Zekati i stolive

Zekati i stolive

Shumica e dijetarëve janë të mendimit se nuk ka zekat në stolitë të cilat i përdor gruaja (vathët, qaforet, byzylykët etj.), sepse këto janë gjëra të cilat përdoren siç përdoren rrobat.
Ndërkaq, dijetarët hanefi e obligojnë zekatin në to, siç është obligim në dinarë dhe dërhemë, ngase argumentet që e obligojnë zekatin nuk bëjnë dallimin mes parave dhe stolive, porse përfshijnë çdo gjë që ka të bëjë me ar dhe argjend.
Ajo që e bën më të zgjedhur dhe më të fortë mendimin e parë janë transmetimet e shumë sahabëve të cilet nuk e obligojnë zekatin në stoli, si: Xhabir ibn Abdullahu, Abdullah ibn Omeri, Aishja, Esma bint Ebu Bekri, Enes ibn Maliku etj., edhe pse, sikur të ishte vetëm transmetimi i Aishes, gruas së të Dërguarit lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, do të ishte i mjaftueshëm.
Hasen el Basriu të njëjtën gjë na e transmeton prej katër halifeve të drejtë, duke thënë: “Nuk dimë se ndonjëri prej halifeve e ka obliguar zekatin në stoli.”
Po ashtu Ebu Ubejd Hereviu, në librin e tij “El Emval” (Pasuritë), e përkrah këtë mendim, duke bërë dallim mes parave të asaj kohe, dinarit dhe dërhemit, për të cilat kanë ardhur argumentet se duhet dhënë zekati, dhe stolive, të cilat janë vetëm zbukurim, po edhe gjuhësisht fjalët “dinar” e “dërhem” tek arabët nuk kanë qenë të njohura se nënkuptojnë edhe stolitë.
Mbetet çështja e haditheve të transmetuara nga i Dërguari lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, të cilate obligojnë dhënien e zekatit në stoli. Mirëpo, dijetarët e hadithit, siç janë: imam Tirmidhiu, Hafidh ibn Rexhebi etj., kanë potencuar se të gjitha këto hadithe ose
kanë dobësi në zinxhirin e tyre, ose janë argumente të përgjithshme, që e obligojnë zekatin në para, porse jo në stoli, të cilat përdoren në jetën e përditshme.
Po ashtu shumë dijetarë bashkëkohorë janë të mendimit se zekati në stoli nuk është obligim. Sa për ilustrim po përmend disa syresh: Abdullah Feuzani, Abdullah ibn Abdulaziz Xhibrini, Furejh Behlali etj.

 

Përmbledhje e dispozitave të zekatit nga Flamur Kabashi

Artikulli paraprakZekati i arit dhe argjendit
Artikulli tjetërZekati i mallrave tregtare