Për t’u konsideruar i pranueshëm nga pikëpamja islame, sistemi bankar duhet të shmangë riban (interesin). Si pasojë, një pjesë e madhe e literaturës mbi teorinë e sistemit bankar islam është zhvilluar si rezultat i shqetësimit për mënyrën se si do të funksiononte sistemi monetar dhe bankar nëse interesi do të ndalohej me ligj. Literatura mbi veprimtarinë bankare islame paraqet dy drejtime të ndryshme dhe të dallueshme mendimi. Literatura e zhvilluar në Lindjen e Mesme, kryesisht në gjuhën arabe, është e përqendruar në funksionimin e një banke të vetme dhe ka ndjekur një qasje mikro. Ndërsa, literatura e zhvilluar në nënkontinentin Indian, kryesisht në gjuhën angleze, në përgjithësi ka ndjekur një qasje makro dhe është marrë me zhvillimin e një sistemi bankar pa interes, duke trajtuar çështje të tilla si natyra dhe funksionet e parasë në një ekonomi islame, roli, qëllimet dhe instrumentet e politikës monetare në një kuadër pa interes, etj. Në këtë seksion, do të shqyrtohet shkurtimisht baza teorike e bankës islame.
Aktiviteti modern i bankës tregtare bazohet në marrëdhënien kreditor-debitor ndërmjet depozituesve dhe bankës nga njëra anë dhe ndërmjet huamarrësit dhe bankës nga ana tjetër. Interesi shihet si çmimi i kredisë që pasqyron koston alternative të parasë. Pikëpamja islame për huanë (qard) është se ajo duhet të jepet ose të merret pa pagesë për të përballuar ndonjë nevojë të papritur dhe kreditori nuk duhet të përfitojë asnjë përfitim nga huamarrësi Kur paratë jepen hua me bazë interesi, shpeshherë kjo çon në një formë padrejtësie. Parimi islam për këto lloj transaksionesh është: “Mos veproni padrejtësisht dhe nuk do t’ju veprohet padrejtësisht” (Kurani, 2:279). Prandaj, sistemi bankar tregtar në një kuadër islam nuk mund të bazohet në marrëdhënien kreditor-debitor.
Parimi tjetër islam në çështjet e transaksioneve financiare është se nuk ka shpërblim pa rrezik. Ky parim zbatohet si për punën, ashtu edhe për kapitalin. Ashtu siç nuk lejohet pagesa për punën nëse ajo nuk kryhet realisht, po ashtu nuk duhet të ketë shpërblim për kapitalin nëse ai nuk ekspozohet ndaj rreziqeve të biznesit.
Ndërmjetësimi financiar në kuadër islam mund të realizohet duke përdorur këto dy parime. Për pasojë, marrëdhëniet financiare islame kanë një karakter pjesëmarrës. Disa teoricienë kanë propozuar që sistemi bankar tregtar në një sistem pa interes të organizohet mbi bazën e parimit të ndarjes së fitimit, i cili në jurisprudencën islame njihet si mudaraba.
Parimi i mudarabas mund të shpjegohet me një ilustrim të thjeshtë. Supozojmë se ka dy persona, njëri prej tyre ka kapital, por nuk ka aftësi të veçanta në tregti, ndërsa tjetri është i pajisur me një njohuri të veçantë dhe shkathtësi në çështjet tregtare, por nuk ka kapital. Këta dy persona mund të bashkëpunojnë në njërën nga dy mënyrat e mëposhtme:
- Tregtari mund të marrë hua paratë nga pronari i kapitalit dhe t’i investojë në tregtinë e tij. Pronari i kapitalit do të marrë mbrapsht kapitalin fillestar dhe një shumë shtesë të llogaritur mbi bazën e një norme fikse të quajtur normë interesi si kompensim për ndarjen nga likuiditeti. Kjo është financim me borxh. Zakonisht, huaja do të jepet për një periudhë të caktuar. Kërkesa e kreditorit për shlyerjen e kapitalit dhe pagesën e interesit bëhet e vlefshme vetëm pas përfundimit të kësaj periudhe. Kjo është pavarësisht nga fakti nëse tregtari ka realizuar apo jo fitim duke përdorur paratë e huazuara. Në rast humbjeje, huamarrësi duhet të kthejë shumën e huasë si dhe interesin e akumuluar nga burimet e tij. Kjo shihet nga Islami si një transaksion i padrejtë.
- Mundësia tjetër është që dy personat të bashkëpunojnë jo mbi bazën e një marrëdhënieje kreditor-debitor, por mbi bazën e partneritetit dhe bashkëpunimit, ku pronari i kapitalit do të ofrojë kapitalin e tij dhe pala tjetër do të vërë në përdorim aftësinë dhe menaxhimin e saj në tregti. Pronari i kapitalit nuk do të përfshihet në operacionet reale dhe të përditshme të biznesit, por do të jetë i lirë të vendosë disa kushte që ai i konsideron të nevojshme për të siguruar përdorimin më të mirë të fondeve të tij. Pas përfundimit të periudhës, që mund të jetë përfundimi i kontratës ose deri në momentin kur të arrihen përfitimet nga tregtia, pronari i kapitalit do të marrë kapitalin fillestar së bashku me një pjesë të fitimit.
