30 shoqëritë më të mëdha të auditimit në Shqipëri

Të ardhurat totale të tregut të këshillimit dhe auditimit në vend nga 60 shoqëritë e auditimit ishin 2.96 miliardë lekë (ose rreth 24.5 milionë euro), nga të cilat 87% janë realizuar nga 10 shoqëritë e mëdha (duke përfshirë filialet e tyre), 10% nga 20 shoqëritë që pasojnë në renditje, dhe vetëm 3% nga 30 shoqëritë e tjera.

Viti 2021 ka qenë një tjetër vit i mbarë për tregun e shërbimeve të auditimit, kontabilitetit dhe këshillimeve të tjera, duke shënuar rritje prej 19% në të ardhura, pas një rritje prej 13% në vitin 2020 kur ekonomia botërore u trondit prej pandemisë.

Auditimi ligjor në Shqipëri, në vitin 2021, është kryer nga 60 shoqëri auditimi dhe 236 persona fizikë, ku janë regjistruar 6 shoqëri të reja auditimi dhe 15 individë auditues ligjorë, sipas të dhënave të Regjistrit Publik të Institutit të Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA: www.ieka.al).

Numri i regjistrimeve të reja është tregues i pritshmërive për nivelin e kërkesës për shërbime auditimi, po aq sa ndikohet edhe nga aktiviteti i organeve që rregullojnë procesin e certifikimit për këtë profesion. Por, padyshim që viti 2021 është ndikuar negativisht nga ndjeshmëria e konsumatorit për të kursyer, për shkak të krizës globale, si dhe pasigurive që lidhen me krizën energjetike.

Përveç shërbimeve të auditimit ligjor, audituesit ofrojnë edhe shërbime të tjera, duke përfshirë këshillime tatimore, kontabiliteti, dhe të tjera shërbime për bizneset, të cilat zënë peshën më të rëndësishme në totalin e të ardhurave të këtij tregu.

Të ardhurat totale të tregut të këshillimit dhe auditimit në vend nga 60 shoqëritë e auditimit ishin 2.96 miliardë lekë (ose rreth 24.5 milionë euro), nga të cilat 87% janë realizuar nga 10 shoqëritë e mëdha (duke përfshirë filialet e tyre), 10% nga 20 shoqëritë që pasojnë në renditje dhe vetëm 3% nga 30 shoqëritë e tjera.

Ndërkohë, diferenca midis shoqërive është ngushtuar. Nëse diferenca në të ardhura në vitin 2020 midis kryesuesit në renditje me vendin e fundit në renditjen vendore ishte 177 herë, këtë vit është ngushtuar në 138 herë.

Duhet theksuar që kjo diferencë në vendin tonë është disa herë më pak sesa ajo në rang botëror, ku kryesuesi i renditjes realizon 776 herë më shumë të ardhura sesa vendi i fundit në renditjen botërore. Megjithatë, tregu zotërohet nga 10 shoqëri në mënyrë të ngjashme me situatën në rang global.

Tendencat globale të viteve të fundit, ashtu si edhe ato në Shqipëri, tregojnë që shërbimet e tjera (jo-auditimi) vijojnë të kenë rol gjithnjë e më të rëndësishëm. Rrjedhimisht, vlerësimi i audituesve gjithnjë e më shumë varet nga shërbimet e tjera, përveç ofrimit të shërbimeve të auditimit.

Për këtë arsye, renditja e audituesve edhe në botë bëhet gjithmonë mbi bazën e të ardhurave totale, si nga auditimi, ashtu edhe nga shërbimet e tjera.

Në mungesë të publikimit të këtyre të dhënave në lidhje me totalin e të ardhurave nga institucionet mbikëqyrëse dhe rregullatore në vend (BMP publikon vetëm renditjen bazuar në shërbimet e auditimit ligjor), ky është një publikim i kryer Nexia AL (www.nexia.al), për revistën “Monitor”, për të tretin vit radhazi, për shkak të vëmendjes gjithmonë e më të madhe që duhet t’i jepet transparencës dhe cilësisë së informacionit financiar të publikuar në lidhje me ecurinë e shoqërive audituese në tregun shqiptar.

Megjithatë, është e papranueshme që shumica e shoqërive të auditimit nuk publikojnë raportin e transparencës, apo ka edhe që nuk kanë publikuar as pasqyrat financiare, edhe pse këto janë detyrim ligjor dhe për më tepër që ky është objekti i aktivitetit të tyre.

Renditja e shoqërive është kryer vetëm për 30 shoqëri auditimi, duke marrë për bazë të ardhurat nga auditimi dhe shërbimet e tjera, si një praktikë që ndiqet edhe në renditjen globale. Detajet e publikuara në pasqyrat financiare, në mungesë të raportit të transparencës, apo të shënimeve shpjeguese cilësore, e bëjnë të pamundur analizën e shërbimeve të tjera që ofrojnë këto shoqëri.

