Ligji islam, ashtu siç ka rregulluar çdo statut që i përket njeriut në mënyrë të përsosur, për të vetmin qëllim që t’i sjellë njeriut lumturi, t’i mundësojë jetë të dinjitetshme, po ashtu ka shqyrtuar e rregulluar problemet e femrës në të gjitha etapat e zhvillimit të saj.
Në këtë kuadër ka programuar për të atë që është më e favorshmja, po ashtu ka rregulluar me saktësi të veçantë edhe ndarjen e pasurisë për të dy gjinitë-mashkull e femër. Nuk duhet harruar gjithashtu se jemi duke diskutuar për një çështje që Islami e ka dekretuar një të drejtë nga e cila gruaja ishte e privuar, para më tepër se 14 shekujsh, në kohën kur të tjerët jetonin në errësira, kurse femrën nuk e trajtonin ndryshe veçse një plaçkë të pavlerë, pa farë të drejte sociale, dhe kur as që konsiderohej pjesëmarrëse në trashëgimi.
Qysh atëherë Islami i dha të drejtën femrës të jetë poseduese e plotë e pasurisë, qoftë përmes trashëgimisë a ndonjë veprimtarie tjetër, siç e definon këtë Kur’ani: ”Meshkujve u takon pjesë nga pasuria që lënë prindërit e të afërmit (pas vdekjes), edhe femrave u takon pjesë nga ajo që lënë prindërit e të afërmit, le të jetë pak ose shumë ajo që lënë, u takon pjesë e caktuar (nga Zoti)”. (En-Nisa, 7). Kurse Muhamedi a. s., urdhëronte që të mbahej drejtësia në ndarje të pasurisë në mes fëmijëve meshkuj e femra (shih:Buhariu/2447, Muslimi/1624).
Një nga objektivat e legjislacionit islam është dhe mbrojtja-ruajtja e pasurisë së njeriut, pa dallim gjinie, race, feje. Botëkuptimi real aludon se Islami i ka dhënë të drejtën e plotë femrës, ashtu si mashkullit, për pavarësi pronësie, që të jetë poseduese e pasurisë në të gjitha etapat jetësore, format dhe llojet e disponimit të saj, pa marrë parasysh se a është e martuar apo jo, të drejta si: lidhja e të gjitha kontratave pronësore, posedimi i tokës, ndërtesave e pasurive tjera, ashtu siç ka të drejtën e shitblerjes, dhurimit, të lënies peng, të dhënies me qira, të autorizimit, të lënies së testamentit etj. Nuk ka farë dallimi në çështje të tilla në mes femrës dhe mashkullit në Islam.(1)
Lidhur me këtë, thotë Allahu:”Burrave u takon hise nga ajo që fituan ata, dhe grave gjithashtu u takon hise nga ajo që fituan ato”. (En-Nisa, 32).
Tërë pasurinë që ka femra para martesës, sipas Islamit, e bart me vete në emër të saj edhe gjatë martesës, pa pasur të drejtë t’ia keqpërdorë burri, gjithashtu pa qenë e detyruar ta shpenzojë atë as për fëmijët dhe familjen e saj. Asaj i takon edhe dhurata e martesës-mehri, një gjë kjo specifike e fesë islame në këtë formë, një dhuratë kjo që nuk lejohet të kuptohet kurrsesi si shitje e femrëssë bijës (një dukuri e njohur në shoqërinë tonë deri vonë), dhe as kompensim e shpërblim për kontakte intime me të, veçse me këtë Islami, përveç të tjerash, nderon femrën, mbjell dashuri në mes dy partnerëve, vlerëson mundin e femrës sa ishte në familje të të atit, e pas martesës i mundëson të jetë poseduese e plotë e pasurisë dhe ta shfrytëzojë atë sipas vullnetit të vet. Këtë e miraton Allahu në Kur’an: ”Grave jepuni dhuratën e kurorës së tyre më të mirë, e në qoftë se ato, nga vullneti i vet, ju falin diçka prej saj, atëherë hajeni atë hallall të mirë”. (En-Nisa, 4). Jo vetëm kaq, por dhe e ndalon rreptësisht që burri ta keqpërdorë pasurinë personale të saj. (shih: En-Nisa, 20-21).
