra janë të pastra, por të papëlqyeshëm (mekruh) për konsum. Këtë gjykim kanë të gjitha medhhebet me përjashtim të hanbelive, të cilët janë të mendimit se këto mishra janë haram, por gjithsesi të gjithë bien dakord, se kushti që ndalesa të bjerë është: izolimi i kafshës me ushqim të pastër derisa të zhduket papastërtia dhe të largohen erërat e këqija. Kjo do të thotë se nëse këto kafshë nuk shfaqin papastërti dhe as erë të keqe, nuk ka arsye të thuhet për to se janë kafshë të papastra. E njëjta gjë vlen edhe për pulat që jetojnë me ushqim koncentrat dhe në mishin e tyre nuk shfaqen gjurmë të papastërtisë, pra ato padyshim ngelen të pastra dhe hallall për t’u ngrënë.

Sugjerime:
Edhe pse studimi erdhi në përfundimin se mishi i pulave dhe kafshëve të fermave është i pastër, duke u nisur nga ndjeshmëria e madhe që ka te muslimanët kundra përzierjes së elementëve të pastër me ata të papastër, të atyre hallall me ato haram nga disa pronarë fermash, që për shkak të neglizhencës fetare dhe moskokëçarjes nuk i kushtojnë rëndësi rregullave të hallallit dhe haramit në ushqimin që ata u japin kafshëve, autori i këtij studimi sugjeron si më poshtë:

1. Fabrikat e përpunimit të ushqimit të kafshëve duhet domosdoshmërish të mbikëqyren seriozisht nga organet e interesuara, sesa i plotësojnë ata standardet shëndetësore, bujqësore, industriale dhe cilësore, duke i detyruar këto fabrika t’i përmbahen standardeve të sakta dhe të volitshme në koncentratet e ushqimit të kafshëve.

2. Të pakësohen në maksimumin e mundshëm përqindja e lëndëve të dyshuara dhe në veçanti e gjakut.
3. Të zëvendësohen mbetjet shtazore me përmbajtje proteinike, me lëndë të tjera bimore që kanë të njëjtën sasi proteinash, si p.sh. me drithëra.

4. Organet e specializuara zyrtare e kanë për detyrë t’i detyrojnë pronarët e fermave të kafshëve dhe pulave, që t’i izolojnë këto kafshë dhe shpendë, që ata kultivojnë të ushqehen tërësisht me ushqim të pastër, si p.sh. drithërat etj., para se ato të nxirren në tregun e konsumit, duke bërë analogji në këtë rast me xhelale-n para se ajo të theret.

5. Të mbështeten pronarët e fermave në përfitimin e drithërave me çmime të ulëta, nëse këto do të përdoren si zëvendësues, dhe çmimi i tyre është i lartë dhe efekti rritës i tyre është i ngadaltë.

Në fund mund të themi se: ai që ruhet nga të dyshimtat, e ka ruajtur të pa cenuar fenë dhe nderin e tij.”

Artikulli paraprakPuna në dyqanet ushqimore dhe restorante ku serviren ushqime te ndaluara
Artikulli tjetërKontrata e mirëmbajtjes dhe e riparimit