Rivaliteti politik në Kosovë në kohë pandemie më kujton edhe mua Carl Schmitt-in. Parlamenti dhe ligjet, madje edhe Kushtetuta, ndodh që lihen mënjanë kur “sovrani i vërtetë”, zakonisht një president ose kryeministër, shpall një gjendje të jashtëzakonshme për të treguar se është më i forti.
Edhe pse nga teoria e Schmitit ka kaluar kohë e gjatë si dhe fatmirësisht është plotësuar rendi juridik në çdo shtet duke eliminuar arbitraritetin, fatkeqësisht në situata të jashtëzakonshme edhe sot e kësaj dite ekziston rreziku i abuzimit me pushtetin.
Pandemia COVID-19 kërkon masa të jashtëzakonshme dhe devijim nga disa dimensione të jetës normale. Në dritën e evitimit të rrezikut të abuzimit me pushtetin, masat e jashtëzakonshme duhet të aplikohen përmes aprovimit të një kornize ligjore nga Parlamenti i Kosovës, që nënkupton një angazhim për ligjshmërinë dhe në restaurimin e plotë të normalitetit sa më shpejt të jetë e mundur.
Kontributin në krijimin e kornizës ligjore në përballje me Covid-19 nëpërmes nismave ligjore duhet ta jap edhe Qeveria në detyrë e Kosovës. Ligji nr. 04/L-025 për nisma legjislative dhe ligjet tjera relevante në Kosovë nuk ia ndalojnë nismën legjislative Qeverisë së Kosovës në detyrë.
Në përballje me pandemin, disa Parlamente iu kanë dhënë “autorizime gjenerale” qeverive të tyre në formë të ligjit që në kohen e pandemisë të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme.
Në situatën e krijuar nga pandemia krahasuar me shtetet tjera roli i Parlamentit të Kosovës ka qenë dhe vazhdon të mbetet pasiv, duke vënë theksin në pasitivitetin e aplikimit të masave të reja në financimin publik konform me përgjegjësit që ka si pushteti më i lartë financiar në vend.
Ajo që shtetet tani janë të fokusuara është aplikimi sa më i madh i masave fiskale si një mënyrë për të minimizuar ndikimin negativ ekonomik nga COVID-19 dhe në këtë angazhim qeveritë e shteteve kanë përkrahjen dhe mbikëqyrjen e plotë të parlamenteve të tyre.
Nga hulumtimi i bërë në muajin mars të këtij viti nga Profesori nga Izraeli, Ittai Bar-Siman-Tov, (Parliamentary activity and legislative oversight during Coronavirus pandemic – A comparative overview) që për fokus pati funksionimin e 26 parlamenteve në botë, del se parlamentet e këtyre shteteve, përkundër vështirësive dhe modifikimeve teknike të punës, vazhdojnë si zakonisht me mënyrën e tyre të rregullt të funksionimit duke u përqendruar në pandemin Covid-19. Madje kanë funksionuar edhe atëherë kur disa deputetë dhe ministra janë diagnostikuar me coronavirus, si në Francë, Britani të Madhe dhe SHBA.
Pandemia padyshim do të ketë efekte negative në financimin publik në Kosovë sepse do të ketë zvogëlim të të hyrave publike si dhe rritje të nevojave për financime. Në kohën kur duhej më së shumti unitet për përballje me pandemin, respektivisht në një situatë të emergjencës globale shëndetësore, Kosova mbeti me qeveri në detyrë e cila pavarësisht kësaj ndërmori një varg masash, kryesisht shëndetësore dhe financiare në përballje me Covid-19.
Edhe përkundër insistimit të presidentit Hashim Thaçi për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, institucionet tjera të Kosovës iu shmangën gjendjes së jashtëzakonshme, por ndërmorën masa të jashtëzakonshme sikurse shumë shtete të tjera. Masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës janë për t`u përshëndetur dhe me siguri do të ndikojnë në zvogëlimin e efekteve negative të COVID-19 në familjet dhe bizneset kosovare.
Megjithatë, Kosova duhet sa më shpejtë që është e mundur të zgjerojë spektrin e masave fiskale. Pra nuk mjaftojnë vetëm masat e marra nga Qeveria të cilat janë të karakterit të administrimit të tatimeve, por duhen edhe masa të reja të politikës fiskale. Këto masa duhet të jenë në fushën e tatimeve, riplanifikimit buxhetor përmes rishikimit të buxhetit në parlament apo në fushën e huamarrjes publike, etj.
Si rrjedhojë, Qeveria duhet të hartoj strategji fiskale për përballje me Covid-19 dhe sa ma shpejtë ta prezantojë atë për aprovim në Parlament. Kjo për faktin sepse efektet negative ekonomiko-financiare të pandemisë do të ndikojnë në nevojën e ndryshimit substancial të buxhetit të aprovuar edhe ashtu me nguti, si dhe ky ndikim negativ do shtrihet përtej buxhetit të këtij viti.
