Sektori i Shërbimeve (BPO) në vendin tonë po njeh një zhvillim të hovshëm, duke u kthyer në motorin e zhvillimit ekonomik për Republikën e Kosovës.
Në dekadën e fundit janë më shumë se 10 mijë të rinj që janë punësuar në sektorin e ICT dhe në sektorin e nën-kontraktimeve të proceseve të biznesit (BPO).
Për shkak të fuqisë së aftë punëtore dhe afërsisë gjeografike me Evropën, Kosova është bërë një fole rajonale për ofrimin e shërbimeve të kontraktimit përtej kufijve të saj.
Sektori i Business Process Outsourcing (BPO) ka potencialin që të gjallërojë zhvillimin ekonomik, të rrisë eksportet dhe të krijojë mijëra vende të reja të punës, veçanërisht duke marrë parasysh se Kosova rishtazi ka tërhequr vëmendjen si një qendër ndërlidhëse në aspektin e shfrytëzimit të forcës së re dhe të aftë punëtore.
Edicioni i parë i BPO Summit 2022, “Reveal”, do të shpalosë të arriturat e sektorit, sfidat dhe mundësitë që ky sektor ofron për punësimin e të rinjve.
Eventi është ideal për pjesëmarrje të bizneseve, qendrave trajnuese, institucioneve zhvillimore dhe të rinjve që kanë interesim të bëhen pjesë e sektorit.
Programi përmban tema nga marketingu digjital, ICT, Fintech e deri tek siguria e informatave, edukimi dhe zhvillimi.
Eventi mbahet më 8 shtator 2022 dhe organizohet nga Oda Ekonomike Zvicerane-Kosovare./buletiniekonomik