Në anën tjetër, në kuadër të kësaj, feja Islame i ka siguruar femrës furnizimin dhe shpenzimet e nevojshme të jetesës, qoftë si vajzë-e pamartuar nga ana e prindërve (apo nga farefisi në raste të varfërisë së saj), apo përkujdesje ndaj saj si grua bashkëshorte, si edhe e fëmijëve të saj mbas martesës, në familje të burrit. Kjo çështje konsiderohet e detyrueshme në Islam dhe për të ekziston konsensusi i dijetarëve islam(2), duke u mbështetur në citatin kuranor (Shih: Et-Talak, 3, 7) dhe në hadithin që transmeton Ajshja r. a., se Hind b Utbe i kishte thënë Profetit a.s.: “O i Dërguar i Allahut, Ebu Sufjani është burrë dorështërnguar. Ai nuk na jep mua dhe djalit tim asgjë përveç asaj që unë ia marr fshehurazi”. Profeti a. s. i tha: ”Merr prej pasurisë së tij pa e tepruar, për të plotësuar nevojat e tua dhe të djalit tënd”. (Buhariu 5049, Muslimi 17140).
Në mungesë të përkujdesjes prindërore, ose bashkëshortore për shkak të gjendjes sociale jo të mirë të tyre, shteti islam i garanton asaj asistencë sociale nga arka e shtetit, duke e privilegjuar femrën nga të gjithë të varfrit e tjerë, pavarësisht se a mund të punojë apo jo gruaja.(3)
Gjithashtu, nga të veçantat e fesë islame është se gruas së divorcuar me të drejtë kthimi dhe gruas shtatzënë gjatë periudhës së pritjes, i takon furnizimi, mbulimi i shpenzimeve të jetesës, edhe nëse ajo është e pasur(4) (Shih:Et-Talak, 6, El Bekare, 241, 236, El Ahzabë, 49).
Gjithë kjo me pretekst që, edhe në raste të divorcimit, furnizimi të jetë përkëdhelje për të, njëkërkimfalje ndaj saj, me qëllim që t’i zbuten dhimbjet e plagëve nga divorci.(5)
Njëkohësisht legjislacioni islam i mbulon dhe shpenzimet e gruas gjidhënëse, me qëllim që nëna të përkujdeset për rritjen e fëmijës në kushte sa ma të volitshme(6). Këtë e vërteton Kur’ani (shih: El- Bekare, 233 dhe Et-Talak, 6).
Superioriteti i legjislacionit Islam në trashëgimi
Përse i përket trashëgimisë së femrës sipas legjislacionit, feja islame jo vetëm që gruas i jep këtë të drejtë, por dhe u tërheq vërejtjen atyre që e privojnë atë nga trashëgimia (shih: En-Nisa, 19). Kurse ata që mendojnë se feja islame ka diskredituar femrën në shumë aspekte, me theks të veçantë se e ka privuar nga e drejta e trashëgimisë ose që asaj i jep sa gjysma e mashkullit, Kur’ani zgjidh në mënyrë të detajuar këto çështje, duke iu kundërvënë atyre që bëjnë spekulime lidhur me këto çështje (shih: En-Nisa, 11).
Në çështje të trashëgimisë, legjislacioni islam ka ndjekur rrugë dhe forma ekskluzive për ndarjen e pasurisë së trashëguar (ligje që nuk gjenden tek asnjë
konfesion tjetër fetar dhe as tek ligje të shkruara botërore) në mënyrë të drejtë, siç urdhëron në Kur’an: “Allahu ju urdhëron për sa i takon trashëgimisë së fëmijëve” dhe, duke përmbyllur citatin, njofton Allahu se ndarje e trashëgimisë kësisoj është ”Urdhër nga Allahu” (En-Nisa, 11), duke synuar fillimisht vetë ruajtjen e pasurisë së trashëguar nga trashëguesi, dhe duke u dhënë përparësi trashëgimtarëve më të nevojshëm, që janë fëmijët e trashëguesit, për faktin se prindërit janë më afër përfundimit të jetës sesa fëmijët, prandaj dhe pjesa më e madhe u takon këtyre të fundit. Në anën tjetër, përderisa nevojat e djalit janë më të mëdha se të vajzës, ngase në Islam prej tij kërkohet furnizimi i familjes dhe përkujdesja për të, e kjo gjë nuk kërkohet nga vajza, sepse asaj i dhurohet pasuria e nuk i merret, – atëherë djali merr dyfishin krahasuar me vajzën (dhe jo gjithherë). Këtë e vërteton edhe citati (shih: En-Nisa, 34).
