Ndahen 15 milionë euro për rezervën shtetërore në Kosova

Artikujt që janë blerë janë kryesisht produktet e grurit, sheqeri, vaji dhe nafta. Origjina e produkteve ndryshon, por kryesisht janë nga Kosova. Një pjesë e grurit është nga Franca dhe Ukraina.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka thënë se për vitin 2023 janë ndarë 15 milionë euro për Rezervën Shtetërore.

Hajdari duke iu përgjigjur pyetjeve në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës ka theksuar se origjina e produkteve është kryesisht nga vendi ynë.

“Ligji i Rezervës Shtetërore obligon Departamentin e Rezervës sipas planit trevjeçar 2021-2023, që është miratuar në Qeveri dhe sipas kërkesës prej 7.5 milionë euro që kishte ky plan, ne e kemi miratuar kërkesën buxhetore nga 7.5 milionë euro plus 2.5 milionë euro, gjithsej 10 milionë euro për vitin 2022 dhe 15 milionë euro për vitin 2023”.

Ministrja ka treguar se artikujt që janë blerë janë kryesisht produktet e grurit, sheqeri, vaji dhe nafta.

“Kryesisht të gjithë artikujt që janë blerë janë kryesisht produktet e grurit, sheqeri, vaji dhe nafta. Origjina e produkteve ndryshon, por kryesisht janë nga Kosova. Një pjesë e grurit është nga Franca dhe Ukraina”.

Sipas saj, të gjithë operatorët i kanë kryer obligimet lidhur me sjelljen e rezervave shtetërore.

“Kemi nënshkruar më shumë se një kontratë gjatë vitit 2022 dhe i kemi pranuar të gjitha furnizimet e rezervave shtetërore. Një kontratë të re e keni më proces të negocimit, ndërsa një tjetër është në proces të sjelljes së një pjese të kontraktuar. Të gjithë operatorët i kanë kryer obligimet, kështu që sasitë e deponuara të rezervave janë vendosur në pjesë të ndryshme të vendit me sigurinë e operatorëve ekonomik, sipas kontratave të nënshkruara”.

Sasia e saktë, lloji i produktit dhe vendndodhja e mallrave që janë në kuadër të rezervave shtetërore nuk dihet. Ato konsiderohen ‘sekret shtetëror’ sipas Ligjit për rezervat shtetërore.

Rezervat menaxhohen nga Departamenti i rezervave shtetërore, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Ato nuk janë në depo e as magazina në pronësi të institucioneve të Kosovës. Shteti nuk ka depo e as magazina të tilla, pasi, sipas ekspertëve, kjo do të kërkonte investime të mëdha financiare dhe burime njerëzore. Për këtë arsye, rezervat janë tek operatorët ekonomikë privatë, të cilët kontraktohen nga Departamenti i rezervave shtetërore.

Sipas Ligjit për rezervat shtetërore, në bazë të marrëveshjes, atyre iu përcaktohen sasitë, mënyra e ruajtjes dhe kontrollit, si dhe dalja në treg e këtyre produkteve.

Si me produktet ushqimore dhe higjienike, e njëjta procedurë vlen edhe për naftën dhe produktet e saj.

Nafta, aktualisht, ruhet tek operatorët ekonomikë privatë, të cilët kanë rezervuare në dispozicion. Ata kontraktohen nga institucionet e Kosovës dhe kanë për obligim sigurimin e cilësisë, sigurisë dhe mirëmbajtjes.

Artikulli paraprakCilat janë pasojat e krizës energjetike për Evropën?
Artikulli tjetër5 mënyra se si të përgatiteni për ditën tuaj të parë të punës

Comments are closed.