Diskutimet rreth javës me katër ditë punë kanë rifilluar nga pandemia e COVID-19, pasi punonjësit dhe punëdhënësit po rimendojnë rëndësinë e fleksibilitetit dhe të përfitimeve në vendin e punës.
Ideja është e thjeshtë – punonjësit do të punojnë katër ditë në javë, ndërkohë që paguhen njësoj dhe kanë të njëjtat përfitime, por me të njëjtën ngarkesë pune.
Prandaj, kompanitë që reduktojnë javën e tyre të punës do të funksionojnë me më pak takime dhe me më shumë punë të pavarur.
Sindikatat në të gjithë Europën po bëjnë thirrje që qeveritë të zbatojnë javën me katër ditë punë, por cilat vende e kanë përqafuar këtë ide dhe si ka shkuar ky proces deri tani?
Belgjika do të prezantojë javën me katër ditë punë për punonjësit që duan
Punonjësit belgë fituan të drejtën për të kryer një javë të plotë pune në katër ditë, në vend të pesë ditëve të zakonshme, pa pasur asnjë ulje rroge.
Punonjësit do të jenë në gjendje të vendosin nëse do të punojnë katër apo pesë ditë në javë, por kjo nuk do të thotë se ata do të punojnë më pak – ata thjesht do të shpërndajnë orët e punës të ditës së pestë në katër ditët e tjera.
Kryeministri belg, Alexander de Croo, shpreson se marrëveshja do të ndihmojë për ta bërë më fleksibël tregun e ngurtë të punës në Belgjikë dhe do të krijojë lehtësira për njerëzit që të kombinojnë jetën e tyre familjare me karrierën e tyre.
Ai shtoi gjithashtu se modeli i ri duhet të krijojë një ekonomi më dinamike.
Mbretëria e Bashkuar do të nisë një program gjashtëmujor në qershor
Programi pilot gjashtëmujor është prova më e madhe e këtij lloji. Ai filloi në janar dhe po rekruton shumë kompani për të studiuar ndikimin e orëve më të shkurtra të punës në produktivitetin e bizneseve dhe në mirëqenien e punonjësve të tyre, si dhe ndikimin te mjedisi dhe te barazia gjinore.
Sipas reformës, punonjësit do të lejohen të punojnë deri në 9.5 orë në ditë – për shembull, nga 9 e mëngjesit deri në 6.30 pasdite – që do të thotë se ata do të jenë në gjendje të zvogëlojnë javën e punës në katër ditë më të gjata.
Kjo mund të zgjatet akoma më tej në një ditë me 10 orë pune, përmes një marrëveshjeje sindikale në vendin e punës.
Skocia dhe Uellsi do t’i bashkohen kësaj lëvizjeje globale
Në Skoci, një provë e tillë do të fillojë në vitin 2023, ndërsa Uellsi po e konsideron që ta aplikojë atë.
Vendimi ishte kulmi i një premtimi fushate të bërë nga Partia Kombëtare Skoceze (SNP), e cila është në pushtet.
Punonjësit do të kenë një reduktim të orëve të punës me 20 për qind, por pa asnjë ulje page.
Islanda: Një nga liderët në javën me katër ditë punë
Në periudhën mes viteve 2015 dhe 2019, Islanda zbatoi programin më të madh pilot në botë të javës së punës me 35 deri në 36 orë (një reduktim nga 40 orët tradicionale), pa asnjë ndryshim në pagë.
Projekti pilot u quajt një histori suksesi nga studiuesit dhe sindikatat islandeze që negociuan për reduktimin e orëve të punës.
Reagimet e ndryshme të Suedisë ndaj javës me katër ditë punë
Në Suedi, java me katër ditë punë me pagesë të plotë u testua në vitin 2015 dhe pati rezultate të përziera.
Propozimi ishte që të provoheshin ditët me gjashtë orë punë në vend të atyre me tetë orë, pa pasur ndonjë reduktim page, por jo të gjithë ishin të kënaqur me shpenzimin e parave për këto prova.