Pa hezituar themi se dispozitat e trashëgimisë në Islam janë ndër çështjet më të kristalizuara, ngase janë thjeshtuar aq mirë personat që janë pjesëmarrës në trashëgimi dhe hiset e tyre të ndara veç e veç, në mënyrë që të mos ketë mundësi të nga dikush për manipulim, duke ndjekur maksimën universale se pasuria është e shenjtë. E si të mos jetë kjo çështje ashtu siç u theksua sa kohë që formën e ndarjes e ka marrë përsipër Ai, dituria e të Cilit është absolute. Ai thotë: ”… ju nuk dini se kush është më afër dobisë suaj, prindërit tuaj ose fëmijët tuaj. (Ky përcaktim është) Urdhër nga Allahu. Vërtet Allahu është më i dijshmi më i urti”. En-Nisa, 11).
Prandaj edhe them që ata të cilët i qasen studimit të kësaj çështjeje, duhet të studiojnë këto dispozita në terësi e jo në mënyrë parciale.(7)
Kur të flasim mbi trashëgimin e femrës në legjislacionin islam, doemos duhet theksuar që juristët islam pohojnë se femra konsiderohet nga trashëgimtarët që nga lindja e saj, bazuar në thënien e Pejgamberit a. s.:”Nëse fëmija lind i gjallë, ai trashëgohet”.(Ebu Davudi/2920, Ibn Maxhe/2751- hadith i saktë).
Po ashtu femra trashëgon në cilësitë si vijon:
1- Si femër; për se thotë Allahu në Kur’an:
”Meshkujve u takon pjesë nga pasuria që e lënë prindërit e të afërmit, edhe femrave u takon pjesë nga ajo që lënë prindërit e të afërmit, le të jetë pak ose shumë ajo që lënë, u takon pjesë e caktuar (nga Zoti)”.En-Nisa, 7).
Citati në fjalë vërteton trashëgiminë e femrës në disa aspekte:
a)duke i specifikuar ato veçmas aga meshkujt e jo së bashku me ta;
b) duke përsëritur dy herë pjesën e saj brenda citatit, me qëllim që të mos lënë vend për dyshim dhe manipulim.(8)
2- Si nënë; siç e vërteton Allahu:
”… për prindërit, për secilin prej tyre, u takon një e gjashta nga ajo që ka lënë (i vdekuri) nëse ka fëmijë; e në qoftë se (i vdekuri) nuk ka fëmijë e atë e trashëgojnë (vetëm) prindërit, atëherë nënës së tij i takon një e treta..”..(En-Nisa, 11).
3- Si bashkëshorte; për se thotë Allahu:
”Atyre (grave) u takon një e katërta nga ajo që lini ju, nëse nuk keni fëmijë, por, nëse keni fëmijë, atyre u takon një e teta nga ajo që lini“. (En-Nisa, 12).
4- Si vajzë; lidhur me këtë pohon Kur’ani:
”Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra; nëse janë (trashëgimtare) vetëm femra, dy e më shumë, atyre u takojnë dy ty tretat e pasurisë që trashëgohet, nëse është një femër, asaj i takon gjysma..”.. (En-Nisa, 11).
5- Si motër (prej nëne); për se thotë Allahu:
”… në qoftë se (i vdekuri) është mashkull ose femër, trashëgohet nga ndonjë i largët ( nëse s’ka as prindër as fëmijë) po ka një vëlla ose një motër (nga nëna), atëherë secilit prej tyre u takon një e gjashta, e në qoftë se janë më shumë (se një vëlla ose një motër), ata janë pjesëmarrës të barabartë në të tretën (e tërë pasurisë)”. (Nisa, 12).
6- Si motër prej një nëne e një babai; thotë Allahu:
”(Shih: En-Nisa, 176). Kurse Muhamedi a. s. ka thënë: ”Motrat vërini së bashku me vajzat mbështetëse”. (Buhariu, 6741). Po ashtu merr hise edhe si motra prej babai.
