Bomba atomike e globalizmit

Na kanë thënë dhe stërthënë se globalizmi është diçka e mirë, se ai është lëvizje e lirë e njerëzve, ideve dhe mallrave. Në fakt kjo e fundit rezulton e para, por më së shumti vetëm në një kah, nga më i forti tek më i dobëti, duke krijuar një varësi të paprecedentë ekonomike e politike dhe dobësuar ekonomitë e vogla lokale deri në rrënim.
Globalizmi sa më shumë rritet, aq më shumë ndërlikohet, dhe sa më shumë ndërlikohet aq më i cenueshëm dhe i brishtë bëhet. Mjafton një luftë diku apo edhe një virus kompjuteri diku tjetër dhe i gjithë sistemi global mund të shkojë në kolaps!
Nuk e di se sa i saktë mund të jetë si krahasim, por kjo garë e çmendur globale me shpejtësi supersonike për ta kthyer botën në një fshat të vogël, përmes rritjes marramendëse të ndërveprimit njerëzor në çdo fushë të mundshme të jetës, më ngjan me pasurimin e uraniumit dhe çdo lënde tjetër radioaktive, ku sa më i madh të jetë numri atomik aq më e brishtë bëhet lidhja mes grimcave atomike dhe aq më e lehtë është ta shpërbësh atë, duke shkaktuar një reaksion zinxhir, që përbën dhe mekanizmin themelor të një bombe bërthamore. Ndoshta akoma nuk kemi arritur në atë pikë, por këto kriza të shkaktuara nga dora e njeriut duhet t’i bëjnë disa njerëz që t’i thërrasin mendjes, se ëndrra për të pasur gjithë botën në dorë, jo vetëm që është një çmenduri e paarritshme, por vetëm pasoja shkatërrimtare mund të sjellë.
Kapacitetet psikologjike të njerëzve nuk e përballojnë dot ndërveprimin e qëndrueshëm me më shumë se 150 njerëz, thonë studimet në këtë fushë, kështu që lehtësia që u krijon njerëzve teknologjia e sotme e komunikimit nuk bën gjë tjetër vetëm se tenton të normalizojë të panatyrshmen njerëzore duke e kthyer njeriun në një makinë mekanike, si ato që ai ka shpikur vetë.

Sigurisht që faji në këtë mes nuk është i vetë teknologjisë, dhe nuk ka sesi, por i kahut që ajo merr nga përcaktimet, dëshirat e tekat njerëzore më së shumti dhe jo thjesht nga nevojat e domosdoshme të natyrshme jetike. Këto dëshira shndërrohen në “nevoja” pikërisht nga botëkuptimet dhe ideologjitë moderne e post-moderne, që në thelb burojnë nga njeriu që i është larguar natyrshmërisë së tij njerëzore, me të cilën e ka krijuar Zoti, dhe është dhënë pas epsheve, egoizmit dhe tekave të tij të lajthitura./ekonomiaislame/

Autor: Justinian Topulli
Artikulli paraprakKujdesi i tregtarit për ahiretin dhe imanin e vet-sipas Imam Gazaliut -PJESA E PARË
Artikulli tjetërÇfarë është VPN (Rrjeti Privat Virtual)?