Çështë shitblerja
Shitja është kalimi i diçkaje që ke në pronësi te dikush tjetër kundrejt një vlere, ndërsa blerja është pranimi i asaj pronësie.
Gjykimi për shitblerjen
Allahu i Lartësuar thotë:
“Allahu e ka bërë të lejuar tregtinë (shitblerjen) dhe e ka bërë të ndaluar kamatën” (Suretu Bekare:275 )
“O ju që keni besuar! Mos e hani pasurinë tuaj pa të drejtë ndërmjet jush, vetëm nëse bëni tregti me pëlqimin e njëri-tjetrit.” ( Suretu Nisa:29)
Transmeton Hakim bin Hizam (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
“Shitësi dhe blerësi janë të lirë në zgjedhje deri sa të ndahen nga njëri-tjetri.”( Mutefekun alejhi)
Të gjithë muslimanët janë bashkuar (ixhma) në mendimin se shitblerja është e lejuar.
Edhe urtësia e përmban këtë, sepse nevojat e njerëzve shpesh lidhen me diçka që është në duart e dikujt tjetër, që ndoshta nuk ia përkushton atë atij, kështu që me lejimin e shitblerjes arrihet nevoja pa ndonjë problem.
Nxitja për të arritur jetesën me djersë
Transmeton Mikdami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
“Askush nuk ka ngrënë ushqim më të mirë se ai i duarve të tij. Edhe i Dërguari i Allahut, Daudi (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) hante prej punës së duarve të tij.” Buhariu.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
“Më mirë për ndonjërin prej jush është të mbajë dru mbi shpinën e tij (për t’i shitur), se sa t’i kërkojë njerëzve që mund t’i japin apo mund mos t’i japin.”Buhariu, Tirmidhiu, Nesaiu. Nuk është e ndaluar të pasurohesh nëse i frikësohesh Allahut në të.
Muadh bin Abdullah bin Hubejb transmeton nga babai i tij dhe ky nga xhaxhai i tij se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Nuk është e ndaluar të kesh pasuri nëse i frikësohesh Allahut në të. Shëndeti për të devotshmin është më i mirë se pasuria…”Ibnu Maxheh (sahih).
Nxitja për të qenë ekonomik në kërkimin e rrizkut.
Xhabir bin Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
“O njerëz! Kini frikë Allahun dhe kërkojeni rrizkun në të lejuar (hallall), sepse nuk do të vdesë ndonjë trup pa plotësuar rrizkun e tij edhe nëse ai i vonohet. Kini frikë Allahun dhe kërkojeni rrizkun mirë! Merrni atë që është e lejuar (hallall) dhe lini atë që është e ndaluar (haram).”( Ibnu Maxheh (sahih))
Nxitja për të qenë i sinqertë dhe ndalimi nga gënjeshtra.
Hakim bin Hizam transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
“Shitësi dhe blerësi janë të lirë në zgjedhje deri sa të ndahen. Nëse ata janë të sinqertë dhe të qartë (në tregtinë e tyre), atëherë tregtia e tyre ka begati; nëse i fshehin dhe mashtrojnë njëri-tjetrin, atëherë tregtia e tyre zhvishet nga begati.”( Mutefekun alejhi)
Ukbetu bin Amir (Allahu qoftë i kënaqur me të!) thotë se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) të thotë:
“Muslimani është vëlla i muslimanit. Nuk i lejohet muslimanit që t’i shesë vëllait të tij diçka që ka ndonjë të metë, vetëm nëse ia bën atë të qartë.”( Ibnu Maxheh (sahih))
Nxitja për lehtësim dhe falje në shitblerje.
Xhabir bin Abdullah (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
“Allahu e mëshiroftë atë person i cili është falës kur shet, falës kur blen dhe falës në gjykatë!” Buhariu.
Marrja në konsideratë e atij që është ekonomikisht i pamundur.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
“Një tregtar u jepte borxh njerëzve dhe nëse shihte ndonjë që nuk kishte të paguante, i thoshte punëtorëve të tij: “Faljani atij se ndoshta Allahu na fal neve!” Atëherë Allahu e fali atë.”(Buhariu)
Ndalimi i mashtrimit.
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë:
“I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) kaloi pranë një burri që shiste një lloj ushqimi. Futi dorën e tij në të dhe pa që ai ishte i përzierë (lart i mirë dhe brenda i keq), atëherë tha: “Nuk është prej nesh ai që mashtron.”( Ibnu Maxheh Ebu Daud, Tirmidhi, Muslim (sahih))
Nxitja për t’u ngritur herët në kërkimin e rrizkut.
Sahr el Gamidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) thënë:
“O Zoti im! Jepi bereqet popullit tim në mëngjesin e herët të tij (në punën që fillojnë që herët në mëngjes).”( Ibnu Maxheh, Tirmidhi, Ebu Daud (sahih))
Ç’thuhet kur hyn në treg.
Salim bin Abdullah bin Umer (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton nga babai i tij, e ky nga gjyshi i tij se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë:
“Kush thotë kur hynë në treg: La ilahe il lAllah uahdehu la sherike lehu, lehul mulku ue lehul hamdu, juhji ue jumijtu, ue huue hajun la jemutu, bijedihi el hajru kul luhu, ue huue ala kul li shejin kadijr (Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut të Pashok. I Tij është sundimi dhe Atij i takon falenderimi Ai jep jetë dhe vdekje, Ai është i Gjallë dhe nuk vdes. Në Dorën e Tij është e gjithë e mira dhe Ai është i mundshëm për çdo gjë), atij Allahu i shkruan një milion të mira, i fshin një milion të këqia dhe i ndërton një shtëpi në xhenet.” ( Ibnu Maxheh (hasen))
LIBRI : Meshhur Hasen,Rregullat e shitblerjes