Mekanizmat dhe proceset që përbëjnë një sistem imperialalist në epokën moderne janë sisteme globale; intelektualisht, të dyja janë të gjera dhe të ndërlikuara, dhe në përpjekje për t’i ilustruar në mënyrë sistematike, duhet t’i thjeshtojmë dhe për rrjedhojë rrezikojmë të bëjmë teprime.
Është thelbësore të kemi një përmbledhje të situatës. Ata që dalin jashtë kufijve të vendit të tyre duhet të kuptojnë atë që shohin, kudo që ndodhen, në kuadër të një tërësie, një tërësie imperiale. Sot sistemi ynë imperial është global në shtrirje dhe ndikon tek të gjithë në mbarë botën.
Në paragrafët në vijim bëhet një përpjekje për të parë botën tonë si një tërësi dhe për të kuptuar realitetin në këtë kontekst. Në shkencat sociale perëndimore, analizimi i sistemeve si tërësi është diçka e pazakontë, dhe në një sistem arsimor të bazuar në religjion kjo mënyrë shqyrtimi e botës sonë është një sfidë e vështirë.
Pavarësisht nëse jeton në shkretëtirën e Saharasë, në skajet më të largëta të Afganistanit, apo në qytetet e mbipopulluara të Azisë apo të disa pjesëve të Afrikës, do të ndihesh i prekur nga Kapitalizmi dhe Imperializmi. Mund të jesh duke kultivuar lulëkuqe për tregtinë e drogës, apo duke tregtuar makina në mënyrë të paligjshme për t’u mundësuar të pasurve shmangien e taksave, apo duke pirë ujë nga shishe të prodhuara nga një kompani shumëkombëshe – nuk ka shpëtim: kudo që të jetojmë nuk mund t’i shmangemi forcave që e shtyjnë këtë botë përpara.
Po ashtu, fuqitë e mëdha të kohës sonë do të jenë në veprim, qoftë edhe nëse nuk i shihni: është fakt që klasat sunduese të çdo shteti dhe korporatat udhëheqëse të fuqive të mëdha janë duke punuar për të riorganizuar vendin tuaj.
Kjo ese i kushtohet pra gjithë njerëzimit, për të ndihmuar në një mënyrë të vogël në kuptimin e forcave të mëdha që veprojnë brenda sistemit tonë global.
Përkufizime
Imperializmi duhet të përkufizohet me përpikëri nëse duam që ai të ketë ndonjë kuptim.
Imperializmi me të cilin përballemi të gjithë sot mund të shihet si pjesë e botës së perandorive, të cilat shtrihen po aq larg sa vetë historia. Ky imperializëm i ri është i veçantë dhe ndryshe nga çdo perandori që ka ekzistuar më parë.
Ka një përbërës kyç të imperializmit që duhet të identifikohet veçmas dhe megjithatë shpesh përmendet njëkohësisht, pra: Kolonializmi. Kolonializmi është procesi i pushtimit nga një fuqi hegjemone, e cila ose e sundon vendin për interesat e veta, ose ia lë sundimin popullsisë vendëse përmes një qeverie të përfaqësuar, por përsëri për interesat e saj. Gjatë dy shekujve të fundit, fuqitë imperiale vendosën kolonializmin për përfitimet e tyre, fillimisht në vitet 1880 dhe, më së fundmi, kjo po ndodh sërish me pushtimin e Irakut dhe Afganistanit.
Pushtimet koloniale janë pra pjesë e zgjerimit imperial që ekziston kudo, por ato duhet të kuptohen si pjesë e të gjithë procesit. Gjatë dyqind viteve të fundit, imperializmi ka qenë sistemi i fuqisë botërore i përdorur nga shtetet dominuese me qëllim kontrollin e burimeve për interesat e tyre. Këto interesa variojnë nga lëndët e para te tregjet, dhe përfshijnë një gamë të gjerë faktorësh, të cilët kanë ndryshuar ndjeshëm me kalimin e kohës.
Disa përbërës kyç
Pavarësisht nëse flasim për imperializmin e sotëm apo për atë të dyqind viteve të fundit, ia vlen të sqarohen shkurtimisht disa nga përbërësit e tij kryesorë.
- Sistemi i rregullave imperialiste ka ndryshuar dhe vazhdon të ndryshojë vazhdimisht. Edhe pse fuqia hegjemone ka kaluar nga Britania te SHBA-të – çka nuk është gjë e vogël – sundimi imperial ende është thellësisht i ngulitur në Kapitalizëm. Për sa i përket fuqisë hegjemone, zgjerimi imperial dhe kapitalizmi janë pjesë e pandashme e të njëjtit sistem. Kapitalizmi, siç do të përkufizohet më vonë, është një sistem në ndryshim të shpejtë dhe dinamik.
- Imperializmi hegjemon është konkurrues. Për shkak se sistemi është dinamik, gjithmonë ka pasur, herët a vonë, një fuqi tjetër që konkurron me atë dominuese në çdo moment kohor. Fillimisht, në vitet 1870, Gjermania filloi të arrinte Britaninë. Lufta e viteve 1914–18 ishte përpjekja e Britanisë për të nënshtruar Gjermaninë, por rezultati i kësaj veprimi doli ndryshe nga qëllimi fillestar. Pastaj Revolucioni Rus prodhoi një konkurrent të ri në luftën për hegjemoninë; kjo solli Luftën e Ftohtë mes SHBA-së dhe BRSS-së, e cila përfundoi me shembjen e kësaj të fundit.
