Mos e pranoni një punë të re, nëse kultura e kompanisë nuk kalon këto 4 teste

Kultura e një kompanie, mënyra se si njerëzit që punojnë atje mendojnë dhe veprojnë, formohet nga themeluesi i kompanisë dhe, pothuajse gjithmonë, ndryshohet nga çdo person që vendoset në pozicionin e drejtuesit ekzekutiv, pas largimit të themeluesit.

Nëse punoni për një kompani ku drejtuesi ekzekutiv është edhe themeluesi i saj, dhe në rast se kompania vazhdon të rritet me shpejtësi, atëherë kultura e kompanisë ka të ngjarë të jetë e rrënjosur thellë në mënyrën e organizimit dhe në proceset e saj.

Dhe, me shumë mundësi, kompania duhet të ketë një kulturë të mirë.

Por, nëse kompania po has vështirësi kohët e fundit, atëherë ndoshta kultura e saj nuk është më e mira. Nëse punoni për një kompani me një kulturë të tillë, duhet të largoheni sa më parë sepse kjo gjë do të dëmtojë karrierën tuaj.

Nëse po mendoni që të shkoni te një kompani e re, duhet të siguroheni që ajo të ketë një kulturë të mirë. Por, kompanitë nuk e reklamojnë llojin e kulturës që kanë, kështu që këtë gjë do të duhet ta zbuloni vetë. Këtu janë katër pyetje për të zbuluar nëse kultura e një kompanie është e mirë apo jo.

  1. A i ndërron kompania shpesh drejtuesit e saj ekzekutivë?

Nëse kompania ka pasur një numër të madh të drejtuesve ekzekutivë në të kaluarën e saj, kjo është një shenjë shumë e keqe. Sigurisht, arsyeja e këtyre ndryshime është gjithashtu kritike. Nëse drejtuesit ekzekutivë të mëparshëm janë detyruar të largohen për shkak të problemeve etike ose ligjore, atëherë duhet të jeni të shqetësuar.

Por, është gjithmonë e mundur që drejtuesi ekzekutiv aktual i kompanisë të jetë duke bërë një punë të shkëlqyer për të rregulluar kulturën e kompanisë. Nëse kompania ka ecur mirë dhe drejtuesit ekzekutivë kanë dalë rregullisht në pension në një moshë të madhe, atëherë drejtuesit e rinj nuk janë një shenjë e keqe.

  1. A është i qëndrueshëm pozicioni financiar i kompanisë?

Nëse një kompani nuk arrin të ketë fluks pozitiv të parave ose nëse ka marrë shumë para hua, atëherë ka shumë mundësi që drejtuesi i saj të mos jetë i përkushtuar për kompaninë në planin afatgjatë. Ndoshta drejtuesi ekzekutiv mund të besojë se kompania mund të bëhet fitimprurëse vetëm nëse ajo arrin të zmadhohet mjaftueshëm.

Por, në shumicën e rasteve, kjo nuk ndodh, sepse kompania nuk është në gjendje të rrisë çmimet e saj deri në atë pikë sa të mund të mbulojë kostot, ose nuk mund të bëhet më efikase ndërkohë që bëhet më e madhe.

Pozicioni i përkeqësuar financiar i kompanisë është një shenjë e qartë e një strategjie jo-efektive biznesi, por gjithashtu dëshmon se bordi i kompanisë është më besnik ndaj drejtuesit ekzekutiv, duke e lënë atë që të qëndrojë në krye, sesa ndaj punonjësve ose klientëve të kompanisë.

  1. A po rritet kompania me ritëm më të ngadaltë se tregjet e saj?

Nëse një kompani po rritet me ritme më të ngadalta se industria, mundohuni të zbuloni arsyet pse ajo ka mbetur prapa në treg. Shikoni nëse rritja e saj e vonuar vjen për shkak të dobësive me produktin, me çmimet dhe me shërbimin ndaj klientëve.

Dhe, ka shumë mundësi që këto probleme të jenë shenja të një kulture jo të mirë. Për shembull, duhet të zbuloni nëse kompania i shpërblen njerëzit që përmbushin objektivat e shitjeve – edhe nëse ata i arrijnë këto objektiva duke u bërë premtime klientëve, të cilat më vonë nuk i mbajnë. Kërkoni nëse kompania nuk u përgjigjet mirë pyetjeve të klientëve në lidhje me instalimin ose mirëmbajtjen e produktit.

  1. A është kompania e paaftë për të tërhequr dhe për të mbajtur punonjësit më të talentuar?

Nëse kompania nuk është në gjendje të tërheqë punonjësit më të talentuar dhe po vuan nga numri i madh i largimeve të tyre, atëherë zbuloni arsyet pse po ndodh kjo. A i trajton kompania keq punonjësit e saj? A ka ajo një reputacion të keq në mesin e njerëzve më të talentuar? A u ofron ajo punonjësve kompensime relativisht të ulëta? A është misioni i saj jofrymëzues?

Me shumë mundësi, kompania ose nuk ka një kulturë të artikuluar, ose ka një ndryshim të madh midis asaj që thotë për kulturën e saj dhe mënyrës se si sillen drejtuesit kryesorë.

Nëse një kompani shfaq këto katër shenja të një kulture jo të mirë, do të ishte më mirë të kërkonit për një kompani tjetër./INC/

Artikulli paraprakSi do të kujdeset shteti i Katarit për sigurinë në Kupën e Botës?
Artikulli tjetërÇfarë krize: uri botërore për superjahte!

Comments are closed.