Inflacioni i lartë pritet të vazhdojë gjatë tërë vitit në mbarë botën

Inflacioni i lartë dhe i vazhdueshëm do të dëmtojë ekonominë botërore këtë vit, sipas një sondazhi të Reuters me shumë ekonomistë, të cilët zvogëluan perspektivën e tyre të rritjes globale si rrjedhojë e shqetësimeve për rënien e kërkesës dhe të rrezikut që normat e interesit do të rriteshin më shpejt nga sa pritej deri më tani.

Ky përbën një ndryshim të dukshëm nga vetëm tre muaj më parë, kur shumica e ekonomistëve ishin në anën e bankave qendrore në pikëpamjen e tyre të atëhershme se rritja e inflacionit, e nxitur pjesërisht nga pengesat në furnizime si pasojë e pandemisë, do të ishte kalimtare.

Në sondazhet e fundit tremujore të Reuters me mbi 500 ekonomistë, të kryera gjatë gjithë janarit, ekonomistët rritën parashikimet e tyre të inflacionit për vitin 2022 për shumicën e 46 ekonomive që përfshihen në këtë sondazh.

Megjithëse presionet mbi çmimet pritet të zbuten në vitin 2023, perspektiva e inflacionit është shumë më negative se tre muaj më parë.

Në të njëjtën kohë, ekonomistët ulën parashikimet e tyre për rritjen ekonomike globale.

Pas zgjerimit me 5.8% gjatë vitit të kaluar, ekonomia botërore pritet të ngadalësohet me një rritje prej 4.3% në vitin 2022, nga 4.5% që ishte parashikuar në tetor, pjesërisht për shkak të normave më të larta të interesit dhe të kostos së jetesës.

Rritja ekonomike vlerësohet se do të vazhdojë të ngadalësohet në 3.6% dhe 3.2% për vitet 2023 dhe 2024, respektivisht.

Gati 40% e atyre që iu përgjigjën një pyetjeje shtesë në sondazh veçuan inflacionin si rrezikun kryesor për ekonominë globale këtë vit, me gati 35% të të anketuarve që zgjodhën variantet e koronavirusit dhe 22% që shqetësoheshin se bankat qendrore po lëvizin shumë shpejt.

“Shanset për një aksident gjatë këtij viti janë shtuar dhe gjasat për një rënie të zbutur në vitin 2022 do të konsideroheshin vetëm nëse bëjmë disa supozime të favorshme dhe nëse kemi pak fat të mirë,” tha kryeekonomisti i grupit Deutsche Bank, David Folkerts-Landau, duke vënë theksin tek inflacioni i lartë, te vazhdimësia e problemeve në zinxhirët e furnizimieve, te pandemia, si dhe te tensionet politike ndërkombëtare.

Sondazhet e këtij muaji të Reuters zbuluan se 18 nga 24 bankat qendrore kryesore pritej të rrisnin normat e interesit të paktën një herë gjatë këtij viti, krahasuar me 11 banka që pritej ta bënin këtë sipas sondazhit të tetorit.

Rezerva Federale e SHBA-së sinjalizoi të mërkurën se do të rriste normën bazë të fondeve federale nga niveli më i ulët rekord prej 0 – 0,25% në mars, pasi mbylli programin e saj të blerjes së obligacioneve.

Banka e Anglisë ishte banka qendrore e parë e rëndësishme që rriti normat për herë të parë që nga fillimi i pandemisë dhe pritet ta bëjë këtë përsëri. Edhe Banka e Kanadasë pritet t’i rrisë normat së shpejti.

Nga ana tjetër, shumica e ekonomistëve presin që Banka Qendrore Europiane dhe Banka e Japonisë do të mbajnë të njëjtat norma, të paktën deri në fund të vitit të ardhshëm.

Teksa cikli i këtyre shtrëngimeve është akoma në ditët e para në tregjet e zhvilluara, shumë banka qendrore të tregjeve në zhvillim, me disa përjashtime të dukshme si Brazili dhe Kina, janë duke pritur sinjalet nga Fed-i, në një kohë kur po përballen me pandeminë dhe me sfidat e tyre ekonomike.

“Gjatë tre dekadave të fundit, bankat qendrore në tregjet e zhvilluara, të udhëhequra nga Fed, kanë qenë të prirura që t’i shohin goditjet e ofertës të cilat nxisin inflacionin, si një zvarritje e rritjes ekonomike që duhet zbutur,” vuri në dukje Joseph Lupton, ekonomist në J.P. Morgan.

Megjithatë, në një kohë kur bankat kryesore qendrore po shfaqin shqetësime për përafrimin e pritshmërive të inflacionit me objektivat e tyre, edhe ekonomitë në zhvillim po përballen me sfida të ngjashme.

“Presioni mbi bankat qendrore të tregjeve në zhvillim që të veprojnë për uljen e pritshmërive të inflacionit ka të ngjarë të intensifikohet,” tha Lupton.

Perspektiva e rritjes për mbi 60% të 46 ekonomive të përfshira në këto sondazhe pësoi rënie ose mbeti e pandryshuar për vitin 2022.

Megjithëse shumica e vendeve patën një rënie në parashikimet e rritjes ekonomike për tremujorin e katërt dhe atë aktual, kryesisht për shkak të përhapjes së variantit Omicron të koronavirusit, ato pritet që të rimëkëmben gjatë tremujorit të ardhshëm. /Reuters/

Artikulli paraprakKu është mirë të investosh në këtë moment lufte dhe pasigurie globale?!
Artikulli tjetërEfekti “Ukrainë” te patatet e skuqura në Gjermani