5 mënyra se si të përgatiteni për ditën tuaj të parë të punës

Urime për vendin e punës! Pjesa e vështirë kaloi. Tani që e keni fituar pozicionin e punës, ju doni të dini se si të lini atë përshtypjen e parë të mirë dhe të hyni sa më shpejt në rrugën drejt suksesit.

Ju gjithashtu mund të ndiheni të emocionuar dhe nervozë, por e vetmja gjë që mund të bëni përpara ditës suaj të madhe është që të kontrolloni pritshmëritë dhe të përgatiteni.

Rregulli i artë për ditën tuaj të parë të punës është që të ndiqni rrjedhën. Dipti Goel (HRHead, Paytm Insider) thotë: “Dita juaj e parë mund të jetë tepër e lodhshme, duke takuar kaq shumë njerëz të rinj.

Unë gjithmonë i këshilloj njerëzit që të jenë sa më mendjehapur dhe ta kalojnë ditën duke u përpjekur që të mësohen me vendin e ri dhe me çdo detyrë, ashtu si të vijnë.

Megjithatë, ka disa mënyra që mund të përdorni për të kontrolluar dhe për të përmirësuar efikasitetin tuaj. Pavarësisht llojit të punës për të cilën keni aplikuar, këtu janë disa këshilla universale që do t’ju ndihmojnë për të pasur sukses në ditën e parë të punës.

 

  1. Përgatituni për të mësuar

Zakonisht, në ditën e parë, nuk keni shumë punë për të bërë. Dita e parë kalon duke u njohur me punën, me ekipet dhe me vendin e punës. Qëllimi juaj duhet të jetë që të thithni sa më shumë informacion që të mundeni. Disa gjëra të cilat duhet t’i mbani mend janë misioni, vlerat dhe qëllimet e kompanisë.

Nëpërmjet tyre, ju mund të përpiqeni të kuptoni rolin dhe përgjegjësitë tuaja. Së fundmi, përpiquni të rregulloni akseset tuaja, programet në kompjuter që përdoren nga kompania dhe çdo teknologji tjetër që do t’ju nevojitet për këtë punë.

Sipas Aditi Surana, një ekspert në fushën e karrierës, “Ju duhet t’i bëni vetes një pyetje të sinqertë – pse ka rëndësi kjo gjë? Jini të sinqertë me veten.

Nëse jeni të qartë për arsyet pse e dëshironi atë punë ose pse ajo ka rëndësi për ju, do të jeni të përgatitur për t’u përballur me të papriturat. Bëhuni gati dhe nisni lojën duke përdorur më së miri aftësitë tuaja.

 

  1. Organizoni paraprakisht udhëtimin tuaj për në punë

Përshtypja e parë është përshtypja më e rëndësishme, kështu që organizoni me kujdes ditën tuaj. Udhëzimi kryesor që ju është dhënë përpara se të nisni punën është data kur do të filloni punën.

Pra, në ditët përpara datës kur do të filloni punë, gjeni mënyrat e transportit se si mund të shkoni deri në zyrë, llogarisni kohëzgjatjen e udhëtimit dhe shpenzimet e nevojshme.

Gjëja kryesore që duhet të keni parasysh është që të jeni në kohë dhe të mos i lini të tjerët të presin për ju. Edhe nëse arrini herët, nuk ka problem, pasi jo shumë veta do të mendonin se shprehja “më mirë vonë se kurrë” vlen për këto raste.

 

  1. Hani mëngjes dhe merrni një drekë të vogël me vete

Pavarësisht se mund të jeni tepër të emocionuar për ditën e parë në një punë të re, gjëja më e rëndësishme është që të keni fjetur mjaftueshëm dhe të zgjoheni në kohë për të ngrënë një vakt të mirë përpara ditës suaj të madhe. Pa dyshim që nuk duhet të shkoni të uritur në zyrë.

Mund të mendoni se do të jeni në gjendje që t’ia dilni mbanë duke ngrënë më vonë gjatë ditës, por, duke qenë se është dita juaj e parë e punës, merrini hapat më ngadalë dhe hani mirë paraprakisht. Gjithashtu, mbani me vete diçka të vogël si rezervë, në mënyrë që të mos jeni të uritur përpara kolegëve tuaj të rinj.

  1. Përgatitni një listë me pyetje

Dita e parë është një mundësi e mirë për ju që të mësoni shumë gjëra për vendin e punës dhe për kompaninë, por vjen një pikë që kjo gjë bëhet e lodhshme. Për ta shmangur këtë, përgatitni një listë me pyetje për të cilat dëshironi që të merrni përgjigje gjatë ditës suaj të parë.

Për shembull, kujt duhet t’i raportoj unë? Si bëhet vlerësimi i ecurisë në punë? Kur dhe sa shpesh zhvillohen takime me ekipin? Kush janë drejtuesit e departamenteve? Ju mund të mos arrini t’i merrni të gjitha përgjigjet e pyetjeve tuaja menjëherë, por edhe përgjigjet e disa prej këtyre pyetjeve do të ishin të mjaftueshme për ditën e parë.

Goel na kujton se, “Nëse nuk jeni në gjendje të ndiqni seancën e prezantimeve, nuk ka problem, jeni i ri në punë! Bëni aq pyetje sa të dëshironi”.

 

  1. Shoqërohuni me të paktën një person në zyrë

Shfaqni një sjellje pozitive, mos e kaloni kohën tuaj në telefon, dhe, buzëqeshni! Po, trafiku është i tmerrshëm, moti mund të mos jetë aq i mirë, mund të duhet pak kohë deri sa të mësoheni me rutinën e re, por, pavarësisht të gjitha këtyre, buzëqeshni teksa përshëndetni kolegët tuaj.

Në këtë mënyrë, ju do të perceptoheni si një person më i shoqërueshëm dhe do të jetë më e lehtë për të nisur biseda me kolegët tuaj.

Mos harroni se nuk do të gjeni aty partnerin e jetës. Nuk është e thënë që njerëzit në punë duhet të jenë njësoj si tipi juaj, por njohja me ta ju ndihmon për ta bërë punën më mirë dhe, për më tepër, ju mund t’ua bëni kolegëve të rinj ato pyetje që ju duken marrëzi për t’i bërë me zë të lartë.

Maksimumi, do të keni shoqëri ndërkohë që hani drekë dhe kjo ndonjëherë bëhet pjesa më e bukur e ditës suaj. / Entrepreuner

Artikulli paraprakNdahen 15 milionë euro për rezervën shtetërore në Kosova
Artikulli tjetërJu njohim me faqet të dobishme në internet për të gjetur punë në distancë

Comments are closed.