Çfarë krize: uri botërore për superjahte!

Rekordi i vitit 2021 është vendosur të jetë një vit rekord për shitjet globale të superjahteve për shkak të kërkesës së vazhdueshme – Këtë vit, shitjet janë ende 68% mbi mesataren 13-vjeçare.

Pavarësisht parashikimeve ogurzeza për një dimër të vështirë dhe shqetësimeve të shtuara për një recesion të afërt, industria e superjahteve vijon në lulëzim.

Gjithsej 117 jahte ultraluksoze morën pjesë në Monaco Yacht Show, një numër rekord. Sikur të ishim në një botë tjetër, larg luftës në Ukrainë dhe krizës energjetike që ka pllakosur të gjithë Evropën…

Drejtuesit e industrisë konfirmojnë rritjen e shpejtë të kërkesës, e cila në fakt u intensifikua gjatë pandemisë. Gjithnjë e më shumë super të pasur donin të blinin jahtin e tyre në përpjekje për të gjetur një strehë të sigurt larg koronavirusit.

Edhe pse pandemia tregoi shenja pakësimi, kërkesa mbeti e fortë. Vetëm në nëntë muajt e parë të 2022, të ardhurat në Burgess, ndërmjetësi kryesor në tregun e superjahteve, janë rritur me 20% krahasuar me vitin e kaluar.

2021-shi u cilësua një vit rekord për shitjet globale të superjahteve për shkak të kërkesës së vazhdueshme. Këtë vit, shitjet janë ende 68% mbi mesataren e tyre 13-vjeçare, sipas Fraser Yachts. Vitin e kaluar, 1001 superjahte prej të paktën 24 metrash u shitën për 9.4 miliardë euro (9.2 miliardë dollarë), sipas Kevin Bodington, themelues dhe CEO i YachtBuyer.com. Shitjet deri më tani këtë vit arrijnë në 567 (4.2 miliardë euro).

Sipas një raporti të fundit nga Bloomberg, për momentin, rritja e tregut është kryesisht për shkak të amerikanëve. Që nga 31 gushti, pronarët amerikanë kishin pjesën më të madhe jo vetëm të jahteve para-ekzistuese në treg, por edhe të ndërtimeve të reja. Pronarët amerikanë përbëjnë 23% të flotës botërore të jahteve ultraluksoze mbi 40 milion, të ndjekur nga rusët me rreth 9%. Blerës të tjerë vijnë edhe nga Greqia, Britania e Madhe, Turqia dhe Italia.

Prej disa vitesh, oligarkët rusë kanë qenë ndër blerësit më të profilit të lartë të jahteve, duke e vënë këtë industri tradicionalisht diskrete në qendër të vëmendjes. Por që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt, autoritetet kanë fiksuar ose sekuestruar superjahte me vlerë qindra milionë dollarë të lidhur me miliarderët rusë të shënjestruar nga sanksionet./bloomberg-tesheshi/

Artikulli paraprakMos e pranoni një punë të re, nëse kultura e kompanisë nuk kalon këto 4 teste
Artikulli tjetërÇmimet e energjisë elektrike në Ballkan – Ku janë më të lartat dhe ku më të ulëtat?

Comments are closed.