Subvencionimi i pajisjeve për ngrohje: Inspektorati ende s’di gjë për rritje të çmimeve

Thirrja për subvencionim nga Ministria e Ekonomisë për pompa termike, klima, inverter e stufa për ngrohje, ka bërë që operatorët ekonomikë të cilët merren me shitjen e tyre të ngritin çmimet e tyre. Por, çfarë ka bërë Inspektorati?

Në një përgjigje për Nacionalen, Inspektorati i Tregut i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk kanë treguar saktë numrin e inspektimeve që janë bërë gjatë kësa periudhe.

Nga kjo ministri kanë thënë se të shtunën dhe gjatë javës janë kryer inspektime mirëpo nuk kanë treguar se a është dënuar ndonjë operator për rritjen e çmimeve.

“Inspektorati i Tregut i MINT, gjatë ditës së shtune (të javës së kaluar) dhe gjatë kësaj jave, ndër të tjera ka inspektuar Operatorët Ekonomikë të cilët merren me tregtinë e pajisjeve dhe lëndës së parë për ngrohje: pompa termike, klima, inverterë, stufa per ngrohje, pelet etj.” – kanë thënë nga MINT.

Sipas kësaj ministrie, “qëllimi i inspektimeve është të verifikohet nëse ka lëvizje/ngritje të çmimeve (në veçanti pas shpalljes publike për subvencionim të pajisjeve efiçiente nga Qeveria/Ministria e Ekonomisë), si dhe të verifikohen nëse pajisjet janë të shoqëruara me certifikata të sigurisë dhe etiketë të efiçiencës së energjisë.”

Nga MINT thonë se ngritje e çmimeve tek pajisjet për subvencionim janë vërejtur gjatë muajit shtator ndërsa peleti gjatë muajit shtator dhe tetor.

“Në këtë fazë jemi duke analizuar dokumentacionin e prezantuar nga operatorët e inspektuar dhe me sa shihet deri më tani, mund të konstatojmë që gjatë muajit shtator vërehet një ngritje jo e theksuar e çmimeve te disa pajisje e cila ngritje ka filluar gjatë muajit shtator, kurse te peleti vërehet një ngritje e çmimit gjatë muajit shtator dhe tetor, por jemi duke analizuar nëse ngritja e çmimit të peletit po vjen si pasojë e ngritjes së çmimit të furnizimit, apo kemi ngritje të marzhës tregtare nga vetë bizneset, për shkak rritjes së kërkesës,” – thuhet në përgjigjen e tyre.

Më 6 tetor, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli prezantoi masat për Subvencionim të qytetarëve për Efiçiencë të Energjisë. Për këto masa u ndanë 6 milionë euro nga Qeveria e Kosovës.

Sipas ministrisë së Ekonomisë, me anë të këtyre masave priten të subvencionohet 10 mijë familje me pajisjet që do të ulin gati 70 për qind të konsumit të energjisë elektrike për ngrohje.

Pajisjet të cilat do të subvencionohen janë; pompë termike, pompë termike ajër-ajër të tipit inverter me efiçiencë të lartë (kondicioner/ klimë eficiente), kaldaja me biomasë (dru, pelet, briket) dhe stufa individuale me biomasë.

Afati i për aplikim ishte i hapur për 14 ditë, mirëpo për shkak të plotësimit të numrit të kërkesa, ky afat është mbyllur prara kohe.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Ekonomisë e cila ka treguar numri total të aplikuesve për fazën e parë që është:

“Numri total i aplikuesve 5992 – Pompë Termike 1313 aplikues, – Inverter 2656 aplikues, – Kalda me Biomasë 816 aplikues, – Stufa me biomasë 1207 aplikues. Numri i aplikuesve të cilët janë në kategorinë e mbështetjes së skemës të asistencës social është 275. Theksojmë se deri më tani numri total i aplikuesve për fazën e dytë është 218.”, thuhet në njoftimin e tyre.

Nuk dihet nëse do të vazhdohet përsëri kjo masë pasi ka pasur kërkesa të mëdha nga ana e qytetarëve.

Kujtojmë se Qeveria ka paralajmëruar se do të ketë dimër të vështirë sa i përket situatës me energjie elektrike, teksa ka kërkuar që të kursehet rryma./buletiniek

Artikulli paraprakQASJA SITUACIONALE E LIDERSHIPIT
Artikulli tjetërSa janë reale arritjet ekonomike që i trumbeton Qeveria ?