E drejta e punëtorit sipas Islamit

E drejta e punëtorit përveçse vjen si një e drejtë bazë e dhënë prej Zotit të lartësuar, gjithashtu vjen dhe si shkak i mundit të tij gjatë punës, ku në bazë të mundit dhe marrëveshjes me punëdhënësin, atij i caktohet një rrogë e caktuar.

Duke pasur parasysh të dy këto elementë kryesorë, punëtori duhet me doemos të ketë një pagë prej të cilës ai, minimumi të plotësoj nevojat kryesore si; të ngrënit, e pira, veshja, shkollimi, një çati ku të fusë kokën e tij dhe të familjes etj, gjëra bazë të jetesës.
Të gjithë këto nevoja bazë për jetën e të punësuarit, pikë së pari i takon punëdhënësit të tij që ti marrë në konsideratë dhe kurrsesi mos të abuzojë me pushtetin e punësimit. Nësë ndodh që punëdhënësi të abuzojë dhe të keqpërdorë punëtorin e tij, atëherë këtu duhet të hyjë në fuqi ligji i cili me çdo kusht duhet që t’ia japë punëtorit të drejtën që i takon.
Pra, në këtë rast, përgjegjësia i takon shtetit dhe ligjvënësve që në çdo mënyrë të eleminohet padrejtësia kundrejt punëtorit.

Allahu në Kuranin Famëlartë thotë:

“Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit…” (Nahl 90).

Të jesh i drejtë është virtyt I lartë dhe zbatim I urdhëresës Hyjnore.
Kjo akoma merr më shumë rëndësi sidomos kur ka të bëj me të drejtën e njerëzve të tjerë, ku fetarisht merr formën e urdhërit të prerë dhe informon për pasoja nësë kjo gjë nuk zbatohet.

Gjithashtu në një ajet tjetër Allahu (xh.sh) thotë kështu: “Me të vërtetë, ju ka ardhur provë e qartë nga Zoti juaj, prandaj matni dhe peshoni saktë, mos u hani hakun njerëzve… (Araf 85).

Në rradhë të parë zbatimi i këtij urdhëri është individual në raport të gjithsecilit me Zotin e gjithësisë, mirëpo për vetë faktin se këtu kemi të bëjmë me pasoja që shkaktohen në dëm të individëve të tjerë, atëherë ligjvënësit janë ata të cilët kanë kompetencat në dorë për të marrë masat e caktuara kundrejt çdo padrejtësie që ndodh në kurriz të njerëzve.
Shteti është ai i cili duhet që të siguroj ligjet dhe çdo element tjetër që të sigurojë mirëqënien në jetën familjare dhe shoqërore në territorin e tij. Ai eleminon çdo abuzim që mund të bëhet nga kushdo dhe kurrë nuk duhet të largohet drejtësia, gjëja më e rëndësishme për rregullatorin e një shoqërie.

Në një thënie të tij, i dërguari I Allahut, Muhammedi (a.s), na tregon parimet bazë sesi duhet të formohen ligjet në dobi të mbarëvajtjes së jetës shoqërore në aspektin ekonomik.
Ai thotë kështu: “Nësë dikush emërohet në punë tek institucionet tona (pra punët që mundëson shteti), ai duhet që me të ardhurat që fiton prej punës së tij, të mundësojë në një kohë të shkurtër të jetës së tij, një shtëpi ku të jetojë, martesën e tij, të jetë i aftë për jetë familjare, të ketë mundësi ekonomike që nëse ka nevojë, të punësojë dikë për punët e tij dhe të ketë një mjet me të cilin zgjidh punët dhe problemet e tij. Kush kërkon më shumë se kaq, ai ka tradhtuar amanetin i cili i është dhënë, ose mund të përfundojë duke marrë rryshfet”.
(Ebu Davud, Imare, 10; Ahmed b. Hanbel, Musned, IV, 299).

Elementet bazë për një jetë të qetë nga aspekti ekonomik janë treguar qartësisht në këtë thënie profetike. Pra e drejta që Zoti ja ka dhënë njerëzve në këtë jetë, është pikërisht mundësia ekonomike ku çdokush i përballon gjërat bazë.

Kushdo ai i cili ka në dorë ligjvënien dhe nuk ka mundësuar këto elemente bazë, ai me të vërtetë ka bërë padrejtësi në popull.

Në fenë islame institucioni i zekatit është treguesi I qartë se në çfarë pozite është një individ apo një familje, i varfër apo i pasur. Kjo sepse për të sjellë në vend një urdhër Hyjnor siç është zekati (të japësh 2.5% të kursimeve tua vjetore të varfërve), njeriu duhet të jetë I pasur, dhe nësë nuk e plotëson këtë kusht, atëherë ai konsiderohet i varfër, apo i vetëmjaftueshëm.

Halifi Omer b. Abdulazîz ( v.720) këtë specifikë e ka specifikuar kështu : “Një person i cili nuk ka një shtëpi ku të fusë kokën e tij, një ndihmës për punët e tij, një kalë për nevojat e tij (sot mund të themi makinë), dhe mobiliet e nevojshme për shtëpinë e tij, atëherë ai konsiderohet i varfër dhe ndihmohet nga arka e shtetit”.
(Ebu Ubejd, el-Emval, Nsr. M. Halil Hurras, Kahire 1388/1968, s. 556).

Nëse ndodh që herë pas herë të kemi anomali dhe luajtje në ekonominë e vendit, nëse kemi rritje çmimesh për produktet bazë të jetesës dhe qytetarëve u vështirësohet jetesa, atëherë shteti është ai i cili në të njëjtën kohë duhet të rrisi rrogat që qytetarët që mos të kenë vështirësi në përballimin e jetesës, ose tu vijë atyre në ndihmë.

Ligji i Zotit është se “Ai nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka” (Bekare: 286), gjë e cila duhet të zbatohet gjithashtu nga njerëzit kompetent, rregullatorët dhe ligjvënësit, të cilët duhet të kenë gjithmonë në plan të parë shërbimin në dobi të njerëzve duke mos u ngarkuar atyre halle dhe probleme përtej mundësive të tyre.

Ligjet duhet të jenë gjithmonë të tilla ku njerëzve u lehtësohet jeta për të siguruar pa vështirësi gjërat elementare të lartë përmendura. Për këtë na mjafton thënia e profetit Muhammed (a.s) ku thotë se:”nëse punëtorit i vështirësohet puna, atëherë duhet që atij ti vihet në ndihmë, pra mos të lihet pa përkrahje”.
(Buhariu, Muslimi).

Leonard Çela. /urtësia/

Artikulli paraprakA mund kriptovalutat të sfidojnë dominimin global të dollarit?
Artikulli tjetërPasuria i takon Allahut, njeriu është vetëm mëkëmbës në të