Çmimi i specave në Kosovë në stratosferë, konkurron produktet e mishit

Tani nuk është stinë e specave në vendet me klimë kontinentale, as në Kosovë, por asnjëherë deri tani ky perim nuk është shitur më shtrenjtë. Çmimi 5 euro për një kilogram është rekord dhe garon me koston e produkteve të mishit.

Çmimi i një kilogrami të specave në Kosovë ka thyer të gjitha rekordet dhe si i tillë është bërë thuaja kuriozitet për konsumatorët.

“A e patë çmimin e specave sot. Kilogrami kushtonte 5 euro. Kjo nuk është parë e as dëgjuar ndonjëherë në vendin tonë. Me këtë çmim më mirë të del të blesh mish se sa speca”, i thotë një i moshuar prishtinas një bashkëbiseduesi para dyerve të një marketi në kryeqytet.

Dhe, vërtetë s’ka ku shkon më shtrenjtë, sado që është fare e qartë se specat e ofruar në marketet, supermarketet dhe shitoret e pemëve dhe perimeve, janë ekskluzivisht nga importi, gjegjësisht nga serrat turke dhe greke të plastmasit.

Edhe në vitet më parë, në këtë stinë, speci në tregjet kosovare ka qenë qind për qind me origjinë nga importi, por ka kushtuar ndjeshëm më lirë.

Në raste jo të rralla, ky perim, i kërkuar dhe i konsumuar shumë ndër kosovarët, është tregtuar me çmime të arsyeshme edhe për kosovarin e varfër.

Tani, pas çmimeve të ekspozuara stratosferike, nuk ka mbetur shumë fjalë për konsumatorin.

Shumica e tyre vetëm do t’i sodisë dhe do të rrëfej te familiarët dhe konsumatorët e tjerë se çka parë.

Sot, pra, në marketet dhe shitoret e shumta të pemëve dhe perimeve në kryeqytet një kilogram i specave djegës kushtonte 4 euro e 99 centë, që i bie 5 euro, ndërsa specat e padjegës tregtoheshin një euro më pak, gjegjësisht 3 euro e 99 centë.

Këto dy lloje të specave që tregtohen në marketet e tregjet kosovare dhe në ato të Prishtinës, importohen kryesisht nga Greqia.

Mirëpo, ka edhe lloje te tjera të specave për të cilët kërkesa është e vazhdueshme.

Derisa speci i kuq djegës që importohet nga Greqia, sot tregtohej me 4 euro e 99 centë për kilogram, speci padjegës që vie nga Turqia kushtonte 3 euro e 79 centë kilogrami.

Lloji i specave fafaron, i cili është vendor, nëpër markete aktualisht tregtohet për 1 euro e 39 centë për kilogram.

Mirëpo, ka edhe lloje të tjera të specave të cilët kanë shitje të vazhdueshme nëpër tregje e markete.

Speci ‘Babure’ tregtohet për 4 euro e 49 centë për kilogram dhe importohet nga Turqia, kurse ai i njohur si ‘Gjinke’ kushton 1 euro e 49 centë për kilogram dhe është vendor.

Në anën tjetër, speci i emërtuar si ‘Magjar’ sot tregtohet për 1 euro e 29 centë. Ky lloj i specit importohet nga Turqia.

Po ashtu, edhe speci i ashtuquajtur  ‘Zharan’ nuk tregtohet edhe aq lirë. Në tregjet e marketet në kryeqytet, ai kushton 1 euro e 49 centë për kilogram.

Me një çmim pak më të arsyeshëm, shitet speci ‘somborkë’, prodhim i vitit të kaluar, ku kilogrami i tij është vetëm 99 centë.

Të gjitha këto lloje të specave, që shiten me çmime kaq të larta, sipas menaxherëve të marketeve në Prishtinë, janë të klasit të parë dhe ekskluzivisht nga serrat turke dhe greke.

Ata thonë se ka edhe speca që janë të klasit të dytë dhe zakonisht tregtohen me 1 euro deri në 1 euro e gjysmë më lirë.

Në anën tjetër, shitësit nëpër markete dhe tregje po ashtu thonë se ekziston mundësia që qytetarët të blejnë më pak se një kilogram.

Siç thonë ata, atyre u mundësohet që të zgjedhin dhe të marrin sa atyre u nevojitet, apo sa ua lejon xhepi i tyre.

Shqetësimi i tyre, ishte se në rast se këto lloje të specave nuk shiten dhe nga qëndrimi më i gjatë në shtande ata dëmtohen dhe ndodhë edhe të kalben, dhe si të tillë duhet të hudhen. Në këto raste, marketet domosdo do të shënojnë humbje.

Speci i freskët në Kosovë më shumë konsumohet në muajt e verës, kur shtohet ndjeshëm kërkesa për ta. Vera, në njëfarë mënyre është stina e specit.

Në këtë stinë, arrinë edhe speci i kultivuar në vend dhe çmimi fillon të bie.

Në koston e ulët të këtij perimi, ka ndikim të drejtpërdrejtë prodhimi vendor.

Ndryshe, raporti i fundit i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), i publikuar  në vitin 2015, rreth ‘Analizës së tregut të Specit’, thotë se si rezultat i kushteve të favorshme klimatike, speci është një ndër kulturat e cila kultivohet në masë të madhe në Kosovë.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2013 janë mbjellë 3 mijë e 686 hektarë toke me speca.

Sipërfaqja e mbjellë në vitin 2013 përfaqëson njëherësh edhe sipërfaqen më të madhe të kultivuar me speca në periudhën 2009-2013.

Në këtë periudhë, mesatarisht 23 për qind e sipërfaqes së përgjithshme të mbjellë me perime ka qenë e mbjelluë me speca.

“Kosova për të përmbushur nevojat vendore importon gjithashtu një sasi të konsiderueshme të specave”, thuhet në raport.

Raporti gjithashtu tregon se nga sasia e përgjithshme e specit të importuar, 53 për qind është importuar nga Maqedonia, vlera e së cilës është 2,045,848 euro.

Ndërkohë, Turqia merr pjesë me 31 për qind dhe Greqia me 15 për qind, të cilat njëkohësisht paraqesin vendet nga ku Kosova ka importuar sasi të konsiderueshme të specit në vitet ’14-‘15.

Kosova po ashtu eksporton për vite më radhë këtë produkt edhe në vendet e tjera.

Sipas të dhënave të të njëjtit raport, sasia më e madhe e eksportuar gjatë kësaj periudhe ka qenë në Gjermani me 23 për qind nga sasia e përgjithshme, vlera e së cilës është 161 mijë 202 euro.

Gjithashtu, Kosova ka eksportuar speca edhe në Serbi (19 për qind), Maqedoni (19 për qind) dhe në shtetet e tjera europiane (39 për qind)./Buletini Ekonomik/

Artikulli paraprakHalal Expo Albania 2022 dhe marketimi i logos hallall
Artikulli tjetërSi të zhvillojmë forma të reja të lidershipit?