Kontrata e mirëmbajtjes dhe e riparimit

Kontrata e mirëmbajtjes dhe e riparimit

Industria ka përparuar shumë kohëve të fundit, gjë që ka sjellë edhe mjete industriale të shumta dhe të llojllojshme. Duke qenë se ato mund të dëmtohen dhe ngecin, gjë e cila ndikon negativisht në produktivitetin e tyre është paraparë kujdesi ndaj tyre, që të jenë efektive për një kohë sa më të gjatë. Për këtë është parë e domosdoshme, që pronarët e këtyre gjësendeve të gjejnë ekspertë dhe teknikë të ndryshëm, të cilët do të kujdesen për to, t’i mirëmbajnë ato dhe të bëjnë riparimin e tyre, gjë e cila shkaktoi që të shpiket edhe kontrata e mirëmbajtjes dhe e riparimit, si një gjë shumë e rëndësishme dhe e nevojshme në shumë sfera jetësore. Kontrata e riparimit konsiderohet si një kontratë relativisht e re në Legjislacionin Islam, duke qenë se nuk është e shtjelluar dhe e trajtuar në librat e fikhut, si një kontratë e veçantë siç është sot, por siç është e njohur se çdo gjë që shpiket, patjetër se duhet të ketë dispozitën e vet fetare, baza e së cilës duhet gjetur qoftë në librat e hershëm të dijetarëve, ose me anë të përpjekjes së dijetarëve bashkëkohorë për të gjetur një vendim, i cili nuk bie ndesh me parimet islame.

Ç’është kontrata e mirëmbajtjes dhe e riparimit?

Është një marrëveshje me një kontratë të veçantë, ose në kuadër të një kontrate të caktuar, e cila bëhet në mes të kompanisë ose ekspertit dhe pronarit të gjësendit (mjet, kompjuter, celular, makinë etj.), për mirëmbajtjen dhe riparimin e gjësendit në fjalë, gjatë një kohe të caktuar, me qëllim që të ruajë efikasitetin e tij, në këmbim të një shume të caktuar.

Legjitimiteti i kontratës së mirëmbajtjes dhe riparimit.

Megjithëse thamë se është një kontratë e re në fikhun islam, ajo i plotëson kriteret, që duhet t’i përmbushë një kontratë sipas parimeve islame, gjë e cila i jep legjitimitetin e saj fillimisht. Duke u bazuar në atë se rregullat dhe parimet islame e konsiderojnë, se çdo gjë e cila ka të bëjë me çështjet jetësore në esencë është e lejuar, për derisa nuk bie ndesh me ndonjë dispozitë fetare të caktuar, dhe këtë e dëshmon:

1- Fjala e Allahu të Lartësuar: “Ai është që për ju, ka krijuar gjithë atë që është në tokë“. (Bekare: 29)

2- Si dhe fjala e të Dërguarit të Allahut (lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë me të): “Muslimanët duhet t’i përmbahen kushteve që vendosin mes vete.” (Ebu Davudi, Tirmidhiu, -Albani e konsideroi sahih). Pra, kjo kontratë si tërësi është e lejuar, por gjithsesi duke i plotësuar kushtet përkatëse, të cilat i kanë sqaruar dijetarët islamë, përndryshe si të gjitha kontrata e tjera, të cilat mund të jenë të lejuara, por për shkak të mosplotësimit të kritereve fetare, ajo bëhet e ndaluar.

Kontrata e mirëmbajtjes përfshin:

Mirëmbajtjen, që nënkupton kontrollin periodik të gjësendit të caktuar, për t’u siguruar në efikasitetin e tij, si dhe për të zbuluar defektet e paraqitura dhe pjesët përkatëse, të cilat duhet riparuar ose ndërruar. Qëllimi i kësaj kontrate është shmangia e defekteve të mundshme, me qëllim kursimin e shpenzimeve për riparimin e tij në rast të prishjes.
Riparimin, që nënkupton rregullimin (ujdisjen) e gjësendit pas prishjes së tij.
Qëllimi i kësaj kontrate është zgjatja e jetës së tij sa më shumë që të jetë e mundshme, derisa të bëhet plotësisht e paaftë për ta zëvendësuar pastaj me ndonjë gjësend tjetër.

Mirëmbajtjen dhe riparimin tok, shumica e kontratave janë të këtij lloji, dhe kur përmendet sot në qarqet komerciale si kontratë nënkupton që të dy shërbimet.
Mirëmbajtja e plotë realizon qëllimin e dy llojeve paraprake. Ekzistojnë disa forma të kësaj kontrate varësisht nga gjësendi për të cilin bëhet kontrata, por në korniza të përgjithshme po përmendim më kryesoret pastaj do të sqarojmë cilat janë të lejuara e cilat jo:

Forma e parë: Kontratë e mirëmbajtjes e veçantë: që nënkupton kontratën, e cila bëhet në mes pronarit të gjësendit dhe ndonjë kompanie të caktuar për mirëmbajtjen e tij për një kohë të caktuar në këmbim të një shume të caktuar.

Kjo bëhet në tri mënyra:

Kontrata vetëm për mirëmbajtje d.m.th. vetëm punëdore, pa mjete, që nënkupton p.sh. ndërrimin e vajit në kohë të caktuara, pastrimin e mjeteve etj. Në këtë rast i kontraktuari mund të jetë punëtor i rregullt vetëm tek pronari, por mund të jetë privat që punon edhe për të tjerët.
Kontrata vetëm për punëdore, kurse mjetet (p.sh., vajin, mjetet e pastrimit, veglat e punës) përkatëse i sjell pronari.
Kontrata për punëdore dhe mjetet përkatëse për mirëmbajtje (p.sh., vegla të thjeshta të domosdoshme për çdo punëtor, të cilat nuk llogariten zakonisht në çmim) i sjell i kontraktuari.
Kjo formë në të tri mënyrat është e lejuar, me kusht që të dihet saktë puna që do të kryejë, koha e punës dhe mëditja ose rroga.

