Siç është diskutuar më herët, korporatat multinacionale kanë kapacitetin për të hulumtuar, hetuar dhe identifikuar nevojat, sjelljet dhe çështjet njerëzore. Ato mund të shkojnë edhe më tej në ndryshimin e sjelljes dhe mënyrës së jetesës së njeriut. Të njëjtat korporata mund të nxisin kërkimin mbi çështjet me të cilat përballet njerëzimi dhe mund të ofrojnë përgjigje shumëdimensionale, përfshirë zhvillimin e produkteve dhe shërbimeve që nevojiten për të adresuar këto probleme. Ato kanë kapital të bollshëm si dhe burime njerëzore, ekspertizë dhe kapacitetin e nevojshëm për të ndryshuar mendjet dhe sjelljen e njeriut – dhe për të promovuar gjëra që janë me të vërtetë të nevojshme për përmirësimin e individëve dhe shoqërive. Por a po e bëjnë këtë këto kotporata apo a është e drejtë të pritet një kontribut i tillë prej tyre? Kjo është e rëndësishme të diskutohet pasi procesi i globalizimit pretendohet se synon të mirën e përbashkët të globit ose fshatit global, dmth. çdo personi që jeton në tokë. Kjo nga ana tjetër kërkon përcaktimin e çështjeve dhe problemeve reale njerëzore, veçanërisht atyre që po përjetohen nga shoqëritë mikpritëse. Pyetja thelbësore atëherë do të ishte, nëse është në interesin e korporatave multinacionale që të adresojnë dhe të marrin masa për të zgjidhur këto probleme. Le të hedhim një vështrim së pari mbi problemet dhe pikat e forta të shoqërive mikpritëse.
Problemet dhe pikat e forta të shoqërive mikpritëse: Shoqëritë mikpritëse ku veprojnë korporatat multinacionale, përveç vendeve të origjinës, janë kryesisht vendet në zhvillim dhe vendet më pak të zhvilluara. Ka dallime në shkallë, por në përgjithësi vendet në zhvillim dhe vendet më pak te zhvilluara kanë probleme dhe çështje të përbashkëta. Ato kanë varfëri të përhapur, sëmundje dhe sisteme të mjerueshme të kujdesit shëndetësor, analfabetizëm dhe mungesë të objekteve arsimore, infrastrukturë të dobët, probleme të qeverisjes si qeveri të dobëta dhe të korruptuara, prioritete të gabuara, mungesë qasjeje në drejtësi dhe pabarazi në shpërndarjen e të ardhurave. Mund të jetë me vlerë të përmendet këtu Mbretëresha Rania A1 Abdullah e Jordanisë. Në një seminar të mbajtur në Indi ajo e ka përmbledhur aq bukur situatën duke thënë:
“Sfida më e madhe që përballemi sot është hendeku i shpresës, i cili që nga lindja i ndan njerëzit në ata që kanë një të ardhme dhe ata që nuk kanë. Ky hendek shprese hapet kur fëmijëve më të vegjël u mohohet ajo që u duhet për të pasur ëndrra dhe për të synuar përpara – shëndet, ushqim dhe nëna të arsimuara që mund t’u transmetojnë vlera. Ky hendek bëhet edhe më i madh kur fëmijëve në shkollë u mungojnë librat, teknologjia dhe mbështetja – përfshirë mësues të trajnuar dhe me mundësi për të përdorur mjete moderne komunikimi me botën. Madje ky hendek ekziston edhe për ata studentë që ia dalin të arrijnë deri në universitet”.
Sa për pikat e forta, këto janë shoqëri tradicionale, me struktura të forta sociale dhe një sistem familjar që ofron lidhje të ngushta marrëdhëniesh, një mjedis përkujdesës, sistem sigurie sociale të bazuar në familjen e gjerë, jetë të thjeshtë dhe një dije e urtësi të trashëguar tradicionale. Këto janë kryesisht ekonomi bujqësore; për këtë arsye siguria ushqimore nuk ka qenë problem në rrethana të zakonshme.
Të shohim tani çfarë ndodh ose po ndodh veçanërisht në sektorët ekonomik, social dhe kulturor kur korporatat multinacionale hyjnë në këto shoqëri dhe fillojnë të veprojnë në mënyrë agresive për të arritur objektivat e tyre afariste dhe tregtare. Së pari do të trajtojmë pikat që ndihmojnë në kuptimin e asaj që është “E MIRË” që këto korporata po krijojnë për shoqëritë mikpritëse.
