Liderët botërorë filluan të mbërrijnë në qytetin egjiptian Sharm el-Sheikh sot për të marrë pjesë në samitin e Kombeve të Bashkuara për klimën, i njohur si COP27.
Takimi në Egjipt filloi të dielën dhe do të zgjasë deri më 18 nëntor, kurse liderët botërorë do të qëndrojnë më 7 dhe 8 nëntor.
Samiti filloi me një fjalim të presidentit të COP26, Alok Sharma, duke shënuar edhe dorëzimin zyrtar Egjiptit.
Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres mirëpritën disa liderë, duke përfshirë presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohamed bin Zayed Al-Nahyan, presidentin francez Emmanuel Macron, presidentin algjerian Abdelmajid Tebboune, presidentin bullgar Rumen Radev dhe kryeministrin britanik Rishi Sunak.
Në samit pritet të marrë pjesë edhe presidenti amerikan Joe Biden.
Sipas Simon Stiell, kreu i Konventës Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike, në COP27 pritet të marrin pjesë 110 liderë dhe krerë shtetesh, si dhe mijëra përfaqësues të shoqërisë civile.
Konferenca do të dominohet nga nevoja në rritje e vendeve të varfra për mjete për të përballuar jo vetëm ndikimet e ardhshme të ndryshimeve klimatike, por edhe të atyre që tashmë ekzistojnë, që kanë marrë jetë dhe kanë shkatërruar ekonomi./AnadoluAgency/
Comments are closed.