Finlanda nuk e ka aplikuar javën me katër ditë punë, pavarësisht pretendimeve të saj
Në fillim të këtij viti, Finlanda doli në titujt ndërkombëtarë pasi u raportua se do të reduktonte orët e punës në masë të konsiderueshme.
Qeveria finlandeze dyshohet se donte të aplikonte edhe javën me katër ditë punë, edhe ditën me gjashtë orë punë.
Megjithatë, ky rezultoi të ishte një lajm i rremë.
Startup-et gjermane eksperimentojnë një javë më të shkurtër pune
Gjermania njihet si një prej vendeve ku java mesatare e punës është ndër më të shkurtrat në Europë. Sipas Forumit Ekonomik Botëror, java mesatare e punës në Gjermani është 34.2 orë.
Megjithatë, sindikatat po bëjnë thirrje për ulje të mëtejshme të orëve të punës.
Sipas një studimi nga Forsa, 71 për qind e njerëzve që punojnë në Gjermani do të donin të kishin mundësinë për të punuar vetëm katër ditë në javë. Pak më shumë se tre të katërtat e të anketuarve thanë se e mbështetësin qeverinë që të shikojë mundësinë e aplikimit të javës me katër ditë punë. Nga ana e punëdhënësve, më shumë se dy të tretat e tyre e mbështesnin këtë ide.
Korporatat e mëdha të Japonisë prezantojnë javën me katër ditë punë
Në vende të tjera si Japonia, janë kompanitë më të mëdha ato që po e shikojnë këtë mundësi, pas njoftimit të qeverisë japoneze në vitin 2021 për një plan për të arritur një ekuilibër më të mirë punë-jetë në të gjithë vendin.
Ka shumë arsye që kjo mund të jetë një nismë e mirë për Japoninë, ku normat e vdekjes nga puna e tepërt janë shumë të larta. Personat që punojnë me orare të zgjatura shpeshherë sëmuren për shkak të mbingarkesës ose tentojnë vetëvrasjen.
Spanja do të nisë me një periudhë prove
Spanja po ndjek gjithashtu drejtimin e Japonisë, me partinë e vogël të krahut të majtë Más País që njoftoi në fillim të këtij viti se qeveria kishte rënë dakord me kërkesën e tyre për të nisur një program pilot të javës me katër ditë punë, në bashkëpunim me kompanitë e interesuara për këtë ide.
Faza e provës do të zgjasë të paktën një vit, por ende nuk është e qartë se kur do të fillojë.
Unilever aktualisht po eksperimenton javën e shkurtuar të punës në Zelandën e Re
Ndërkohë, në Zelandën e Re, 81 punonjës që punojnë për gjigantin e mallrave të konsumit Unilever po marrin pjesë aktualisht në një periudhë prove njëvjeçare të javës me katër ditë punë, duke vazhduar të marrin pagën e plotë.
“Qëllimi ynë është të matim performancën me rezultate, jo me kohë. Ne besojmë se mënyrat e shkuara të të punuarit janë të vjetruara dhe nuk i përshtaten më qëllimit,” tha Nick Bangs, menaxheri i përgjithshëm i Unilever për Zelandën e Re.
Interes i madh në SHBA dhe Kanada
Sipas një sondazhi nga ofruesi i softuerëve në teknologjinë cloud, Qualtrics, 92 për qind e punonjësve në Amerikë mbështesin reduktimin e javës së punës, edhe nëse kjo do të nënkuptonte punën me orë më të zgjatura.
Punonjësit e anketuar perceptonin përmirësimin e shëndetit mendor dhe rritjen e produktivitetit si disa nga përfitimet e kësaj nisme.
Në Kanada, studimi nga agjencia globale e punësimit Indeed zbuloi se 41 për qind e punëdhënësve kanadezë po konsiderojnë oraret e punës hibride dhe metodat e reja të punës, pas pandemisë së COVID-19. /Euronews/