Për pesë muaj, ATK-ja mblodhi rreth 243 milionë euro

Administrata  Tatimore e Kosovës gjatë periudhës së parë pesë mujore të vitit 2021, ka arritur të inkasojë rreth 243 milionë euro, ku krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit të kaluar rezulton që ka rreth 57 milionë euro të hyra të grumbulluara më tepër, kështu ka njoftuar drejtori i këtij institucioni, Ilir Murtezaj, raporton Ekonomia Online.

Murtezaj ka thënë po ashtu në një intervistë për Ekonomia Online, se janë rreth 24 milionë euro më tepër të grumbulluara se sa që është planifikuar për këtë periudhë.

“Gjatë kësaj periudhe pesë mujore të këtij viti mund të themi që kemi një rikthim të normalitetit të pagesës së tatimeve ku performanca e deritanishme tregon se jemi në një trend jashtëzakonisht të mirë duke arritur që të inkasojmë rreth 243 milionë euro, shumë kjo e cila nëse krahasohet më periudhën e njëjtë të vitit të kaluar rezulton që kemi rreth 57 milionë euro të hyra të grumbulluara më tepër. Kurse nëse e krahasojmë me planin kemi rreth 24 milionë euro të hyra të grumbulluara më tepër sesa plani për këtë periudhë që është paraparë me buxhetin e vitit”, është shprehur ai.

Po ashtu drejtori i ATK-së, ka njoftuar se kjo periudhë kohore karakterizohet edhe me rritje prej 27 për qind të qarkullimit, që kap vlerën e 822 milionë eurove.

“Kjo rritje neve na bën që të shpresojmë që do të vazhdohet me një trend të ngjashëm edhe për periudhën e mbetur të vitit ku nëse shohim edhe statistikat të cilat tregojnë që kemi paralel një rritje të qarkullimit për pesë mujorin 2021 në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020, kemi një rritje rreth 27 për qind të qarkullimit apo shprehur në vlera rreth 822 milionë euro qarkullim i rritur. Këta janë indikatorë që na bëjnë të besojmë që të ngritën edhe tragetet për pjesën e mbetur të vitit. Deri më tani po pretendojmë bazuar edhe me komunikimet që kemi me ministrinë e Financave që të kemi një ngritje të tragetit të inkasimit të të hyrave për rreth 32 milionë euro për pjesën e mbetur të vitit aktual”,  ka shtuar ai.

Në anën tjetër Murtezaj, ka treguar se bizneset për shkak të pandemisë kanë akoma vështirësi në kryerjen e obligimeve ndaj ATK-së, por që ky institucion brenda mundësive ligjore i ka mirëkuptuar ato.

“Vështirësi kemi sepse ende kemi biznese të cilat nuk kanë arritur të rikthehen në normalitet. Ende kanë vështirësi në likuiditetin e tyre dhe kanë probleme edhe më vetë operimet e tyre, dhe njëkohësisht probleme me tatime. Për këtë ne si institucion në vazhdimësi që nga fillimi i pandemisë dhe viteve paraprake jemi munduar që t’i mirëkuptojmë brenda mundësive ligjore dhe t’i japim hapësirë që pagesa e tatimeve të mos jetë shkaktarë që bizneset të falimentojnë ose t’u vështirësohet zhvillimi i bizneseve të tyre. Këto raste ligji e parasheh që kur kanë bizneset vështirësi financiare të bëhet programimi i borxhit, pagesë e detyrimit të papaguar me këste. Në këtë drejtim në vitin 2020 kemi rritur trefish borxhin e programuar në raport me vitin 2019”, ka thënë ai.

Sipas Mutezajt edhe pse bizneset kanë pasur mundësi për kryerjen e obligimeve përmes vendimit për faljen e ndëshkimeve të borxheve një gjë të tillë pak prej tyre e kanë bërë.

Prandaj ai ka paralajmëruar se pas datës 30 qershor nisin masat e parapara me ligj ndaj bizneseve si: bllokimi i llogarive bankare, bllokimi në doganë, thesar e deri te konfiskimi i pasurisë apo edhe dërgimi i lëndëve në gjykatë me ngritje të kallëzimeve penale.

“Jemi në përfundim të periudhës ku bazuar në vendimin e Qeverisi është dhënë mundësia bizneseve të përfitojnë në faljen e ndëshkimeve në rast se paguajnë bazën e tatimit dhe interesit, dhe kjo ka bërë që të kemi një numër jo të kënaqshëm të bizneseve të cilat po e shfrytëzojnë këtë të drejtë dhe tani bazuar në të dhënat aktuale rezulton bizneset kanë përfituar në vlerë totale të faljes së ndëshkimeve mbi 4 milionë euro dhe si rezultat i kësaj kemi arritur të inkasojmë mbi 14.5 milionë euro borxhe duke paguar bazën e tatimit dhe interesit. Pas periudhës së 30 qershorit sigurisht që zyrtarët tanë tatimor do të detyrohen që të jenë veprës në drejtim të zbatimit të ligjit dhe të inksasimit të borxheve të pa paguara. Nënkuptohet se deshën apo nuk deshën bizneset që të shfrytëzojnë këtë të drejtë, detyrimi duhet të paguhet. Masat janë të parapara me ligj, janë të qartësuara si bllokimi i llogarive bankare, bllokimi në doganë, thesar e deri te konfiskimi i pasurisë apo edhe dërgimi i lëndëve në gjykatë me ngritje të kallëzimeve penale”, ka thënë mes tjerash ai.

Gjithashtu Murtezaj ka theksuar se ATK-ja ka nisur reformën që synon konsulidimin e funksionit të borxheve, e cila ka rezultuar pozitivisht duke shënuar histori me menaxhim më të mirë prej 38 për qind të borxheve në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019.

“Në drejtim të reformave ne jemi çdo ditë duke punuar gjithnjë me qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe utomatizimeve të proceseve të punës, reforma këto të cilat kanë dhënë rezultatet e tyre. Disa për tyre kanë qenë në zhvillim e sipër gjatë viti 2020 por që për shkak të pandemisë ndoshta jo me trendin dhe pritjet që kemi pasur ne në fillim të projektit mirëpo prapë se prapë mund të konsiderohen si projekte të cilat kanë dhënë rezultatet tyre. Një prej reformave të ATK-së është konsolidimi i funksionit të borxheve, menaxhimi i borxheve është bërë 38 për qind më mirë sesa periudha e njëjtë e viti 2019, që ka qenë viti më i suksesshëm në historinë e ATK-së në menaxhimin e borxheve. Nëse e krahasojmë me vitin 2018 kemi mbi 100 për qind menaxhim më të mirë të borxheve në vitin 2020 edhe pse k qenë vit pandemik. Ndërsa për gjendjen që jemi tash, mund të konsiderojmë që rritja e efikasiteti të këtij funksioni do të jetë shumë më e lartë sesa kjo që jemi aktualisht”, ka përfunduar ai për EO.

Artikulli paraprakAuditori: Posta Kosovës 20 milionë euro humbje për 8 vjet
Artikulli tjetërCilat janë risitë më të reja të WhatsApp