Keni marrë një ofertë pune? Tani është koha për të negociuar

Miliona njerëz po lënë punët e tyre dhe po gjejnë mundësi të reja në atë që është konsideruar si Dorëheqja e Madhe.

Në shkurt, kishte më shumë se 11 milionë vende pune në SHBA, sipas Departamentit të Punës, dhe shkalla e papunësisë ra në 3.6% në muajin mars, një tjetër nivel shumë i ulët i epokës së pandemisë.

Nëse jeni duke kërkuar për një punë, ju keni avantazhin. Dhe nëse keni marrë një ofertë pune, tani është koha për të negociuar.

Teksa paga është tendencialisht pika kryesore e negociatave, ajo nuk është fundi i bisedës. Ka edhe përfitime të tjera që mund të negociohen.

Mos flisni për pagën, derisa të vijë ҫasti i duhur

Rekrutuesit shpesh duan të dinë një shifër për pagën që ju kërkoni, që në fillim të procesit të rekrutimit – por përpiquni që ta shmangni dhënien e një shifre.

“Ju nuk duhet që ta vendosni veten tuaj në një pozicion të vështirë,” tha Alexandra Dickinson, trajnere e karrierës dhe e negociatave, si dhe themeluese e Ask For It. “Ju duhet të flisni për paratë kur ata t’ju duan, kur ata të kenë nevojë për ju. Atëherë, ata do t’i gjejnë paratë për ju.”

Dhe, nëse një rekrutues ju pyet për pagën tuaj aktuale, mos e thoni atë. “Ju nuk duhet të paguheni mbi bazën e asaj që keni bërë më parë, ju duhet të paguheni bazuar tek aftësitë që po ofroni në rolin aktual në tregun ku jeni tani.”

Koha e duhur për të diskutuar për pagën është në fund të procesit, pasi të keni marrë një ofertë.

“Asnjëherë nuk duhet të filloni të negocioni në mes të një interviste,” tha Victoria Medvec, autore e “Negotiate Without Fear” dhe drejtore ekzekutive e Qendrës për Gratë Drejtuese në Shkollën e Menaxhimit Kellogg të Universitetit Northwestern. “Ju nuk duhet të negocioni, përpara se ata të thonë: ‘Ne duam t’ju punësojmë’.”

Jini specifik në lidhje me bonuset

Nëse bonusi vjetor është pjesë e paketës suaj të kompensimit, sigurohuni që të shikoni përqindjen e tij dhe faktin nëse është i përpjesëtuar në bazë të kohës kur jeni bashkuar me kompaninë, sugjeron Tessa White, CEO e The Job Doctor.

“Kompanitë kanë gjithashtu një fond për bonuset dhe shumica e njerëzve nuk negociojnë për këtë gjë,” tha White.

Nëse një kompani përpjesëton bonusin e saj, kjo mund të nënkuptojë që ju do të humbni disa para.

“Një gabim i madh që bëjnë njerëzit është se ata nuk sigurohen që të negociojnë që bonusi i tyre të mos përpjesëtohet vitin e parë, në mënyrë që të mos humbasin para,” tha White.

Edhe nëse bonusi nuk përfshihet në ofertën e punës, mund të përpiqeni të negocioni për një të tillë – por sigurohuni që të kërkoni një plan specifik.

White tha se duhet të zbuloni se çfarë do të konsiderohej që i tejkalon pritshmëritë në rolin për të cilin po intervistoheni dhe më pas të propozoi një bonus në kundërofertën tuaj që, nëse bëni këto gjëra, atëherë do të duhet të vijë një bonus i caktuar.

Të punoni ku të doni

Puna nga shtëpia mund të nënkuptojë që të vishni rroba më të rehatshme ose të bëni një telefonatë pune gjatë një shëtitjeje të këndshme – por kjo nuk është mënyra se si ju duhet të kërkoni një orar fleksibël.

Kur kërkoni për të punuar në distancë ose gjatë gjithë kohës, ose disa ditë në javë, ekspertët këshillojnë që të tregoni se si kjo gjë do të ishte e dobishme për kompaninë.

Dhe, për të larguar çdo shqetësim, White rekomandon që të sugjeroni që herë pas here do të vini në zyrë, sipas nevojave.

“Sa herë që kërkoni diҫka që duket si një eksperiment, do të keni fat shumë më të madh sesa nëse komapnia mendon se kjo është një gjë e përhershme.”

A ka rëndësi titulli? Shumë

Negocimi i një titulli mund të jetë financiarisht i dobishëm për ju teksa karriera juaj përparon.

“Sa herë që mund të ngjiteni në shkallët e këtyre titujve, kjo gjë do të rrisë pagën tuaj,” tha White. “Pra, nëse merrni një titull më të lartë, edhe pse kompania mund të mos ju paguajë më shumë, kur e krahasoni atë titull dhe të kaloni në punën tjetër, pagat tuaja të krahasueshme janë më të larta. Ju keni krijuar iluzionin e një pune më të paguar.”

Zhvillimi profesional

Trajnimet dhe zhvillimet e tjera profesionale gjithashtu mund të nxisin qëllimet tuaja afatgjata të karrierës dhe mund të jenë pjesë e negociatave tuaja.

White sugjeroi që të kërkoni një shumë të caktuar parash në vit për aktivitete që përmirësojnë karrierën tuaj, si trajnime ose konferenca.

Morët një ofertë? Përhapni lajmin

Nëse ju vjen një ofertë ndërkohë që ju jeni ende duke bërë intervista me kompani të tjera, njoftoni punëdhënësit e tjerë. “Burimi juaj më i madh i fuqisë është ndjesia e alternativave,” tha Medvec. Ajo sugjeroi që të kontaktoni menaxherët e tjerë të burimeve njerëzore dhe t’i bëni të ditur se keni një ofertë, por që jeni vërtet të interesuar për pozicionin në kompaninë e tyre dhe nuk dëshironi që të merrni një vendim pa diskutuar njëherë me ta.

“Ju duhet të shprehni nivele të larta interesi për pozicionin e tyre,” tha ajo, por duhet të shmangni pranimin e plotë të një oferte, kur ju bëhet një e tillë.

“Njerëzve u pëlqen që të punësojnë dikë të cilin dëshiron ta punësojë edhe dikush tjetër,” tha ajo. “Ekziston kjo vlerë e supozuar që, kur edhe njerëzit e tjerë duan t’ju punësojnë, atëherë ju jeni një kandidat më i mirë.” /CNN/

Artikulli paraprakÇfarë duhet të bëni me paratë tuaja gjatë inflacionit sipas planifikuesve financiarë?
Artikulli tjetërLidershipi – Udhëheqja