Renditja e 10 Shoqërive Audituese më të mëdha në Shqipëri

Duke iu referuar pasqyrave financiare të publikuara në QKB për vitin 2021, renditja e 10 Shoqërive më të mëdha audituese sipas të ardhurave është si vijon (të dhënat e vitit 2020 janë paraqitur për krahasim):

 

Analiza e katër shoqërive audituese më të mëdha në Shqipëri për vitin 2021

Në tregun shqiptar, ashtu si edhe në botë, “Deloitte” vijon të jetë e pozicionuar në vendin e parë për vitin 2021, duke treguar kështu rolin e saj si kryesues në treg. Shoqëria “PwC” ka rimarrë vendin e tretë nga vendi i katërt që mbante në vitin 2020, ndërkohë që në botë renditet në vendin e dytë.

Shoqëria “Ernst & Young” ka rënë me dy pozicione në vitin 2021 dhe është renditur e katërta krahasuar me vitin 2020, kur mbante vendin e dytë, duke mbetur pas “PwC” dhe “Mazars”.

Një rritje të konsiderueshme në të ardhura ka pasur shoqëria “Mazars”, e cila për vitin 2021 renditet e dyta në Shqipëri, krahasuar me vendin e tretë në 2020, një ndryshim mjaft i madh krahasuar me renditjen botërore në vendin e 14.

Së bashku, këto katër shoqëri audituese në Shqipëri kanë shënuar rritje prej 19% në të ardhura në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020, ose 426 milionë lekë më shumë, duke qenë kontributori kryesor në rritjen e tregut në përgjithësi.

Analiza e dhjetë shoqërive audituese më të mëdha në Shqipëri për vitin 2021

Shoqëria KPMG, e cila në vitin 2020 renditej në vendin e pestë (vendi i katërt në renditjen globale), nuk është përfshirë në këtë publikim për shkak të largimit të saj nga tregu shqiptar në ofrimin e shërbimeve të auditimit që prej vitit 2020, rrjedhimisht të gjitha shoqëritë që renditeshin pas saj kanë fituar një vend në renditjen e këtij viti krahasuar me një vit me parë.

Në vendin e pestë, tashmë renditet shoqëria “Grant Thornton” (vendi i shtatë në renditjen globale), e cila pasohet në renditje nga shoqëria “Albanian Audit Partners”.

Shoqëria “Kreston” ka shënuar sërish rritje të konsiderueshme me tre vende në renditjen e vitit 2021, duke zënë vendin e shtatë, krahasuar me vitin 2020 kur renditej e dhjeta, si dhe me vitin 2019, kur ishte e 14-a (vendi i 13 në renditjen globale).

Shoqëria “Nexia AL” ka shënuar rritje me një vend në renditje gjatë vitit 2021 krahasuar me vitin 2020, duke u renditur e teta në Shqipëri (vendi i tetë edhe në renditjen globale).

Renditja e 10 shoqërive audituese më të mëdha në vend mbyllet nga shoqëria “ILD-99” në vendin e nëntë, e cila ka humbur dy vende gjatë vitit 2021, dhe pas saj, në të dhjetin, për vitin 2021, është shoqëria “Holly & Endy Auditing”, e cila ka shënuar edhe rritjen më të madhe prej shtatë vendesh në renditje krahasuar me një vit më parë.

Kurse Shoqëria BDO, e cila pësoi rënie prej gjashtë vendesh në vitin 2020, nga vendi i 9 në vitin 2019 në vendin e 15 në vitin 2020, nuk i ka publikuar ende pasqyrat financiare për vitin 2021 dhe për këtë arsye, nuk ka qenë e mundur përfshirja e saj në renditjen në Shqipëri, ndërkohë që në botë mban vendin e pestë.
Treguesit e tregut të auditimit dhe këshillimeve vazhdojnë të jenë në rritje

Rritja mesatare e 60 shoqërive të auditimit në vitin 2021 në Shqipëri ka qenë 19%, vlerë më e lartë sesa rritja e tregut në rang global prej 8%, sipas të dhënave të publikuara në “World Survey” nga “International Açounting Bulletin” (IAB), revista prestigjioze që publikon renditjen globale.

Katër më të mëdhenjtë në vend: Këto shoqëri kanë arritur në vitin 2021 të realizojnë në Shqipëri një nivel të ardhurash rekord, duke shënuar rritje 19% krahasuar me një vit më parë, një rritje kjo tre herë më e lartë sesa ajo në rang global prej 6%.

Shoqëritë e renditura nga vendi i pestë deri në vendin e dhjetë në renditje (Second-Tier): Edhe ky grupim shoqërish në Shqipëri ka pasur ecuri të mirë në vitin 2021, duke shënuar rritje mesatare prej 10% në të ardhura krahasuar me një vit më parë.

Ndërkohë që pjesa tjetër e shoqërive në vitin 2021 ka shënuar rritje prej vetëm 6% në të ardhurat e tyre krahasuar me një vit më parë.

