Ballina Artikuj BIZNESI ME PARIME | PARIMET ETIKE TË TREGTISË SIPAS IMAM EBU HAMID...

BIZNESI ME PARIME | PARIMET ETIKE TË TREGTISË SIPAS IMAM EBU HAMID EL-GAZALIUT (Allahu e mëshiroftë!)

Tregtia nuk është vetëm mënyrë për të fituar pasuri, por edhe përgjegjësi morale dhe fetare.

Imam Ebu Hamid el-Gazaliu (1058–1111), njëri nga dijetarët më të njohur të historisë islame, në veprën e tij Ihja Ulum ed-Din (Ringjallja e shkencave fetare), trajton parimet etike dhe morale që duhet ta udhëheqin tregtarin mysliman.

Sipas mësimeve të tij, tregtari nuk duhet ta vlerësojë suksesin vetëm përmes fitimit financiar, por edhe përmes ndershmërisë, drejtësisë dhe mënyrës sesi e fiton pasurinë.

Ndër parimet kryesore të etikës tregtare sipas tij janë:

1. Ndershmëria në shitblerje Të mos mashtrojë, të mos fshehë të metat e mallit dhe të mos manipulojë peshoren apo çmimin.

2. Fitimi hallall Të kujdeset që fitimi të vijë nga marrëveshje të lejuara, duke u larguar nga kamata dhe mashtrimi.

3. Mirësjellja dhe toleranca Të jetë i sjellshëm me blerësit dhe shitësit, të mos e vështirësojë tregtinë dhe të tregojë mirëkuptim.

4. Largimi nga lakmia dhe padrejtësia Të mos e vendosë fitimin mbi çdo vlerë tjetër dhe të mos përfitojë nga nevoja apo vështirësitë e njerëzve.

5. Përmbushja e marrëveshjeve Të respektojë kontratat, të mbajë premtimet dhe t’i përmbushë detyrimet ndaj klientëve, punëtorëve dhe furnitorëve.

6. Kujdesi ndaj të drejtave të të tjerëve Të mos vonojë pagesat pa arsye dhe të mos cenojë pasurinë apo të drejtat e askujt.

7. Moslejimi që tregtia ta largojë nga Allahu Angazhimi në biznes nuk duhet ta largojë nga namazi, përmendja e Allahut dhe obligimet fetare.

8. Dobishmëria për shoqërinë Biznesi nuk duhet të synojë vetëm pasurimin individual, por edhe krijimin e vendeve të punës, sigurimin e jetesës dhe kontributin në mirëqenien e shoqërisë.

MESAZHI I EL-GAZALIUT PËR TREGTARIN

Etika e tregtisë nuk përfundon vetëm te mosbërja e padrejtësisë. Ajo ngrihet në një shkallë më të lartë: të jesh i drejtë, të sillesh me mirësi dhe të kërkosh kënaqësinë e Allahut edhe gjatë fitimit të pasurisë.

Një biznes mund të ketë qarkullim të madh dhe fitime të larta, por suksesi i vërtetë nuk matet vetëm me shifra. Ai matet edhe me ndershmërinë, besimin dhe bereqetin që e shoqëron.

Tregti me ndershmëri, fitim me bereqet!

Allahu na furnizoftë me pasuri hallall dhe na bëftë prej tregtarëve të drejtë e të ndershëm!

Burimi: Imam Ebu Hamid el-Gazali, Ihja Ulum ed-Din, Kitab Adab el-Kasb vel-Meash.

 

Përktheu: Mr. Fuad Ferati

Artikulli paraprakTREGTIA NË ISLAM: BESUESHMËRI DHE PËRGJEGJËSI