Raporti mbi perspektivat e tregut të kompjuterëve, i publikuar së fundi nga Canalys, tregon tendencat kryesore të rritjes së sektorit në vitin 2021 e më gjerë.
Smart working dhe mësimi online i kanë dhënë hov tregut të kompjuterëve dhe tabletëve. Mes tetorit dhe dhjetorit – vlerësojnë analistët e Canalys – dërgesat botërore do të arrijnë në total 143 milionë njësi, ose 35% rritje me bazë vjetore.
Viti 2020 do të mbyllet në kuotën 458 milionë njësi, 17% më shumë krahasuar me vitin 2019. Rritja do të vijojë edhe vitin tjetër. Mes janarit dhe marsit, dërgesat e kompjuterëve dhe tabletëve do të regjistrojnë një rritje me 43% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2020-s, që ishte veçanërisht e dobët. Viti 2021, sipas parashikimeve, do të mbyllet me një rritje prej 1,4% në kuotën 464,4 milionë pajisje.
Më në detaje, në vitin 2020, dërgesat e laptopëve shënuan rritje 27,9%, ose 241,1 milionë njësi; tabletët shënuan rritje +26,5%, ose 156,1 milionë tabletë. Këtyre u shtohen kompjuterët fiks, pajisje tipike në zyrë, në rënie me 23,1%, në 60,8 milionë njësi.
Në 2021 do të rriten vetëm shitjet për laptopët, 3,3%, ndërsa shitjet e tabletëve do të pësojnë rënie me 1%, kurse ato për kompjuterët fiks do të mbeten të pandryshuara
“Kur vaksinat të fillojnë të shpërndahen, do të hyjmë në një botë post-Covid, ndryshimet në sjellje si të kompanive edhe konsumatorëve do t’i japin një vëmendje më të madhe përdorimit të kompjuterëve, me më shumë mundësi jo vetëm në hardware, por edhe në software dhe shërbime” – thotë drejtori i kërkimit në Canalys, Rushabh Doshi.