Forma e dytë:

Kontratë e mirëmbajtjes në kuadër të shitjes së gjësendit, që nënkupton: blerjen e një mjeti, makine etj., duke e kushtëzuar mirëmbajtjen për një çmim shtesë, por në të njëjtën kontratë të shitblerjes, pra negociohet për çmimin e mallit pastaj negociohet për çmimin e shërbimit të mirëmbajtjes dhe në fund mblidhet çmimi i përgjithshëm në të njëjtën kontratë.

Forma e tretë:

Kontratë e mirëmbajtjes në kuadër të shitjes së gjësendit, që nënkupton: blerjen e një mjeti, makine etj., duke e kushtëzuar mirëmbajtjen në çmimin e shitblerjes, duke mos e rritur çmimin e mallit, për shkak të shërbimit shtesë, qoftë ky kusht nga blerësi apo shërbim nga vetë shitësi. Forma e dytë dhe e tretë gjithashtu është e lejuar, meqë nuk kanë dallim në mes vete përveç mënyrës së caktimit të çmimit. Duke pasur parasysh gjithmonë që puna të jetë e caktuar mirë dhe çmimi të jetë i saktë, që të mos çojë në konflikt.

Forma e katërt:

Kontratë e riparimit e veçantë, që nënkupton: kontratën në mes pronarit të gjësendit me ndonjë kompani të caktuar për të riparuar mjetin në rast të paraqitjes së defekteve në këmbim të një shume të caktuar përgjatë një kohe të caktuar. Pra, kontrata është për të ndërhyrë vetëm në raste emergjence dhe e pavarur nga kontrata e shitblerjes së gjësendit. Dispozita për këtë formë varet nga mënyra se si aplikohet kjo kontratë:

Nëse pjesët e riparimit i sjell pronari i gjësendit, apo ia paguan atij që i sjell me çmimin përkatës, ndërsa i kontraktuari kryen vetëm punën. Kjo mënyrë është e lejuar.
Nëse pjesët e riparimit i sjell i kontraktuari dhe pjesët zakonisht janë të papërcaktuara dhe kanë çmime të ndryshme, qoftë kontrata për mirëmbajtje (riparim) periodike apo për riparim emergjent.
Kjo formë është e ndaluar sepse i përngjan sigurimit komercial, i cili është i ndaluar, ngase pagesa bëhet përballë rrezikut, i cili mund të ndodhë, por mund të mos ndodhë. Nëse ndodh prishja, atëherë pagesa mujore ose vjetore mund të jetë shumë e ulët, kështu që i shkakton humbje të kontraktuarit, nëse nuk ka prishje fare, të hollat e pronarit shkojnë kot. Për këtë është e ndaluar.

Forma e pestë:

Kontrata e mirëmbajtjes në rastin e qirasë, kush duhet të mbajë përgjegjësinë e mirëmbajtjes së objektit, qiradhënësi apo qiramarrësi? Nëse mirëmbajtja (riparimi) është nga lloji prej së cilës varet mundësia e shfrytëzimit të gjësendit të marrur me qira, atëherë kjo i detyrohet qiradhënësit, si p.sh., nëse muret janë të shtrembëruara në shtëpinë me qira duhet t’i drejtojë pronari, nëse vetura ka defekte në makinë pa fajin e qiramarrësit këtë duhet ta rregullojë pronari, sepse këto janë gjëra pa të cilat nuk mund të shfrytëzohet objekti për qira, dhe nuk lejohet të ngarkohet me të qiramarrësi.

Ndërsa mirëmbajtja ngaqë është nga lloji i cili nuk varet nga ai mundësia e shfrytëzimit, si lyerja e mureve të shtëpisë, ndërrimi i vajit të makinës, materiale harxhuese etj., gjëra të cilat nuk pengojnë mundësinë e shfrytëzimit të objektit për qira, lejohet t’i kushtëzohet qiramarrësit po edhe qiradhënësit, sipas marrëveshjes, me kusht që të jetë çdo gjë e përcaktuar mirë dhe qartë. Pra nuk i takon qiradhënësit të përkujdeset për mirëmbajtjen operative, përveç nëse kjo shënohet në kontratë, po ashtu nuk lejohet të ngarkohet qiramarrësi me riparimet kapitale, përveç nëse ai është shkaktar direkt dhe i qëllimshëm i dëmit përkatës.

Forma e gjashtë:

Kontrata e mirëmbajtjes e shoqëruar në kontratën e sipërmarrjes. A lejohet t’i kushtëzohet sipërmarrjes mirëmbajtja e gjësendit të prodhuar, si p.sh. një sipërmarrje të marrë me kontratë ndërtimin e një objekti dhe mirëmbajtjen e tij, apo një makine dhe mirëmbajtjen e saj, për një kohë të caktuar me një çmim të caktuar, kjo formë është e lejuar, ngase mirëmbajtja është kusht dhe çmimi i kontratës bazë e përfshin edhe atë.

Përgatiti: Llokman Hoxha

Artikulli paraprakNdikimi i ushqimit në pastërtinë e kafshëve të fermave dhe lejimin e tyre
Artikulli tjetërPuna në kompanitë e sigurimit