Funksionimi i vazhdueshëm i Parlamentit të Kosovës përgjatë krizës së Coronavirusit, si dhe bashkëpunimi i tij i ngushtë me qeverinë në fushën e financimit publik, si dhe mbikëqyrja e Qeverisë nga Kuvendi, konform me Ligjin mbi menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme.
Roli pasiv i Parlamentit të Kosovës në politiken fiskale në këtë kohë të pandemisë ndikon negativisht në shumë aspekte por para së gjithash ndikon që:
- a) Parimi bazë i demokracisë, që nënkupton të drejtat e Parlamentit për të ushtruar pushtetin mbi paranë publike, nuk realizohet, përkatësisht parlamenti nuk arrin të sigurojë qytetarët se të ardhurat dhe shpenzimet e ofruara në buxhet janë të arsyeshme dhe më së miri i përgjigjen nevojave të tyre dhe që shpenzohen në përputhje me parashikimet, dhe
- b) Nuk mund të realizohet kontrolli efikas i buxhetit dhe ekuilibri midis organeve legjislative dhe ekzekutive, si një parakusht kryesor i administrimit të mirë publik, llogaridhënies dhe përgjegjësisë në menaxhimin e financave publike.
Mjeti më efikas me të cilin Parlamenti mund ta kontrollojë Qeverinë është buxheti. Parlamenti është pushteti më i lartë buxhetor në Republikën e Kosovës dhe ky pushtet rrjedh nga Kushtetuta e Kosovës. Parlamenti i Kosovës de-jure ka të drejtë të pakufizuar mbi buxhetin duke e mbajtur përgjegjëse qeverinë për çdo shmangie nga buxheti i aprovuar dhe për çdo shkelje të dispozitave të Ligjit mbi menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive.
Kushtetuta e Kosovës e specifikon qartë dhe taksativisht rolin e pushtetit legjislativ – Parlamentit dhe ekzekutivit – Qeverisë në procesin e hartimit dhe miratimit të buxhetit. Roli kushtetues i Qeverisë së Kosovës mbi buxhetin, në fazën e aprovimit të buxhetit, është vetëm roli i propozuesit (paragrafi 5 i nenit 93 të Kushtetutës së Kosovës).
Roli kushtetues i Parlamentit të Kosovës mbi buxhetin, në fazën e aprovimit, është roli i aprovuesit (paragrafi 5 i nenit 65 të Kushtetutës së Kosovës). Ndërsa roli dhe përgjegjësit e Qeverisë, Parlamentit dhe me theks të veçantë të Ministrit të Financave në fazën e ekzekutimit të buxhetit caktohen me Ligjin mbi menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive.
Edhe në fazën e ekzekutimit, roli i ekzekutivit, respektivisht Ministris së Financave dhe Qeverisë konsiston në ekzekutimin e buxhetit të parlamentit dhe asgjë më shumë.
Të ekzekutohet buxheti do të thotë të mblidhen të hyrat ashtu siç janë parashikuar me buxhet, në shumat e parapara me buxhet dhe nga burimet e parapara me buxhet si dhe të shpenzohen për qëllimet e parapara me buxhet, në shumat e parapara me buxhet si dhe në kohen e paraparë me buxhet.
Ligji mbi menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësive i parasheh shumë qartë kompetencat e ministrit të financave se në çfarë mase mund të bëj shmangie dhe rialokime në kuadër të kategorive buxhetore nga ajo që është paraparë me buxhet.
Përgjatë gjithë ekzekutimit Qeveria duhet t’i raportojë Parlamentit mbi ekzekutimin e buxhetit brenda 30 ditëve nga mbarimi i çdo çerek viti, si dhe raportin përfundimtar përmbledhës të buxhetit për vitin e kaluar fiskal dhe dy vitet paraprake fiskale, jo më vonë se me 31 mars të çdo viti kalendarik.
Pra, nga sa u tha më lartë, shihet se raporti Qeveri-Parlament në fushën e financimit publik, respektivisht në procedurën buxhetore është raport i llogaridhënës së Qeverisë ndaj Parlamentit për ekzekutimin e buxhetit të aprovuar nga Parlamenti. Ky raport asesi nuk guxon të deformohet nga rivaliteti politik, por duhet të funksionoj mbi bazën e respektit të ligjshmërisë, profesionalizmit dhe praktikave më të mira të menaxhimit të financave publike
Kosova dhe qytetarët e saj të lodhur nuk kanë fare nevojë për rivalitet politik që reflektohet në menaxhimin e financave publike. Kosova dhe qytetarët e saj kanë nevojë, më shumë se kurrë, për një Qeveri llogaridhënëse dhe një Parlament që e përkrah një Qeveri të tillë, gjithnjë në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të tyre ligjore të cilat janë shumë të qarta.
Autori është Profesor i Rregullt në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, bashkëpunëtor i përhershëm në Byronë Ndërkombëtare të Dokumentacionit Fiskal- Amsterdam, dhe anëtar i rregullt në Asociacionin Europian të Profesorëve të së Drejtës Tatimore -Amsterdam.