Përqindja me të cilën ndahen fitimet totale të ndërmarrjes midis pronarit të kapitalit dhe menaxherit të ndërmarrjes duhet të përcaktohet dhe të dakordohet së bashku në momentin e kontratës, para fillimit të projektit. Në rast humbjeje, ofruesi i kapitalit mbart të gjithë humbjen dhe shuma kryesore e kapitalit ulet me vlerën e humbjes. Në njëfarë mënyre, mundësia e humbjes është ajo që i jep të drejtë pronarit të kapitalit për një pjesë të fitimit të ndërmarrjes. Ky është në thelb parimi i mudarabas.
Legaliteti islam i mudarabas bazohet në Sunetin, pasi raportohet se mudaraba është praktikuar në qytetin e Medinës dhe gjetkë gjatë kohës së Profetit (paqja qoftë mbi të) dhe ai nuk e ka kundërshtuar atë.
Marrëdhënia kreditor-debitor shihet si e padrejtë sepse i jep më shumë përparësi kreditorit në krahasim me debitorin. Interesat e kreditorit mbrohen në dëm të debitorit. Në kontrast, marrëveshja e mudarabas bazohet në drejtësi pasi i jep një pozicion të barabartë të dy palëve të marrëveshjes.
Mund të ketë të paktën tre arsye për ta konsideruar marrëdhënien e mudarabas më të drejtë sesa marrëdhënien kreditor-debitor:
Së pari, të dy palët kanë një pozicion të barabartë në përcaktimin e përqindjes me të cilën do të ndahen fitimet midis tyre.
Së dyti, trajtimi i të dy palëve është i njëjtë në rast humbjeje, ku nëse ofruesi i kapitalit pëson një reduktim të shumës së tij fillestare, punëtori ose menaxheri në kontratën e mudarabas privohet nga shpërblimi për punën, kohën dhe përpjekjen e tij.
Së treti, të dy palët trajtohen në mënyrë të barabartë nëse ka ndonjë shkelje të marrëveshjes. Nëse punëtori ose menaxheri shkel ndonjë nga kushtet e përcaktuara ose nuk punon me përkushtim, apo është shkaktar i humbjes në biznes për shkak të pakujdesisë ose menaxhimit të keq; ai do të mbajë përgjegjësinë për kthimin e sigurt të të gjithë shumës në fjalë. Nga ana tjetër, nëse ofruesi i kapitalit shkel ndonjë nga kushtet e përcaktuara (për shembull, tërheq fondet e tij përpara kohës së përcaktuar ose nuk ofron pjesërisht ose plotësisht fondet në kohën e premtuar, etj.), ai do të duhet të paguajë punëtorin ose menaxherin me një shpërblim të barabartë me atë që ai do të kishte fituar në një punë të ngjashme.
Është sugjeruar që mudaraba të jetë baza për riorganizimin e aktivitetit bankar në një kuadër pa interes. Kjo mund të realizohet duke hyrë në një marrëveshje mudaraba me dy nivele, e cila mund të shpjegohet si më poshtë:
Niveli i parë i marrëveshjes mudaraba është ndërmjet bankës dhe depozituesve të cilët bien dakord të vendosin paratë e tyre në llogarinë e investimit të bankës dhe të ndajnë fitimet me të. Në këtë rast, depozituesit janë ofruesit e kapitalit dhe banka funksionon si menaxher i fondeve.
Niveli i dytë i marrëveshjes mudaraba është ndërmjet bankës dhe sipërmarrësve që kërkojnë financim nga banka me kusht që fitimet që rrjedhin nga bizneset e tyre të ndahen mes tyre dhe bankës sipas një përqindjeje të përcaktuar më parë në mënyrë të ndërsjellë, ndërsa humbjen e mban vetëm financuesi. Në këtë rast, banka funksionon si ofrues i kapitalit dhe sipërmarrësi si menaxher. Nëse një projekt financohet nga më shumë se një financues, pra një projekt financohet bashkërisht nga disa banka, fitimet ndahen në përqindjen e dakorduar më parë, por humbja do të ndahet në përpjesëtim me kapitalin që secili financues ka investuar. Mund të ketë gjithashtu një marrëveshje partneriteti (sharikah) ndërmjet bankës dhe … në të cilën humbja do të ndahet nga palët kontraktuese në përpjesëtim me kapitalin që kanë investuar, ndërsa fitimet do të ndahen sipas përqindjes së rënë dakord paraprakisht.
Parimi i mudarabas si bazë për ndërmjetësimin financiar në ekonominë islame ofrohet si një alternativë e qëndrueshme për sistemin bankar pa interes. Kreditori nuk fiton interes me një normë të përcaktuar fikse në këtë sistem, por merr pjesë në rrezikun e biznesit dhe fiton një pjesë të fitimit. Kështu, në sistemin bankar islam, kostoja e kapitalit nuk është zero, siç supozojnë gabimisht disa njerëz duke e barazuar me normën zero të interesit. I vetmi ndryshim midis sistemit bankar islam dhe atij me interes në këtë aspekt është se kostoja e kapitalit në sistemin bankar me interes shprehet në terma të një norme të përcaktuar paraprakisht, ndërsa në sistemin bankar islam ajo shprehet si një përqindje e fitimit. Disa autorë madje kanë sugjeruar që përqindja e ndarjes së fitimit në një ekonomi islame mund të përmbushë të njëjtat funksione që kryen norma e interesit në një ekonomi kapitaliste. Kështu, përqindja e ndarjes së fitimit mund të funksionojë si një mjet ndarës si dhe një variabël kontrolli.