 

Sipas të dhënave të publikuara nga IAB, mbështetur në të dhënat e vitit financiar 2021, renditja e 10 shoqërive më të mëdha është disi më ndryshe se pozicionimi i tyre në tregun shqiptar.

Nga 10 shoqëritë e mëdha në Shqipëri, vërehet që 3 prej tyre, përkatësisht “Albanian Audit Partners”, “ILD 99 Audit” dhe “Holly & Endy Auditing” nuk janë pjesë e rrjeteve globale.

Me përjashtim të “Mazars” dhe “Kreston”, të cilët renditen në Shqipëri përkatësisht i dyti dhe i shtati dhe nuk klasifikohen ndër 10 shoqëritë më të mëdha në botë, pjesa tjetër e shoqërive ruajnë thuajse të njëjtin klasifikim me atë botëror.

Padyshim që renditja e rrjeteve ndërkombëtare ka ndryshime në tregje të caktuara, por gjithsesi kjo ngjashmëri, apo ndryshim me renditjen botërore, tregon edhe nivelin e integrimit të vendit me tregjet globale.

Listës së 10 më të mëdhenjve në Shqipëri i mungojnë nga renditja botërore “Baker Tilly” (nuk ka anëtar në Shqipëri që prej vitit 2020), “Crowe” (renditur e 14-ta në Shqipëri), RSM (e cila ka hyrë në tregun e shoqërive të auditimit gjatë vitit 2021, dhe renditet i 33-ta), dhe BDO e cili për vitin 2021 nuk ka publikuar të dhënat financiare.

Sa të rëndësishëm janë BIG-4 në Shqipëri

Ashtu si në tregun botëror, edhe në Shqipëri, BIG-4 (përkatësisht “Deloitte”, “Ernst&Young”, “PwC” dhe KPMG, e cila është tërhequr nga ofrimi i shërbimeve të auditimit që prej vitit 2020, dhe nuk është marrë parasysh në këtë artikull), për vitin 2021 dhe 2020, vijojnë të zotërojnë 64% të totalit të të ardhurave të realizuara nga të gjitha shoqëritë audituese.

Të ardhurat totale të realizuara nga BIG-4 për vitin 2021 janë 1 903 miliardë lekë (2020: 1 550 miliardë lekë), ku vërehet se të ardhurat nga auditimi zënë vetëm 6% të totalit të të ardhurave. Ndërkohë që kanë shënuar rritje në vitin 2021 me 19% krahasuar me një vit më parë (2020: rritje 4%).

Analiza e shërbimeve të ofruara nga shoqëritë second tier

Shoqëritë second tier, pjesë e rrjeteve ndërkombëtare të njohura (përkatësisht “Mazars”, “Grant Thornton”, BDO, “Kreston” dhe “Nexia”), zotërojnë 18% të totalit të të ardhurave të realizuara nga të gjitha shoqëritë audituese, duke treguar stabilitet në treg (2020: 17%). Ky grupin ka pasur rritje të konsiderueshme prej 22% krahasuar me një vit më parë.

Analiza e shërbimeve të ofruara nga shoqëritë e tjera audituese

Shoqëritë e tjera audituese, të cilat nuk renditen në 10 më të mëdhatë (janë 50 shoqëri), kanë realizuar vetëm 390 milionë lekë të ardhura për vitin 2020 dhe zotërojnë vetëm 12% të tregut.

Ky tregues paraqet distancë të madhe me kryesuesit e renditjes, duke pasqyruar natyrën e shërbimeve, apo edhe kategorinë e biznesit që ky grupim ofron shërbimet e tij. Edhe brenda këtij grupimi ka diferenca të mëdha, pasi 30 shoqëritë e fundit të renditjes zotërojnë vetëm 3% të tregut vendas.

Tregu i shoqërive të auditimit në total është rritur me 19% krahasuar me një vit më parë (2020: rritje 6%).

Rënia në tarifat e auditimit, pesha e vogël që auditimi zë në totalin e të ardhurave të këtyre shoqërive, si dhe rritja e kërkesës gjithnjë e më shumë në shërbime të tjera këshillimi është tendencë që vijon të vërehet edhe në botë.

Bizneset në Shqipëri po i kushtojnë gjithnjë e më shumë vëmendje marrjes së shërbimeve këshilluese. Gjithashtu në vitet e fundit janë rritur shërbimet BPO nga disa shoqëri auditimi pjesë e rrjeteve ndërkombëtare, një ngjarje shumë pozitive që e vendos vendin në hartën e eksportit të shërbimeve këshillimore. /Monitor

 

\

Artikulli paraprakItalia planifikon të paktën 15 miliardë euro paketë për të zbutur kostot e energjisë
Artikulli tjetërSi i përshkruajnë punonjësit kolegët e brezave të ndryshëm

Comments are closed.