Sot parametrat e luftës imperiale ende nuk janë të përcaktuar mjaftueshëm për të ditur çfarë do të sjellë e ardhmja. Ekonomia e Kinës, e cila po rritet me ritme të furishme, do të përplaset, më herët sesa më vonë, me atë të SHBA-së. Ndërkombëtarisht, Islami, të cilin nuk do ta përkufizoj këtu, po përpiqet gjithashtu të krijojë një lloj tjetër shoqërie, që sfidon modelin hegjemon të SHBA-së.
Lufta imperiale mes kombeve dhe ndërmjet sistemeve të ndryshme shoqërore është pjesë e këtij procesi dhe është një përbërës kyç i imperializmit të sotëm.
Elementë të globalizimit në imperializmin e sotëm
Sistemi i dominimit përfshin elementet e mëposhtme, të cilat do të shpjegohen në seksionin tjetër:
- Akumulimi kapitalist ose globalizimi
- Dominimi i financës
- Tregtia dhe investimi si imperializëm
- Imperializmi, kapitalizmi, teknologjia dhe shkenca
- Fuqia ushtarake
- Kontrolli ideologjik
Lufta për dominim imperial: 1815 – Deri Sot
Në vitin 1815, me disfatën e Napoleonit në Waterloo, Britania u bë fuqia udhëheqëse botërore. Gjatë njëqind viteve në vijim, kjo fuqi u shtri në mbarë botën. E vetëdijshme për epërsinë e saj, klasa sunduese britanike zhvilloi institucionet e saj në financë, tregti dhe investime, si dhe fuqinë ushtarake dhe mjetet për të përforcuar epërsinë e saj në një shkallë globale. Në fillim të shekullit të njëzetë, Britania kishte vënë në funksion arritjet teknologjike të kapitalizmit për të dominuar botën. Deri në vitin 1900 ajo dukej e pandalshme, dhe askush që e kuptonte situatën nuk mendonte ndryshe.
Megjithatë, njëzet vjet më vonë, në fund të luftës së viteve 1914–18, Britania ishte e rraskapitur, rezervat e saj të arit ishin pothuajse zhdukur për të paguar SHBA-në për luftën, dhe miliona të rinj të saj ishin vrarë. Gjermania kishte qenë fuqia e re konkurruese në dekadat para vitit 1914, dhe lufta kishte për qëllim ta gjunjëzonte atë për të riafirmuar epërsinë britanike. Jo vetëm që kjo dështoi, por lufta çoi në Revolucionin Rus dhe, nëse revolucioni do të ndodhte gjithsesi apo jo, lufta e nxiti atë.
Papritur doli një konkurrent i ri. Perandoria e re sovjetike e refuzoi sistemin kapitalist dhe nacionalizoi pasuritë e saj pa kompensim. Deri më sot, për kapitalistët, mëkati më i madh mbetet nacionalizimi. Sovjetikët u bënë kërcënimi i ardhshëm për fuqinë e re hegjemoniste.
Shfaqja e plotë e këtij kërcënimi në skenën ndërkombëtare nuk ndodhi deri pas vitit 1945. Lufta e viteve 1939–45, kur evropianët dhe më pas japonezët – fuqitë kryesore kapitaliste – u shkatërruan për herë të dytë dhe humbën miliona jetë, përfundoi me një traktat paqeje që synonte të ndëshkonte dhe varfëronte Gjermaninë.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, SHBA jo vetëm që ishte e sigurt për epërsinë e saj botërore, por ishte gjithashtu e gatshme të përdorte forcën për të promovuar interesat e veta. Në vitin 1944, marrëveshja e Bretton Woods krijoi një sistem të ri financiar ndërkombëtar me dollarin amerikan si valutë të vetme tregtare, duke zëvendësuar paundin britanik.
Periudha nga 1944 deri në 1989 pa SHBA-të duke luftuar me çdo mjet të mundshëm, përveç luftës bërthamore, për të shkatërruar BRSS-në. Çdo diktator shtypës, sado i korruptuar të ishte, mbështetej nga SHBA, për sa kohë që ai përkrahte kauzën antikomuniste.
Goditja përfundimtare ndodhi në Afganistan kur qeveria pakistaneze vendosi se sovjetikët agnostikë ishin kërcënim më i madh sesa Perëndimi kapitalist. Paratë dhe armët e SHBA-së, si dhe të vendeve të tjera, u dërguan në shërbimet sekrete pakistaneze për të financuar një xhihad kundër sovjetikëve. Kjo pati sukses dhe, në kohën kur shkruhet ky tekst, SHBA po përpiqet të zhbëjë gjithë dëmin që solli ai operacion. Pakistani islamik zgjodhi atë rrugë për arsye ideologjike, dhe çmimi ishte shumë i lartë.
Në vitin 1989, SHBA-të u dukën si fuqia e vetme dominuese në botë, dhe njerëzit pyesnin nëse amerikanët do të silleshin në mënyrë dashamirëse? Pyetje të tilla bëheshin nga ata që nuk e kuptonin imperializmin. Fuqia dominuese në çdo kohë dëshiron të kontrollojë, të pasurojë klasat e saj sunduese, dhe të shihet e të frikësohet nga pjesa tjetër e botës. Në botën e sotme nuk ekziston një fuqi imperialiste e butë apo e mirë.
Roger van Zwanenberg











