Kujdesi i tregtarit për ahiretin dhe imanin e vet-sipas Imam Gazaliut -PJESA E PARË

Kapitulli i pestë

Tregtari nuk guxon të preokupohet aq shumë me dynjanë sa të mos ketë kohë të mendojë e të kujdeset për ahiretin, sepse kjo botë është e përkohshme.

Fitimin për ahiret nuk mund ta kompenzojë me fitim të dynjallëkut, e mund të ndodhë që dynjanë ta fitojë duke e paguar me ahiret.

I mençuri do të kujdeset për vete, e këtë do ta arrijë duke u kujdesur për kapitalin e vet. Kapitalin e ka edhe pjesë të imanit, edhe punë.

Nga gjeneratat e para të myslimanëve, është thënë:

“Për të mençurin, përparësi ka ajo që më së shumti i duhet në këtë dynja, e në dynja më së shumti i duhet ajo që do t’i sjell dobi dhe punë të lavdërueshme në ahiret.”

Muadh b. Xhebel r.a. në këshillën e tij ka shkruar:

“Ty të duhet hisja jote në dynja, por hisja në ahiret të duhet edhe më shumë. Prandaj, kujdesu një herë për hisen e ahiretit dhe fitoje atë, e rrugës do ta takosh edhe hisen tënde të dynjasë,e edhe asaj rrij gati.”

Edhe Allahu Teala thotë:

“E mos harro hisen tënde në këtë botë’”28-Kasas: 77,  pra, mos harro në këtë botë (dynja), hisen tënde për ahiret. Dynjaja është arë e ahiretit, të mirat fitohen në dynja.

E tregtari do t’a ruaj fenë e vet, duke u kujdesur për shtatë gjëra:

  1. Të ketë nijet të mirë dhe besim kur të fillojë në tregti.

Le ta bëjë nijet se në atë punë do të përmbahet nga lypësaria, që nuk do të lakmojë të tjerët por do ta kërkojë hallallin, që me fitim do ta ndihmojë imanin e vet e t’i plotësojë nevojat e familjes, e me këtë të hyjë në radhët e trimave që jetojnë me drejtësi.

Le ta bëjë nijet të jetë i sinqertë me myslimanët, duke u dëshiruar atyre atë që ia dëshiron edhe vetes.

Le ta bëjë nijet që në punën e tij të ndjekë rrugën e drejtësisë e të mirëbërjes, që e shpjeguam.

Le ta bëjë nijet të urdhërojë të mirën e ta ndalojë të keqen në gjithçka që sheh në punë.

Nëse arrin të ruajë këso bindje e synime, do të jetë një nga ata që punojnë në rrugë të ahiretit.

E nëse krahas kësaj edhe fiton diçka prej dynjasë, atë e ka fitim shtesë që, kur i humbet, prapë do ta ketë fitimin e ahiretit.

 

  1. Me zanatin a tregtinë e tij të ketë qëllim të plotësojë një nga obligimet e xhematit (farzi-kifaje), sepse zanati dhe tregtia janë farzi-kifaje dhe po të braktisen ato, do të mungonin gjërat elementare, e do të shkatërroheshin njerëzit.

Rregulli në dynja është i mundshëm me ndihmë të ndërsjellë dhe me detyra të caktuara. Nëse të gjithë do të merreshin me të njëjtën punë, e punët tjera t’i braktisnin, jeta do të paralizohej.

Bile, në këtë kuptim disa e kanë interpretuar edhe hadithin e Resulallahut s.a.v.s.:

“Dallimi përbrenda ummetit tim është rahmet.”( E kemi përmendur në Librin për diturinë.), pra rahmeti është në punët e ndara dhe në interesime për profesione të ndryshme.

Disa zanate janë tepër të rëndësishme. Ka disa pa të cilët edhe bëhet, sepse ndërlidhen me luks, teprim e stolisje të dynjallëkut.

Myslimani duhet të merret me zanat të tillë që, ai angazhim të jetë i dobishëm për myslimanët tjerë dhe i rëndësishëm për imanin e vet.

Do të duhej të largohet nga zanatet si qëndisja, bojaxhiu, puna me gips dhe zanatet tjera me të cilat vetëm zbukurohet dynjaja. Zanatet e këtilla nuk u kanë pëlqyer fetarëve.

Sa i përket prodhimit të instrumenteve muzikore dhe veglave të ngjashme që janë haram, largimi nga puna me to është sikur largimi nga zullumi e padrejtësia.

Njëjtë është për qepjen e rrobave prej pëlhurës për meshkuj, përpunimin e arit dhe argjendit për të stolisur shalën e kalit ose për të bërë unazë prej arit për meshkuj. Puna në to është gjynah, e fitimi prej tyre – haram.

 Për stoli është përcaktuar zeqat, por që nuk i përfshinë stolitë për meshkuj sepse ato janë haram.

Edhe nëse bëhet si stoli femrash, e prapë synohet të bartet nga mashkulli, kjo nuk e bën të lejuar, sepse rregulli është caktuar lidhur me qëllimin e përdorimit.

