Mos rri duke e fajësuar veten, por çfarëdo që të ka ndodhur, ti pastroje veten, dhe ec në rrugën e së ardhmes tënde!
A mjaftojnë këto, për të ndërtuar të ardhmen tënde?
Jo… këto nuk mjaftojnë, sepse ti duhet të jesh i përgatitur për të ardhmen. Kur të fillosh të vihesh në veprim, ti do të hasësh në sfida, prandaj duhet të jesh i përgatitur, dhe ta kesh të qartë se i je mbështetur Zotit të Plotfuqishëm, dhe se rezultatet janë në dorë të Zotit.
Vizioni:
Tani, çfarë do të thotë “vizion”? Çfarë do të thotë “qëllim përfundimtar”? Çfarë do të thotë “objektiv”? Çfarë do të thotë “Rruga e drejtë”? Çfarë do të thotë “Mendoni për mirë, që ta gjeni!” Çfarë do të thotë “Dhe kur të marrësh vendim, atëherë mbështetu tek Zoti!”? Çfarë do të thotë “O ju që besoni, kërkoni ndihmë nëpërmjet durimit dhe namazit. Vërtetë, Zoti është në anën e të duruarve.
Kur ti mendon të arrish diçka, duhet të jesh i përgatitur për atë gjë. Kjo nënkupton gjithashtu se ti duhet të jesh i përgatitur mirë për të ardhmen në përgjithësi. A të kujtohet kur thashë se unë isha i përgatitur “mendërisht” kur isha sportist? Tani, le të përgatitemi mendërisht, dhe që të përgatitemi mendërisht, ne duhet të kemi njohuri. A ke njohuri për atë të cilën ti je duke u përgatitur? Apo, a zotëron ndonjë mjeshtëri në atë drejtim?
Duhet patjetër të lexosh, e ta zhvillosh edhe më shumë vetveten! Duhet të lexosh 20 minuta çdo ditë, të marrësh pjesë në ligjërata, në trajnime dhe takime… duhet të mësosh nga psikologjia. Nëse ke një makinë tënden, vendos në të CD që flasin rreth asaj teme që ti je i interesuar, e gjithashtu, nëse zotëron ndonjë gjuhë të huaj, lexo edhe nga dijetarët e huaj. Bëj që makina jote të kthehet në një universitet lëvizës! Gjithashtu, edhe televizioni apo DVD-të, nëse përdoren siç duhet, ta shtojnë diturinë.
Një ide shumë e mirë është të blesh një biçikletë të palëvizshme që përdoret në palestër, të instalosh një televizion ku të shikosh DVD-të e tua të preferuara edukative, dhe të mbushesh me energji që të vënë në lëvizje, si mendore, ashtu edhe fizike, dhe të përfitosh prej saj. Siç thoshte Ajnshtajni, “Dituria është fuqi”.
Ai thoshte gjithashtu edhe se “Nëse ti di të bësh qoftë edhe një kurth për minjtë, por që ti di ta bësh atë më mirë se komshinjtë e tu, njerëzit do të të vijnë ty për të bërë të njëjtën gjë si ti.”
Si rrjedhojë, gjen se njeriu i cili zotëron urtësi dhe aftësi që i njeh vetë, ose që i fiton nga bota e jashtme, dhe unë jam i bindur se ti i njeh të dyja këto mënyra, për të vazhduar më tej në zhvillim dhe përmirësim të vetvetes, duhet të jesh i zoti në njohuri. Bëhu fleksibil dhe i shkathët për të fituar njohuri, sepse nëpërmjet njohurive ti i zgjon aftësitë e tua.
Pra, nga njohja… tek pranimi i vetvetes… tek vendim… tek zgjedhja… tek mbajtja e përgjegjësisë… tek pastrimi i së kaluarës… dhe sistemimi i së tashmes… për tek “përgatitja e plotë”. Fjala “e plotë, do të thotë që nëse unë të jap ty sot një libër, lexoje, dhe mbaj me vete një laps të kuq, dhe vëzhgoje mirë librin; nëpërmjet një leximi të shpejtë, ti mund ta mbarosh librin së lexuari brenda një ore, por këtë libër ti duhet ta hulumtosh, prandaj merre dhe lexoje faqe për faqe atë, dhe me lapsin e kuq shëno njohuritë që t’i zgjerojnë horizontet e tua, e mëso prej tyre, dhe përfito!
Dhe kur të nxjerrësh njohuritë e tua, do të formosh një përzierje mes njohurive të librit dhe mes njohurive që ti i di vetë… dhe në fund do ta gjesh veten të “armatosur” me njohuri.
Dr. Ibrahim el-Fekij
“Zgjoji aftësitë dhe ndërto të ardhmen tënde”