7- Si gjyshe (e vërtetë) trashëgon një të gjashtën, nëse i plotëson kushtet;
lidhur me trashëgimin e saj rrëfen Kubejsa ibn Dhuejb (Shih: Transmetojnë të pestët, me përjashtim të Nesaiut, Termidhiu pohon se hadithi është i saktë-Irva’el Galil 1680).
Që nga mesi i shekullit të kaluar janë ngritur akuza në drejtim të Islamit, gjoja se feja islame ka diskriminuar femrën-vajzën duke i dhënë asaj hise sa gjysma e djalit. Në fillim të këtij shkrimi sqaruam disa nga arsyet e kësaj, por, megjithatë, jo gjithherë femra trashëgon sa gjysma e mashkullit.
Kjo ndodh vetëm në katër raste:
1-Kur në trashëgimi janë vetëm një vajzë e një djalë.
2- Kur në trashëgimi janë babai me nënën dhe nuk ka trashëgues nga fëmijët dhe as burrë e grua, nënës i takon një e treta, kurse të tjerat – dy të tretat babait.
3- Kur në trashëgimi janë motra ose motra prej babai me vëllain apo vëllai prej babait.
4-Kur vdes njëri prej bashkëshortëve, nëse nuk kanë pasardhës trashëgues, burrit i takon gjysma e hises, kurse gruas një e katërta, ndërsa nëse kanë pasardhës trashëgues, burrit i takon një e katërta, kurse gruas një e teta. Por, ka më shumëse këto raste që theksuam, kur gruaja trashëgon sa edhe burri.
P.sh.: – Kur gjenden babai me nënën dhe kanë një djalë pasardhës trashëgues, babai merr një të gjashtën e po ashtu edhe nëna, kurse pjesën tjetër e merr djali-tasiben. Ose rasti i vëllezërve nga nëna me motrat nga nëna, siç sqaron citati (shih: En-Nisa, 12). Ky citat sqaron në mënyrë eksplicite barazinë e hises së femrës me të mashkullit. Kemi mbi dhjetë raste kur femra, në fakt, trashëgon më shumë sesa mashkulli.
P. sh.:Kur vdes një grua dhe lë trashëgim, po e zëmë 60 mijë euro, kurse trashëgimtarë janë: burri, babai, nëna dhe dy vajza. Në këtë rast hisja e burritështë një e katërta (15 mijë, por, meqenëse kjo çështje ka aul-pakësim) atij i takojnë /12 mijë, hisja e babait është një e gjashta/ 8mijë (pjesa tjetër është tasib-edhe pse s’mbetet gjë), hisja e nënësështë po ashtu një e gjashta /8 mijë, kurse hisja e dy vajzave dy të tretat /32 mijë, për secilën nga 16 mijë. Jo vetëm kaq, po ka raste në trashëgiminë islame kur femra trashëgon e mashkulli nuk trashëgon asgjë.
P. sh.: rasti i motrës prej babai dhe vëllait prej babai;në një gjendje të tillë trashëgimia ndahet kësisoj: Nësepasuria e mbetur është 84 mijë euro, e trashëgimtarë janë: burri, motra prej nëne e babai dhe motra prej babai, – atëherë hisja e burrit është gjysma/36mijë (edhe pse në këtë çështje ka aul-pakësim), hisja motrës prej nënës dhe babait është gjysma/36 mijë, kurse hisja e motrës nga babai është një e gjashta/12 mijë. Mirëpo, nëse nga trashëgimtarët do të ishte vëllai prej babait në vend të motrës prej babait, atëherë hisja e burrit do të ishte gjysma/42 mijë, po ashtu edhe hisja e motrës prej nënës dhe babait/42 mijë, kurse për hisen e vëllait prej babait pjesa tjetër-tasiben, pra nuk mbetet asgjë. Nga rasti që u sqarua më sipër, motrës prej babait i takonte një e gjashta/12 mijë, kurse vëllait prej babait nuk i takonte asgjë.(9)
Dëshmi e qartë për drejtësinë e Islamit në trashëgimi
Si përmbledhje nga sa u theksua më lart, mundë të thuhet se ky është Islami, i cili në periudhën e errësirës e të injorancës botërore ka sjellë alternativatmë sublime për të gjitha kohët, edhe më stabile, për të mbrojtur interesin e femrës, ruajtjen e dinjitetit të saj, me theks të veçantë ruajtjen e pasurisë së saj. Këtë e vërtetojnë edhe këto dëshmi që po sjellim, nga ata që nuk janë muslimanë.