Më herët kemi treguar që nuk është e lavdërueshme të shitet ushqimi, e as qefini, sepse kjo kërkon të dëshirohen krizat që shkaktojnë rritje çmimesh dhe të dëshirohet vdekja e njerëzve.

Për myslimanin nuk është e lavdëruar as të jetë kasap, sepse kjo e ashpërson zemrën, e as nga ata që lëshojnë gjakun ose pastrues, sepse kjo kërkon përzierje me papastërti. Njëjtë është me atë që thanë lëkura kafshësh, e zanate të ngjashme.

Ibn Sirrin nuk i donte tellallët, kurse Katade e shihte si të papëlqyer marrjen e kompenzimit për atë veprimtari (Tellall: ai që shet në pazar mallin e tjetrit)

Arsye për këtë, me siguri është fakti se besueshmëria është e vogël që tellali t’i ikë gënjeshtrës ose lavdërimit të tepruar të ndonjë malli, por edhe për faktin që një veprimtarie të tillë nuk mund t’i caktohet vlera: nganjëherë folë më shumë, e nganjëherë më pak, ndërsa adet është që pagesa nuk varet nga të folurit e tij, por nga vlera e shitjes së mallit, e kjo është një lloj zullumi. E drejta e tij është të marrë pagesë sipas punës dhe lodhjes.

Myslimanët e hershëm (si Hasan Basriu, Ibn Sirrini e të tjerët) e shihnin si të papëlqyer edhe shirblerjen e kafshëve të gjalla me qëllim të stërshitjes, sepse atëherë shitësit nuk i pëlqen vendimi i Allahut Teala për ngordhjen e tyre, e që është e paevitueshme. Për këtë, Arabët thonë: “Shite një kafshë e blej dy vdekje.”

Të parët nuk e donin as punën e këmbyesit (bankierit), sepse në këtë veprim vështirë shpëtohet nga kamatat e imëta.

Kjo kërkon edhe njohjen e detajeve që nuk ndërlidhen me vetë mallin, por me tregun e gjerë të mallit.

Këmbyesi (bankeri) rrallë arrinë fitim të plotë, sepse kjo ndodhë vetëm kur myshteriu nuk i di detajet e mallit që po e shkëmben.

Prandaj këmbyesi rrallë mbetet i drejtë, edhe nëse është shumë i kujdesshëm në punën e tij. Nuk është e lavdërueshme që këmbyesi të shkrijë paratë e arit dhe argjendit e t’i përpunojë për stolisje, por, vetëm kur dyshon në rregullsinë e saj, e shkrinë dhe e përdorë në metalet tjera. Ahmed b. Hanbel r.a., thotë:

“Për këtë kemi ndalesë nga Resulallahu s.a.v.s.dhe as’habët e tij(Shënojnë Ebu Davud, Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe Hakimi nga Alkam b. Abdullah, e ai nga i ati), e edhe për mua nuk është e pëlqyeshme.”

Hanbeliu thotë:

“Mënyra më e mirë e kësaj është të blehen me para të arit paratë e argjendit, e pastaj me paratë e argjendit blehet kallëp ari, e më pas e perdor arin aty ku dëshiron, dhe në këtë mënyrë shpëton nga kamata.”

Të parët e donin tregtinë me tekstil. Seid b.

Musejjib thotë:

“Tregtia më e dashur për mua është ajo me tekstil, nëse nuk bëhet bé për të.”

Transmetohet nga Resulallahu s.a.v.s.:

“Tregtia më e mirë për ju është tregtia me tekstil, e profesioni më i mirë, ai i qepësit.”( Shënon autori i Firdevs, nga Ali b. Ebu Talib r.a..), e në hadith tjetër thuhet:

“Sikur xhenetlitë të bënin tregti, do të punonin me stof, e xhehenemlitë me këmbim parash.”( Shënon Mensur Dejlemi në Musnedul-firdeus, nga Ebu Seid, me daif-sened. Ebu Ja’la dhe Ukajli transmetojnë pjesën e parë të këtij hadithi, nga Ebu Bekr, në mesin e transmetimeve daif.)

Më të mirët nga gjeneratat e para të myslimanëve angazhoheshin kryesisht në këto zanate: këpuctari, tregti, transport, rrobaqepësi, lëkurëpunues, zbardhje të pëlhurës, prodhim të mesteve e nallaneve, farkëtari, tjerrje, gjueti e peshkim, si edhe kaligrafi.

Abdulvehhab Verrak tregon:

“Ahmed b. Hanbeli më pyeti një herë se çfarë zanati kam, e kur i tregova që shkruaj, ai ma ktheu: – Kjo është mënyrë e bukur për të fituar hallall.

Po të kisha ndonjë zanat, do ta zgjedhja bash këtë’, dhe shtoi:

– Kur shkruan, shkruaj vetëm në mes të fletës, e fillimisht përcakto gjerësinë e margjinave, që ta theksosh tekstin’.”

Katër zanatçi njihen në popull si njerëz me karakter të lehtë e mendim të dobët: endësi, tregtari i pambukut, prodhuesi i leshit dhe edukatori i fëmijëve.

