Sot kur hyn në fuqi ngritja e sërishme e çmimit të çimentos, përfaqësues të bizneseve të sektorit të prodhuesve të betonit, që po përballen me këto rritje, do të protestojnë para kompanisë Sharr-Cem.
Protesta do të fillojë në ora 10:00, ku bizneset në fjalë do të kundërshtojnë ngritjen e çmimit të çimentos, ndërsa ishte paralajmëruar të shtunën, pas një takimi urgjent në kuadër të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.
Përball kësaj situate, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë ka kërkuar që të ndërmerren masa të menjëhershme nga ana e institucioneve të vendit, përkatësisht nga ana e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë e Tregtisë, ndërsa bizneset që preken nga këto çmime kanë paralajmëruar edhe hapa të tjerë në rast të mos reflektimit nga kompania e çimentos, Sharr-Cem.
“Ngritja e serishme të çmimit të çimentos për +17.81€/T (duke përfshirë TVSH-në) që do të hyjë në fuqi nga data 08.08.2022, është ngritja e tretë e çmimit të çimentos në vitin 2022… Ngritja e shpeshtë e çmimit, pa paralajmërim paraprak dhe në afat shumë të shkurtër, e mungesa e arsyetimit përmbajtjesor për këto ngritje, po shkakton shumë sfida në operimin e bizneseve të sektorit të prodhuesve të betonit dhe përmbushjen e kontratave që këta të fundit kanë me klientët e bashkëpunëtorët. Si arsyetim për këto ngritje, nga ana e Sharr-Cem konsiderohet të jetë rritja e çmimit të energjisë, e cila nga ana e prodhuesve të betonit gjithashtu konsiderohet si argument i pamjaftueshëm dhe i papranueshëm”, thuhet në komunikatën e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë./KP