Ana Pozitive
Burimet Financiare, teknologjike dhe ekspertiza: Nuk mund të mohohet fakti që korporatat multinacionale sjellin përparësi të caktuara për shoqëritë pritëse. Përmes tyre bëhen të disponueshme burime dhe investime të mëdha, teknologji, inovacion dhe ekspertizë në vendet ku ato veprojnë. Prania e tyre ndihmon gjithashtu në krijimin e një kulture kërkimi dhe zhvillimi, trajnimi në fushën e marketingut dhe zhvillimit të burimeve njerëzore brenda organizatës. Për më tepër, ato kontribuojnë ndjeshëm në arkën e shtetit përmes pagesës së taksave.
Praktika të mira biznesi: Qeverisja e mirë, transparenca brenda organizatës, delegimi i kompetencave dhe vlerësimi i punës në bazë të performancës së bashku me programet e shpërblimeve nxisin një qasje të bazuar në meritë. Kultura e punës dhe mjedisi profesional që krijohet brenda korporatave multinacionale është një nga veçoritë kryesore të tyre. Zyrat e mirëmbajtura, të pajisura me teknologji moderne dhe të aksesueshme për të gjithë punonjësit – qoftë në pozita të larta apo të ulëta – si dhe pagat e larta, shërbimet e transportit dhe kujdesit shëndetësor, krijojnë një kulturë që ndikon edhe në mjedisin e biznesit vendas. Meqenëse këto korporata shpesh shërbejnë si modele, këto praktika fillojnë të ndiqen edhe nga kompanitë kombëtare të mëdha, duke krijuar kështu një efekt zinxhir. Madje edhe shoqëria civile ndikohet nga kjo kulturë profesionale pune. Një kulturë që vlerëson meritën dhe dijen, ndihmon në promovimin e arsimit të lartë në fusha si menaxhimi dhe biznesi, së bashku me disiplina të tjera të rëndësishme në shoqëri.
Komoditetet e Jetës: Falë prodhimit në shkallë të gjerë, kontrollit të cilësisë dhe konkurrencës së shëndetshme, shpeshherë ndodhin ulje çmimesh dhe ofrohen përfitime të tjera për konsumatorët. Kjo bën që njerëzit të kenë qasje më të lehtë dhe më të lirë ndaj produkteve dhe shërbimeve që u shtojnë komoditet jetës së përditshme, shpeshherë pa qenë nevoja të largohen nga shtëpia.
Përmirësimi i infrastrukturës: Shumë ndërmarrje multinacionale kontribuojnë në përmirësimin e infrastrukturës dhe ofrimin e shërbimeve bazë në zonat ku ato ushtrojnë aktivitetin. Ato financojnë organizata të shoqërisë civile ose japin ndihma direkte për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe zhvillimin ekonomik të komuniteteve përreth. Edhe pse këto veprime janë shpesh vullnetare, lehtësirat fiskale të ofruara nga ligji i inkurajojnë edhe më shumë këto nisma.
Pluralizmi: Për shkak të korporatave multinacionale ndodh një lloj ndërveprimi përtej kufijve. Edhe arsimi (veçanërisht ai në fushën e biznesit) duhet të marrë në konsideratë perspektivat globale. Kjo perspektivë globale dhe mirëkuptimi ndërkulturor rrit aftësinë përshtatëse të studentëve në çdo vend të botës. Kjo çon në përzierje kulturash dhe praktikash dhe inkurajon pluralizmin si dhe konkurrencën. Integrimi dhe përhapja e ideve dhe imazheve parandalojnë reagimet dhe rezistencën. Nënkontraktimi nga ana e këtyre korporatave, veçanërisht në sektorët e shërbimeve, është një dukuri relativisht e re por e rëndësishme. Vendet përfituese po bëhen kështu jo vetëm qendra prodhuese të botës, por edhe zyre për sherbime. Përveç sigurimit të punësimit, kjo gjithashtu nxit pluralizmin. Këto mund të jenë pasuri të mëdha për shoqëritë nëse merren dhe trajtohen në mënyrë pozitive.
Khalid Rahman











