“Prishtina Parking” jep 750 mijë euro për krijimin e një aplikacioni për menaxhimin e parkingjeve

Ndërmarrja publike lokale “Prishtina Parking” së fundmi ka hapur një tender për shërbime softuerike (aplikacion) për menaxhimin e parkingjeve publike në komunën e Prishtinës.

Ndërkohë, që nga mbrëmë nëpër rrjete sociale është duke qarkulluar një fotografi, në të cilën dëshmohet se kjo kompani tashmë e ka shpërblyer me këtë tender një kompani private me emër “INT Class Marketing”, me seli në Prishtinë.

Vlera totale e kësaj kontrate mes Prishtina Parking dhe kompanisë në fjalë, është gjithsej 750 mijë euro, përcjell Buletini Ekonomik.

Pas publikimit të kësaj informate, ka reaguar edhe nënkryetarja e komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, e cila është shprehur se ka shumë pikëpyetje lidhur me këtë tender për shërbime softuerike për menaxhimin e parkingjeve publike në Prishtinë, porse ajo siguroi qytetarët se nuk do të ketë tolerancë në keq-qeverisje dhe nuk do të ketë heshtje për procese të dyshimta, siç është ky rasti i tanishëm sa i përket digjitalizimit. /Buletini Ekonomik/

Postimi i plotë i nënkryetares së komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu:

Shumë pikëpytje në kontratën 750,000 euro të NPL Prishtina Parking për “Shërbim me softuer për menaxhimin me parkingje publike në Komunën e Prishtinës.”

Lajmi tendencioz për asocimin e kontratës nën dyshime me qeverisjen e PDK në Prishtinë, të udhëhequr nga unë, është qesharak. Nëse është dikush në Kryeqytet që mund të thirret për ekspertizë në shërbime të tilla me softuer – jam unë. Dhe unë, jam edhe Nënkryetare e Kryeqytetit nga PDK.

Nuk njihem për nguti. Derisa pres të pajisem me të gjitha informatat dhe materialet e këtij procesi nga kërkesa e parashtuar tek Kryeshefi i ndërmarrjes për konstatim përfundimtar, do të mbaj distancë në prononcime shtesë lidhur me këtë çështje.

Në ndërkohë ju siguroj që derisa jam në Kryeqytet, nuk do të ketë tolerancë në keq-qeverisje dhe nuk do të ketë heshtje për procese të dyshimta. Aq më pak në digjitalizim. As tash, as kurrë.

 

Artikulli paraprakNis ndërtimi i veturave elektrike në Bullgari
Artikulli tjetërKEDS jep pesë rekomandime si të kursehet rryma në kohë reduktimesh