Kjo me siguri për shkak se këta janë të obliguar të kenë më shumë kontakte me gra e fëmijë, e kontaktet e shpeshta me ata që kanë njohuri më modeste e trashin trurin, njëjtë si kontaktet me të dijshmit që e zhvillojnë.

Muxhahidi tregon për rastin kur hazreti Merjem r.anha ishte duke kërkuar Isanë e vogël,a.s., e kur kaloi pranë një endësi dhe e pyeti për rrugën, ky e udhëzoi në rrugë të gabuar.

Atëherë, Merjemi r.anha bëri dua:

“Ja Allah, këta mos paqin bereqet në fitim, vdekshin si fukará e u poshtërofshin në sytë njerëzve!” Duaja u pranua…

Myslimanët nga gjenerata e parë refuzonin të merrnin pagë për çkado që konsiderohet ibadet dhe farzi-kifaje, siç është larja e xhenazes, këndimi i ezanit, falja e taravisë, ose mësimi i Kur’anit dhe diturive të sheriatit.

Në fakt, të kërkohet pagesë për to është e lejuar, mirëpo shpërblimi do të duhej të pritet në ahiret, e nëse paguhet në dynja, kjo është ndërrim i shpërblimit të ahiretit me shpërblim të dynjasë, që nuk është e dëshiruar.

 

  1. Myslimani të mos lejojë që pazari i dynjasë ta ngarkojë aq shumë, sa të mos ketë kohë të shkojë në pazar të ahiretit, e pazar i ahiretit është xhamia.

Allahu Teala thotë:

“Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur Allahun, për ta falur namazin dhe për ta dhënë zeqatin.” 24-Nur: 36-37

Myslimani pra duhet që fillimin e ditës së tij t’ia kushtojë ahiretit, deri në kohën kur niset për pazar, duke qëndruar në xhami e duke bërë dhikrin e tij.

Omeri r.a. u thoshte tregtarëve:

“Fillimin e ditës jepja ahiretit, e pjesën tjetër – dynjallëkut.”

Njerëzit e mirë nga radhët e gjeneratave të para të myslimanëve ia kushtonin ahiretit edhe fillimin edhe fundin e ditës, e mesin e saj – dynjasë. Bile në mëngjes, vetëm fëmijët dhe zimmitë (Zimmi: jo-mysliman, i cili është pranuar me marrëveshje të qëndrojë në shtetin Islam.) shisnin pilaf me kokë deleje, gjedhi a deveje, deri sa këta ishin në xhami.

Në një transmetim thuhet:

“Kur melaqet të ngriten në qiell me fletën ku janë të shkruara veprat që i ka bërë robi – nëse në fillim të ditës dhe në fund të saj e ka dhikrin dhe veprat e mira, Allahu Teala do t’ia fshijë të gjitha të këqijat që i ka bërë mes tyre.”( Ebu Ja’la, nga Enesi r.a)

E në një transmetim tjetër thuhet:

“Melaqet e natës dhe ato të ditës takohen në kohën e sabahut e të ikindisë. Allahu Teala i pyet: – Në çfarë gjendje i latë robët e Mi?, e Ai më së miri e di gjendjen e tyre,e melaqet përgjigjen:

– I lamë në namaz, e edhe i gjetëm në namaz.

Atëherë Allahu Teala thotë:

– Bëhuni dëshmitarë që i kam falur!( Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejre r.a..)

Pos kësaj, sa herë që myslimani të dëgjojë ezanin për namazin e drekës ose të ikindisë, do të duhej ta ndërpresë punën, dhe të niset për në xhami.

Vlera që fshihet në tekbirin e parë me imamin, në vaktin e parë të namazit, është më e madhe se vlera e krejt dynjasë, me gjithë çka ka, e ky mund ta humbasë.

Disa dijetarë bile mendojnë se, po të mos i bashkohet xhematit, ky është gjynahqar.

Myslimanët nga radhët e gjeneratave të para, sapo e dëgjonin ezanin nguteshin drejt xhamisë, duke ua lëshuar çarshinë fëmijëve dhe zimmive.

Për kujdes në dyqan gjatë kohës së namazit paguanin me kiratë (një e gjashta e dërhemit), që për disa ishte burim i të ardhurave për t’i plotësuar nevojat e jetës.

E në interpretimin e ajetit:

“Ata janë njerëz që nuk i pengon as tregtia e largët e as shitblerja në vend për ta përmendur Allahun.” 24-Nur: 37,thonë se flitet për farkëtarin, rrobaqepësin dhe këpucarin. Ata, edhe po ta kishin çekanin në dorë apo gjilpërën gati, kur të fillonte ezani, nuk do të godisnin me atë çekan e as që do të shponin me atë gjilpërë, por do t’i skajonin, e do të niseshin për namaz.

PJESA E DYTË : https://ekonomiaislame.com/?p=150634

Burimi: Rregullat e sjelljes gjatë fitimit dhe sigurimit të jetesës, Imam Gazaliu

Artikulli paraprakCila gjë është më e rëndësishme të kihet parasysh për sukses: Vrojtimi i njerëzve të suksesshëm në fushën ku punoj, apo konkurrentët e zakonshëm?
Artikulli tjetërBomba atomike e globalizmit