Auditori: Posta Kosovës 20 milionë euro humbje për 8 vjet

Zyra Kombëtare e Auditorit ka konstatuar se pasqyrat financiare të Postës së Kosovës nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, duke i dhënë opinion të kundërt.

“Pasqyrat Financiare të bashkangjitura nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë të pozitës financiare të Postës së Kosovës deri me 31 dhjetor 2020, të performancës së saj financiare, si dhe rrjedhës së parasë së gatshme për vitin 2020, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF)”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Ky konstatim i bërë nga Auditori është arsyetuar me renditjen e shkeljeve të bëra nga Posta e Kosovës në disa faqe.

 raportin e audiorit thuhet se rrjedha e parasë për aktivitetet operative nuk është prezantuar në mënyrë të saktë nga Posta e Kosovës.

Siç thuhet në raport, llogaritë e arkëtueshme apo obligimet tatimore në shumat prej 76 mijë e 151 eurove dhe 34 mijë e 150 eurove për vitin 2019, nuk ishin korrigjuar me rastin e pasqyrave financiare të vitit 2020.

Madje sipas Auditorit të Përgjithshëm, plotësia e transaksioneve të llogarive të arkëtueshme dhe të pagueshme nuk ishte e mundur të konfirmohet, për shkak të mos zbatimit të një date specifike dhe uniforme të prerjes për korrigjimet pas datës së raportimit për të gjithë furnitorët/klientët e postës ndërkombëtare.

“Rrjedhimisht ekzistojnë diferenca të theksuara ndërmjet dokumenteve burimore për transaksionet e vitit dhe atyre të prezantuara në pasqyra financiare”, thuhet në raportin e auditimit.

Tutje sipas auditorit, është bërë edhe mbivlerësim i pasurive fikse në vlerë të 199 mijë e 600 eurove për nëntë prona të uzurpuara nga operatori publik postar i Serbisë, mbi të cilat Posta e Kosovës nuk ka kontrollë dhe nuk realizon përfitime ekonomike.

Në raportin e auditorit, thuhet edhe se Posta e Kosovës ka bërë mbivlerësim të të hyrave nga qiraja, të ardhurat nga kontratat me klientët dhe shpenzimet e zhvlerësimit.

“Shumat përkatëse 378,012 euro, 65,172 euro, 25,571 euro, gabime këto të identifikuara në auditimin e pasqyrave financiare për vitin 2019, nuk ishin korrigjuar me një rideklarim retrospektiv dhe shpalosje përkatëse në pasqyrat financiare të vitit 2020”, thuhet në raport.

Sipas ZKA-së, këto mbivlerësime të pakorrigjuara, kanë efekt në rezultatin financiar të vitit 2019, rrjedhimisht në shumën tek zëri kontabël “Fitimet e mbajtura” në pasqyrën e ndryshimeve në ekuitet.

Humbjet e Postës së Kosovës milionëshe

Zyra Kombëtare e Auditimit ka theksuar se Posta e Kosovës ka pasur humbje të mundshme të klientit kryesor të kompanisë si dhe një tregu të rëndësishëm.

“Rreth 53 përqind të hyrave ishin nga ky klient dhe borxhi i pa inkasuar prej tij kishte arritur në 1 milion e 897 mijë euro, për të cilin ekzistojnë pasiguri materiale që mund të hedhin dyshime të konsiderueshme në aftësinë e tij për të realizuar pasuritë e saj dhe të kryejë detyrimet e saj në rrjedhën normale të biznesit”, thuhet në raport.

Në raportin e auditorit theksohet edhe njëra nga çështjet apo gjetjet që ka të bëj me mos dhënien e informacioneve të duhura shpjeguese për një pasiguri materiale të Postës së Kosovës.

Bazuar në evidencat e auditimit për Postën e Kosovës në raport thuhet se shpalosjet e Menaxhmentit lidhur me hipotezën e vijimësisë nuk përshkruajnë në mënyrë të mjaftueshme ngjarjet apo kushtet kryesore që mund të hedhin dyshime të rëndësishme mbi aftësinë e Kompanisë për të vazhduar në vijimësi.

Auditori ka shpalosur edhe disa çështje të identifikuara gjatë auditimit të Postës së Kosovës.

Te humbjet operacionale auditori ka gjetur se në vazhdimësi që nga viti 2012, e edhe gjatë vitit 2020, humbja totale e akumuluar kishte arritur në 20,815,411 euro.

“Kjo kishte ndodhur si shkak i mos aplikimit të saktë të kërkesave të SNK 1 me rastin e prezantimit të pasqyrave financiare dhe shpalosjeve. Ndikimi shpalosjet jo adekuate në pasqyrat financiare lidhur me hipotezën e vijimësisë duke mos përshkruar në mënyrë të mjaftueshme ngjarjet apo kushtet kryesore që mund të hedhin dyshime të rëndësishme mbi aftësinë e entitetit për të vazhduar në vijimësi si dhe mungesa e planeve të menaxhmentit për të trajtuar këto ngjarje apo kushte ndikon në informacion të mangët dhe çorientues për lexuesit e pasqyrave financiare”, thuhet në raportin e auditorit për Postën e Kosovës.

Posta e Kosovës pa rregullore për menaxhimin e të hyrave

Auditori i Përgjithshëm ka konstatuar se Posta e Kosovës ende nuk ka hartuar procedura/rregullore të qarta dhe gjithëpërfshirëse për menaxhimin e të hyrave.

“Gjatë viti 2019 kompania kishte miratuar një Rregullore Për Kontratat Dhe Shërbimet e Ofruara Për Konsumatorët Nr. 01-2725/19 në të cilën rregullore nuk janë përcaktuar mjaftueshëm proceduarat standarde të operimit, të tilla si pikat e kontrollit, harmonizimet periodike, mënyra dhe forma e raportimit etj”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Kjo rregullore  sipas raportit adreson disa çështje sa i përket menaxhimit të kontratave me konsumatorët e mëdhenj, mirëpo ende nuk janë hartuar procedurat standarde të operimit për lloje të tjera të të hyrave.

Madje auditori ka thënë se kjo çështje ishte evidentuar edhe në raportin e auditimit të vitit paraprak.

“Kompania ende nuk ka hartuar rregullore të tilla për të gjitha llojet e të hyrave që karakterizohen me procedura specifike edhe pse kjo ishte rekomandim i raportit të auditimit të vitit paraprak. Ndikimi Në mungesë të procedurave të qarta për menaxhimin e të hyrave mund të shkaktohen gabime në njohjen e të hyrave, vonesa në inkasime ose keqpërdorime eventuale”, vijon raporti i auditorit. /kallxo/

Artikulli paraprakVendet më të gjelbra në botë
Artikulli tjetërPër pesë muaj, ATK-ja mblodhi rreth 243 milionë euro