Femra të shumta jomuslimane, të cilat, kur lexuan citatet kuranorë që flasin mbi trashëgiminë( En- Nisa, 124), njëkohësisht, duke vërtetuar maksimën e barazisë në Islam, pohuan: ”Mësimet profetike nuk u kufizuan vetëm me dispozitat gjithëpërfshirëse, ai vendosi ligj për trashëgimin e femrës, i cili është më i drejti, më liberal për pavarësimin e saj sesa ligji i krishterë anglez, i cili veproi deri para njëzet vjetësh. Ajo që solli Islami për femrën, duhet të merret model, ngase garanton sigurinë e tyre, dhe të gjitha pronat e tyre të trashëguara nga të afërmit, vëllezërit dhe burrat e tyre”.(10)
Kurse autori i librit (Civilizimi evropian, -Gustave Le Bon) pohon: ”Kur’ani i mundësoi femrës të drejta trashëgimore më të avancuara sesa ligjet tona evropiane; kriteret që vendosi Kur’ani për trashëgimi, janë më të drejta. Lexuesi këtë mund ta vërejë edhe në bazë të citateve që sjell ai. Gjatë krahasimit në mes tyre – citateve kuranore – dhe të drejtave franceze e angleze, mund të pohojmë se nuk është e vërtetë ajo që thuhet për muslimanët, se ata nuk kalojnë jetë të mirë me gratë e tyre, të drejtat në trashëgimi që janë në Islam, nuk mund t’i gjejmë dot në ligjet tona”.(11)
Njofton gazeta islame në Kajro ”El-vihde el- Islamije”, se në Sudanin Jugor u konvertuan në Islam më se 60 priftërinj si rezultat i njohjes me formën e ndarjes së trashëgimisë në Islam.(12)
Mr. Sadat Rrustemi
[1] Neval bint Abdulaziz el-Aid, Hukuk elmer’ti fi dev’ë es-sune ennebevije, bot1. 2006, f. 577.
[2] Alaudin Ebi Bekr b Mesud elkasani elHanefi, Bedaia sanaia fi tertip esh-sheraia, bot2-1974, Dar elkitab ealarabi-Bejrut, v4, f. 23, dhe Muvefekudin Ebi Muhamed Abdullah b Ahmed b Muhamed b Kudame elMakdisi, Elmugni, Dar alem elkutub, b2- 1997, v. 11, f. 347
[3] Ibn Abidin, Red elmuhtar ala ed-dur elmuhtar, v3. f. 614.
[4] Dr. Mustafa Sibai, elmeretu bejnel fikhi vel kanun, b1-1998. muesesetu err risate, f. 25.
[5] Hukuk elmer’ti fi dev es-sune en-nebevije, f. 618.
[6] Meha Jusuf Gjarullah, Inajet elkur’ani ve es-sune bi meshari elmer’ti, dar ibn hasm, b1-2008, f. 272.
[7] Mr. Sadat Rrustemi, Ligje juridike kushtuar femrës muslimane në trojet joislame, studim për nivelin master profesional, Universiteti Amerikan i Hapur, fakulteti i studimeve islame dhe arabe-studime posdiplomike, Kajro 2008, mentor:Ibrahim Abdurrazik elHuli, f. 430.
[8] Hukuk elmer’eti fi dev es-sune en-nebevije, f. 692.
[9] Nidham elmevarith fi eljehudije ve en-nesranije velislam, f. 180, hukuk el mer’eti fi dev’ es-sune en-nebevije, f. 702-706, Mekanet elmereti fi elkur’an elkerim ve es-suneti es-sahiha, f. 145.
[10] Elmer’tu bejne elfikhi velkanun, f. 143.
[11] Marrur nga:Hukuk elmer’ti fi dev’ es-sune en-nebevije, f. 707.
[12] Numër 17, nëntor 2005, Komisioni Botëror për thirrje dhe këshillim Kajro-Egjipt.
Comments are closed.